Raporti sekret i ambasadorit nga Vjena për aventurat e nipit të Hysni Kapos: Paguam garanci që e liruam, por ai qëlloi më grusht kolegun diplomat dhe u hodh nga vetura…

Memorie.al publikon një dokument akrivor të nxjerr nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që mban siglën “sekret” dhe i përket vitit 1987, ku ndodhet një raport-informacion i ambasadorit shqiptar Idriz Bardhi që asokohe shërbente në Vjenë, i cili informon eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë, lidhur me incidentin që i kishte ndodhur diplomatit të ambasadës shqiptare në Pragë, Vullnet Thanasi, që ishte arrestuar nga ana e autoriteteve policore austriake, pasi ishte kapur në një nga doganat e kufirit Austrinë, me 3.000 paketa cigaresh të markës “Marlboro” që po përpiqej t’i kalonte kontrabandë. E gjithë historia e panjohur e nipit të Hysni Kapos, i cili në fundin e viteve ’70-të kur shërbente si oficer i Sigurimit të Shtetit, me anë të një letre dërguar Enver Hoxhës, e akuzonte eprorin e tij, zv/ministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, që ishte njëkohësisht edhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit, si agjent i UDB-së…!? Shkarkimi i tij nga detyra pas asaj letre dhe dërgimi si punonjës i thjeshtë në burgun e Bulqizës ku punoi deri në vitin 1982 që u arrestua Feçor Shehu dhe dërgimi i tij në ambasadën shqiptare në Pragë, ku dhe u arrestua për “kontrabandë cigaresh”, e pasi tre sampistët e ‘Repartit 326’ e sollën ‘pako postale’ në Tiranë, përfundoi përsëri në burg, por kësaj rradhe me pranga në duar, si i dënuar politik…

Dashnor Kaloçi

(Vijon nga dje)

Raport-informacioni i ambasadorit Idriz Bardhi në Vjenë, për Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë

AMBASADA E REPUBLIKES POPULLORE SOCIALISTE

TE SHQIPERISE

NE AUSTRI

Nr. 183 Prot.                                                              

Vjenë më 26.8.1987

MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME

T i r an ë

Bashkëngjitur po ju dërgojmë informacionin në lidhje me incidentin që ndodhi me Vullnet Thanasin, si dhe kopjen e gazetës “Kurier” të datës 24 gusht 1987 për këtë ngjarje.

 A M B A S A D O R I

(Idriz Bardhi)

                                                          I N F O R M A C I O N

Po kështu doganierët vetëm sa kanë konstatuar se në makinë ndodhej kjo sasi cigaresh dhe kjo nuk përbën ndonjë shkelje të ligjit për futjen e paligjëshme të cigareve në Austri, ose për shitjen e tyre personave të tretë për qëllime fitimi, sepse ne ende nuk e kemi sqaruar çështjen dhe nuk dimë se për kë dhe çfarë destinacioni kanë këto cigare.

Prandaj mendojmë se faktet nuk janë krejt të qarta dhe ne na duhet të pyesim si në ambasadën tonë, se mos janë për pritjet që organizojmë ne, ashtu dhe Vullnet Thanasi, i cili ndodhet këtu në praninë tonë, por me të cilin akoma nuk kemi biseduar dhe sqaruar çështjen, aq më tepër kur ai na thotë se nuk është marrë mirë vesh me doganierët në kufi!

Inspektori Zips dhe një prokuror që ndodhej aty afër, na thanë se Vullnet Thanasi akuzohet për kontrabandë cigaresh, sepse kur është pyetur nga doganieri, nëse ka cigare të tjera përveç stekës së deklaruar, ka thënë se nuk ka. Më pas i’u gjet sasia prej 300 stekash dhe kjo përbën shkelje të ligjit austriak. Duke qenë e tillë, ne kemi të drejtë ta mbajmë të arrestuar në burgun e doganës Vullnet Thanasin, deri sa të paguhet garancia prej 70.000 shilingash, për lirimin e tij.

Ndërkohë Vullnet Thanasi u tha shokëve tanë, se ishte shumë i shqetësuar për të shoqen dhe dy fëmijët, të cilët i kishte lënë në qytetin kufitar Znajm, që në orën 14 e 30 dhe nuk dinte gjë për fatin e tyre!

Ai gjithashtu u tha shokëve tanë, se ishte në gabim dhe faj të rëndë, por donte që të interesoheshim për gruan dhe fëmijët. Shokët i thanë që të mos shqetësohej, se do të merrnin masa që atyre të mos u ndodhte gjë.

Pastaj shokët tanë u thanë nëpunëseve të doganës me korrektësi, se nuk ka ndodhur ndonjëherë që një diplomat shqiptar të mbahej i burgosur, aq më tepër në Austri, me të cilën ne kemi marrëdhënie të të mira miqësore.

Gjithashtu kërkuan që ky rast i paqartë të zgjidhej me frymën e mirkuptimit, aq më tepër kur kishte shkaqe humanitare, siç ishte për shëmbull gruaja dhe dy fëmijët e të arrestuarit ndodheshin në një qytet kufitar, duke pritur që ai të kthehej dhe duhej të ishin shumë të shqetësuar.

Megjithë argumentat tona, nëpunësit ngulnin këmbë që të paguhej me parë garancia, ose përndryshe Vullnet Thanasi do të qëndronte në burg. Pas këmbënguljes sonë për të gjetur një zgjidhje, inspektori Zips tha se lirimi mund të bëhej vetëm nëse sqarohej që cigaret të ishin për ambasadën tonë në Vjenë dhe tërhiqeshin në rrugë të rregullt, nëpërmjet një deklaracioni të konfirmuar nga Ministria e Jashtëme e Austrisë.

Pas kësaj në telefon u këshilluam me ambasadorin dhe shokët e tjerë të ambasadës që ndodheshin në Ambasadë dhe u vendos fillimisht që të bëhej një deklaratë me shkrim dhe me vulën e ambasadës, që sasia prej 300 stekash cigare “Marlboro”, ishte e destinuar për ambasadën tonë. Këtë deklaratë e kërkonte patjetër dogana.

Mbasi në doganë u soll kjo deklaratë, të gjitha sa më sipër, procesi i hartuar në kufi, deponimet e Vullnet Thanasit si dhe përmbajtja e deklaratës sonë u hodhën në një process-verbal, i cili u firmos nga Vullnet Thanasi dhe përfaqësuesi i ambasadës sonë.

Nëpunësit e Doganës thanë se pas kësaj, Vullnet Thanasi ishte i lirë që të largohej dhe se nuk ishte e nevojshme që ai të paraqitej në doganë për ndonjë sqarim të mëtejshëm. Thanë gjithashtu se çështja do të mbahej e mbyllur dhe nuk do të publikohej dhe se cigaret mund t’i tërhiqnin me të paraqitur deklaracionin e miratuar nga Ministria e Punëve të Jashtëme e Austrisë.

Gjatë gjithë kohës që u zhvillua ngjarja dhe bisedimet, Vullnet Thanasi dukej i tronditur, por nuk e kishte humbur ekuilibrin mendor dhe logjiken. Shokët tanë shkëmbyen pak fjalë me të dhe i bënë të qartë që në fillim, se po bënin përpjekje për ta liruar nga arresti. Prej shokëve tanë u konstatua se pasaporta e tij ishte e falsifikuar, kishte vetëm vulat e ambasadës dhe një firmë të falsifikuar zv/ministrit tonë të Jashtëm.

Gjatë gjithë kësaj ngjarje në zyrat e doganës, nëpunësit austriakë u treguan korrekt dhe të predispozuar për të gjetur një zgjidhje, që nuk cënonte ligjin e tyre. Për të sjellë deklaratën e Ambasadës sonë, erdhën në zyrat e doganës dhe shokët Mitro Ziko e Klime Prifti, e të gjithë së bashku me Vullnet Thanasin, u larguam nga dogana. Në paradhomë të zyrës ku u zhvillua biseda ishin vendosur në një tavolinë të gjithë stekat e cigareve, të cilat u panë nga të gjithë shokët që ishin të pranishëm.

Pasi dolëm nga dogana, nuk u zhvillua asnjë bisedë midis shokëve tanë dhe Vullnet Thanasit, i cili së bashku me shokët Mitro e Kujtim, hipi në makinën që e ngiste Petriti, duke qëndruar në ndenjësen e prapme së bashku me shokun Kujtim.

Pasi ishim larguar afro një kilometër nga zyrat e doganës, makina ku ishte Vullnet Thanasi, ndaloi në një semafor. Para saj ndodhej makina ku kishin hipur shokët Klime dhe Ilir, të cilën e ngiste shoku Andon Koka.

Në kohën që pritej të hapej sinjali jeshil, në makinë ku ndodhej Vullnet Thanasi, u dëgjua një e thirrur dhe kur shokët Mitro e Petrit kthyen kokën për të parë se çfarë ndodhi, panë se Vullneti, pasi kishte qëlluar Kujtimin me grushte në fytyrë, kishte hapur me shpejtësi derën e makinës dhe po vraponte gjatë rrugës në drejtim të kundërt.

Menjëherë në ndjekje të tij me vrap u vunë shokët Petrit, Klime, Mitro dhe Ilir. Pas 250 metrash, ai u kthye në një kthesë majtas dhe vazhdoi të vraponte deri te një udhëkryq ku ndodhej një park, disa oborre dhe dhe apartamente banimi. Ndriçimi në këtë vënd ishte i dobët dhe ai u humbi shokëve tanë nga sytë.

Nga të gjithë shokët e pranishëm, u kërkua dhe u kontrollua me imtësi e gjithë zona, pa mundur ta gjenim. Kjo ndodhi rreth orës 22 e 30.

Mbasi shokët u kthyen në Ambasadë, u shpërndanë në disa grupe, duke kontrolluar stacionet e trenit, aeroportin, stacionet e autobuzave dhe metrove. Një grup shokësh u nis menjëherë për në pikën kufitare, duke menduar se ai mund të kthehej për të marrë sërish makinën dhe familjen që kishte lënë në Znajm. Aty pritën disa orë. Kërkimi vazhdoi gjithë natën dhe gjatë gjithë ditës së nesërme.

Gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjes, nga të gjithë shokët nuk u la të kuptohej se do të trajtohej ashpërsisht, duke mos e qortuar dhe pa i thënë asnjë fjalë të rëndë. Trajtimi i çështjes u bë me urtësi dhe korrektësi. Më pas vepruam sipas udhëzimeve tuaja.

 Vjenë, 25.8.1987                                                           

A M B A S A D O R I

(Idriz Bardhi)

Vullnet Thanasi, një nga 8 nipat e Hysni Kapos që vuajtën në burgjet politike të Enver Hoxhës!

Vullnet Thanasit, ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit dhe më pas “diplomat” pranë ambasadës shqiptare në Pragë, pas asaj ngjarje për të cilën bën fjalë dokumenti i ambasadorit shqiptar, Idriz Bardhi, në Vjenë, nuk i zgjati shumë arratia! Sipas disa dëshmive të kolegëve të tij, ish-funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit në atë kohë, me urdhër të prerë nga ‘lart’ (bëhet fjalë konkretisht për Ramiz Alinë), u morrën masa menjëherë për gjetjen e tij dhe pasi u lokalizua vëndi ku ai fshihej pas asaj ngjarje, aty u dërguan edhe tre sampistë nga më të fuqishmit dhe përgatiturit e Repartit Special 326 në tiranë, të cilët do ta sillnin atë ‘pako postale’ në Tiranë, nëpërmjet rrugëve detare, duke e ‘zbarkuar’ në Portin e Durrësit. Nga ku më pas ai i’u dha gjyqit, për të përfunduar si I burgosur politik në kampe dhe burgje, ku qëndroi deri në shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku dhe daja i tij, kishte qenë figura nr. Dy, deri në vitin 1979 kur ndërroi jetë.

Por, Vullnet Thanasi nuk ishte i vetmi nga njerëzit e afërm të Hysni Kapos që do të vuante për disa vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës e pasardhësit të tij, Ramiz Alisë?! Madje ai ishte i fundit, pasi para tij edhe plot shtatë nipa të tjerë të Hysni Kapos (djem të motrave dhe vëllezërve), para tij ishin akuzuar për faje të ndryshme politike dhe kishin vuajtur dënime të ndryshme na kampet e burgjet e regjimit komunist. Ku daja dhe xhaxhai i tyre, (Hysniu), ishte një nga njerëzit më me pushtet pas Enver Hoxhës, i cili kishte në vartësi direkte (si sekretar i Komitetit Qëndror të PPSH-së), organet e “Diktaturës së Proletariatit”, si Ministria e Brendëshme, e Mbrojtjes Popullore, Sigurimi i Shtetit, Prokuroria, Hetuesia etj.

Dënimet e nipave të Hysni Kapos, kishin filluar që në vitet e para të pasluftës, me një prej tyre (djalë vëllai), që shërbente si shofer i Ramiz Alisë, kishin vazhduar me një tjetër (po djalë vëllai), që u arrestua për “tentativë arratisje” në zëmër të Shqipërisë (në qytetin “Stalin”), për të kulmuar në mesin e viteve ’70-të me Aladin Kapon, (djali i Sulejman Kapos, vëlla i Hysniut), oficer i Marinës Tregtare në Durrës, i cili u soll i lidhur nga oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe u zbrit nga anija “Dajti” në Portin e Durrësit, pasi ishte akuzuar më parë (së bashku me shokun e kolegun e tij, Maks Rakipi) “për agjitacion e propagandë, spiunazh dhe kontrabandë floriri”.

Arrestimi i tij u bë edhe me “miratimin” e Hysni Kapos, i cili kur i dërgoi dosjen për firmë, zv/ministri i Punëve të Brendëshme dhe njëkohësisht Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu dhe e pyeti: “Ç’do bëjmë me këtë…”, Hysniu i’u përgjigj: “Në burg, si gjithë të tjerët, siç janë rregullat e Partisë dhe ligjet e shtetit…”?! Tashmë këto gjëra, pra historia e dënimeve të nipave të Hysni Kapos janë të njohura edhe nga një prononcim publik i një prej nipave të Hysni Kapos, muzikantit të njohur Vladimir Kapo, për autorin e këtij shkrimi (Dossier, Gazeta Shqiptare, viti 2003), i cili i ka rrëfyer gjatë dhe me detaje ato, gjë e cila lidhej edhe me luftën për pushtet (për nr. Dy, si pasardhës të Enver Hoxhës), në mes Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut. Ku thuhej se: Mehmeti nxiste Kadri Hazbiun dhe Feçorr Shehun, për dënimin e nipave të Hysni Kapos, gjithnjë në funksion të “implikimit dhe përlyerjes” së figurës së Kapos. Por gjithashtu thuhet se kjo gjë, pra dënimi i nipave të Hysni Kapos, nuk mund të ndodhte kurrë, pa pëlqimin e miratimin e Enver Hoxhës, i cili në një farë mënyre nxiste luftën në mes tyre për të mësuar sa më shumë gjëra për të dy zëvëndësat e tij që t’i mbante peng…

 

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Raporti sekret i ambasadorit nga Vjena për aventurat e nipit të Hysni Kapos: Paguam garanci që e liruam, por ai qëlloi më grusht kolegun diplomat dhe u hodh nga vetura…”

  1. Supaxhiu 300 evro says:

    Vetèm kèto?Po vèllai i H,Kapos nè Durrès qè ishte K/Dege ,i martuar me fèmij i ra pushim zemre nè krevat me njè miken e tij?E sa e sa tè tjera histori vijn mbas,kèta hanin kokat njèri me tjetrin dhe ne lodhim koken me keta .

  2. iksi says:

    Po mire mo çfare doni te nxirrni nga ky artikull . Ky artikull tregon qe ne epoken e Enver Hoxhes para ligjit ishin te gjithe te barabarte si djemt e vellezerit e motrat e udheheqesve dhe ata te punetoreve e fshatareve , te gjithe denoheshin njelloj , kjo ka qene demokraci . Ndersa sot djemt e vellezerit e udheheqesve nuk denohen por denohen fakirat ata qe nuk kane buk me hanger . Ju mundoheni te gjeni ndonje gje per te kritiku Enverin ne fakt e lartesoni figuren e tij sepse ai denonte edhe shoket e tij te luftes e te punes kur e dridhnin bishtin , jo nuk i denonte Enveri por ligji . Ju e kritikoni pse ka denu shoket e vet ,atehere ju po kritikoni klasen e sotme politike kot se keto nuk denojne njerezit e vet dhe shoket e tyre pra njeri – tjetrin por na denojne ne fakirave , po ne te temes pra .

  3. zgalem says:

    Ne kete shkrim flitet , per 7 nipa te Hysni Kapos , qe jane denuar , per shkelje te ligjeve .Vete Hysniu ishte njeri mafioz dhe e cfrytezoi me shume dipokmaci , poziten e tij si i ngarkuar , per organet e diktatures ,perfshire dhe Drejtorine e kuadrit . Gjat asaj kohe , kam vene re se shumica e nepunesve te larte dhe e njerezve te ligjit , ishin nga Laberia . Niprit dhe te afert te Hysniut , kane qene njerzit me te besuar te shtetit . Kam perjetuar jeten , kur ne Lushnje ishte Medi Bushati dhe vajza e Hysniut , gruaja e Mediut . Formalisht jetonin ne Lushnje , sepse faktikisht banonin ne Tirane . Autoriteti i Mediut , ishte me apsolut se i Sekretarit te pare . Per Kryetarin e komitetit , nuk behej fjale . Efekivisht Hysniu kishte me shume pushtet se Enveri dhe Mehmeti . Ne sejcilen pike nevralgjike te shtetit , ishin njerzit e Hysniut . Enveri dhe Mehmeti interesoheshin me pak , per njerzit e tyre . Shqiperine ne kohen e Enverit e qeverriste Hysniu , me njerzit e tij te afert dhe labe miq . Hysniu nuk eshte demaskuar ende , per krimet , sepse ende sot ka funksionare te klanit , “Hysni “, qe luajne karten e ketij klani mafioz . Zgalem

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *