Shpallen fituesit e çmimit kombëtar “Fatos Baxhaku” për gazetarët dhe korrespondetët lokalë

Qendra Kulturore Mediatike Antigonea organizoi në mjediset e Radio Televizionit Gjirokastra ceremoninë e shpalljes së fituesve të Çmimit Kombëtar Fatos Baxhaku për gazetarët dhe korrespondetët lokalë me temën “Media lokale për çështje vendore”.

Në prezencë të një numri të kufizuar miqsh dhe kolegësh, për shkak të respektimit të protokolleve të pandemisë, por me një respekt dhe dashuri të madhe për gazetarin e fjalës së mençur e të matur, për “babain e reportazhit” të ndarë nga jeta, Fatos Baxhaku, ndarja e çmimeve ku u përfshinë rreth 60 gazetarë dhe korrespondentë lokalë u organizua në ditën e lindjes së tij, në 9 Janar.

“Ditëlindja e kësaj ikone të gazetarisë moderne shqiptare, e një prej gazetarëve më të admiruar nga lexuesi dhe publik shqiptar, këtij modeli të përkryer të gazetarisë, ishte dita më e mirë, sepse për ne miqtë e tij, Tosi ështe larguar vetëm fizikisht dhe sepse e meriton plotësisht që emri i tij të vendoset në ballë të kësaj gare dhe të këtij konkursi që synon të rilindë gazetarinë që këmben qendrën me periferinë dhe që problemet e periferisë së largët i çon në qendër të vëmendjes së shtetit dhe institucioneve të tij”, u shpreh në fillim të këtij eventi gazetari Engjëll Serjani, kryetar i QKMA.

Në vend të ritualit të zakonshëm për të mbajtur një minutë heshtje, moderatorja e ceremonisë Yllka Ponde ftoi pjesëmarrësit për një duartrokitje të fortë dhe të gjatë në nderim të Fatos Baxhakut, me emrin e të cilit është pagëzuar ky konkurs. Pjesë e këtij eventi ishin edhe gazetarët e Grupimit Rinor “Gazetarët e së Ardhmes”, të cilët nëpërmjet anëtareve të këtij grupimi Dea KODRA dhe Alba HASKA, prezantuan një skedë të shkurtër të krijimtarisë së Fatos Baxhakut.

Juria e këti konkursi përbëhej nga gazetarë me një karrierë të gjatë në mediat lokale si gazetarë, redaktorë dhe drejtues për dekada të tëra të mediave të shkruara dhe vizive. Kryetare e Jurisë ishte zonja Kaliopi Bici, ish – gazetare dhe kryeredaktore e redaksisë së lajmeve në Radio-Gjirokastra. Radioreportazhet e saj plot gjallëri e probleme nga rajoni jugor i vendit kanë patur ndikim në jetën sociale të zonave të thella e malore. Anëtar i Jurisë, zoti Ylli Musta, ish – gazetar dhe drejtues i redaksisë së ish-gazetës lokale “Pararoja” dhe kryeredaktor i revistës “Policia”, një lëvrues i talentuar i reportazhit, me ndjeshmëri lirike dhe sociale. Mbahen mend dhe sot e kësaj dite reportazhet e Ylli Mustës.
Anwtar i jurisë ishte zoti Habip Jashari, ish – telekronist i RTV Shqiptar për rrethin e Përmetit, ish-gazetar i gazetës “Pararoja”, ish-drejtor i gazetës së parë pluraliste “JAVA” dhe një menaxher i suksesshëm i reklamave në Televizionin Kombëtar KLAN. Kronikat e Habipit në TVSH, shkrimet me përmbajtje sociale dhe veçanërisht shkrimet kritike të Habip Jasharit nuk mund të harrohen, sidomos nga ata që u digjte dhe cukste nga kritika e tij.

Mbështetur në vlerësimet dhe vendimin përfundimtar të Jurisë së konkursit për Çmimit Kombëtar Fatos Baxhaku për gazetarët dhe korrespondetët lokalë me temën; “Media lokale për çështje vendore”, me çmim të parë u vlerësua gazetarja Brikena Metaj, korrespondente e TV News 24, gazetës “Panorama” dhe BW.

Me çmim të dytë u vlerësuan gazetari me eksperiencë Thoma Nika i mediave lokale Sarandë dhe Jonida Qirko e mediave sociale Gjirokastër. Çmimin e Tretë e merituan: gazetarja dhe kryeredaktorja e TVGJ Silvana Lula, gazetari tepelenas i mediave sociale Aleksandër Toti dhe raportuesja e emisionit të përditshëm Aldo Mornig SHOW, gazetarja e TV Klan Dorina Muho.

Çmimet dhe suveniret shoqëruese u dorëzuan tek fituesit nga kryetarja e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës Lindita Rova, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa, kryetari i QKMA Engjëll Seriani, drejtori i TVGJ Arjani Xhani dhe të ftuar të tjerë pjesëmarrës në këtë event.

Vlerësimi i këtyre çmimeve u çertifikua me motivacionin e përbashkët: “Përmes reportazheve, investigimeve, raportimeve dhe dokumentarëve, realizuar gjatë vitit 2020, me cilësi, kurajo dhe profesionalizëm të lartë, ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e ndjeshmërisë sociale të opinionit publik në nivel vendor e kombëtar dhe ka ndikuar në reagimin institucional për zgjidhjen e problemeve të komuniteteve lokale”.

QKMA kishte menduar të vlerësonte edhe një grup gazetarësh me eksperiencë që kanë kontribuar dhe kanë mbajtur gjallë shtypin dhe median lokale ndër vite, duke raportuar si korrespondetë nga terreni për disa dekada, me çmimin e posaçëm të Qendrës Kulturore Mediatike Antigonea, Çmimin e Karrierës.

Me Çmimin e Karrierës u nderuan 7 gazetarë: Besim Dybeli nga Elbasani, Vladimir Muçaj nga Fieri, Hysen Lekdisha nga Dibra, Habip Jashari, Ylli Musta, Kaliopi Bici dhe Yllka Ponde nga Gjirokastra me këtë motivacion: “Gazetar me karrierë të gjatë në mediat vendore dhe qëndrore, aktiv, me etikë dhe nivel të lartë profesional, me ndikim të fuqishëm në sensibilizimin e opinionin publik dhe institucional për problemet e komuniteteve të harruara lokale. Për vite dhe dekada, kontributi dhe vlerat e spikatura morale dhe profesionale kanë shkaktuar impakte dhe reagime të fuqishme publike, duke ndikuar për zgjidhjen e shumë shërbimeve të munguara në zonat rurale dhe periferike. Artikujt investigues, reportazhet dhe analizat e thelluara për problemet sociale të komuniteteve lokale, kanë shkaktuar ndjeshmëri në opinion dhe në strukturat shetërore qëndrore dhe vendore”.

Ndërkaq, përveç gazetarëve me eksperiencë, u çertifikuan me Çmimin Inkurajues “Fatos Baxhaku” edhe disa gazetarë të rinj, pjestarë të Grupimit Rinor “Gazetarët e së Ardhmes” nga Qendra Kulturore Mediatike Antigonea. Vlerësimi i tyre u bë duke parë aplikimin dhe përfshirjen në këtë garë të gazetarisë lokale, duke lëvruar reportazhin, investigimin dhe kritikën për problemet që shqetësojnë komunitetet lokale. Me Çmim Inkurajues u çertifikuan këta gazetarë rë rinj: Ada Gjyli, Kristina Krisafi, Enkejleda Domeri, Eraldo Breshani, Alba Haska dhe Dea Kodra.

Të gjitha çmimet e shpallura në këtë event u shoqëruan me një kopje të revistës XINA, dedikuar profilit dhe modelit të gazetarisë së Fatos Baxhakut dhe një suvenirin me mbishkrimin “Çmimi Baxhaku”, realizuar në dru me plot me finesë nga çifti i bashkëshortëve artizanë gjirokastrit Anastas dhe Vasilika Petridhi. Ky souvenir i thjeshtë, por tepër simbolik dhe revista XINA e përgatitur nga Gazetarët e së Ardhmes, u porositën nga organizatorët QKMA duke e njohur nga afër pasionin dhe dashurinë e Tosit për suveniret, gazetarët e rinj të terrenit dhe për njerzit e thjeshtë të punës. Veprimtaria e shpalljes së fituesve të “Çmimit Baxhaku” u moderua me shumë plofesionalizëm nga gazetarja e TVGJ Yllka Ponde.

Organizatorët premtuan se shpallja e Çmimit Kombëtar Fatos Baxhaku për gazetarët dhe korespondetët lokalë me temën “Media lokale për çështje vendore”, nga QKMA do të vazhdojë të jetë një event i përvitshem që do të mbahet në ditën e lindjes Fatos Baxhakut, legjendës së gazetarisë të thjeshtë, të mençur dhe të matur në historinë e medias modern shqiptare.

Qendra Kulturore Mediatike Antigonea

Gjirokastër më 09.01.2021

Biografi dhe bibliogradi e gazetarit Fatos Baxhaku

Fatos Baxhaku ka lindur në Tiranë në 9 janar 1964 dhe u nda nga jeta në 16 gusht 2019. Ai ka qenë gazetar, publicist dhe pedagog shqiptar dhe njihet si një nga pionierët e shtypit të pavarur prej fillimit të viteve ’90. Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar. Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare.

Baxhaku ishte i biri i pedagogut të njohur në Fakultetin e Shkencave të Natyrës Shaban Baxhaku. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare “Emin Duraku” dhe “20 Vjetori”, (sot “Dora D’Istria”). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Pergjatë viteve 1982-1986 studioi në Unversitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Që nga viti 1986 e deri më 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1993 e deri në vitin 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”.

Në periudhën 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Në periudhën 2001-2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Ne periudhën 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të perditshmen “Shqip”. Nga viti 2015 ishte gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb) si dhe i shumë dokumentarëve televiziv. Ka qenë disa here pedagog i jashtëm i gazetarisë në Universitetet e Elbasanit dhe Tiranës. Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE, etj..

Fatos Baxhaku është autor i disa botimeve në fushën e historisë dhe me disa përmbledhje të reportazheve të shkruara në do cep të Shqipërisë. “Die Stammmesgesellschaften Nordalbaniens”,botuar në bashkëautorësi me Karl Kaser, Vjenë 1996; “Gur”, 2008; “Në Mirditë & rreth e rrotull”, 2009; “Roje”, 2010; “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX -XXI”, 2013; “Gra të përgjithshme, me bashkëautore Klodiana Kapon”, 2014.
Gjirokastër më 09.01.2021.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *