Studimi: Covid-19 mund të çojë në gangrenë

Nga kolla e thatë deri tek humbja e nuhatjes, Covid-19 shoqërohet me një sërë simptomash të pakëndshme.

Tani, një studim i ri ka paralajmëruar për një efekt tjetër anësor që përjetohet nga disa pacientë me Covid-19, gangrena.

Studiuesit kanë paralajmëruar që Covid-19 mund të shkaktojë probleme muskulore dhe të kyçeve afatgjata, duke përfshirë artritin, gangrenën dhe shenjat në gishtat e këmbës.

Një analizë e skanimeve te Rezonancës Magnetike të marra nga pacientët që përjetojnë këto simptoma, sugjeron që virusi mund të shkaktojë që sistemi imunitar i trupit të sulmojë vetveten, duke çuar në këto çështje reumatologjike që zgjasin.

Siç shkruan Daily Mail, studimi ndjek raportet e fundit të një gruaje të infektuar nga Covidi, të cilës iu desh t’i priteshin tre gishta në Itali, pasi sëmundja i shkatërroi enët e gjakut. Personave të tjerë gjithashtu u është dashur të amputohen.

Studimet e mëparshme kanë gjetur gjithashtu një lidhje midis infeksionit të koronavirusit dhe dhimbjes së muskujve ose kyçeve, por kjo është hera e parë që këto simptoma ilustrohen përmes skanimeve radiologjike.

Në studimin e kryer nga një ekip i Universitetit Northwestern, u përdorën teknika të ndryshme të imazhit duke përfshirë skanimet CT, Rezonancat Magnetike dhe ekografitë, për të vizualizuar shkaqet e gangrenës dhe dhimbjeve të tjera afatgjata të muskujve dhe kyçeve në pacientët me Covid-19.

Dr Sëati Deshmukh, e cila drejtoi studimin tha: “Ne kemi kuptuar që virusi i COVID-it mund të shkaktojë trupin të sulmojë veten në mënyra të ndryshme, të cilat mund të çojnë në çështje reumatologjike që kërkojnë menaxhim gjatë gjithë jetës.”

“Shumë pacientë me çrregullime muskulo-skeletore të lidhura me COVID shërohen, por për disa individë, simptomat e tyre bëhen serioze, shqetësojnë thellë për pacientin ose ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre, gjë që i çon ata të kërkojnë kujdes mjekësor dhe imazhe.

Ky imazh na lejon të shohim nëse dhimbja e muskujve dhe kyçeve në lidhje me COVID-in, nuk janë vetëm dhimbje trupi të ngjashme me ato që shohim nga gripi – por diçka më tinëzare.”-vazhdon ajo.

Gangrena mund të ndodhë si rezultat i një dëmtimi, infeksioni ose një gjendje afatgjatë që ndikon në qarkullimin e gjakut.

Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Britani shpjegon: “Gangrena është një gjendje e rëndë kur humbja e furnizimit me gjak bën që indet e trupit të vdesin. Mund të prekë çdo pjesë të trupit, por zakonisht fillon tek gishtërinjtë e këmbëve, këmbët, gishtërintë e duarve dhe duart.”

Për sa i përket shfaqjes së gangrenës dhe simptomave të tjera të kyçeve dhe muskujve në skanimet radiologjike, Dr Deshmukh shpjegoi se ka disa shenja kryesore që duhen parë.

“Ne mund të shohim edemë dhe ndryshime inflamatore të indeve (lëng, ënjtje), hematoma (koleksione gjaku) ose ind të devitalizuar (gangrenë).”– tha ajo.

“Në disa pacientë, nervat janë të dëmtuar dhe në të tjerët, problemi është rrjedha e dëmtuar e gjakut (mpiksjet).”

Ndërsa zbulimet tregojnë se Covid-19 mund të shkaktojë probleme të kyçeve dhe muskujve, studiuesit theksojnë se vetë virusi nuk i shkakton drejtpërdrejt këto simptoma.

Dr Deshmukh thotë: “Unë mendoj se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis asaj që shkakton virusi direkt dhe asaj që e nxit trupin të bëjë. Është e rëndësishme që mjekët të dinë se çfarë po ndodh në mënyrë që të trajtohen në mënyrë korrekte.”

 

 

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *