Bilushi i Metës zbulon sondazhin indian të Fahriut: Rezultate 99% të sakta për zgjedhjet e 25 prillit

20 Janar 2021, 19:10Antena TEMA

Pas situatës së pakëndshme me sondazhet e fundit, ku LSI paraqitej si parti e rrudhur, Bilushi i Metës u ngarkua të marrë situatën nën kontroll, me postin e ri paralel si përpilues sondazhesh.

Në krye të punës së tij, për të rënë sa më shumë në sy, ai zgjodhi që të publikojë sondazhin e radhës, ku mendoi ta cilësonte si indian për të rritur shkallën e besueshmërisë.

Për t’u prezantuar sa më real, ai mendoi të gjente dikë që ka specifika dhe zhvillim të ngjashëm Indian, në mënyrë që mos linte hije dyshimi pas.

Pikërisht për këtë, vendosi që sondazhin e përpiluar t’ia besonte Fahri Balliut, i cili përmbushte më shumë se të tjerët karakteristikat, duke qenë se në pamje të parë ngjan si guru indian.

Pas anketimit të 1 milionë shqiptarëve me telefonata, letra, faks dhe telegrame në çdo skaj të Shqipërisë, rezultatet janë si më poshtë:

Sondazhi:

PD: 70%

LSI: 60%

PS: 20%

PDIU: 15%

Topalli-Patozi: 0.1%

Luli i lexoi përqindjet me zë të lartë, duke thënë: 70 plus 60, plus 20, plus 15, baraz me 99 për qind.

-E ke gabim, i tha Gaz Bardhi, se bëjnë 165 përqind.

Luli pa nga Fahro.

-Sondazhi është i saktë, tha, po varet nga metodologjia.

Njëherë kemi pyetur kush është për PD dhe ka dalë që 70 për qind janë me PD.

Pastaj një herë tjetër kemi pyetur kush është me LSI dhe ka dalë që 60 përqind janë me LSI.

Një herë tjetër kemi pyetur kush është me PS dhe ka dalë 20 për qind.

E kështu me radhë. Pra sondazhi është i saktë. Varet nga pyetja.

Këtu u çliruan të gjithë.

Ish- kryeministri Sali Berisha nxitoi të shkruajë në Facebook: “Oqeani indian mbyti Kallam Dështakun! Uragani po vjen, fitore-fitore. sb”

Kryedemokrati Basha shkroi: “Tik-Tak, fitorja vjen për pak. Çdo humbje ka pas një shkak”.

Nga ana tjetër reagoi edhe presidenti Ilir Meta: “India ka qenë gjithnjë në zemrën time si një minierë floriri për vota…

Kam besim se shqiptarët s’do zhgënjehen pasi këtë here LSI zbaton sloganin e Çerçiz Topullit ‘Që nga dita që jam lerë, kurrë s’jam shitur, kurrë s’jam blerë”

Gjithashtu, moderatori dhe historiani Fevziu bëri menjëherë një argumentim profesional të sondazhit, ku tregoi edhe një zbulim: “Mendoj se njëri do fitojë me siguri, dhe garantoj se kryeministër do jetë ose Rama, ose Basha”.

Me të mbaruar jehona e sondazhit, Bilushit të Metës i mbërriti një mesazh këshillimor nga ish- deputeti Ruli, i cili kishte ndjekur me vëmendje zhvillimet:

Edhe pse nuk i keni kursyer ca zero djalo, ky sondazhi e ka një të mire, se do na vërtetojë: Ose do nxjerrë zvarrë indiani, ose Luleçelur kapedani”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje