Tronditja nga vdekja e papritur e Maradonës: Argjentinasit kujtojnë gjeniun e madh

27 Nëntor 2020, 16:18Sport TEMA

Tifozë të futbollit në mbarë botën shprehin tronditje nga vdekja e papritur e Diego Maradonës, një prej idhujve të tyre në këtë sport. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Edgar Maciel njofton se në vendlindjen e tij, Argjentinë, tifozët u mblodhën për të nderuar birin e tyre, i cili vdiq në moshën 60-vjeçare nga infarkti.

Mijëra argjentinas kaluan me radhë para arkivolit të Diego Maradonës të enjten për të nderuar legjendën e futbollit që u nda nga jeta një ditë më parë nga një infarkt në zemër. Turma u mblodh në Casa Rosada, pallati presidencial i Argjentinës në Bonos Ajres, shumë prej tyre me lot në sy, të tjerët duke brohoritur emrin e tij.

Ata ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-kapitenit të ekipit të tyre kombëtar, idhull i tifozëve në Argjentinë e në botë.

Radhë të gjata ishin krijuar që në orët e vona të së mërkurës para pallatit, kur sapo u përhap lajmi i vdekjes së Maradonës.

Ngado shiheshin tifozë të pikëlluar. Disa ishin mbledhur në Villa Fiorito, në vendlindjen e Maradonës.

“Më dhemb zemra. Nuk kam fjalë të shprehem. Nuk e mendoja që do të ikte një ditë”, thotë një tifoze.

“Jam shumë i pikëlluar, më ka vdekur një copë e shpirtit, më i miri na iku. Nuk ka mundësi, ende nuk e besoj,” thotë tifozi Jose Luis.

Edhe futbollistë me famë nga e gjithë bota kanë shprehur pikëllim. Në Brazil, Pelé tha se kishte humbur një mik shumë të mirë dhe se bota kishte humbur një legjendë. Në Twitter ai u shpreh se shpreson që një ditë të luajë futboll me Maradonën në parajsë.

Në fushën e lojës Maradona njihej si Perëndia e Andeve. Ai lindi në varfëri, në periferitë e Bonos Ajresit, por futbolli i ndryshoi jetën që kur ishte 9 vjeç.

Ai filloi të lunate me klubin Argentino Juniors. Tani stadiumi i këtij klubi mban emrin e tij. Maradona mori trajtat e legjendës gjatë Kampionatit Botëror në Meksikë në 1986, me një lojë spektakolare dhe lëvizje në fushë, që i dhanë gjithë aktivitetit epitetin Kampionati i Maradonës. Gjatë karrierës ai luajti në 680 ndeshje të rregullta, shënoi 350 gola dhe u zgjodh në 1995 si lojtari më i mirë i vitit.

Në fund të karrierës, në moshën 37-vjeçare, ai kishte probleme me drogën dhe mbipeshën. Në 2010, Maradona po punonte si trajner i ekipit kombëtar të Argjentinës. Kohët e fundit ai ka qenë menaxher i klubit sportiv, Gimnasia y Esgrima. Koha la gjurmë mbi talentin e rrallë. Ai kaloi furtuna të panumërta personale që e çuan në mjaft raste pranë vdekjes, deri kur u shua përfundimisht të mërkurën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje