Të pakënaqurit e opozitës dhe transferimi i votave

26 Nëntor 2020, 13:10Blog TEMA

Nga Plator Nesturi

Vendimi për të bllokuar tubimet politike për shkak të pandemisë dhe rrezikut të përhapjes së tij, duket se ka ndikuar dhe në gjetjen e formave të reja të zhvillimit të fushatës elektorale.

Tashmë beteja politike po zhvillohet nëpërmjet deklaratave të drejtpërdrejta të liderëve që më së tepërmi po luajnë me nervat e kundërshtarëve sesa po i drejtohen drejtpërdrejt elektoratit mbi programet dhe vizionet mbi qeverisjen. Në këtë kuadër parashikohet që më së shumti beteja elektorale do të jetë më së shumti betejë mediatike si forma më e shpejtë dhe më direkte drejt publikut.

Pavarësisht kësaj, në terren po vërehen lëvizjë të tjera e që duket se do të ndikojnë në të ardhmen. Në këto muaj duket se tashmë janë shoshitur gjetja e figurave të të pakënaqurve. Figura të cilat kanë patur një peshë të caktuar në parti të caktuara dhe që kanë mbetur jashtë zhvillimeve partiake si pasojë e poltikave që janë ndjekur nga lidershipi. Më e qartë kjo verehet tek e djathta ku një sërë figurash, që nga ato të spikatuar si dhe të tjera aktive në politikë, të shkëputur tashmë nga PD, kanë krijuar parti të reja politike. Gjithësesi formacionet e reja politike nuk mund të mjaftohen vetëm me një figurë qëndrore që ta përfaqësojë. Historiku i partive politike në Shqipëri ka treguar se parti rreth një figure qëndrore, ose kanë dështuar që në hapat e parë e në përballjet elektorale ku janë futur, ose kanë patur një jetëgjatësi të shkurtër.

Rasti i formacioneve politike si ai i Blushit, Bojaxhiut apo dhe i Spahiut, dëshmuan se nuk mjafton efekti mediatik dhe idetë që shpalosin. Për ta bërë një parti kompetitive në zgjedhje duhet shumë më tepër. Nuk mjaftojnë vetëm idetë, por dhe ngritja e një makinerie për të mbledhur vota e për ta shndërruar atë në fituese dhe me përfaqësi parlamentare.

Aleanca Demokratike dikur apo dhe LSI, patën një sukses elektoral fillimisht pasi patën në përbërje një grup politikanësh profesionistë të citët gjithësecili ish-rrahur në beteja elektorale dhe që dinte të manovronte në procesin e vështirë të grumbullimit të votave. Shembujt e kaluar, kur partitë e Blushit dhe të Bojaxhiut me betejen mediatike që zhvillonin, e kishin përqëndruar luftën në kryeqytet, ku aty shihnin mundësisnë për të arritur marrjen e një mandati, tashmë janë të superuara. Nëse partitë e reja do të ndiqnin të njëjtin shembull, i bie që të gjitha ato të synonin të gjitha mandatin në kryeqytet dhe ndaj të njëjtit elektorat, çka do të sillte skartimin e gjithësecilët në betejën e 25 prillit. Ndaj pesha e gjithësecilës në këtë mënyrë do ish pothuajse zero dhe me garanci të plotë për dështim.

Por loja po zhvillohet më e thellë nën mantelin e bllokimit prej pandemisë. Partitë e reja që kanë lindur si rezultat i shizmës brenda PD, po bëjnë një betejë të ethshme për tu shtrirë më tej dhe për të krijuar struktura të tyre. E thënë më thjesht, po përpiqen të ngrenë makinerinë e tyre të mbledhjes së votave. Përveç figurave me profil politik, eksponentët kryesorë të partive të reja kanë nisur të thithin personazhe lokalë, të cilët kanë pjesë aktive e betejave eketorale që ka zhvilluar PD ndër vite. Personazhe që kanë influencë zonale dhe që kanë ndikim për të orientuar votën e një elektorati që ka qenë kryesisht i spektrit të djathtë dhe me të cilin janë evidentuar.

Të pakënaqur ka jo vetëm ndër figurat politike, ish-deputetë apo funksionarë partiakë të PD të cilët e ndjejnë veten të mënjanuar, por dhe antërarë e simpatizantë që kanë qenë protagonist në zona të caktuara për të mbushur thesin e votave. Në këtë mënyrë, duket se ka një garë midis partive të reja të spektirt të djathtë për të përthithur gjithësecila nga trupi elektoral i PD, jo vetëm faktorë zonalë, por deri në struktura të gatshme të cilat pritet të devijojnë votën e tyre në sigla të reja partish që janë përshfaqur si kundërshtare të Bashës. Jo kundër PD, por pikërisht kundër Bashës, pasi në vetvete dhe krijimi i tyre si parti ka qenë mbrojtja e velerave të vjetra të PD, të cilat i ka shtrembëruar drejtimi i Bashës. I gjithë ky zhvillim pritet të sjellë ndikim në zgjedhje dhe duket se atoparti që do të arrijnë të thithin e të kenë një qasje më të orientuar drejt elektoratit dhe organizimit aty ku merren votat, do të ketë më sukses.

ë media po dalin lajme ku sëmundja e largimit po intensifikohet. Disa raste së fundmi ku eksponentë dhe drejtues strukturash të LSI po deklarojnë shkëputjen prej saj duke shprehur pakënaqësi të theksuar për mënyrën e drejtimit të tanishëm të partisë dhe për mos zbatimin e meritokracisë në përfaqësim. E gjitha kjo ndodhi ndërsa vetë LSI zhvilloi në mënyrë pompoze zgjedhjet e reja për lideshipin ku Znj Kryemadhi ishte kandidatura e vetme për kreun e LSI dhe kur do të zhvillohet dhe raundi i përzgjedhjes së organeve drejtuese.

Ajo çfarë vërehet pra, është se ka një lëvizje të figurave por dhe të elektoratit drejt formacioneve të tjera. Por ndërsa tek e djathta kjo u shoqërua me krijimin e partive të reja, çka sjell zhvendosje drejt siglave të reja si të drejtuesve të rangjeve të ndryshme por dhe të elektoratit që kanë me vete. Kjo pritet të sjellë një kolazh të ndryshëm ngjyrash në pjesën që dikur dominonte bluja e demokratëve dhe që natyrshëm do të ketë dhe ndikimin në mandatet që do fitohen në bazë të kodit të ri zgjedhor.

Ndërkohë tek pjesa e lektoratit të majtë, e që deri dje ndahej kryesisht tek PS por me pjesën e saj dhe tek LSI, ndonëse nuk ka krijim të forcave të reja politike, duket se levizjet e të pakënaqurve do të kenë ndikimin e tyre. Kemi lëvizje sërish brenda së majtës, por tashmë drej partive që tashmë janë kundërshtare deri në armiqësi. Kështu ndryshimi i pozicionit të ish drejtuesve të strukturave të LSI mund të sjellë jo vetëm mpakje dhe dobësi të strukturave partiake pikërisht para zgjedhjeve, por edhe transferim të votës drejt PS, si përfaqësuese e votës së të majtës. Të papriturat e kësaj fushate elektorale janë ende në proces, dhe gjithmonë tej fasadës së deklaratave mediatike të liderëve kryesorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje