Luiza Gega: E dini çfarë më ka premtuar Veliaj? Një pistë vrapimi për Tiranën!

26 Tetor 2020, 17:16Sociale TEMA

Nga Jonida Hitoveizi

Luiza Gega, vajza e talentuar që na bën krenarë në të gjitha pistat ku garon, në një intervistë për dritare.net thotë se ndihet mirë kur sheh sot përmirësimin që është bërë me terrenet sportive në shkolla. Megjithatë, pika e saj e dobët, mbetet pista e vrapimit, për të cilën ka marrë premtimin publik nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj se do të jetë gati në vitin 2021. Shpesh personazhet e njohur që shprehin mbështetjen e tyre hapur për politikanë të caktuar, ndodh që të gjykohen siç ka ndodhur së fundmi me disa prej tyre që i janë bashkuar Veliajt në takimet elektorale që ai ka zhvilluar. Kur e pyesim për raportin që ka me kryebashkiakun, Luiza thotë se në kaq vite kompeticione, vlerësime e medalje, i vetmi nga politika që e ka uruar ka qenë Veliaj.

“Unë kam vlerësuar anën e tij njerëzore që ai tregon me mua e sportistë të tjerë, pastaj punën që ai bën për qytetin e Tiranës”, shprehet ajo për dritare.net, me padurimin për t’u stërvitur në pistën e re të qytetit, për të cilën ka marrë premtimin se do të jetë gati shumë shpejt.

Dritare.net: Luiza, si nis dita jote këto kohë, çfarë ka ndryshuar pandemia në jetën tuaj si atlete?

Luiza Gega: Edhe pse po mundohem që ditët e mia të jenë normale, përsëri nuk janë 100% siç kanë qenë më parë. Këtu po flas më shumë për pjesën e motivimit, pasi aktivitetet për të cilat u lodha shumë gjatë gjithë vitit u anuluan për shkak të pandemisë dhe le të themi që e gjithë lodhja na shkoi dëm.

Plus ekziston përsëri frika që mund të anulohen sërish dhe për këtë arsye e kam pasur pak vështirë ta nis normalisht ditën time. Dita nis dhe me pak stres nga frika se mos infektohesh nga Covid-19. Edhe pse jam atlete dhe e stërvitur, përsëri mendoj që nuk i dihet se si reagon në trupin tim. Me pak fjalë le të themi që pandemia ka dhënë stres në ditët e mia.

Dritare.net: Të qenit kampione nuk paska qenë avantazh kur vjen puna te Covid-19!

Luiza Gega: (Qesh) Nuk mendoj që Covid-19 pyet për kampione, mbetemi qenie njerëzore në fund fare.

Dritare.net: Luiza përtej ndikimit të pandemisë, çfarë e dominon më shumë jetën e një sportisti në Shqipëri?

Luiza Gega: Personalisht besoj se të dominon pasioni dhe dashuria që ti ke për atë që bën. Janë këto dy gjëra që u bëjnë ballë të gjithave, të paktën te unë. Edhe pse kam pasur shumë momente gjatë karrierës sime që kam menduar të largohem nga sporti, përsëri s’e kam bërë dot pasi çdo vit e më shumë është bërë pjesë e pandashme e jetës sime.

Dritare.net: Luiza, një i ri që është i talentuar në sporte të ndryshme mundet t’ia dalë mbanë pa një mbështetje financiare të fortë? A mund të jetosh me sport në Shqipëri?

Luiza Gega: Nëse je i talentuar dhe do që të arrish majat botërore është shumë e vështirë, pasi për fat të keq nivelet e larta nuk arrihen vetëm nga dëshira. Duhet infrastruktura ideale, mjekësia, fizioterapia, psikologu, trajneri etj. Pra duhet një ekip i tërë që askush nga ne edhe sot që po flas nuk e ka patur fatin ta ketë.

Nëse do më merrni mua si shembull, do thosha që kam qenë me fat që trajneri im Taulant Stërmasi ka investuar shumë tek unë, sidomos në fillimet e mia duke ndihmuar në grumbullimet e stërvitjes apo qoftë duke bërë dhe masazhatorin e fizioterapistin.

A mund të jetosh me sport në Shqipëri? Unë sot jetoj me sport, e kam pasion dhe profesion bashkë, por mendoj që kam patur shumë vullnet e durim derisa u bëra sportiste e nivelit të lartë dhe ku sot ftohem e garoj në gara të nivelit të lartë dhe ku arrij të fitoj dhe disa çmime për të plotësuar jetesën që dua.

Dritare.net: A është përmirësuar situata gjatë këtyre viteve në sport dhe çfarë mendon se duhet bërë më tepër?

Luiza Gega: Vitet e fundit mua si sportiste elitare më ka ndryshuar vetëm mbështetja që kemi pasur nga klubi sportiv Tirana( i cili financohet nga Bashkia).

Kemi pasur një përmirësim të ndjeshëm në trajtimin ushqimor që ne marrim dhe kjo sigurisht është një ndihmë e madhe për të plotësuar nevojat e stërvitjes, por nga ana tjetër infrastruktura na i vështirëson shumë gjërat, duke qenë se Tirana ende nuk e ka një pistë vrapimi. Uroj shumë që vitin tjetër dhe ne të kemi një pistë vrapimi dhe projekti që Bashkia na ka premtuar të përfundojë në 2021-shin.

Dritare.net: Përmendët Bashkinë, teksa kujtoj mbështetjen tuaj për Veliajn vjet po edhe sivjet në takimet që ai ka zhvilluar. Si sportiste çfarë vëreni se ka ndryshuar në Tiranë këto kohë?

Luiza Gega: Siç e përmenda te pyetja më lart, nga Bashkia kemi pasur ndryshimin përsa i përket trajtimit ushqimor, i cili ka ndryshuar ndjeshëm. Por në infrastrukturë ende nuk ka ndryshuar gjë dhe këtu i referohem gjithmonë sportit të atletikës.Një nga gjërat që më pëlqen nga ndryshimet që janë bërë në Tiranë, është përmirësimi i palestrave të shkollave dhe shfrytëzimi i tyre pas orës së mësimit.

Është një mundësi për fëmijët që të merren me sport në vend që të qëndrojnë në shtëpi apo të bëjnë një jetë jo aktive, por sigurisht që pjesa që më vjen keq është që jemi në fund të vitit 2020 dhe akoma nuk kemi një pistë vrapimi.

Në fakt disa ditë më parë isha pjesë e një takimi ku z.Veliaj bëri me disa qytetarë dhe aty i kërkova publikisht se çfarë kishte në plan lidhur me projektin për pistën e vrapimit. Sipas premtimit të tij, projekti që në fakt ka disa kohë që po diskutohet do të zbatohet në vitin 2021. Mbetet për t’u parë sa do të realizohet siç është premtuar.

Dritare.net: Ju vetë, çfarë raporti keni me kryebashkiakun Veliaj? Nga 1 në 10 çfarë note do i vendosje punës së tij në qytet?

Luiza Gega: Nuk di t’i vë emër raportit që kam, pasi thjesht ndjej vlerësim si sportiste nga ana e tij. Në fakt e kam shprehur shpesh me miqtë e mi sesi deri më sot, si sportiste e këtij niveli kurrë nuk më ka uruar asnjë, edhe mbas arritjeve të mëdha nga politikanët, as ata që mbulojnë pjesën e sportit. I vetmi që e ka bërë ka qenë z.Veliaj. Unë fillimisht e kam vlerësuar nga ana njerëzore që ai tregon me mua e sportistë të tjerë dhe pastaj për pjesën që ai bën për qytetin e Tiranës.

Ndërsa sa i takon punës që ai ka bërë në qytetin e Tiranës nuk di t’i vendos një numër si notë, por nuk mund ta mohoj faktin që Tirana më duket një qytet shumë më i bukur se më parë, por do ishte akoma më i bukur po të kishte dhe një pistë vrapimi si çdo kryeqytet tjetër i botës.

Dritare.net: Shumë personazhe të njohur, personalitete i janë bashkuar PS-së në këtë fushatë, si e keni parë këtë gjë dhe si e sheh Luiza politikën? Mendon se një ditë mund të jesh pjesë e saj?

Luiza Gega: Nuk dua të jem asnjëherë pjesë e politikës. Kam zgjedhur të bëj diçka që besoj se kam talent dhe punoj shumë për të arritur sa më lart për veten time dhe për vendin tim, pasi ndjej përgjegjësi dhe emocion kur garoj me ngjyrat e flamurit kombëtar. Kam zgjedhur të kontribuoj në këtë formë për vendin tim.

Por nëse mendoj e bindem që vërtetë një politikan po punon dhe po mundohet shumë për ta çuar vendin tim përpara, do të ketë mbështetjen time si qytetare dhe si sportiste.

1 komente në “Luiza Gega: E dini çfarë më ka premtuar Veliaj? Një pistë vrapimi për Tiranën!”

  1. Lalka Erjonka says:

    Sa punon ky lalka.
    Vazhdon ky show-n e rradhës.
    Kuptohet ne fazë promovuese të vetëvetes.
    “Doni më për Belulin”??
    (Prandaj përditë do dali me nga një person Vip ose rrip qe padashur ndoshta ose dhe me dashje shfrytëzohen nga ky për PR dhe imazh.
    TR një milion banorë një pistë vrapimi.
    S’kanë faj se i bën beton të gjitha hapësirat.
    E filloi Edi, vazhdoi Luli dhe tani e ka rradhën ky 99-çi që po përpiqet me trampolu veten me shpejtësi…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje