Deputeti i PS zbulon 3 qëllimet e presidentit për Kodin Zgjedhor: Meta është një vegël opozitare, ka halle

29 Tetor 2020, 12:35Politika TEMA

Deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni u shpreh se opozita nuk është e interesuar për të miratuar reformën zgjedhore, duke theksuar se për 3 vjet u bënë shkak për bllokimin e një sërë nismash të rëndësishme për vendin.

Nga foltorja e Kuvendit, ai tha se Meta ka 3 qëllime pse nuk do që Kuvendi të rrëzoj dekretin e tij për ndryshimet në Kod. Hyseni e ka cilësuar Metën si një vegël opozitare.

“Ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha detyrimet që buruan nga marrëveshja e 5 qershorit. Le të shpresojmë që opozita e rrugës të mos e pengojë, siç bëri për 3 vite, duke përdorur çdo mekanizëm për të penguar reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Është nga të paktat raste në botë që opozita nuk është e interesuar për ndryshimin dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor, duke hyrë e dalë nga Kuvendi, duke hyrë e dalë në bulevarde. Duke hyrë e duke dalë kjo opozitë edhe në tryezën, që krijuam, në Këshillin Politik.

Të shpresojmë që veglat e fundit opozitare, që është presidenti, të mos e kthejnë këtë ligj. Jo se do na bëjë ndonjë dëm të madh, por thjesht na detyron t’i tregojmë vendin kujtdo që pengon reformën.

Nëpërmjet Presidentit, si opozitari i fundit institucional, ka tre qëllime: së pari, pengimin e reformave në përgjithësi, por nuk mund ta bëjë këtë. Nëse ne nuk ndryshojmë Kodin Zgjedhor do të çonim në pamundësinë e bërjes së zgjedhjeve më 25 prill.

Qëllimi i dytë i presidentit është personal, lufta brenda opozitës për lidershipin e asaj opozite të çartur. Kjo nuk është problem për ne, le të zgjedhin kë të duan lider, me ne do të përballen me 25 prill dhe do ta marrin përgjigjen më 26, përmes sovranit, që do mbështesë në mandatin e tretë kryeministrin.

Qëllimi i fundit është hall personal, këtu nuk e ndihmojmë dot, për shkeljet pafund që i ka bërë Kushtetutës. Jam i bindur se herët apo vonë do të japë llogari, ashtu siç jepet llogari në demokraci, përmes votëbesimit, por edhe duke shkuar në dyert e drejtësisë.

Nuk do të doja që kjo zyrë ikonë e shtetit demokrat, Presidenca, të përfundonte aty. Megjithatë, Shqipëria ka prodhuar vazhdimisht çudira. Shpresojmë në këto pak muaj që të marrë vendim për t’u tërhequr apo për t’i dhënë ngjyrat e duhura Presidencës”, tha deputeti Hyseni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje