Bayern i frikshëm, festojnë City e Liverpool. Lukaku shpëton Interin

21 Tetor 2020, 23:08Sport TEMA

U mendua se Bayern Munchen do ta kishte të vështirë përballë Atletico Madrid, por djemtë e Hans-Dieter Flick po “fluturojnë” në fushë dhe siguruan një 4-0 të pastër përballë një prej kundërshtarëve më të vështirë me të cilët mund të përballesh.

Dominim i kampionëve në fuqi të këtij kompeticioni, të cilët iu falën dygolëshit të Kingsley Coman dhe rrjetave të mesfushorëve Goretzka e Tolisso për të “shkatërruar” djemtë e Diego Simeones, dhe për ta nisur me tre pikë sezonin e ri evropian.

Triumf minimal për Liverpool në Amsterdam. Skuadra e Jurgen Klopp fitoi 0-1 ndaj Ajax, duke iu falur autogolit të argjentinasit Tagliafico në minutën e 35-të. Në këtë moment kanë rëndësi pikët dhe kampionët e Anglisë ia dolën ta nisin me fitore në një fushë aspak të lehtë.

Barazim spektakolar në “San Siro” mes Interit dhe M’Gladbach. Të katër golat u realizuan në pjesën e dytë. Dygolësh i Romelu Lukakut, teksa algjeriani Bensebaini dhe Jonas Hofmann ishin autorët e golave të skuadrës gjermane.

Në ndeshjet e tjera ra në sy fitorja me “poker” e Atalantës në Danimarkë kundër debutuesve të Midtjylland, aty ku shënuan të gjithë sulmuesit: Zapata, Gomez, Muriel dhe Miranchuk, teksa Berat Gjimshiti luajti gjatë gjithë ndeshjes.

Fitore edhe për Manchester Cityn e Pep Guardiolës, që përmbysi Porton në shtëpi dhe triumfoi 3-1 falë rrjetave të Sergio Agueros, Ilkay Gundogan dhe Ferran Torres. Sfida tjetër midis Olympiacos dhe Marseille përfundoi 1-0.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje