Intervista/ Kolaudimi i makinave në shtet, Gonxhe: S'ka asnjë koncesion! Do shtohen kontrolle, ndëshkime më të ashpra për shoferët

2 Dhjetor 2020, 22:48Sociale TEMA

Përfundon koncesioni i kontrollit teknik të mjeteve. Kryeministri ka bërë një status në rrjetet sociale për të sqaruar këtë çështje.

Ai ka dhënë edhe detaje për kalimin e këtij procesi te shteti. Por sigurisht që ka disa pikëpyetje dhe mbi të gjitha, çfarë lehtësish do të përfitojnë drejtuesit e mjeteve. Për këtë, do të bisedoj me zotin Blendi Gonxhe.

Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe tha në Report Tv se nuk do të jepet më me koncesion kontrolli teknik i mjeteve.

Lajmet se bëhet fjalë për një koncesion 200 mln dollarësh, Gonxhe i quan krejtësisht të pavërteta, spekulime duke theksuar se nuk do të ketë asnjë lloj privatizimi.

Zoti Gonxhe, ky është lajmi i ditës, por u duhet dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve që janë ngritur. Në gjykimin tuaj, a është kjo gjëja më e mirë që po bëhet dhe përse u mor ky vendim?

Unë mendoj që është një vendim, i cili vjen edhe si rezultat i një pune, mirënjohja për të cilën i shkon të gjithë ekipit të DPSHTRR-së. mendoj që reputacioni, kredibiliteti, transformimet e mëdha të bëra në dy vitet e fundit, investimet, sistemet e reja, anëtarësimi ynë me të drejta të plota në atë që është OKB-ja e automotorizmit për sa i përket kontrollit teknik që është CITA, pra shumë arritje në aspektin edhe të performancës ekonomike por edhe të, si të thuash, një profili të një brandi të ri siç është DPSHTRR-ja sot, që është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, mendoj që janë, po e them pak me humor, d.m.th. ia kanë vështirësuar pak vendimin kujtdo dhe sot mendoj që DPSHTRR-ja ka marrë një delegim të ri, një përgjegjësi të re, një detyrë të re, të cilën mendojmë që do ta ofrojmë me sukses, me cilësi, me prakticitet dhe me lehtësi më të madhe për qytetarët. Ajo që ka më shumë rëndësi, jo vetëm për mua si drejtues i këtij enti apo si individ, është që të jetë në radhë të parë në leverdinë e interesit publik, natyrisht pa cenuar asnjë nga parametrat e sigurisë rrugore dhe pa cenuar asnjë nga parametrat e sigurisë për vetë qytetarët.

Në fakt po flasim për një liberalizim të kolaudimit të automjeteve, por a keni një përgjigje për ata që thonë se mund të jepet sërish me koncesion, madje do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve se mund të ketë një tarifë dyfish më të lartë për ta? Unë po i referohem ekspertëve, asaj çfarë kemi dëgjuar dje dhe që besoj se edhe ju jeni njohur e ju intereson.

Ka pasur një, nuk po them spekulim, por ka pasur një informacion që nuk e di. Ka qenë në një link të një drafti, nuke di mirë, diçka ose në parlament ose diçka e tillë. I janë referuar një dokumenti, i cili ka pasur të bëjë me një plan për disa kontrata ose koncesione, nuk e di saktë, por mund të ketë qenë një plan. Ka qenë gjithmonë e diskutueshme, përderisa ne vijmë nga një koncesion është normale që mund të ketë qenë në tavolinën e politikëbërësve dhe të qeverisë në këtë rast. Në ministri ka pasur disa herë biseda dhe diskutime, ka pasur disa opsione. Opsionet mund të ishin edhe që të vazhdohej me koncesion, opsionet mund të ishin edhe që të kishte një liberalizim total, p.sh. si shembulli kosovar, apo opsioni i tretë që ishte ky i DPSHTRR-së, që erdhi edhe si rezultat, siç e thashë, i një kapaciteti më të madh të këtij enti dhe i një eksperience të entit në sektor, si edhe i llogarive më të mira që besoj se ne kemi bërë për qytetarët.

Kemi marrë parasysh edhe kovidin, kemi marrë parasysh edhe një vit pandemie, kemi marrë parasysh edhe një vit të ardhshëm që urojmë të jetë vit postpandemie, kemi marrë parasysh vështirësitë e mëdha që kanë qytetarët në radha, në pritje, në eliminimin sa më të madh që duhet t’u bëjmë këtyre vonesave për qytetarët. Koha është flori. Ky ka qenë parimi ynë kryesor këto dy vite dhe unë jam i gëzuar që, në njëfarë mënyre, shpërblehet lodhja, përpjekja e këtij enti dhe i jepet një besim që të nisim një eksperiencë të re me kolaudimin. Ju them me garanci që nuk ka më koncesion. Pra, të mos ketë asnjë lloj diskutimi për këtë gjë, nuk ka më koncesion.

Pra, ju mohoni edhe shifrat që privati mund të marrë, mund të ketë 200 milionë dollarë që gjthsesi do të paguhet nga buxheti apo ndoshta edhe nga tarifat.

Nuk qëndron.

Kjo bie poshtë, sipas jush. Më falni që po këmbëngul, por ka një lloj paqartësie. Ne kemi pasur një lumë informacionesh që nga dita e djeshme e deri më sot, kështu që unë dua ta shfrytëzoj këtë hapësirë komunikimi me ju, për sqarime.

Bëni shumë mirë. Edhe unë dua që të kemi kohë për ta sqaruar. Nuk ka pasur asnjëherë, asnjë lloj diskutimi për një koncesion të tillë me këto vlera që ju përmendët. Ka pasur disa eksperienca në vende të BE-së. Edhe një pjesë e direktivave flet për liberalizim. Ka disa vende që aplikojnë mbikëqyrje të këtyre kontrolleve teknike, ka disa vende të tjera që kanë një eksperiencë ndryshe me homologimin, me kontrollin e mjeteve para import, kështu quhet. Pra, ne jemi në një fazë tashmë, që automotorizmi shqiptar, siç e thashë, po rimëkëmbet, edhe besimi i qytetarëve, por edhe shërbimet tona dhe paketat që ne i kemi ofruar qeverisë dhe ministrisë në këtë rast, sepse është ajo që merret me politikat në këtë sektor, kanë qenë të tilla që, besoj se në këto dy vite, kemi provuar që kanë qenë gjithmonë thjeshtuese dhe lehtësuese.

Në këtë rast ne kemi ofruar dhe kemi gjetur mbështetjen totale nga ana e kryeministrit, variantin, opsionin që deri sa koncesioni ynë, pra kushtet dhe rrethanat në Shqipëri prodhojnë një situatë dhe një tërësi gjërash krejt të ndryshme nga shumë vende të tjera në BE apo në vende të tjera jo të BE-së, apo në fqinjët tanë në Ballkan, ne jemi bazuar në këto mundësi që ne kemi: 1. Kemi një institucion me një shëndet financiar shumë të mirë. 2. Kemi një situatë me një rendiment shumë të mirë nga viti 2019-2020 dhe ne mund të investojmë vetë si një ent publik për gjithçka që do të shihnim të arsyeshme. Pra ne nuk kemi nevojë dhe ndihmë që këtë gjë ta bëjmë me koncesion.

Pra një shërbim që ne mund ta mbulojmë vetë, për shkak se i kemi të gjitha asetet, kemi ato që koncesioni që po mbyll kontratën e vet do t’i dorëzojë, kemi linjat e kontrollit, kemi edhe të gjitha sistemet dhe imputet nga më të ndryshmet, 360o, që ne i kemi përditësuar më 2019-2020. U kërkoj ndjesë qytetarëve se, sot që flasim, p.sh., mund të ketë një radhë të lehtë në pagesën e disa shërbimeve sepse nga sot, ne kemi një ditë tjetër të shënuar që futemi me sistemin e ri 10 vite më pas, kemi një sistem të ri të shërbimeve në DPSHTRR dhe ky ndërthur përfundimisht të gjitha sistemet e të tretëve online, në kohë reale, live dhe kemi dalë për herë të parë live sot. Pra, merr të dhëna nga të gjitha sistemet e tjera, nga Policia, nga SDS-ja, pra nga kolaudimi që më tej do të jetë shërbim publik. Kjo gjë bën që duke pasur të gjitha këto asete dhe këto mundësi, të jetë e pamundur që ne të mos provojmë që kjo të jetë e bërë nga ky ent publik.

Theksoj që është ent publik, pra është krejtësisht shtetëror, por është me vetëfinancim. Pra, në njëfarë mënyre, ky shërbim quhet sot i liberalizuar në kuptimin që është i bërë nga një ndërmarrje me vetëfinancim, e cila është pjesë e tregut. Ne jemi pjesë e tregut shqiptar, jemi të licensuar, kemi akreditimet përkatëse, kemi të gjitha specializimet dhe dokumentacionet e duhura, siç e përmenda edhe nga anëtarësimit në CITA, kemi të gjitha akseset në këto sisteme të huaja dhe vendase, kemi databaza shtetërore kombëtare por edhe të huaja, me të cilat ne ndërveprojmë dhe kështu që i gjithë ky kapacitet është një aset shumë i rëndësishëm që ne ta kthejmë këtë në një të mirë për publikun. Për këtë arsye ne ofruam që të garantojmë shërbimin duke e shtyrë kohën e kontrolleve me dyfish, pra duke e bërë dyfish kohën e zgjatjes së një vlefshmërie kontrolli dhe me një kontroll, do të mund të kesh një certifikatë 2-vjeçare për makinat e përdorura.

Deri tani kemi folur politikisht dhe për zërat. Çfarë do të ofrohet konkretisht dhe si mund të jetë kjo një formulë suksesi? Të ndalemi tek ideja se çfarë do të ofrohet nga shteti, si do të bëhet ky shërbim në të gjithë territorin e Shqipërisë? Cila është strategjia?

Së pari, ne po marrim në dorëzim, pasi NJZP-JA e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë të mbyllë detajet e kontratës, pra përfundimin e kontratës me koncesionarin, dorëzohen të gjitha inventaret në DPSHTRR, e cila ka qenë më parë poseduesja e shumicës së tyre. Dorëzohen dhe i njihen koncesionarit suksesi i kontratës apo probleme të ndryshme që mund të ketë me mbylljen e kontratës, dhe për këtë vazhdon NJZP-ja që është Njësia e Zbatimit të Projektit në ministri me detyrimet përkatëse me koncesionarin. DPSHTRR-ja pasi merr inventarin, brenda këtij muaji që ne flasim, e kapitalizon atë, e dokumentojmë dhe e rivëmë në funksion, bëjmë testet tona për linjat e prodhimit që marrim në qendrën e re të Prezës, e cila duhet të dorëzohet po ashtu nga koncesionari, përditësojmë të gjitha sistemet dhe komunikimet me sistemet tona, pra kthehet në shtëpi një pjesë, një shërbim, i cili ka qenë i shtëpisë, kthehet në DSHPTRR dhe bëhet pjesë e të gjithë sistemit tonë operativ informatik digjital IDPSHTRR dhe me të gjitha përditësimet e reja që duhet të bëjmë edhe në vijim për pjesën e kolaudimit rregullohet pjesa e brandimit dhe e informacionit dhe e gjithçkaje që ka të bëjë me këto qendra, pasqyrohet gjithçka në interes të publikut në të gjitha profilet tona online, risistemohet sistemi i radhës, i cili është një vlerë dhe nuk kemi pse e humbim, i SDS-së, dhe korrigjojmë me shpejtësi gjthçka që mundemi për të rinisur shërbimin nga janari i vitit të ardhshëm me ato risi që edhe kryeministri ka njoftuar në profilin e tij. Ne jemi të bindur që, jo vetëm jemi në zbatim të direktivave evropiane, por është e mundur që të ndajmë besim me qytetarët. Pra, kjo është një çështje përgjegjësie që ndahet, por është edhe besim që ndahet. Nëse ne u japim qytetarëve këtë besim, pra që të vijnë një herë në dy vite dhe jo çdo vit në kolaudim, do të duhet që edhe përgjegjësia e tyre të rritet. Nga ana jonë, ne do të rrisim kontrollet, të cilat do të jenë kontrolle rrugore, kontrolle më të imëta me policinë dhe me task forcën e transportit rrugor.

Besoj se e keni një strategji sepse kjo është një lloj problematike që ka të bëjë me korrupsionin, për dhënien e ryshfetit që mund të përdoret në të tilla raste, teksa kthehet sërish në dorën e shtetit. Kur u dha ky koncesion, të gjithë ne menduam që do ta shmangnim këtë lloj problematike. Ndërsa tani jemi në hapa pas, që ndoshta dhe kjo kërkon një lloj strategjie të mirëfilltë.

Ne kemi investuar shumë në sistemin e ri të monitorimit. Duhet të kuptojmë që zgjidhjet janë me sistem dhe me statistika, pra me statistika që tregojnë problemet dhe sisteme që rregullojnë problemet. Problemet nuk rregullohen dot në nivel kapilar me njerëz. Problemet rregullohen në totalitetin e tyre me sisteme dhe investimet që ne kemi bërë janë të pakrahasueshme jo vetëm me këtë koncesion që ne po flasim, por me shumë ente private që unë njoh në treg. Pra fuqia që kemi, vullneti pozitiv, vetë natyra e automotorizmit që ka një të ardhur të vazhdueshme konstante që është me rendiment në kuptimin ekonomik të fjalës, bën të mundur që ne të kemi pasur, ju e keni vënë re, investimet e dy viteve të fundit në infrastrukturë, në zyra, në kushte, në të gjitha këto që unë po them, janë bërë të gjitha jo me buxhetin e shtetit por janë bërë me vetëfinancimin e institucionit dhe në rast se ne e kemi këtë mundësi, në rast se ne e marrim dhe e menaxhojmë diçka që është publike me të njëjtin pasion që menaxhohet çdo kompani tjetër, dhe natyrisht me ligjshmëri, me kontroll, me auditime të vazhdueshme, duhet të kuptojmë që nuk mund të kontrollojë DPSHTRR-ja e vetme në këtë rast, pra në rastin se do të kemi këto pikat e kontrollit natyrisht që do të ketë organe mbikëqyrëse. Prandaj ju përmenda që në rast se ne do t’i themi një mjeti që të vijë një herë në dy vite tashmë dhe të marrë një certifikatë dyvjeçare, natyrisht që do të ketë më shumë kontroll për gomat, për stopat e djegur apo për dritat. Janë gjëra që në të gjithë botën ndodhin, kudo të ndalojnë për një poç të djegur apo për një dritë. Nuk është e thënë që është një problem vetëm kolaudimi.

Në kolaudim kontrollohen funksionet kryesore të mjetit dhe ato që janë më të rëndësishmet, ndërsa një pjesë tjetër natyrisht që në çdo vend të botës është përgjegjësi edhe e individit. Të gjithëve ne mund të na prishet makina edhe dy javë pas kolaudimit. Atëherë çfarë do të bëjmë? Do të rrimë një vit deri sa të vijë radha e kolaudimit tjetër? Do të ecim me makinën e dëmtuar? Pra kjo ka të bëjë edhe me një rritje të përgjegjësisë. Ne mendojmë që, jo vetëm në vitet e fundit, por në përgjithësi në këtë 30-vjeçar vetëdija e drejtuesit të mjetit, vetëdija e të gjithëve ne dhe kjo nuk është e thënë nga unë, por është provuar nga rritja në 630 mijë mjete aktive sot, rritja në 1,1 milion drejtues mjeti, sot që flasim, dhe ulja e aksidenteve me një përqindje mjaft të konsiderueshme në vite, pra edhe në vitin e fundit, në krahasim me rritjen e përdoruesve të rrugës. Përdorues të rrugës nuk janë vetëm mjetet dhe drejtuesit e mjeteve, por janë edhe ata që ecin në rrugë, sepse aksidentet kryesore i kemi edhe nga ata që janë në rrugë pa automjet. Pra në një situatë, kur statistikat thonë që ne kemi rënie të aksidenteve në ponderimin e mjeteve, të drejtuesve të mjeteve dhe të përdoruesve të rrugës, ne mund të mendojmë që kemi një situatë, një vetëdije më të mirë te drejtuesi i mjetit dhe te përdoruesi i automjetit dhe për këtë arsye ne ndajmë këtë besim dhe këtë përgjegjësi, e cila, siç e thashë, do të shoqërohet me masa më të ashpra. Në rast se do të kapesh në rrugë me automjetin, pasi ke bërë kolaudimin, jashtë standardit, jashtë normës, për një arsye të caktuar, do të ketë masa më të rënda.

Kur do të bëhet kjo se hyn në fuqi shumë shpejt. Kur do të jetë kohë për t’i bërë të gjitha këto rregullime?

Epo kështu jemi ne, punojmë shpejt, fort dhe uroj, edhe mirë. Po bëhen të gjitha këto që po ju them, janë të gjitha pjesë e një pakete të vogël ndryshimesh, këto që thamë dy vite për makinat e përdorura, tre vite makinat e reja. P.sh., më thoni dot ju se për çfarë duhet të shkojë në kolaudim një makinë që sapo ka dalë nga dyqani?

Kjo është një gjë shumë e mirë, interesante, është pika e parë. Pra, mjetet e reja, me 0 km, tre vitet e para nuk do të kalojnë në kolaudim. Kjo është një lehtësi. Kurse për mjetet e përdorura, nga një herë në vit do të kalojnë në kolaudim një herë në dy vite, pra zgjatet koha dhe kjo më duket pak me pikëpyetje dhe mbetet në dorën e drejtuesve të automjeteve se si do të kontrollohen.

Është pjesë e direktivave, e ofrojnë direktivat e BE-së, madje e ofrojnë deri në tre vite, në qoftë se doni ta dini për kuriozitet. Ka të bëjë shumë që të gjitha hallkat e shtetit, por të gjitha ama, të funksionojnë. Dhe në rast se ne kemi edhe policinë, edhe task forcën rrugore, edhe transportin për mjetet e mallrat, edhe inspektoriatet e ndryshme të kontrollit që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme, që nga karburantet etj., në qoftë se të gjitha funksionojnë, të gjitha gjërat që po dëgjoni nuk janë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj rreziku për sigurinë publike.

Ndalemi pak te çështja infrastrukturore. Si do të organizohet që të mos kemi probleme apo radhë? Si do të funksionojë?

Pikërisht, kjo që sapo unë ju thashë është një zgjidhje edhe për radhën. Pra, në qoftë se ne kishim teorikisht, po themi, 500 mijë automjete në vit që do të duhej të paraqiteshin në këto 15 qendra, tani do të kemi afërsisht gjysmën e tyre, 250 mijë. Kjo do të na japë kohë që edhe shërbimin ta bëjmë më mirë, edhe cilësia të jetë më e lartë, edhe monitorimi dhe gjithçka të jetë më e detajuar dhe më e thelluar, edhe ato opsione shtesë që ne do të shtojmë në rritjen e kritereve për sa i përket ndotjes së ambientit, në kontrollet më të imëta për sa i takon aspektit më me rrezik që janë gomat, sistemi i frenimit apo me çështje të tjera që kanë të bëjnë me mjetet e transportit të pasagjerëve sidomos, do të jenë më me cilësi. Do të investojmë në muajin që vjen menjëherë, pra në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të DSHPTRR-së menjëherë janë përfshirë zëra investimi për të gjitha nevojat që do të ketë ky shërbim, i cili do të jetë pra nën DSHPTRR-në dhe rrugës, në qoftë se ne shohim që në qytete të caktuara, në vende të caktuara, në zona të caktuara do të na duhet të investojmë, p.sh., ne kemi një plan bashkë me automoto parkun e ri që do të bëhet në zonën e Elbasanit, që është një pistë e madhe testimesh, garash sportive, por edhe një qendër e madhe për mjetet retro dhe për muzeun retro, por edhe një qendër e madhe teknike, ne duam të ndërtojmë drejtorinë e re rajonale të Elbasanit dhe duam të bëjmë edhe një drejtori të madhe të kontrollit teknik dhe të homologimit, që do të jetë një gjë e fjalës së fundit të teknologjisë për sa i përket kontrollit teknik.

Dhe në qoftë se ne udhëtojmë me makinë, Elbasanin e kemi 15 minuta larg. Kjo do t’u ofrojë zonave qendrore të Shqipërisë një opsion edhe më të madh, por në rast se ne nuk do të duam të investojmë në një vend larg qendrës apo në një vend ku nuk ka interes shteti të investojë, pse jo, ne mund të jemi të hapur që të diskutojmë që të nënkontraktojmë shërbime të caktuara atje. Por kjo nuk ka lidhje me fjalën koncesion, mund të jetë një nënkontraktim me të njëjtat kritere, çmime, kushte, brenda monitorimit, me të njëjtën certifikatë, me të njëjtat kërkesa për sa u përket qytetarëve. Pra detyra jonë e parë është që t’u ofrojmë qytetarëve shërbimin bazë, të jetë i unifikuar, i kontrolluar, i monituar, i sigurt, i lirë, i shpejtë. Në rast se më vonë ne do të shohim që, gjatë këtij viti apo vitit tjetër, kemi probleme me shërbimin, do të na duhet të ndërhyjmë në shërbim apo do të na duhet të aplikojmë mundësi të tjera, këto do të jemi dhe mundet që të diskutojmë edhe mundësi të tjera.

Ka një lajm që thotë apo një zë, që thotë se përpara zgjedhjeve është menduar që të jetë një tjetër kompani që do të marrë drejtimin. Janë thjesht fjalë apo ndoshta është një plan B?

Në qoftë se ka ndonjë kompani tjetër që do të vijë ta bëjë, se i bie që të jetë me 1 mijë lekë të rinj në vit kolaudimi, d.m.th. në qoftë se sot është p.sh. 2 mijë lekë një kolaudim dhe në qoftë se do të vish një herë në dy vite, i bie që të paguash 1 mijë lekë në vit. Në rast se ka konkurrencë që do të jetë, që do të shprehë interes dhe do t’i kërkojë organeve qendrore, qeverisë, do t’i bëjë ndonjë propozim për ta ofruar këtë shërbim më mirë se ç’do ta bëjë DSHPTRR-ja dhe më lirë, natyrisht që unë si Blendi Gonxhe nuk mund të ndaloj dot dëshirat e njerëzve, por detyrimi ynë i parë është që ne, asetet që janë publike në këtë rast që i dorëzon koncesioni, janë të sistemit tonë të transportit, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, të DSHPTRR-së. të punësuarit e SGS-së sot, asnjëri të mos shkojë në shtëpi në rast se nuk ka probleme shkeljeje apo figura kundërvajtjesh.

Të gjithë këta njerëz të kenë një vit të ri të mbarë dhe të kenë garanci që vitin tjetër të jenë që të gjithë të punësuar dhe të jenë të qetë në vijimin e jetes së tyre për sa i përket pjesës së punës, të vendit të punës. Pra, në rast se ne do të arrijmë të bëjmë atë që unë bashkë me kolegët e mi kemi përgatitur, kam përshtypjen se do të jetë e panevojshme dhe do të jetë e pakonkurrueshme, sepse forca, kapaciteti dhe asetet që ka DSHPTRR-ja, sistemet, stafi, ekipi, eksperienca, gjithçka që ka DSHPTRR-ja do tëjetë vështirë të jetë e konkurrueshme në këto terma. Në rast se dikush do të dojë të ofrojë kolaudim më shtrenjtë se kaq dikujt tjetër dhe në rast se kjo aprovohet gjëkundi, unë këtë nuk e di, nuk kam dijeni. Unë di të them që do ta bëjmë më mirë, më shpejt dhe më lirë.

Si ka punuar SGS-ja në këto 10 vite sipas gjykimit tuaj? Ju e njihni mirë këtë sektor.

Unë e njoh sepse merrem edhe vetë me automjetet. Jam marrë edhe para se të vija dhe e njoh shumë mirë sektorin e transportit dhe tani natyrisht punoj në DSHPTRR. Unë kam respekt për shumë nga ndryshimet që ata kanë sjellë. Ne e shohim me shumë pozitivitet sidomos pjesën e rezervimit online, shohim me pozitivitet disa prej investimeve të bëra prej tyre, sikundër të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për shumë nga vështirësitë dhe problemet që ky shërbim ka pasur ndër vite. Nuk them dot gjë për kontratën sepse këtë do ta cilësojë NJZP-ja, nuk e di nëse janë shlyer të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij koncesioni. Detyra jonë është që ato që do të marrim në dorëzim t’i kontrollojmë me kujdes dhe t’i raportojmë me kujdes, si edhe të mos falim as qindarkën për sa i takon shtetit, publikut dhe interesit publik. Pastaj ata do të duhet që të respektojmë detyrimet e tyre kundrejt kontraktorit që është Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë.

Ata si koncesionarë do të duhet të respektojnë detyrimet e kontratës së tyre. Ajo që dua të them është se kohët e fundit, me keqardhje ne kemi vënë re që shumë operatorë privatë, jo të gjithë, nuk kanë qenë në lartësinë e përditësimeve, të informatizimit, të digjitalizimit që entet publike po bëjnë në kuadër të e-albanias, në kuadër të shërbimeve online. Dhe në fakt janë shumë, janë kontraktorë të mbetur ndër vite, disa prej tyre koncesionarë, mund të jenë ente private që nuk është e gabuar që të kemi edhe kontraktorë privatë. Natyrisht që tregu, ekonomia ka operatorë privatë, kjo është pjesë e jetës sonë, por në përgjithësi kanë mbetur prapa. Nuk e di se për çfarë problematikash ka ardhur kjo, a është çështje kontrate apo cilësie, çështje kontrolli apo mbikëqyrjeje nga ana e institucioneve, por kemi pasur probleme. Kanë mbetur me pajisje dhe me teknologji të para 10 viteve.

Po thoni që do të duhet të investoni më tej? A do të qëndrojë sërish rezervimi online që dukej se ishte një zgjidhje. Sepse kishim orarin tonë, dërgonim makinën, nuk takonim njeri dhe kryenim punë shumë shpejt.

Jo vetëm që do të ekzistojë, jo vetëm që do të qëndrojë, por do të përsoset, do të sofistikohet sepse sot ky sistem i tyre online, duke u futur shumë sekserë, shumë dyqanxhinj siguracionesh, duke marrë shasitë dhe duke bërë rezervime vetëm me shasi, ka rezultuar që shpesh sistemi ka qenë i tejngarkuar kot, nga e njëjta targë ose nga i njëjti automjet për të zënë 20, 30 apo 40 orare, të cilat më pas këta njerëz i shisnin ose i trajtonin si një favor për ata që do të duhej t’i çonin në kolaudim. Nuk them dot gjë nëse kjo është bërë me dijeninë apo me aprovimin e atyre që kanë kontrolluar sistemet e tyre, por i ka penguar ata, ne dhe qytetarët sepse ata shpesh, po marrim rastin e pandemisë kur ne punuam shumë me rezervimet, sistemi nuk të jepte asnjë datë ndërkohë që SGS-ja ishte bosh. Kjo tregonte që dikush kishte hyrë në sistem dhe kishte bllokuar 20-30 orare kot. Kjo gjë nuk do të ndodhë më sepse ne do ta personalizojmë me Log in, dhe përderisa kjo do të bëhet përmes e-albanias, do të jetë me NIPT-in e personit, jo më si e ka sot kolaudimi i SGS-së, jo i lirë me një shasi makine dhe me një targë, por me një NIPT të personit, pra me një Account të secilit nga ne, nuk do të jetë e mundur që ne të zëmë sistemin kot. Në qoftë se ky individi që do të vejë emrin e vet 20 herë nuk do të ketë sjellë makinën e vet dhe nuk do të korrespondojë, atëherë ne do të kemi të bëjmë me një sekser dhe do ta gjejmë këtë person dhe do t’i blokojmë Account-in. Pra ne do të bëjmë punë që jo vetëm të vazhdojnë gjërat e mira që janë sjellë, por t’i përsosim. Shembull keni DSHPTRR-në. Natyrisht që e mira nuk ka fund, edhe ne kemi problemet tona. Jua thashë që sot ne kemi një ditë shumë të vështirë sepse po implementojmë sistemin e ri dhe ndërthuret me të gjitha sistemet. Një nga këto sisteme me të cilat po e ndërthurim sot, është SGS-ja vetë, kemi pasur me ata disa probleme në komunikim. Ka edhe radhë. Ka edhe njerëz që nuk duan ta kuptojnë se mund të paguajnë online.

Kemi evidentuar radhë të gjata te Drejtoria Vendore e Shërbimeve të Transportit Publik në Korçë. Madje nuk po respektohet as distanca. Nuk po e kuptojmë se çfarë po ndodh.

E pashë lajmin. Kemi pasur një orë vonesë një mëngjes, nga një mosfunksionim i sistemit të DPGJC-së me AKSHI-n, me qendrën e databazës shtetërore. Duhet të kuptojmë që, kur bën një aplikim te, me NIPT, me kartën e identitetit, automatikisht gjenerohen të dhënat. Në rast se nuk funksionon sistemi i gjendjes civile, as sistemi ynë nuk mund të funksionojë. Pra ka raste, sepse edhe ata e kanë bërë para një muaji përditësimin dhe kanë vënë sistemin e tyre.

Po, por sistemi ka që dje që nuk punon. Kështu më njoftojnë nga Korça.

Jo, dje ne kemi qenë të mbyllur, më vjen keq. Kemi qenë të mbyllur dhe kemi informuar se po bëhej përditësimi i sistemit. Pra, dje ne nuk kemi qenë hapur. Ne jemi hapur sot dhe sot ka pasur vetëm një orë vonesë në Korçë, në disa prej shërbimeve, që është zgjidhur më pas. Jua thashë që sot është dita e parë e implementimit live të sistemit të ri, i cili nga dora kalon online në të gjitha sistemet komunikuese. Të gjitha sistemet komunikojnë njëkohësisht me njëra-tjetrën dhe ka edhe momente natyrisht që në ndonjë prej institucioneve prej internetit apo të diçkaje tjetër, ndodh ndonjë problem.

A zgjidhet sot?

E kemi zgjidhur problemin e Korçës sot. Dhjetori është muaji i pagesës së taksave. Na ka mbetur si zakon, nuk duam ta kuptojmë që taksën e automjetit mund ta paguajmë edhe online tek e-albania. Në rast se duam ta paguajmë te kolaudimi, është kur shkojmë me automjetin, por në rast se nuk duam të jemi në radhën e taksave, e paguajmë online dhe nuk shkojmë te kolaudimi për të paguar edhe taksën, por bëjmë vetëm kolaudimin, sepse sistemet tashmë komunikojnë me njëri-tjetrin. Në sistemin e kolaudimit ne i themi që zotëria e ka paguar taksën, vijo. Pra, ne po bëjmë maksimumin që të informojmë me informacione të ndryshme online, edhe në terren kemi nxjerrë sot njerëz, që t’u themi njerëzve që nuk është nevoja të rrinë në radhë edhe prej kovidit. Mund të paguajnë online. Dua të jem i hapur me ju. Ka momente që edhe në pagesat online mund të ketë ndonjë vonesë. Po punon AKSHI që të bëjë të mundur që pagesat online të përfshijnë të gjitha llojet e kartave dhe të gjitha llojet e bankave që ne kemi në vendin tonë sepse ka qenë pak më e kufizuar për shkak se marrëveshja ka qenë me një ose me dy banka të caktuara dhe kjo krijonte ndonjë kosto herë pas here për qytetarët ose frikë sepse mendonin që duke paguar nga banka në një bankë tjetër do t’u mbahej një tarifë. Kjo gjë është hequr, pra janë hequr këto tarifa, janë urdhëruar bankat e nivelit të dytë që për të gjitha këto procese të mos ngarkojnë me tarifa. Ne do të bëjmë të mundur që së shpejti pagesat të bëhen edhe përmes postës edhe në vende të tjera, në mënyrë që ta zgjerojmë rrjetin sepse, siç e thashë, janë 610 mijë automjete aktive. Imagjino që në një moment të gjithë këta, ose edhe 1/5 e tyre të vijnë në dhjetor. Po investojmë dhe po punojmë.

Është e njohur historia e dhjetorit për të tilla lëvizje.

Dua t’ju garantoj që nuk ka lojëra, nuk ka të mira të rreme vetëm para zgjedhjeve. Është një vendim dhe është një rezultat i një pune të madhe, mbi dyvjeçare, për ta bërë automotorizmin shqiptar që të jetë përsëri në nivele dinjitoze dhe të njihet në nivelet që është nga partnerët tanë. Por besoj që edhe publiku duhet ta ketë të prekshme sot që automotorizmi shqiptar është i besueshëm për një shërbim si kolaudimi dhe të jenë të bindur që jo vetëm do të jemi më cilësorë në shërbim, por do të jemi edhe shumë më transparentë dhe shumë më afër qytetarëve në çdo sens.

1 komente në “Intervista/ Kolaudimi i makinave në shtet, Gonxhe: S’ka asnjë koncesion! Do shtohen kontrolle, ndëshkime më të ashpra për shoferët”

  1. Eri says:

    Ka gjetur ate qoshe te ngrohte ai Gonxhja.Keta qe nuk donin te benin mesim ne 1990 se ishin ngelsa u eci kismeti duke ngrene qyl gjithe jeten.Shiko Gonxhen Klosin Ramen Meten etj etje pa pike merite zune perjetesisht vende te rehatshme duke ngrene e pire djersen dhe gjakun e popullit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje