Sulmet e përsëritura, mjekët e Elbasanit kërkojnë praninë e policisë në urgjencë

21 Nëntor 2020, 20:25Sociale TEMA

Pas sulmit të një 29-vjeçari ndaj një mjeku të urgjencës, mjekët dhe stafi ndihmës i spitalit kërkojnë praninë e policisë dhe sigurimin e dyerve hyrëse. Policia njoftoi arrestimin e agresorit.

Nga Bardha Nergjoni

Një 29 vjeçar u arrestua nga policia pasi u akuzua nga një mjek roje i urgjencës për goditje dhe kanosje me fjalë. Ngjarja ndodhi gjatë orëve natës së të premtes në urgjencën e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan.

Policia njoftoi se K. G 29 vjeç me banim në Elbasan ishte ndaluar të shtunën pasi policia ishte lajmëruar për një incident në repartin e urgjencës. 29 vjeçari ishte i afërm i një prej personave që kishte marrë ndihmë mjekësore nga mjeku i urgjencës, më pas i ka shkuar atij në dhomë ndërsa po i jepte ndihmë mjekësore një tjetër pacienti dhe e ka goditur dhe e ka kërcënuar. Dëshmitarë të ngjarjes kanë qenë personeli shëndetësor edhe pacientë.

Në fillim të prillit të këtij viti një person sulmoi dhe kërcënoi shefin e urgjencës së këtij spitali, pasi kishte refuzuar të përdorte maskë dhe zbatonte masat kundër epidemisë. Stafi i urgjencës i tha BIRN se raste të ngjashme ishin të përsëritura.

Mjekët e urgjencës kanë kërkuar që  aty të vendosej shërbimi policor 24 orë dhe të bëhej sigurimi i dyerve hyrëse.

I kontaktuar nëpërmjet telefonit mjeku i sulmuar, që kërkoi të mos idetifikohej, deklaroi se ky ishte rast i përsëritur pasi edhe herë të tjera mjekë apo infermjerë të urgjencës fyhen, goditen dhe kërcënohen nga familjarë të pacientëve apo pacientë. “Kam qenë mjek roje kur ka mbërritur në urgjencë në gjendje të rëndë një pacient. Pasi kam bërë ndërhyrjen e nevojshme dhe parametrat janë stabilizuar, e kam kaluar pacientin nën kujdesin e pjesës tjetër të stafit dhe isha duke u marrë me një rast tjetër. Në këtë kohë vjen një person që deri në atë moment nuk e kisha parë një ndër familjarët e personit që kisha vizituar, më fyen e më godet”, tregoi ai.

Mjeku tha se pavarëisht lajmërimit të policisë personi në fjalë kthye disa herë ta godiste. “Ka pasur dëshmitarë mjekë dhe personel ndihmës. Kjo skenë për fat të keq përsëritet pasi ne nuk kemi asnjë system sigurie”, tha ai.

Të pyetur nga BIRN personeli ndihmës dhe infermjerë të urgjencës thanë se raste të tilla të kërcënimit të mjekëve dhe infermjerëve po bëhen më të shpeshta. “Njerëzit janë në gjendje të rënduar psikologjike kur vijnë këtu, por ky nuk është faji ynë. Ne mundohemi të japim shërbim sa mundemi. Mendoni jemi në valë COVID-19 dhe një pjesë e mjekëve ose janë në karantinë, ose janë infektuar dhe madje kanë infektuar familjen e po vuajnë pasojat”, tha një infermier.

1 komente në “Sulmet e përsëritura, mjekët e Elbasanit kërkojnë praninë e policisë në urgjencë”

  1. Albi Boston says:

    Shtet pleh qe nuk mbron njerezit nga krimi. Edhe po ta kapin, do shkoje ne gjykim dhe do dali pa I ndodhur gje. Gjykatat jane si gjithe shoqeria shqiptare……….te krimbura ne korrupsion. Ne fund te ngjarjes, njeriu I punes, Mjek, Mesues, apo fermer, kur nuk mbrohet nga shteti (kriminelat jashte ne rruge I ke gjithe kohen), detyrohen te shkojne ne mergim.
    Keshtu jemi katandisur……………….shtet bajge!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje