Keneddy-t e Shqipërisë

30 Nëntor 2020, 10:49Dossier TEMA
Keneddy-t e Shqipërisë

Çifti  Kennedy jetuan në Shqipëri për tridhjetë e një vite. Ata ishin të parët misionarë ungjillorë në vendin tonë, duke u bërë kështu dëshmitarë të kohëve më të rëndësishme të historisë së shtetit.

Duke pasur rrënjë familjare në shkollat e Misionit Kongregacional Amerikan, motrat Qiriazi  i bënë apel shoqërisë së misionit me bazë në Boston, për sponsorizim dhe mbrojtje.

Zgjidhja e lumtur ishte Violet Bond Kennedy, vajza e misionarëve kongregacionistë në Manastir dhe shoqja e shkollës së motrave Qiriazi,  në shkollat ​​e misionit në Manastir dhe Kolegjin Amerikan për Gratë, në Kostandinopojë. Ajo, një e diplomuar në Kolegjin Mount Holyoke dhe bashkëshorti, pastori  Phineas B. Kennedy, një i diplomuar në Universitetin Princeton dhe Seminarin e Princeton dhe një shërbyes  Presbiterian, u emëruan në këtë post të ndjeshëm.Phineas dhe Violeta Kennedy u nisën nga Nju Jorku më 1907-n, duke pasur si destinacion Korçën.Vetëm katër muaj pas mbërritjes së Keneddy-ve, Xhonturqit  shpallën kushtetutën e tyre të re.

Phineasi do të ishte vëzhgues në Kongresin e Manastirit, ku pa nga afër vendimin e unifikimit të gjuhës përmes alfabetit të standardizuar me shkronja latine dhe bashkë me të shoqen do të ishin aktivë në Shkollën e Vashave, në Korçë,  themeluar nga Gjerasim Qiriazi dhe e drejtuar prej së motrës, Sevastisë.

Më pas, kjo shkollë do të merrte emrin “Shkolla Amerikane” dhe drejtor do të bëhej zoti Kennedy, për ta mbrojtur atë nga përpjekjet për mbyllje nga ana e autoriteteve.

Ata ndodheshin në Shqipëri, gjatë shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të Qeverisë së Vlorës dhe nuk do të ishin vetëm kundrues, ku një vit më vonë në korrikun e 1913-s, udhëtuan drejt Londrës, ku Konferenca e Paqes pas diskutimesh mori vendimin formal më 29 korrik ta njihte Principatën e Shqipërisë si shtet sovran e të pavarur nga Perandoria Osmane.

Phineas Kennedy do t’i shkruante letër ato ditë të William Tyrrell-it, sekretarit privat të sekretarit të jashtëm britanik Edward Grey, i cili drejtonte punimet e Konferencës së Londrës, prej shtatorit të 1912-s.

“Duke qenë në dijeni të faktit që në këtë moment Zoti Edward Grey duhet të jetë shumë i zënë dhe nuk mund të presë vizitorë të rastësishëm nga Londra, unë marr guximin t’ju shkruaj duke shpresuar që do të më dedikoni pak minuta në mënyrë që unë të mund të diskutoj me ju rrethanat në të cilat Shqipëria gjendet në këtë moment”, shkruante zoti, Kennedy duke zbuluar se prej pesë vitesh jetonte në zemër të Shqipërisë, si përfaqësues të Bordit Amerikan të Misioneve të Huaja. “Ne kemi vetëm një javë që jemi kthyer nga Vlora, ku patëm mundësinë të shikonim punën e Qeverisë së Përkohshme”, shkruante misionari amerikan, ndërsa njoftonte për një vizitë në Zyrën e Punëve të Jashtme, në Londër para se të kthehej në Shqipëri.

“Ne as nuk dëshirojmë të jemi dhe as nuk e konsiderojmë veten politikanë por ama jemi në dijeni për sa ka ndodhur e vazhdon të ndodhë”, merrte guximin të shpjegonte Kennedy.

Një ditë më vonë, më 14 korrik të 1913-s,  Kennedy shkroi relacionin me titullin “Situata në Shqipëri”, duke argumentuar arsyet pse Shqipëria duhet ishte  sa më e madhe.

“Pasi të jetë krijuar shteti, nuk do të mund të mbijetojë në qoftë se zvogëlohet së tepërmi. Shqipëria ka humbur tashmë shumë zona pjellore në lagje të Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës dhe në qoftë se Çamëria do t’i kalojë Greqisë, do të lërë shumë shqiptarë pa kullota, të cilat u duhen për të ushqyer bagëtitë pothuajse gjatë gjithë vitit”, argumentonte ai duke vënë në dijeni edhe të një rreziku se shqiptarët,  veçanërisht ata myslimanë, të cilët jetonin  në zonën e diskutueshme dhe siç i përshkruante ai  “të etur për pavarësi”, nuk do t’i dorëzoheshin  kurrë pa luftë një qeverie të huaj “…dhe do të luftojnë pa pushim për t’u bashkuar me Shqipërinë duke krijuar në këtë mënyrë konflikt në kufij”.

Si një misionar, i cili sapo mbërriti në Korçë nisi të mësojë shqipen, Kennedy parashtronte se përse qyteti dhe e gjithë zona duheshin çmuar si shqiptare dhe të ishin pjesë e Shqipërisë, në ndarjen e kufijve, duke renditur si element kryesor pikërisht gjuhën.

“Zonja Kennedy dhe unë kemi jetuar në Korçë, Shqipëri, për më shumë se pesë vjet. Kemi mësuar të shkruajmë e të lexojmë gjuhën shqipe, e cila është shumë ndryshe nga gjuha greke dhe e lidhur me latinishten në shumë nga rrënjët e saj. Nëpër të gjitha udhëtimet tona lart e poshtë nëpër Shqipëri nuk e kemi ndier asnjëherë nevojën të mësojmë ndonjë gjuhë tjetër, edhe kur kemi shkuar në jug në Sarandë”, përshkruante Kennedy, duke e njohur nga afër situatën në vend, duke theksuar sesi as qeveria turke e as ajo greke-ortodokse nuk i kanë njohur ndonjëherë të drejtat e shqiptarëve për të përdorur gjuhën e tyre, megjithëse për të komunikuar me popullin janë detyruar ta përdorin.

“Në Korçë, edhe nën regjimin e ri, qeveria turke, e nxitur nga qëndrimi i kishës greke që të identifikojë gjuhën shqipe me përqindjen myslimane të popullsisë, ka synuar përdorimin e simboleve arabe. Ne jemi dëshmitarë të takimit entuziast në Korçë, ku 12 000 njerëz, kryesisht nga Kolonja, nënshkruan jo vetëm në emrin e tyre, por dhe në emrin e atyre të cilët përfaqësonin nga fshatrat e tjera e që u kishin besuar firmën nëpërmjet vulave dhe bojërave, duke provuar pa asnjë dyshim që shqiptari i vërtetë, i pa prekur nga ndikimi grek, është i etur të ketë gjuhën e tij me çdo kusht”.

Pesë vite më herët, ai kishte ndjekur punimet e Kongresit të Gjuhës, në Manastir ku theksohet gjuha si element bashkues, jo vetëm kulturor por edhe politik dhe emergjenca për ta njësuar alfabetin.

Ai zbulonte sesi Shkolla e Vashave në Korçë persekutohej në mënyrë të vazhdueshme nga qeveria dhe kisha greke, “…madje disa vjet më parë grekët arritën deri aty sa të paguanin një kriminel që të vëzhgonte zonjushën Sevasti Qiriazi, drejtoreshën”.

Ai shpjegonte më tej sesi , bashkë me të shoqen, ishin identifikuar lehtësisht me shqiptarët të cilët nuk ishin të bindur nga propaganda greke ose turke.

“Edhe para ndryshimeve të fundit politike, përpjekjet e kishës greke për të shkombëtarizuar shqiptarët e krishterë pati ngjallur frikë dhe kundërshti ndër këta njerëz të fortë dhe plot energji, siç dëshmohet nga forcimi dhe institucionalizimi i Shoqatës Ortodokse, e cila lufton për përdorimin e shqipes në shërbimet kishtare”. Më 1905-n, Papa Kristo Negovani mbajti një shërbesë kishtare në shqip dhe për këtë do të gjente vdekjen nga banditë grekë, të urdhëruar nga autoritetet kishtare greke.

“Menjëherë sapo u shpall Kushtetuta, shqiptarët u dyndën në shkollat e tyre, duke braktisur edhe shkollat greke dhe ato turke, megjithëse ishte e vështirë të gjendeshin mësues shqiptarë të zotë”, shkruante ai, i mendimit që shqiptarëve t’u jepej e drejta e dhënë prej Zotit për të përdorur gjuhën e tyre.

“Pavarësisht nga gjithë këto pengesa, pjesa më e madhe e qytetarëve të Korçës janë shqiptarë në ndjenja. Të paktën njëqind prej tyre janë në këtë moment në Vlorë, duke pritur me ankth fatin e qytetit të tyre të dashur”, shkruante në relacionin e tij Kennedy, para se të linte Londrën, e cila ziente nga diskutimet mbi fatet e ardhshme të kombeve që dolën nga rënia e Perandorisë Osmane. Kennedy zbulonte se ai dhe e shoqja ishin dëbuar muaj më herët nga Korça, nga autoritetet ushtarake greke, duke e akuzuar se merrej me propagandë politike “e duke bërë lista të atyre shqiptarëve që donin pavarësinë dhe të shpalosnin flamurin austriak është për mua dhe një argument tjetër që pretendimi i qeverisë greke lidhur me kombësinë e Korçës është i dobët”.

Kennedy rrekej të qartësonte se statistikat mbi popullsinë e qytetit të Korçës ishin të pasakta, ku sipas tij mbizotëronin myslimanët dhe të krishterët shqiptarë në ndjenja, përballë atyre grekë në ndjenja.

Ai bënte me dije zyrtarët londinezë metodat e përdorura nga autoritetet greke , që prej pushtimit të tyre, përmes presionit me firma në favor të Greqisë dhe arrestimeve sistematik atyre që favorizonin pavarësinë. “Shtëpia ime, shkolla jonë amerikane dhe shërbesat tona të së dielës vëzhgoheshin në mënyrë sistematike dhe njerëzit patën frikë të vinin në shtëpinë tonë. Më vonë u kundërshtuan hapur. U arrestuan, u rrahën dhe u dërguan në mërgim. Shumë u detyruan ta braktisnin Korçën thjesht sepse nuk pranonin të thoshin që ishin grekë”, thoshte ai, duke përcjellë edhe lajmet që qarkullonin në Vlorë se disa shqiptarë nga Jugu ishin vrarë nga grekët për bindjet e tyre proshqiptare.

Kennedy denonconte edhe trajtimin fyes që ushtarët grekë i bënë grave myslimane me të pushtuar qytetin. “Ata hynë nëpër shtëpi me forcë dhe gratë myslimane i zhveshën dhe i fyen”.

Ai paraqiste mendimin e tij se lufta mes aleatëve dhe turqve nuk duhet të ishte bërë në Shqipëri. “Shqiptarët vetë u përpoqën t’i rezistonin tiranisë turke dhe nuk ishin të bashkuar në asnjë mënyrë në ndonjë qëndrim kundër aleatëve. Por me gjithë këtë qëndrim pak a shumë neutral të shqiptarëve, serbët dhe grekët përfituan të hynin dhe të shkatërronin një pjesë të madhe të shqiptarëve”. Nga kjo, mijëra myslimanë shqiptarë u masakruan brutalisht ose u gjymtuan dhe mijëra të tjerë janë nëpër rrugë larg shtëpive të tyre, pa strehë dhe duke vdekur nga uria.

“Nesër në mbrëmje do të largohem nga Londra, që të filloj një punë humanitare mes tyre”, shkruante Kennedy. “Që kur ikëm nga Korça morëm vesh se fëmijët e shkollës kanë marrë urdhër të flasin greqisht nëpër rrugë përpara çdo të huaji”, e përfundonte relacionin e tij Phineas Kennedy, duke theksuar sesa e rëndësishme ishte gjuha si element i identitetit kombëtar dhe sesi fqinjët jugorë të Shqipërisë, atëkohë pushtues duke e mësyrë Korçën në dhjetor të 1912-s , përpiqeshin ta shtypnin atë, ndonëse rilindësit ia kishin dalë të zgjonin vetëdijen kombëtare duke e vendosur shqipen, si feja e unifikimit mbi çdo religjion tjetër.

Kennedy-t përjetuan jo vetëm luftërat ballkanike, ndërsa i përshkruante grekët në Korçë si pushtues, por ishin në Shqipëri kur Lufta e Parë Botërore shpërtheu prej Ballkanit e deri në fund të saj.

Për dy vjet lufte shtëpia e tyre u bë një shtëpi e hapur për trupat e kryqit të kuq britanik dhe amerikan.Në mungesë të ndonjë zyre konsullore, çifti Kennedy ndihmuan mijëra njerëz në të gjithë rajonin me letërkëmbim dhe dokumente në gjuhën angleze për emigrim, udhëtime, prona, testamente, certifikata lindje, transferim fondesh, etj.

Ata përjetuan mungesa të ushqimit gjatë luftës, dot të rrëfente misionari Edwin E. Jacques, i cili bashkë me të shoqen shërbeu në Shqipëri pas largimit të çiftit Kennedy.

Posta dhe fondet e tyre u ndërprenë për gjashtë muaj në të njëjtën kohë. Në vitin 1918 Phineas Kennedy shkruante “Ne jemi pa fonde. Sapo pastroj hirin me blozë të zezë në hundë dhe veshë, lahem me nxitim në ujë të ftohtë, vesh një pallto klerike dhe shfaqem në dhomën e shkollës si një profesor; Por këto ndryshime të papritura po shfaqen tek nervat e mia”. Më 1919-n, shkruante “Asnjë fond nuk u mor; ne jemi pa para”.

Ata vazhduan të mbronin lirinë e Shqipërisë me letra, artikuj dhe telegrame. Në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, presidenti amerikan Ëoodroë Ëilson kategorikisht refuzoi të nënshkruajë Traktatin e Paqes derisa u rishkrua për të garantuar të drejtën e vetëqeverisjes për shqiptarët dhe pakicat e tjera etnike të rrezikuara. Sipas Eëard Jacques, duhej pranuar që Kennedy ushtroi pak ndikim, sepse gjatë viteve të studimeve në Princeton, Ëilson kishte shërbyer si profesor, duke u bërë presidenti i universitetit dhe më vonë president i Shteteve të Bashkuara.

Kennedy-t dhanë kontributin e tyre në çështjen shqiptare, para lakmisë së fqinjëve për aneksim. Duke peshuar provat, Wilson me siguri do ta kishte vlerësuar mendimin e një alumni të njohur të Princeton. Një çerek shekulli më vonë, një botim i Lidhjes Pan-Epirotike e karakterizoi me zemërim misionarin si “një nga propaganduesit më të flaktë shqiptarë”, një “filo shqiptar”, i cili kishte “ushtruar një ndikim të pavend në Departamentin Amerikan të Shtetit”.

Edhe kur Misioni i tyre e tërhoqi mbështetjen më 1922-shin, Kennedy-t nuk do të hiqnin dorë. Ata themeluan Misionin Ungjillor Shqiptar, rihapën Shkollën Amerikane dhe shërbesat e tyre të ungjillit, me anë të besimit në Zot dhe mbështetjes së miqve të tyre Princeton dhe Mount Holyoke.

Me kombëtarizimin e të gjitha shkollave në Shqipëri dhe mbylljen e Shkollës Amerikane më 1933 ata vazhduan aktivitetet e misionit deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore . Edhe nga shtëpia e tyre në Brooklyn, Nju Jork, pas largimit nga Shqipëria, çifti Kennedy vazhduan kontaktet dhe shqetësimet e tyre shqiptare. Violet u nda nga jeta më 1952-shin, Phineas më 1963-shin, në moshën 96- vjeçare. Me siguri ata e kishin përmbushur me besnikëri misionin e tyre.(SI)

6 komente në “Keneddy-t e Shqipërisë”

  1. E verteta says:

    Respekt i madh dhe perulje per keta njerez te mire, te cilet dhane gjithçka per te mbrojtur te drejtat e shqiptareve ne kohet me te veshtira. Keta misionare kane qene engjejt mbrojtes te kauzes shqiptare. Sigurisht qe te shiturit dhe vemjet shqipfolese ne funksion te propagandes se shpifur manipuluese turko-greke, i percaktonin keta si armiq apo manipulues, por nga ana tjeter ndikimi i ketyre misionareve, ishte i domosdoshem ne vendimet e departamentit te shtetit amerikan per çeshtjen e kufijve ballkanik. Nje falenderim i madh per presidentin e atehershem amerikan Wilson dhe gjithe perendimoreve qe ndikuan ne moszhdukjen e kombit shqiptar.

  2. Ben says:

    Nje artikull informues mjaft interesant , me te vertete real, per kohen, sidomos kur gjerat jane fiksuar nga nje i huaj, pinjoll i Kenedeve te famshem qe lane histori dhe shquhen per pikepamjet e tyre demokratike. Kjo eshte nje deshmi se miqte e vertete kurre sna kane munguar , as ne ditet me te veshtira per kombin dhe qe gjurma e tyre eshte ajo qe ka deshmuar kancelarive te kohes se ne keto troje jeton nje komb martir qe padrejtesite e pafund nuk e gjunjezuan. Rrespekt per Kened-et, rrofte USA, aleati yne i natyrshem, qe na ka mbeshtetur ne luften per egzistence.

    1. ben says:

      Ben adashi-jam plotesisht dakort me komentin tuaj.
      Jane keto perpjekje te amerikaneve te thjeshte dhe te patrioteve tane te rilindjes qe terhoqen vemendjen e Qeverise Amerikane te Presidentit Wilson ne mbrojtje te kombit tone, prandaj eshte detyra jone patriotike qe te jemi aleati me besnik i SHBA-se, ne vazhdim te tradites sone te beses se dhene miqve qe na jane gjendur ne ditet me te errata te historise tone.

  3. Iliri says:

    Respekt dhe mirenjohje e perhershme.

  4. Zeni says:

    Keto Zonjat e Zoterinjte fort te nderuar ka shume mundesi te kene qene i njejti fis me Kenedyt e famshem por jo e njejta dege…familja e presidentit Kenedi nuk ishte protestante por ka qene e famshme (dhe e papelqyer per shume ne Ameriken me shumice protestante) si katolike…
    Ju faleminderit shume per informacionin megjithate….

  5. fati says:

    Urime autorit (?) per kete artikull me shume intetes. Falemnderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje