Berisha mban peng Bashën për kandidatët

23 Dhjetor 2020, 16:29Politika TEMA

Partitë aleate të PD kanë shtuar presionin ndaj Lulzim Bashës që të bëjë gati strategjinë dhe një “maket” të listës së kandidatëve për deputetë deri në fund të dhjetorit.

Më të zëshëm në këtë kërkesë kanë qënë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe ai i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

Në një zë, Mediu e Duka i kanë dërguar më se njëherë ultimatum Bashës që brenda muajit dhjetor, PD e aleatët duhet të përmbyllin mënyrën e daljes së koalicionit opozitar në zgjedhje.

Dhe pavarësisht taktikës elektorale që parapëlqen kryedemokrati Lulzim Basha, aleatët e PD janë të prerë në qëndrimin e tyre se formula më e mirë dhe më e pangatërrueshme është ajo e daljes me dy lista në “betejën” e 25 prillit përballë PS dhe Edi Ramës: PD plus aleatët e djathtë dhe LSI më vete.

Këtij qëndrimi i bashkohet dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi, i cili jo vetëm që refuzon të dalë në një aleancë me LSI por nuk duron dot as faktin që Presidenti Ilir Meta sillet si kryetar opozite!

Aleatët e djathtë i kërkojnë Bashës një marrëveshje paralektorale, jo vetëm për zgjedhjet e 25 prillit, por edhe për qeverisjen e nesërme, nëse do të fitojnë përballë Ramës.

Ndërsa i kanë kërkuar kreut të PD që të kenë përfaqësues të tyre në disa qarqe kryesore të vendit.

Edhe LSI, ndonëse shfaqet e sigurtë në fitore, madje me 100 deputetë, ka bërë thirrje më se njëherë që opozita të bashkohet, për të qënë në një front të përbashkët kundër Edi Ramës.

Jo më larg se ditën e e mërkurë ka qënë ish ministri i Drejtësisë i LSI Ylli Manjani, i cilësuar si njeriu që deklaron paraprakisht qëndrimin e Ilir Metës, ka kërkuar me ngulm që opozita duhet të bashkohet pasi nuk ka më kohë.

Nga LSI kërkohet në mënyrë të dëshpëruar që të ketë një front të përbashkët opozitar deri në fund të dhjetorit, përndryshe është shumë e vështirë të përballohet sipas saj “e keqja Edi Rama”.

Të gjitha thirrjet janë në drejtim të Lulzim Bashës, kreut të partisë më të madhe opozitare, i cili deri më tani po bën sikur nuk është i shqetësuar. Madje bën dhe sikur nuk dëgjon asgjë!

Në të vërtetë është në një siklet të jashtëzakonshëm për shkak të mungesës së një qëndrimi të prerë të tij ndaj të gjithë kritikëve brenda PD apo dhe të përjashtuarve nga gara nga ana e komisionit të vlerësimit të kandidatëve “Ruli”!

Teksa përballet me një pakënaqësi gjithnjë e në rritje të këtyre zërave kritikë, rasti i Halim Kosovës apo ish deputetit të qarkut të Shkodrës Romeo Gurakuqi është tepër evident, Lulzim Basha nuk ka forcë që të vendosë pikat mbi “i” dhe të veprojë me dorë të fortë.

Për të dalë përkohësisht nga situata, kreu i PD përdor justifikimin se pavarësisht çfarë ka vendosur komisioni “Ruli”, do të jenë kryesia dhe Këshilli Kombëtar ata që do të vendosin për çështjen e listave të kandidatëve por dhe të daljes me një listë unike me aleatët e djathtë dhe gjithë opozitën. Dhe paralel nxit mediat sociale të tij që të sulmojë kritikët brenda PD!

Teksa tenton të fitojë kohë për t’i vënë kundërshtarët brenda partisë por dhe krerët aleatë përballë faktit të kryer, kur afatet kohore kushtetuese të jenë në limite, strumbullari i vërtetë i gjithë këtij ngurrimi të Lulzim Bashës është “mentori” i tij politik Sali Berisha.

I tërbuar disa herë nga Genc Ruli, i cili e deklaron të mbyllur misionin e tij politik në krye të PD dhe në Kuvendin e Shqipërisë, i gjendur keq dhe përballë talljes së Besnik Mustafajt që vë në diskutim vijimin e mëtejshëm të tij në Kuvend, Sali Berisha ia ka dalë që të vendosë Lulzim Bashën mes dy zjarreve: Kundërshtarëve brenda PD, aleatëve të djathtë traditcionalë dhe LSI.

Por në të vërtetë problemi më i madh që ka Lulzim Basha në këto momente është se ende nuk e di se në cilin qark ka ndërmend të kandidojë Sali Berisha. Dhe është vërtet hall të kesh punë me Sali Berishën, për më tepër i tërbuar nga ngacmimet e Rulit dhe Mustafajt!

Ish kryeministri ia ka bërë të qartë Bashës se do ta vendosë vetë se ku do të kandidojë dhe kur do ta shpallë qarkun ku dëshiron të jetë pjesë e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Madje gjen kohë dhe të tallet me Bashën, teksa thotë se do ta lajmërojë të parin për vendimin e tij të kandidimit.

Teksa i është përgjigjur me tone të ashpra kërkesës së Rulit që të dalë në pension politikë tashmë, Berisha  ka deklaruar publikisht se “unë vetë ende nuk e kam vendosur ku do të kandidoj, kur ta vendos do të njoftoj Bashën të parin”.

Një mesazh i qartë i Berishës ky jo vetëm për Rulin por dhe për Bashën se është ai që vendos në PD. Dhe Basha është pajtuar me qëndrimin e Berishës, duke thënë nga halli se ish kreu demokrat është i lirë të zgjedhë ku të dojë për të kandiduar.

Edhe disa ditë më parë Berisha ka deklaruar se e ka ‘top secret ku do kandidojë dhe se në momentin më oportun do ta bëjë publik”, duke treguar qartë se po luan jo vetëm me dinjitetin e Lulzim Bashës por dhe me nervat e PD dhe të aleatëve të saj.

Por “tekat” e Sali Berishës kanë sjellë dhe bllokimin e përzgjedhjes së listave të kandidatëve për deputetë të PD, një qëndrim apo marrëveshjeje me aleatët e djathtë dhe për më tepër ka bërë që gjithë strategjia opozitare të jetë në varësi të humorit të “plakut” të politikës.

Lulzim Basha, i shquar për pavendosmërinë e tij proverbiale, gjendet në një udhëkryq të madh politik, teksa pret ditë pas dite se kur do ta nxjerrë “sekretin” e qarkut ku do të kandidojë Sali Berisha, në mënyrë që të operojë pastaj me kandidatët e tjerë sipas qarqeveve.

Por dhe të vendosë për kandidaturën e tij se ku do të jetë, nëse Berisha vendos që të kandidojë në qarkun e Tiranës. Dhe me këtë inat që ka me Rulin, Mustafajn por dhe vetë Bashën, Sali Berisha nuk “duron” askënd sipër tij në listë.

Vonesat për “maketin” e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, pritet të shkaktojnë shumë rrjedhje nga ana e PD, të cilat me shumë mundësi do të kapen nga “rrjetat” e partive të reja opozitare të dalë nga PD, të kryesuara nga Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Myslim Murrizi dhe bashkëkryesuara nga Rudina Hajdari.

Janë emra domethënës që kanë bërë histori shumica prej tyre në PD dhe mbledhin shumë vota, por dhe kritikë të Bashës. Dashamir Tahiri në qarkun e Vlorës e bëri zgjedhjen e tij, u bashkua me Bindjen Demokratike të Patozit. Drejt kësaj rruge janë dhe figurat e tjera të përjashtuara!

Ndërkohë që kreu i PAA Agron Duka, por dhe Fatmir Mediu, kanë kërcënuar më se njëherë se nuk përjashtohet mundësia të dalin më vete. Kodi i ri Zgjedhor sipas tyre ua mundëson një gjë të tillë, pasi 10 mijë vota si në koalicion ashtu dhe më vete duhen për një mandat deputeti.

Lulzim Basha e di fort mirë këtë situatë, por po tenton të fitojë kohë! Ka gjetur takimet me rininë, biznesin, herë herë dhe jep ndonjë propozim për kryeministrin që të tejkalojë pandeminë.

Në të vërtetë është në një pritje torturuese se kur Berisha do vendosë qarkun ku do të kandidojë për zgjedhjet e 25 qershorit! Vendimi i ish kryeministrit e zhbllokon situatën më kampin e opozitës, por çliron dhe Bashën nga tortura. (M.Nikaj-TemA)

5 komente në “Berisha mban peng Bashën për kandidatët”

  1. ⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️ says:

    Berisha, Meta, Mediu , Basha, (gërdecsat), jashtë politikës!

    1. Komentuesi says:

      Saliut duhetne burg.

  2. Iliri says:

    Ky qe thot jam terhequr nga politika.Berisha i kujton shqiptaret budallenj qe te besojn genjeshtrat e tij.Sa te jete gjalle ky njeri per bemat qe i ka bere vendit PD nuk vjen ne pushtet pasi populli e di shume mire qe vetem.vdekja do e largoje nga PD

  3. Komentuesi says:

    Saliut duhetne burg.

  4. Beni says:

    Nuk besoj qe PD-ja ime pas kaq vitesh te kete rene ne kete derexhe! Nqs del e vertete qe pasi Berisha te vendose per vete do hapet rruga per listat, atehere dhe une them ne p…i…dh te semes Lulit dhe PD-se time, pasi asaj i ngelet vetem emri dhe asgje e perbashket me misionin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje