Vendimi i KAS për veprimtarinë e deputetit Çela: S'mund të vishet me përgjegjësi për mosraportim, ka pozuar me banorë të paidentifikuar

22 Janar 2021, 16:06Politika TEMA

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka vendosur që të mos ketë asnjë ndëshkim për veprimtarinë e deputetit socialist Bujar Cela, i cili shpërndau leje legalizimesh përpara fushatës elektorale në zonën e tij zgjedhore.

Në axhendën e ditës KAS kishte shqyrtimi i dy kërkesave për të ndryshuar vendimin e  kreut të KQZ-zë Ilirjan Celibashit i cili dënoi me gjobë prej 1500 lekësh të vjetra kreun e Kadastrës së Lushnjes Arben Qalliu, pas dhënies së lejeve të legalizimit nga deputeti socialist për shkak se kjo mund të ndikonte në zgjedhje.

KAS argumenton se: “Nga shqyrtimi i provave në dosje nuk rezulton e provuar se deputeti Bujar Çela të ketë ushtruar funksione që i përkasin Drejtorisë Vendore të ASHK-së, Lushnje, as që të ketë dubluar punonjësit e saj gjatë ushtrimit të detyrës.  Në rastin në shqyrtim, rezulton e provuar se deputeti Bujar Çela ka pozuar me banorë të paidentifikuar të Njësisë Administrative Hysgjokaj (sipas deklarimeve të veta dhe të denoncuesit), me certifikatat e lejeve të legalizimeve në duar, në mjediset e brendshme të banesave, në oborret ose në hyrjet e tyre. Rrethanat e rastit nuk provojnë shpërndarjen e certifikatave nga deputeti, por krijojnë bindjen, se ai ka marrë pjesë në process”, thuhet ndër të tjera në vendim ku shtohet se:

“Por shpërndarja e certifikatave të legalizimeve, për mënyrën se si është urdhëruar dhe zbatuar prej tij nuk formon veprimtari publike. Për këtë arsye ai nuk mund të vishet me përgjegjësi për mosraportim”, mësohet nga vendimi i KAS që gjithashtu ka dale në konkluzionin se:

“Shpërndarja e lejeve të legalizimit është veprimtari rutinë e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, e cila nuk ndërpritet për shkak të periudhës zgjedhore. Ajo që vendimi ndalon është kryerja e saj përgjatë veprimtarive publike”, nënvizohet në vendim.

Më tej thuhet se: “Dispozita kërkon “pjesëmarrje” të medias, që t’a konsiderojë veprimtarinë publike. Facebook-u nuk ka marrë pjesë ne veprimtarinë e deputetit Çela, sepse facebook-u nuk është media që “merr pjesë”.

Vendimi në KAS u mor me 3 vota pro dhe dy kundër ku këto të fundit u diktuan nga dy anëtarët e propozuar nga opozita të cilët mbështetën kërkesën e LSI-së që Qalliu të ndëshkohej më shumë se sa 15 mijë lekë të vjetër.

KAS-i vendosi:

1. Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.7, datë 14.01.2021.

2. Pranimin e ankimit të z. Arben Qalliu lidhur me gjobën;

3. Rrëzimin e ankimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për dënimin administrativ të deputetit Bujar Çela;

4. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të informojë Agjensinë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i kërkojë që, në respektim të standartit të zgjedhjeve dhe neutralitetit të administratës publike, deputetët, deri në datën e zgjedhjeve të mos ftohen në veprimtaritë rutinë të administratës qendrore dhe vendore të tij, të cilat zhvillohen nëpërmjet kontaktit, komunikimit dhe bashkëpunimit me zgjedhësit.

5. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, brenda pesë ditëve nga shpallja e tij.

(TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje