SPECIALE: Kryqëzata e fundit e Mbretit Diego

27 Nëntor 2020, 17:35Sport TEMA

Në thelb kjo është një histori krepuskolare: një idhull i vjetër i futbollit ndihmon një skuadër modeste dhe thuajse të destinuar në rënien nga kategoria. Por kë ka lexuar titullin do ta ketë kuptuar tashmë se gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Nuk kanë qenë kurrë kur bëhet fjalë për Diego Armando Maradonën. As edhe kur flitet për Gimnasia y Esgrima, skuadrën e futbollit më të vjetër të Amerikës, me nje histori të mbushur plot me legjenda dhe një vitrinë me trofe të pakta. Ndoshta është në stadiumin El Bosque, që lidh Maradonën me Gimnasia, që fshihet një prej atyre nervave të fshehta që e bëjnë Argjentinën Argjentinë. Në të mirë, në të keq dhe në më të keqen.

“Jam rritur në një lagje të varfër të Buenos Aires. Një lagje pa ujë, pa drita dhe pa telefon”

Sapo ulet në presidencën e republikës, më 10 dhjetor 2019, peronisti Alberto Fernández fton Diego Armando Maradonën. Ajo e foto i shkon për mbarë. Ai do të jetë president për disa vjet, Maradona do të jetë mbret përgjithmonë. Tashmë askush nuk e vë më në dyshim. Pavarësisht drogës, dhunës ndaj grave, fëmijëve të paligjshëm, çmendurive të panumërta që kanë shënuar ekzistencën e tij, njeriu nga Villa Fiorito është i shënuar nga një aureolë e njohshme nga çdo argjentinas. Nëse shpirti i këtij vendi të madh përmblidhet në atë që është popullore, siç e ka pranuar deri ir afinuari Jorge Luis Borges, Maradona është ajo çka është popullore.

Por Maradona nuk paraqitet menjëherë në Casa Rosada. Alberto Fernández i duhet të presë deri më 26 dhjetor. Atë ditë Maradona arrin i veshur me xhaketë, pantallona të shkurtëra dhe atlete. Pritet me të gjitha nderimet dhe pallati presidencial është i blinduar. Fernández e pret në krye të shkallëve, si një vizitë shtetërore. Sekrtari i Përgjithshëm i Presidencës Miguel Cuberos dhe avokati Víctor Stinfale e mbajnë mysafirin, pasi ka vështirësi në të ecur.

Ministri i Thesarit Martín Guzmán del nga zyra e tij dhe vrapon drejt Maradonës me një bluze që t’ia autografojë. Më së fundi ai shfaqet në ballkonin që sheh nga Plaza de Mayo, ballkoni i famshëm i Perón e Evita, dhe thërret: “Jemi kthyer!”. Shumë antiperonistëve mund t’u jetë përzier stomaku, por po flasim për Maradonën, “fytyrën e ndyrë” nga Villa Fiorito, kalamanin që ka dalë duke dribluar nga një prej lagjeve më të varfëra e zonës metropolitane të Buenos Airesit dhe që e ka shtyrë topin deri në portën e Anglisë. Duhet marrë kështu siç është.

“Unë e dua Boca, por zemra ime dashuron tripero”

Club de Gimnasia y Esgrima La Plata, më i vjetri i Amerikës, u themelua më 3 qershor 1887, rreth 5 vite pas lindjes së qytetit të Plata, me iniciativën e njl grupi funksionarësh e tregtarësh, njerëz të kamur dhe respektues të ligjit. Njëri prej tyre ishte Ramón Lorenzo Falcón, shefi i policisë më djallëzor i Buenos Airesit, i vrarë një herë të parë më 1909 nga një anarkist dhe një herë të dytë më 2018 nga një bombë anarkiste e shpërthyer mbi varrin e tij në varrezën Recoleta, të gjithë gjëra që të japin një ide për famën e tij.

Në një moment të parë, klubi qëndroi larg nga futbolli, një lojë që në atë kohë po fillonte të importonte profesorë dhe punonjës hekurudhe britanikë. Por shpejt futbolli u bë popullor. Më 1903 Gimnasia y Esgrima kishte tashmë dy skuadra. 25 vite më pas, ishte klubi i emigracionit masiv europian: tipa të vrazhdë, punëtorë, shumë prej të cilëve punonin në sallat frigoriferike të mishit të Berisso, për këtë arësye i quajnë triperos. Proletariati zonës preferoi bardhekaltrën e Gimnasia në vend të kuqebardhës e Estudiantes, klubit tjetër të La Plata, dhe gjërat do të mbeteshin kështu. Për triperos, Gimnasia është skuadra e popullit. Ajo që di të vuajë. Ajo që nuk dorëzohet.

Një fat i përbashkët

Nuk ka nevojë të thuhet se Gimnasia dhe Estudiantes nuk bien dakord në asgjë. Estudiantes ka fituar 6 herë kampionatin argjentinas; 4 herë Copa Libertadores, versionin jugamerikan të Champions League europiane; 1 herë Kupën Interkontinentale, që shikon të ndeshen fituesit e Champions dhe Libertadores. Gimnasia e fitoi kampionatin e fundit më 1929 dhe Coppa Centenario më 1994, viti i vetëm kur u zhvillua. Diferenca në trofe nuk bën gjë tjetër veçse rrit pabarazinë midis njera tjetrës. “Le t’i mbajnë titujt, ajo që ka rëndësi është se jemi klubi më i dashur në La Plata, më popullori, ai që përfaqëson më mirë njerëzit”, pohon Mariano Berón, ish drejtues, që sot koordinon të palodhshmen tifozeri tripero.

Ndoshta Maradona dhe Gimnasia qenë të destinuara që të ndesheshin. Në kujtesën e triperos mbetet i ngulitur një fakt që në atë kohë mund të dukej banal. Më 1984, teksa po kalonte nga Barcellona tek Napoli, Maradona u paraqit papritmas në një ndeshje të Gimnasia, që luante kundër Tigre. Atë vit Gimnasia rikthehej të luante në Primera División, kategoria më e lartë argjentinase. Kurse Maradonës i mungonin ende 2 vjet që të ngjitej në qiell me Botërorin e Meksikës. Maradona shkoi në stadiumin El Bosque. As ai nuk e kujton se pse. Në Gimnasia nuk ja harruan.

“Kapiteni i madh jam unë”

Në gushtin e 2019, Diego Armando Maradona është njeri i copëtuar. Ka lënë alkoolin dhe kokainën, por është konvaleshent nga një operacion në gjurin e djathtë (i kanë vënë një pajisje metalike), vuan nga një formë e rëndë artroze, ka një dëmtim të vjetër në shpatull, ka zemrën e dobët dhe tensionin në qiell. Është një 58 vjeçar që ka qenë në pikën e vdekjes të paktën dy herë dhe që ka abuzuar shumë me trupin e tij. Mjekët i rekomandojnë pushim absolut deri në tetor.

Maradona ka qenë një gjeni në fushë dhe më pas është bërë yll i televizionit argjentinas, me programe si La noche del 10 e De zurda. Por deri në këtë moment si trajner ka pasur një karrierë mediokre. 12 ndeshje dhe 1 fitore e vetme me Mandiyú (1994), 11 ndeshje dhe 2 fitore me Racing di Avellaneda (1995), eliminim në çerekfinale në Botërorin e 2010 me kombëtaren argjentinase, asnjë titull me Al Wasl e Emirateve të Bashkuara Arabe (2011 – 2012), promocioni në serinë superiore të Emirateve të Bashkuara Arabe jo i arritur me Al Fujairah (2017), dy finale për promocionin të humbura me Dorados del Sinaloa në Meksikë (2018 – 2019).

Pavarësisht urdhërit për të pushuar dhe karrierës së tij të varfër si trajner, agjenti Christian Bragarnik ia ofron shërbimin e Maradonës klubeve të ndryshme argjentinase. Ai që ka më shumë nevojë është Gimnasia y Esgrima, i fundit në klasifikim, i fundit në statistika, thuajse i shpartalluar pas vetëm 5 javëve. Maradona zgjedh Gimnasia. Detajet e kontratës së tij nuk do të bëhen asnjëherë publike. Sigurisht që nuk sheh 17 milion dollarët në vit që fitonte në Emiratet e Bashkuara Arabe, as edhe me dylbi.

Merr një rrogë të ndryshueshme, në bazë të fitimeve që do t’i garantojë shoqërisë. “Maradona paguhet vetë”, thotë Mauro Coronato, ish zëvendëspresident i klubitt që ka marrë pjesë në traktativat për rrogën e tij. Praktikisht, brenda 3 ditëve numri i të abonuarve shkon nga 30000 në 33000; sponsorët i trokasin tek dera; bluzat me mbishkrimin Maradona dhe numrin 10 shiten me mijëra (rreth 50 dollarë secila); modesti Gimnasia y Esgrima della Plata përmendet nga të gjitha mjetet e komunikimit botëror.

“Nuk kam frikë se do më bjerë kurora”

Maradona e bën ndeshjen e tij të parë si trajner i Gimnasia y Esgrima të dielën 15 shtator përpara një prej skuadrave të vjetra të tij, Racing Avellaneda. Është delir. Në stadiumin e vogël El Bosque, zyrtarisht i quajtur Juan Carmelo Zerillo (farmacist dhe presidenti klubit një shekull më parë) nuk kishte vend as edhe për një tifoz më shumë. Impianti është ndërtuar më 1924, ka pamje moderniste dhe përmban nj pishinë gjysmëolimpike, fusha tenisi dhe salla boksi. Shkallët, të montuara në një strukturë metalike, mbajnë deri më 25000 persona. Me oborrin dhe pemët e stij, kur është bosh, El Bosque duket thuajse bukolik. Më 15 shtator 2019 është si një tenxhere me presion. Janë televizionet e të gjithë botës. Edhe drejtuesit e Estudiantes, rivalit të madh, ndjehen të detyruar që të dërgojnë një delegacion për t’i bërë homazhe idhullit.

Gimnasia humbet 1-2, por entuziazmi nuk shuhet. Atë ditë, skuadra zbulon se çfarë do të thotë të kesh të bësh me Maradonën dhe oborrin e tij. “Përreth tij lëviz gjithmonë një turmë”, shpjegon gazetari Facundo Aché, që prej 28 vjetësh ndjek Gimnasia y Esgrima. Drejtuesit udhëzojnë tifozët: nuk duhet t’i afrohen Maradonës, nuk duhet ta prekin, nuk duhet ta bezdisin. Prodhohet një maskot gjigand me shëmbëlltyrën e Maradonës (shumë e arrirë) brenda të cilit, gjatë ndeshjes, djersin Gustavo, që është pjesl e klubit të tifozëve që mban emrin e trajnerit. Kukulla e Maradonës është protagonistja e lëvizjeve të animimit bashkë me maskotin tradicional të skuadrës, një ujk (sepse klubi jeton në pyll, El Bosque), por që mbetet në anën e kundërt të stolit: nuk duhet bezdisur mbreti.

As unë, as pothuajse asnjë gazetar tjetër nuk mund të flasim me Maradonën. “Duhen kaluar shumë filtra për të arritur tek aki, pastaj varet nga gjendje shpirtërore e tij”, pranon një drejtues. Trajneri nuk punon të gjitha ditët. Zakonisht java e tij shkon nga e mërkura deri të dielën. Është zëvendësi i tij, Sebastián Gallego Méndez, ai që merret me menaxhimin e përditshëm.

Kur Maradona paraqitet në stërvitje, gazetarët duhet të largohen. “Qysh kur ka ardhur, na ka lejuar t’i shohim vetëm një seancë strëvitore dhe nuk kemi pasur më asnjë kontakt me të”, shpjegon Aché. Maradona jeton akoma në Bella Vista, një zonë luksoze rezidenciale në veriperëndim të Buenos Airesit, dhe çdo ditë bën 200 kilometra ardhje dhe 200 kilometra kthim për të shkuar në El Bosque. Duket se më në fund po merr me qira një banesë në Campos de Roca, një kompleks rezidencial i survejuar në La Plata.

Në dhjetor, 3 muaj pas ardhjes, Maradona tregon se kush komandon. Janë zgjedhjet për presidencën e klubit dhe Gabriel Pellegrino, njeriu që drejton Gimnasia nga viti 2016, heq dorë nga rikandidimi: skuadra është në një gjendje shumë të keqe financiare dhe mbetet e ngecur në fund të klasifikimit. Por Maradona vendos që Pellegrino, presidenti që e ka punësuar, duhet të qëndrojë. “Në rast se mbetet Pellegrino, mbetet Maradona”, thotë. Tifozët hyjnë në panik përpara rrezikut që idhulli t’i braktisë. Pellegrino paraqitet në çastin e fundit dhe stërfiton.

“Nga këtu duhet të më nxjerrin zvarrë me forcë”

Maradona ka impenjimet e tij personale dhe politike. Më 22 janar, kur futbolli argjentinas përgatitet të rifillojë pas pushimit dimëror të krishtlindjeve, idhulli çalues shkon në Karakas të përshëndesë Nicolás Maduro dhe t’i shprehë “mbështetjen politike” e tij. “Venezuela është një shembull dinjiteti për të gjithë”, proklamon ai.

Me rikthimin e tij, turneu triumfal vazhdon: çdo fushë që Gimnasia viziton i bën homazh mbretit me postera përkujtues, ovacione dhe kore. Në Marcelo Bielsa, stadiumin e Newell’s Old Boys (ku Maradona luajti për një periudhë të shkurtër më 1993), e ulin në një fron. Edhe në stadiumin del Bosque ka në dispozicionin e tij një fron me inicalet e tij. Lavdia e misterit nuk ka efekt të madh në skuadër, e cila mbetet në fund të statistikave që përmbledhin rezultatet e sezoneve të ndryshme dhe vendosin se kush del nga kategoria.

Tifozët e Gimnasia nuk dekurajohen. Kjo tifozeri është quajtur “22-shja” pikërisht pse ka pasur si lider shpirtëror Gustavo Amuchástegui, për të gjithë Loco Fierro, i vrarë nga të shtënat e pistoletave të policisë së Rosario më 1991. Loco (i çmenduri) në kartat e atyre që tregojnë fatin është i asociiuar me numrin 22. 22 ka qenë protagonist ngjarjesh telurike (më 5 prill 1992, një gol kundër Estudiantes është festuar me një intensitet të tillë sa që Observatori i Universitetit të Plata ka regjistruar një lëkundje të lehtë sizmike), arritje të diskutueshme (më 2013 e ka festuar promocionin duke djegur një flamur 100 metra të gjatë të vjedhur rivalve të Estudiantes) dhe zënka të panumërta nëpër rrugë.

Për klubin e tifozëve të Maradonës çdo ndeshje fillon shpejt, me një asado, mishi i pjekur tipik argjentinas, në një truall në Los Hornos, nkë lagje popullore e Plata, e shoëruar me alkool të bollshën; rrugët janë të mbyllura dhe autobusët e devijojnë rrugën e tyre. “Arrijmë në El Bosque tashmë të ngrohtë”, shpjegon Nano Oliver, kreu i klubit të tifozëve. “Nganjëherë bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë, por gjitçka është pjesë e folklorit të futbollit”, thotë duke u shfajësuar.

Në intervalin e ndeshjes këndohet himni kombëtar: “Qofshin të përjetshme lavditë që arritëm të fitojmë”. Çdo rast është i mirë për të rivendikuar sovranitetin argjentinas mbi Ishujt Malvine (ishujt Falkland). Për Oliver, Gimnasia është padiskutim një institucion “shumë nacionalist” dhe kjo i “pëlqen Maradonës”.

Harmonia e imunizuar nga humbja duket se zhduket më 16 shkurt, kur skuadra sfidon Rosario Central në stadiumin e saj, il Gigante. Maradona ka luajtur me Newell’s, rivalin qytetës të Central, kështu që tifozeria vendase tregohet armiqësore ndaj tij. Për herë të parë, në vend që t’i bëhen homazhe, trajneri është pritur me fishkëllima dhe ulërima mospranimi. Dhe Gimnasia humbet sërish. Mbreti ndryshon: “Kam dëshirë të qaj, por nuk qaj”, thotë ai. “Kam folur me vajzat e mia pasi janë të preokupuara, kanë frikë se mos var veten. Nuk do e var veten, qetësohuni”. Dhe menjëherë më pas i lëshon një sfidë të papritur presidentit të klubit, njeriut që e ka punësuar dhe që është rizgjedhur fal ndihmës së tij: “Askush nuk e braktis anijen, unë jam kapiteni dhe të gjithë vijnë me mua. Do të ishte mirë që presidentit të Gimnasia të mos i shkojë në mendje të më përzejë, pasi do të isha unë ai që do ta përzija i pari. Dua të rinovoj, dua të qëndroj me djemtë e mi”.

Por jeta vazhdon. Me kampionatin argjentinas të pezulluar prej Covid-19, Gimnasia mbetet në pjesën e poshtme të klasifikimit dhe rrezikon të bjerë nga kategoria. Maradona ruan lavdinë e tij. Gazetari Andrés Burgo, bashkë me Alejandro Wall autor i librit El último Maradona, bën një përkufizim pragamatik, potencialisht të shtrirë në të gjithë vendin, të simbiozës midis Gimnasia dhe trajnerit të saj: “Bashkohen një skuadër në agoni dhe imazhi në agoni i Maradonës, një skuadër drejt rënies nga kategoria dhe një trajneri që ka vështirësi në të ecur”. Perspektiva e Gimnasia është ndryshe: “Është krijuar një lidhje e madhe setimentale midis Gimnasia dhe Maradonës. Çdo gjë që të ndodhë, tifozeria do t’i jetë gjithmonë mirënjohës”, thotë Facundo Aché.

Në terrenin e Los Hornos një grup triperos, me kanoçe birre në dorë, e shpjegon me fjalë të tjera: “Nuk ka rëndësi në humbasim, nuk ka rëndësi nëse biem nga kategoria, por a e keni kuptuar se me Maradonën hyjmë në histori?”.

(Enric González për El País)

Përgatiti për TemA: Armin Tirana

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje