Këshillat e ekspertëve: Ja pse po shtohen alergjitë nga ushqimi dhe çfarë duhet të keni kujdes

26 Tetor 2020, 19:13Bota TEMA

Alergjia ndaj ushqimit mund të jetë një gjë e tmerrshme dhe shpesh herë fatale. Kur dikush ha edhe një sasi të vogël të një ushqimi që është alergjik, ai mund të ketë kruarje, ënjtje dhe probleme me stomakun.

Tashmë ky është bërë një problem në të gjithë botën ku sipas një rishikimi në shkallë të gjerë i të dhënave të pranimeve në spital zbuloi raste të anafilaksisë në rritje në Amerikë, Australi dhe Europë, ndër të tjera.

Në Amerikë, vizitat në spital për alergji ushqimore u rritën tre herë nga 1993 në 2006. Midis 2013 dhe 2019, Anglia pa një rritje prej 72% të numrit të pranimeve në spital për fëmijët e prekur nga anafilaksia.

“Alergjitë ushqimore janë rritur në një masë absolutisht të çmendur”, thotë Graham Rook, pedagog i mikrobiologjisë mjekësore në Universitetin e Londrës.

Një teori prapa rritjes ka qenë se ne thjesht jemi më të vetëdijshëm për alergjitë ushqimore. Por Karl Nadeau, një specialist i alergjive në Universitetin Stanford, thotë se është e vërtetë se njerëzit janë më të informuar por kjo nuk do të thotë se për këtë arsye po rriten rastet.

Gjithsesi është e vështirë të përcaktohet saktësisht se sa janë rritur alergjitë ushqimore. Tre deri në katër herë më shumë njerëz mendojnë se kanë një alergji ushqimore kur në të vërtetë nuk kanë prandaj të dhënat e vetë-raportuara nuk mund të besohen plotësisht. Pjesa më e madhe e kësaj është për shkak se intoleranca ushqimore dhe alergjia ushqimore mund të ngatërrohen. Ndërkohë, shumë vende nuk kanë të dhëna për prevalencën e alergjive ushqimore. Megjithatë, duke parë të dhëna nga burime të shumta të vlerësuara nga kolegët, Nadeau thotë se shkalla e alergjive ushqimore në të gjithë botën është rritur nga rreth 3% e popullsisë në 1960 në rreth 7% në 2018.

Nuk është rritur vetëm numri i të prekurve por edhe gama e ushqimeve ndaj të cilave njerëzit janë alergjikë është zgjeruar gjithashtu. Peter Ben Embarek punon për Rrjetin Ndërkombëtar të Autoriteteve të Sigurisë Ushqimore, një organ i Organizatës Botërore të Shëndetit që u përgjigjet emergjencave të sigurisë ushqimore thotë se dekada më parë, ishin vetëm ato klasiket, ushqim deti, qumësht dhe arra por kjo është zgjeruar në mënyrë dramatike në një gamë të tërë të produkteve tani.

Ekspertët pajtohen se alergjitë ushqimore janë në rritje. Pyetja është, çfarë e shpjegon atë?

Shumë ekspertë kanë hedhur hipotezën se kjo mund të lidhet me kujdesin që njerëzit kanë filluar të kenë dhe higjienën. Kjo nënkupton se sa më të pastër të jemi, aq më shumë gjasa kemi të prekemi nga alergjitë. Por kjo nuk është shumë e vërtetë.

Rook tregon se është jetike të ruhet higjiena e mirë për t’u mbrojtur nga sëmundjet.

Rook thotë se nuk ka të bëjë me atë nëse e mbani shtëpinë tuaj të pastër apo jo, por përkundrazi me atë nëse zorra juaj po has lloje të ndryshme të mikroorganizmave.

“Të kesh vëllezër e motra më të mëdha është një gjë e mirë sepse kjo rrit gjasat e tua të kesh me shumë mikrobiotë. Kështu, ju mbushni zorrën tuaj me mikroorganizma që “edukojnë” sistemin imunitar.” thotë Rook.

Rook shpiku frazën “miq të vjetër” për të përshkruar teorinë e tij. Mikrobiota e njerëzve, mikroorganizmat e një habitati të veçantë, po ndryshojnë ngadalë. Shtëpitë tona moderne kanë mikrobiota që nuk kanë asnjë lidhje me atë të botës së jashtme në të cilën kemi evoluar. Prandaj, ne po takojmë më pak miq (mikrobet e dikurshme) që ndihmuan sistemin tonë imunitar t’i përgjigjet substancave të huaja. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse, për shembull, ka prova të mira se sa më shumë antibiotikë që i jepet dikujt si fëmijë, aq më shumë ka të ngjarë që ata të kenë një alergji ushqimore pasi antibiotikët vrasin bakteret e shëndetshme që kolonizojnë zorrën tonë.

“Rritja e alergjive që shohim është një pjesë e një fenomeni më të përgjithësuar të dështimit të mekanizmave të kontrollit të sistemit imunitar”, thotë Rook.

Gjithashtu vlen të përmendim një devijim në mënyrën se si këshillat për alergjitë ushqimore kanë ndryshuar gjatë viteve.

“Kur këto alergji ushqimore filluan të shfaqeshin në vitet 1990, njerëzit u shqetësuan shumë për njerëzit që futnin kikirikë në dietat e foshnjave dhe si përfundim doli udhëzimi se nuk duhet t’ju japim fëmijëve kikirikë deri në moshën 3-vjecare”, thotë Clare Mills, një pedagoge e alergjologjisë në Universitetin e Anglisë.

Kjo këshillë, thotë ajo, nuk ishte bazuar vërtet në ndonjë provë. Në fakt, prindërit duhet të kishin bërë të kundërtën: të futnin ushqime alergjike sa më herët që të ishte e mundur.

Arsyeja është se vetëm për shkak se një foshnjë nuk ha kikirikë nuk do të thotë që ata nuk do të hasin njerëz që hanë. Fëmija mund të ekspozohet ndaj kikirikëve përmes pluhurit, kontaktit me mobiljet, madje edhe kremrave që përmbajnë vaj kikiriku. Nëse fëmija nuk ka ngrënë kikirikë, ky kontakt me lëkurën mund të shkaktojë një përgjigje nga sistemi i tij imunitar.

Kjo është arsyeja pse, veçanërisht për fëmijët me ekzemë, ekspertët janë unanimë: një gamë e larmishme ushqimesh duhet të futet përmes shkëputjes nga mosha rreth tre ose katër muajsh. “Ekziston kjo dritare e mundësive në vitet e para për të vendosur tolerancën”, thotë Alexandra Santos, një pedagoge në “King’s College” në Londër.

Ajo kreu një studim ku doli se nëse fëmijët konsumonin kikirikë në 4 deri në 11 muajsh, ato kishin 80% më pak shanse për të pasur alergji nga kikirikët kur të rriten.

Gjithashtu u tha se një njeri mund të jetë alergjik dhe për shkak të mjedisit para se të lindë.

Në vitin 2000, Akademia Amerikane e Pediatrisë paralajmëroi gratë të mos konsumonin kikirikë gjatë shtatzënisë pasi ajo ndikon në zhvillimin e alergjisë tek fëmijët por në 2008, pas një mori studimesh, u zbulua se nuk kishte një lidhje përfundimtare midis dietës para lindjes dhe alergjive ushqimore dhe në fund u tha se nuk ka asnjë provë bindëse që gratë shtatzëna duhet të shmangin ose favorizojnë alergjenët e mundshëm.

Është zbuluar gjithashtu se alergjitë ushqimore ndryshojnë sipas mjedisit. Për shembull, studimi i “EuroPrevall”, i cili hetoi ndikimet mjedisore, dietike dhe gjenetike në alergjinë ushqimore në të gjithë Europën, zbuloi se alergjia e kikirikut në Greqi , ku ata hanë shumë pak kikirikë, ishte 0%.

Një faktor tjetër mund të jetë vitamina D.

A po vuajmë nivele më të larta alergjie ushqimore sepse po kalojmë gjithnjë e më shumë kohë brenda, duke privuar veten nga vitamina D, e cila luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mekanizmave imunorregullues? Këtu provat janë të paqarta. Disa studime kanë demonstruar një lidhje midis vitaminës D dhe rrezikut të modifikuar të alergjisë ushqimore por studiuesit në Gjermani thonë se edhe shumë pak vitaminë D dhe shumë vitamina D janë problematike.

Ndërsa kërkimet për rritjen e alergjive ushqimore vazhdojnë, pyetja mbetet: si qëndron dikush i sigurt mes një rritje të rasteve të alergjive ushqimore? Shmangia e plotë e një ushqimi nuk do të ndihmojë domosdoshmërish dhe madje mund të dëmtojë. Nëse jeni dikush që vuan tashmë nga një alergji, imunoterapia dhe konsumimi me ritme të ngadalta i ushqimeve alergjike po jep rezultate jashtëzakonisht premtuese edhe pse për disa njerëz kjo mund të nënkuptojë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes.(BBC, gazeta “Si”)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje