Rama i “mbyll” gojën Berishës me dërgimin e “detit” në Hagë, “kryqëzohet” me Metën

21 Tetor 2020, 12:38Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama dha dje zyrtarisht lajmin se Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që për çështjen e “detit” t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare.

Në këtë mënyrë kreu i qeverisë shqiptare ka gjetur rrugën më institucionale të mundshme për të zgjidhur një problem, i cili ishte bërë gangrenë e politikës shqiptare, dhe asaj greke, që në vitin 2008 kur filluan bisedimet për marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2009 nga qeveria e Berishës.

Ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve buzëqeshja e Lulzim Bashës, asokohe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së detit, ku pala greke përfitonte mbi 300 kilometra katrorë territor shqiptar.

Për më tepër që spikati dhe gëzimi i dy kryeministrave të kohës së Greqisë dhe Shqipërisë, respektivisht Kostas Karamanlis dhe Sali Berisha, nën vështrimin e diktatin të cilëve u nënshkrua kjo marrëveshje.

Në atë kohë shpërtheu një përplasje e fortë politike që kulmoi me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kësaj marrëveshjeje nga ana e opozitës së atëhershme të kryesuar nga Edi Rama, me argumentin se është cënuar tërësia e hapësirës territoriale e Shqipërisë dhe se negociiatat janë zhvilluar me mungesë të theksuar transparence. Madje pa plotfuqishmërtinë e Presidentit!

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e Berishës, një vit më vonë, me unanimitet të plotë, 9 me 0. U cerfifikua akuza e opozitës së atëhershme të Ramës, sipas të cilës Berisha ka cënuar tërësinë territoriale të Shqipërisë, duke u dhënë rrugë akuzave se kishte kryer një akt tradhëtie kombëtare.

Por ditën e djeshme Rama, në konferencën e përbashkët për mediat me ministrin e jashtëm grek Dendias lajmëroi se ishin dakordësuar që çështja të shkonte në gjykatën ndërkombëtare.

“Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare, së bashku Shqipëria dhe Greqia do i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi i, në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit”, u shpreh Rama. Kryeministri madje tha se ata që i quaji “patriotët e detit” nuk do kenë më punë me këtë çështje e cila do marrë zgjidhje nga instancat ndërkombëtare.

“Më vjen keq për patriotët e detit por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre se çështja e detit nuk është më një çështje me të cilën mund të bëjnë as propagandën e tyre të shpifur antigreke që është një turp dhe as elektorat patriotik në Shqipëri apo dhe në Kosovë”, tha ai.

Nga ana e tij dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias deklaroi se Greqia është gjithmonë e gatshme të bëjë çdo përpjekje, sikundërse u shkon për shtat dhe vendeve europiane, sigurisht duke mbajtur dhe marrëdhënie të mira Shqipëri-Greqi.

“Dua të përfshijmë gjithçka që ju doni, çfarëdo që ju dhe qeveria juaj ka dëshirë dhe është dakord që ta bëjë. Edhe me ministrin Cakaj kishim një tematikë shumë të gjerë diskutimesh. Diskutuam për tematikën e vendosjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Si bazë do të ketë marrëveshjen e OKB-së. Jam shumë i lumtur të përsëris atë që tha dhe vetë kryeministri Rama. Kështu ne do të zbatojmë të drejtën tonë ndërkombëtare dhe do të shkojmë në Gjykatën e Hagës”, tha Dendias.

Palët pra janë dakordësuar, duke lënë në këtë mënyrë “pa tekst” të gjithë kundërshtarët politikë në Shqipëri, që deri më tani kanë përdorur dhe shpresonin të përdornin deri më 25 prill kartën e patriotizmit dhe të akuzave ndaj Ramës për tradhëti kombëtare me “detin”.

Debati kishte shpërthyer që më 16 gusht të këtij viti, kur kryeministri Edi Rama deklaroi në Athinë se çështja e ndarjes së kufirit detar me Greqinë mund të zgjidhet përmes ndërmjetësimit të një pale të tretë ose duke e çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas tij, kjo zgjidhje do të ishte më e gjithëpranuar nga të gjitha palët. “Është një marrëveshje që është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Jam besimplotë që jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e shkuar për çështje që duhen shqyrtuar dhe zgjidhur, pasi herë as herë kthehen në çështje të nxehta, ndërkohë që janë vetëm çështje të thjeshta në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Që kjo të çështje të mos përdoret nga forca të errëta kundër të dyja vendeve, kam një ide shumë të thjeshtë që e kam paraqitur më parë. Kur bëhet fjalë për çështje detare të mund ta zgjidhim me ndihmën e të tjerëve, që do të thotë përmes një pale të tretë, ose akoma më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare. Kjo do të jetë e drejtë, objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët.

Imagjinoni, kryeministri i Greqisë fliste në parlament për një të drejtë legjitime të Greqisë, mbështetur në konventën ndërkombëtare për të shtritë kufijtë e vet detarë me 12 milje dhe shndërrohet në çështje në rrjetet sociale në Shqipëri dhe në qarqet politike në Shqipëri”, tha Rama në gusht, duke dhënë përgjigje paraprake për Berishën, Metën dhe Bashën të cilët kishin ngritur akuza të forta se Rama po i falte 12 milje Greqisë dhe për pasojë sipas tyre mbërrinte kështu deri në Vlorë.

Lëvizja e fortë politike e Ramës për këtë çështje ka bërë që të heshtin Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta. Kreu i PD në takimin me ministrin e Jashtëm Dendies pas konferencës për mediat të Ramës, kërkoi pikërisht atë që kishte deklaruar publikisht kryeministri shqiptar: Dërgimi i zgjidhjes së çështjes së “Detit” në Hagë.

Ndërkohë që Presidenti i Republikës Ilir Meta faktin që ka mbetur i befasuar nga kjo lëvizje e Ramës dhe dakordësisë me palën greke, e ka bërë që të heshtë dhe të mos japë të paktën deri më tani asnjë prononcim publik. Sot e filloi ditën me kampionin e botës në boks Robin Krasniqi.

Ndërsa Sali Berisha ka qënë një ithtar i heshtur i dërgimit të çështjes së “detit” në Hagë, por në ndryshim nga qëndrimi i Ramës, ish kryeministri demokrat i qëndron marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria e tij në vitin 2009.

Që para dy vitesh ai ka zbuluar për herë të parë dakordësinë e tij me palën greke pas vendimit të Kushtetueses që e rrëzoi marrëveshjen, që ta dërgonin këtë marrëveshje në Hagë.

Për të është marrëveshja më e mirë e mundshme për Greqinë dhe Shqipërinë dhe se ajo ishte rrëzuar nga Edi Rama i mbështetur nga palët e treta, duke nënkuptuar Turqinë.

“Marreveshja e 2009 ishte marreveshje ne te cilen ndarja e detit bazohej ne metoden e barazise pra ne matjet dhe ndarjen ne pjese te barabarte te siperfaqes detare midis palve. Kjo metode qe parashikohet si metoda kryesore per ndarjen e territoreve detare midis vendeve fqinje eshte perdorur per zgjidhjen dhe percaktimin e kufirit detare ne mbi 98% te rasteve ne Europe.

Sipas kesaj metode, ne te cilen bazohet marreveshja e vitit 2009, ne menyre absolute Greqia nuk i ka marre Shqiperise as dhe nje meter katror det.

Vendimi i Gjykates Kushtetuese i bazuar ne ankesen e Edi Rames ishte absolutisht korruptiv dhe ne interes te nje pale te trete, te ciles nuk i interesonte qe kufiri midis Shqiperise dhe Greqise te zgjidhej me kete metode.

Pas anullimit te zgjidhjes me kete metode mbetet rruga tjeter qe palet tashme te bazuar jo ne matje te bien dakord njera me tjetren se cilen pjese do te marre njera pale dhe cilen do te marre pala tjeter.

Pra ne rast se ne metoden e pare te bazuar ne parimin e barazise jane matjet ato qe percaktojne siperfaqen e seciles pale, ne rastin e dyte behet pazar se çfare pjese do marre njera pale dhe çfare pjese do te marre pala tjeter dhe sipas traktatit te detrave ne rastse palet nuk bien dakord atehere jane te detyruara te shkojne ne Gjykaten e detit te Hamburgut ose te Hages.

Pas anullimit te marreveshjes se vitit 2009 rruga e vetme per Ramen ishte ose te pranonte oferten greke dhe te merrte siperfaqen e ofruar prej tyre ose te kerkonte zgjidhjen e çeshtjes ne Gjykaten e Detit.

Ne kerkuam pas anullimit te marreveshjes qe çeshtja te zgjidhej ne Gjykaten e Detit, pala greke fillimisht nuk donte por me vone kerkoi qe per arsye teknike ti drejtoheshim jo gjykates se Hamburgut por te Hages dhe ne pranuam.

Kurse Rama pranoi te beje vetë pazarin per hir te karriges se tij dhe pranoj qe pala greke te zgjeroje kufirin e saj nga 6 ne 12 milje detare ky eshte nje leshim katastrofal”, akuzonte Berisha më 31 janar 2018 kryeministrin aktual Edi Rama.

Madje në mënyrë të vazhdueshme mediat e familjes së tij dhe ato afër PD dhe LSI i mëshuan fort idesë së ndërhyrjes së Turqisë në këtë çështje, duke publikuar herë pas here dhe një deklaratë të një ish gjenerali turk që konvergonte në idenë e përzierjes së Turqisë.

“Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, në vitin 2010 ka qenë qeveria e PASOK, kanë insistuar që rinegocionojmë, ju kemi bërë të qartë që nuk ka rinegociim, prandaj le të shkojmë në Gjykatën e Hagës. Pas hezitimesh, ata ranë plotësisht dakord.

Pas tyre erdhi në pushtet Samaras, i cili ra dakord për Gjykatën e Hagës. Ne arritëm një marrëveshje, dhe dy qeveritë greke ranë dakord të shkonim në Hagë. Pastaj u ndërrua pushteti dhe unë këtë dakordësi ja përcolla menjëherë atyre që erdhën në pushtet. Ekzistojnë një seri deklaratash të mi në takime me zyrtarët më të lartë të Greqisë.

Insistimi për të shkuar në gjykatë, dakordësia për të shkuar në gjykatë, vetë Rama ka deklaruar se Samaras i ka thënë do shkojmë në Gjykatë. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte një marrëdhënie serioze, ishte një marrëveshje serioze. Nuk mund të ulesh me qeverinë tjetër 1 vit dhe t’i thuash pas 1 viti se ne kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Berisha dje.

Duke treguar qartë se i “qan” sërish zemra vetëm për marrëveshjen e vitit 2009 të nënshkruar nga Basha dhe Bakojani, në prani të tij dhe homologut greke në atë kohë, Karamanlis.

Ndërkohë që shton se momenti aktual për të shkuar në Gjykatë Ndërkombëtare për ndarjen e detit, Berisha thotë se nuk është në favor të Shqipërisë.

“Kur ishte më mirë Shqipëria, kur shkonte në Hagë me Greqinë 6 milje apo sot që shkon në Hagë me Greqinë 12 milje? Marrëveshja u rrëzua mbi një hartë të falsifikuar”, deklaroi ai.

Por dhe dakordësia e palëve aktualisht për dërgimin e “detit” në Hagë është e koklavitur. Pasi ka vonesa procedurale, dhe për më tepër që duhet të arrihet një marrëveshje e re që ajo të dërgohet për gjykim në gjykatën ndërkombëtare.

Për më tepër që sërish në lojë është presidenti Ilir Meta, i cili nuk e përjashton mundësinë e pengimit për kredo politike. Sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi vendimi për të dërguar marrëveshjen e detit në Hagë mund të rrëzohet nga Presidenti Ilir Meta.

Ai sqaron se Gjykata e Hagës bëhet kompetente për këtë problem kur të dyja palët të kenë depozituar atje një marrëveshje kompromisi dhe kjo është marrëveshje kompromisi midis shteteve dhe jo midis qeverive. Pra, autorizimin për këtë çështje e jep vetëm presidenti.

“Nuk mund të vendosë dot kryeministri sepse Gjykata e Hagës bëhet kompetente për këtë problem kur të dyja palët të kenë depozituar atje një marrëveshje kompromisi dhe kjo është marrëveshje kompromisi midis shteteve dhe jo midis qeverive.

Që do të thotë se autorizimin për këtë marrëveshje nuk e jep kryeministri, por kryetari i shtetit, i cili do të bisedojë, duhet të bjerë dakort, me strukturat, me ministrinë e jashtme, me kryeministrin.

Dhe pastaj do të autorizojë fillimin e negociatave, lëshimin e plotfuqisë, caktimin e pyetjeve që do t’i drejtohen Hagës”, thotë profesor Krisafi. Pra sërish çështja mbetet në dorë të Metës.

Por Rama me dakordësinë e shprehur me palën greke për dërgimin e çështjes në Hagë, ka daravitur mjegullnajën e krijuar rrethe negociatave dhe akuzave për arritjen e një marrëveshjeje në dëm të Shqipërisë.

Duke “pastruar” rrugën për mazhorancën që në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të ardhshëm të hyjë pa këtë “barrë” mbi supe dhe duke e detyruar opozitën që të ndryshojë “skenarin” e fushatës dhe përballjes me qeverinë.

Njëherësh, vendimi ka bllokuar deri dhe deklaratat e krerëve të opozitës këtej e tutje kundër qëndrimit të mazhorancës për çështjen e detit. Mbetet vetëm problemi i “kryqëzimit” të qëndrimeve me Metën. Por dhe me Berishën, i cili këmbëngul tek marrëveshja e vitit 2009, e rrëzuar nga Kushtetuesja. Por kjo “qëndresë” pritet të jetë e dobët e deri në shuarje, pasi vendimi i Kushtetuese nuk mund të zhbëhet./M.N-TemA

3 komente në “Rama i “mbyll” gojën Berishës me dërgimin e “detit” në Hagë, “kryqëzohet” me Metën”

  1. vang says:

    PO mire o KRISAFI ,META le ta kete.Ai eshte patriot i madh biles edhe floririn e vjedhur mund ta dorzoje per Atdheun. Rames i hiqet barra dhe Meta e mbane se ka bere dhe shtanga.

  2. Ajdar Haga says:

    spati burrni të bënte një marrëveshje më të mirë se e salës
    nëse haga jep një marrëveshje më të keqe – fajin e ka haga
    nëse haga jep marrëveshje më të mirë – meritat i ka rama që e coi në hagë

    lëre komentin i pacipë/halabak

  3. Pata says:

    Nje gje eshte e sugurt.Greket do te marrin ate qe duan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje