Nga Venecia nuk erdhi as kali i betejës, as shpata!

3 Dhjetor 2020, 13:26Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Ndodhi pak a shumë siç po ndodh këto ditë në SHBA, me tentativat e presidentit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Komisioni i Venecias ka vendosur të mos ndërhyjë në garën e ardhshme elektorale në Shqipëri, duke i shuar shpresat e Presidentit Meta dhe opozitës, për të ribërë nga e para rregullat e sapomiratuara të zgjedhjeve.

Përgjigja e Komisionit vjen si një dush i ftohtë për ata që prisnin të rihapej “pazari” elektoral në Tiranë. Venecia nuk ja solli as shpatën, as kalin e betejës Ilir Metës, që me to të kryqëzonte Edi Ramën. Përkundrazi, i ftoi të gjitha palët të hipin në autobusin e fushatës dhe të mos merrem më me sherret tipike të kafeneve të Tiranës. E kjo në thelb është një përgjigje e urtë dhe logjike, e një institucioni që nuk është i lehtë të përfshihet në pasionin e ethshëm negativ të politikës shqiptare.

Opozita dhe Presidenti i vendit mbetën kështu pa alibinë e fundit, për të sabotuar procesin e ardhshëm zgjedhor. Ekspertët e Venecias, të mësuar me tharmin agresiv dhe vetëshkatërrues të politikës shqiptare, u kujdesën që të saktësojnë se në 25 prill duhet të shkojmë me rregullat e sapomiratuara zgjedhore.

Ashtu si në leximin e ftohtë që i bëri situatës së vjetshme, kur Presidenti shtyu zgjedhjet lokale, teksa përcaktonte se Meta shkeli Kushtetutën por nuk duhej shkarkuar, edhe në këtë rast Komisioni ka gjetur një të mesme që duhet t’i lerë të gjithë të kënaqur. Ka kritikuar natyrën e njëanshme të ndryshimeve kushtetuese, por ka theksuar gjithashtu edhe se këto ndryshime nuk konsiderohen thelbësore, e si të tilla nuk prekin stabilitetin e ligjit zgjedhor.

Një aspekt negativ i gjithë këtij procesi, megjithatë mbetet. Rregullat e lojës duhen shkruar së bashku, e jo vetëm nga njëra palë. A nuk e ka akuzuar me vite opozita socialiste Berishën pikërisht për këtë lloj voluntarizmi të dhunshëm?! Në këtë pikë këshilla e Komisionit për të gjetur një pikë-takimi, një moment kompromisi të të gjitha partive pas zgjedhjeve, nuk është thjesht një paragraf i shkruar për të mbushur një copë letër, por një nevojë që do të mbetet aktuale edhe pas 25 prillit.

Opinioni i Komisionit të Venecias është një tjetër shembull sesa ftohtë dhe me logjikë racionale i shohin të huajt gërr-mërret tona provinciale.

Megjithëse negociatat për reformën zgjedhore nisën qysh të nesërmen e zgjedhjeve të vitit 2017, rast unikal ky, sërish katër vite nuk qenë të mjaftueshme për të gjetur një kompromis për zgjedhjet shqiptare. Venecia na rikujton edhe një herë se kjo nuk është një betejë kalorësish me parzmore, por një ushtrim i vështirë mirëkuptimi dhe dakordësie, një ndryshim rrënjësor mentaliteti. Dhe që vjen me ndërrimin e elitave politike, jo thjesht mbajtjen e një pale zgjedhjesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje