A mund të zgjerohet juridiksioni i Gjykatës Speciale në Kosovë?

25 Nëntor 2020, 12:33Rajoni TEMA

Nuk është e pamundur që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që njihen si Gjykatë Speciale për krime të luftës në Kosovë, të hetojnë dhe gjykojnë të gjithë krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe jo vetëm krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), thotë Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Por, sipas tij, për një gjë të tillë, është i domosdoshëm ndryshim-plotësimi i bazës së amendamentit kushtetuese, Nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, që i dedikohet Dhomave të Specializuara, si dhe revidimi i nenit 6 të ligjit për këto dhoma. Por, për të gjitha këto, siç thotë profesor Hasani, rrjedhimisht nevojitet vullneti politik i brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe koordinimi ndërmjet këtyre faktorëve.

Njohësi i çështjeve politike, Armend Muja, vlerëson që deri më tash ka munguar guximi politik brenda spektrit politik të Kosovës, që të iniciojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, për zgjerimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, në mënyrë që të hetohen dhe gjykohen të gjithë krimet, nga kushdo që janë kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Çfarë thonë Kushtetuta dhe Ligji për Dhomat e Specializuara?

Në nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet që Republika e Kosovës mund të themelojë Dhomat e Specializuara dhe një Zyre të Prokurorit të Specializuar në kuadër të sistemit të drejtësisë në Kosovë “për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare në lidhje me Raportin e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, të datës 7 janar, 2011”.

Në Ligin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, në Nenin 6, i cili flet për juridiksionin lëndor, thuhet se “Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi krimet e parapara në nenet 12 – 16, që kanë të bëjnë me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës”.

Por, në raportin prej 42 faqesh të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, në asnjë faqe dhe me asnjë fjali nuk ceken krimet e forcave serbe të kryera në Kosovë, por vetëm pretendimet për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.

Hasani: Zgjerim juridiksioni të Dhomave të Specializuara ose gjykatë e re

Profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që edhe në pjesën hyrëse të Nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, por edhe në Ligjin për Dhomat e Specializuara, “bëhet fjalë saktësisht vetëm për hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara se i kanë kryer shqiptarët dhe nuk flitet për krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës apo në ndonjë territor tjetër”.

Për të hetuar dhe gjykuar krimet e kryera nga ana e serbëve gjatë luftës në Kosovë, profesor Hasani thotë se duhet krijuar një gjykatë e re ose të zgjerohet juridiksioni i Dhomave të Specializuara, përmes ndryshimeve kushtetuese në Nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij, baza aktuale kushtetuese, amendamenti i Kushtetutës, Nenin 162, për Dhomat e Specializuara, ka qenë detyrim ndërkombëtar i Kosovës që ka dalë nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, e që buron nga raporti i eurodeputetit zviceran, Dick Marty.

“Kjo nënkupton që për të ushtruar juridiksion për krimet e forcave serbe që janë kryer në territorin e Kosovës, duhet një hetim i ri, përkatësisht një bazë e re kushtetuese, një bazë e re ligjore, që do të thotë se gjithçka duhet të niset prej zeros. Unë nuk shoh se si mund të ndryshohet obligimi bazë dhe fillestar. Duhet të bëhet edhe një rezolutë tjetër e Asamblesë (së Përgjithshme të Këshillit të Evropës) për ta zgjeruar pastaj amendamenti kushtetues. Shkurt, duhet procedurë tjetër, sepse është rregull ndërkombëtar që një detyrim ndërkombëtar kontraktual, siç është ky, që merret me vullnet, duhet që në të njëjtën mënyrë të anulohet ose të ndryshohet në të njëjtën mënyrë me të cilën është marrë”, tha Hasani.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se deri më tash në Kosovë ka munguar guximit politik për shqyrtuar dhe iniciuar mundësinë e krijimit të një mekanizmi të ri juridik për hetimin dhe gjykimin e krimeve të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë ose për të imponuar zgjerimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Por, sipas tij, Kosova duhet që me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë të revidojë Nenin 6 të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kjo, sipas tij, nuk duhet të bëhet me qëllimin e minimit ose dekurajimit të Dhomave Speciale, por për të plotësuar mandatin e tyre.

“Unë nuk pres që (lidhur me një nismë të tillë) të ketë reagime në planin ndërkombëtar, për arsye se revidimi është, në njëfarë mënyre, njësim i qëndrimit të Kosovës me qëndrimin ndërkombëtar. Atëherë nuk do të kishte një fokusim të tillë, nuk do të kishte një këndvështrim (kundërshtues) sikurse nisma të vinte jo me motive për ta minuar Gjykatën Speciale, por për ta plotësuar atë. Pra, sikur plotësimi të ishte si nismë, unë nuk mendoj që kjo nuk do të haste në rezistencë ndërkombëtare”, theksoi Muja.

Engël: Të ekzaminohet puna e Gjykatës Speciale

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, më 5 nëntor, ka kritikuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi sipas tij, kanë shënjestruar vetëm qytetarët e një etnie, shqiptarët.

Engel ka theksuar që statusi që ka krijuar Gjykatën Speciale, nuk e ka kufizuar atë që të merret vetëm me shqiptarët dhe se “ligji thotë se juridiksioni i gjykatës është për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë gjatë një kohe të caktuar në periudhën e luftës”.

“E kuptoj se Qeveria serbe dhe zyrtarët ushtarakë që kanë qenë të përfshirë në gjenocid janë larg fushëveprimit të Gjykatës Speciale. Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të hetojë dhe gjykojë keqbërësit sipas ligjit, qoftë edhe gjykime në mungesë”, ka thënë Engel.

Ai ka bërë thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë që të ekzaminojë punën e Gjykatës Speciale dhe “të sigurohet se nuk po shënjestron njerëzit vetëm në bazë të etnisë së tyre” dhe po ashtu, ka bërë thirrje “që të ndalohet mbështetja dhe bashkëpunimi i SHBA-së me këtë gjykatë, derisa të dalin përfundime lidhur me këtë çështje”.

Kërkesat në raport me Dhomat e Specializuara

Më 14 nëntor 2020, partia Nisma Socialdemokrate, përmes një konference për shtyp të zyrtarëve të saj, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që të sqarojë nëse janë duke përgatitur aktakuza ndaj përfaqësuesve të shtetit serb që kanë qenë të përfshirë, siç është thënë, “në kryerjen e gjenocidit në Kosovë”.

Më 14 gusht 2020, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës që të ndryshojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Përfaqësuesit e atëhershëm të kësaj organizate disa herë e kanë quajtur si “raciste dhe të njëanshme” këtë Gjykatë, pasi sipas tyre ajo nuk do të hetojë edhe krimet serbe në Kosovë. Ata patën shpërfaqur kërkesën që përmes amendamentimit të këtij ligji, Gjykata Speciale të hetojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Por, deri më sot, një kërkesë e tillë nuk është shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës.

Në muajin dhjetor të vitit 2017, 43 deputetë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës kishin parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar dy herë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve.

Tentimi për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, kishte nxitur reagime shumë të ashpra të faktorëve ndërkombëtarë.

Gjasat për hetimin dhe gjykimin e krimeve të forcave serbe

Por, cilat janë gjasat e zgjerimit të juridiksionit të Dhomave të Specializuara edhe për hetimin dhe gjykimin e krimeve të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë?

Profesor Hasani, shprehet skeptik, ndonëse sipas tij, një gjë e tillë nuk është e pamundur.

“Jo, nuk është e pamundur. Por, kërkon vullnet të madh politik të aleatëve tanë, përkatësisht të atyre që janë hartues të idesë për ndërtimin e kësaj gjykate. A ka gjasë? Ka gjasë, por kjo kërkon vullnet të madh politik që të ridefinohet (amendamenti kushtetues), që t’i shtohet edhe juridiksioni ndaj çdo krimi që është kryer në territorin e Kosovës dhe jo vetëm për ato krime, për të cilat është bërë raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Me vullnetin e madh politik, nënkuptohet vullneti i brendshëm dhe ndërkombëtar, koordinim i plotë i faktorit vendor me atë ndërkombëtar për zgjerimin e juridiksionit të kësaj gjykate ekzistuese apo për themelimin e një gjykate të re”, theksoi Hasani.

Ndërkaq, analisti Muja, shprehet optimist se juridiksioni i Dhomave të Specializuara mund të zgjerohet. Sipas tij, tashmë nuk ekziston droja e eliminimit të Dhomave të Specializuara, sikurse që ishte provuar në dhjetorin e vitit 2017, me nismën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, aktualisht, shoqëria në Kosovë, por edhe aktorët politikë ndërkombëtarë, mund të jenë më të hapur për të dëgjuar argumentin për zgjerimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara.

“Kjo do të ndodhë dhe duhet të ndodhë. Kjo do të vijë ose përmes Gjykatës Speciale ose përmes një mekanizmi tjetër. Ne vërtetë duhet të pajtohemi, sepse është shumë e rëndësishme që të pajtohemi dhe të jetojmë paqen, si dhe të ketë paqe në Ballkan. Mirëpo, pajtimi asnjëherë nuk mund të ndodhë pa u shëruar dhe rehabilituar të gjitha viktimat. Do të fillojë nisma për ta dokumentuar këtë se pse duhet, ngase në kuadër të normave ndërkombëtare, kjo është e domosdoshme dhe është e nevojshme për viktimat. Nuk është as kundër serbëve, as kundër Serbisë e as kundër bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, kjo duhet të ndodhë, sepse ky vend nuk mund të ecë përpara pa u trajtuar dhe rehabilituar të gjitha viktimat e krimit”, theksoi Muja.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015, të amendamentit kushtetues dhe legjislacionit për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Në javën e parë të nëntorit të vitit 2020, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke i ngarkuar ata për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së është arrestuar dhe dërguar në Hagë. Aktakuza e ngarkon atë për kryerjen e krimeve të luftës.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku më pas u transferuan në qendrën e ndalimit në Hagë.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Të gjithë këta të akuzuar, gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje