Në Itali vijojnë shifrat e larta, por baret dhe restorantet deklarojnë “luftë”: Më 15 janar hapim rregullisht

13 Janar 2021, 22:00Bota TEMA

Bilanci italian i pandemisë flet për një rritje të rasteve, por me një numër testimesh më të lartë. Të infektuarit janë 15774, ndërkohë që viktimat janë në një numër sërish të lartë, 507, por në ulje nga 616 të 24 orëve më parë, duke kaluar gjithsesi pragun e 80 mijë viktimave.

Rajoni më i goditur rikthehet Lombardia me 2245 raste, e ndjekur nga Sicilia me 1969. Pikërisht në këtë rajon shqetëson përhapja e virusit, ku shifrat janë rritur me 46% nga java e kaluar.

Ndërkohë, masat e marra nga qeveria italiane, që po kalon në këto orë edhe një krizë politike që mund t’i japë fund qeverisjes së kryeministrit Giuseppe Conte,  nuk po tolerohen mënga pjesë të mira të sipërmarrjeve, veçanërisht baret dhe restorantet.

Të rrënuar nga mungesa e fluksit tradicional të turistëve, këto sipërmarrje po vuajnë edhe oraret e kufizuara. Pikërisht këto orare po kundërshtohen tashmë në mënyrë të fortë, dhe mund të burojë në një “rebelim” ndaj urdhrave të qeverisë.

Janë të shumtë aktivitetet që i janë bashkuar iniciativës që në 15 janar synon hapjen e tyre pa limit, duke iu rikthyer orareve të një viti më parë.

Disa prej tyre arsyetojnë se është më mirë të marrin një gjobë të kripur sesa të rrinë pa asnjë të ardhur, nga momenti që edhe masat ekonomike cilësohen si të pamjaftueshme.

Edhe pse iniciativa ka nisur në rrjetet sociale nga individë të përveshëm, asaj po i bashkohen edhe elementë politikë që kundërshtojnë në tërësi masat anti-Covid, si dhe parti të djathta si ajo e Matteo Salvinit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje