Të njëjtën gjuhë flasim, asnjëherë nuk merremi vesh!

22 Shkurt 2021, 09:09Blog TEMA

Nga Pandeli Bardhi

… Dhe jo vetëm nuk merren vesh, por vazhdojnë të mbeten të huaj me njëri tjetrin. Gjuha është ajo ç’ka i dallon dhe i afron popujt me njëri-tjetrin. Pse të mos shquhemi për dashuri e harmoni me njëri-tjetrin po për egërsi? Diktatura, i mbajti në shishe “shejtanët”!

Tani, morën arratinë e nuk mblidhen më! Familja u shkatërrua, arsimi u “analfabetua” shoqëria ka ikur në drejtim të paditur. Ndjen respekt për tregtarët e vegjël që vijnë qysh në orët e para të mëngjesit për të shitur prodhimet e tyre, ble diçka qytetari dhe ata e shoqërojnë atë me shprehjen “me zemër të mirë”! Sa fjalë e bukur.

Po këtij tregtari, i vjen polici. Ai nuk i flet fare këtij “zemërmiri”, ia rrëmben prodhimet, i hedh sipër makinës dhe ikën. Lutjet e “zemërmirit” janë të kota… Kush është fajtori? Kjo është rruga e zgjidhjes për t’i prerë rrugën tregtisë së paligjshme? Mbaj mend katërmbëdhjetë vite, përditë avazi është i njëjtë.

Ora 08:00 vjen policia tregtarët fshihen dhe më pas, vazhdojnë të qetë punën e tyre. Kjo mënyrë të dikton atë që halli nuk është të ndalojë tregtinë e paligjshme, por të punësojë policët bashkiakë. Shumë e vështirë të merren vesh shqiptarët, të respektojnë njëri-tjetrin, të duan njëri tjetrin sipas parimit “më siguroni kushtet, më kërkoni zbatimin e ligjit dhe të dua apo nuk të dua, dua ligjin dhe respektivisht ju dua edhe juve”!

Por në një katrahurë hesapi, në një rrëmujë ku nuk merr vesh i pari të dytin, çfarë mënyre ka? Ka vetëm një mënyrë: Të gjithë urrejnë njëri-tjetrin, sepse të gjithë i bien në qafë njëri-tjetrit, askush nuk dëgjon njëri-tjetrin. Po e vazhdoj këtë problem nga poshtë lart, nga jeta e përditshme.

Takohen dy vetë me njëri-tjetrin dhe bisedojnë. Sapo aty kalon dikush apo “dikushja” ia fillojnë: “E njeh këtë? Ta tregoj unë. Është i hurit e i litarit”. Vazhdon kështu e nxjerr vetëm të zeza pa thënë të paktën një fjalë të mirë. Është një mentalitet ky që kemi qejf të përgojojmë të tjerët e në këto përgojime, vetëm mirë nuk flasin.

Kujtoj albanologun dhe dashamirësin e madh të popullit shqiptar Robert Elsie, i cili për shumë vite punoi në Shqipëri dhe pas vdekjes kërkoi të varroset në Alpet e veriut. “Po të jetoja në Shqipëri, shkruan ai, do të çmendesha. Këtu, duhet të jesh i egër, kurse unë, jam si lepur”.

Më tej: “Nuk më pëlqen prirja për thashetheme në Shqipëri, për të folur keq për njëri-tjetrin. Rrallë dëgjoj që ndonjë shqiptar, të flasi mirë për një tjetër dhe kjo, më mërzit shumë”. E kemi në gen këtë mënyrë ne që flasim gjuhën shqipe, për të tjerët po e po, por edhe për të të njëjtit gjak. Nuk është e sajuar, por një realitet. Një mik shkon tek shtëpia e mikut të tij. Aty pranë një vilë luksoze.

“E kujt është kjo vilë”? “E vëllait është, por pse të mos e bëjë? Me të vjedhur e ka bërë”! Në rastin tjetër shkon tek një mik tjetër. Aty pranë, një kasolle me gardh. “E kujt është kjo kasolle” “E vëllait është! Edhe këtë shumë e ka, po të rrish gjithë ditën duke pirë ç’të presësh tjetër?” E kemi shumë të vështirë të ndihmojmë njëri-tjetrin aq më tepër vëllanë, motrën, të paktën një fjalë të mirë që i jep kurajo.

Por jo, duam ta urrejmë, që sipas kësaj mënyre fitojmë “dashuri” për vete, pa e ditur që fitojmë edhe më shumë urrejtje. Kjo është kultura. Një fjalë e keqe, thotë populli është më e rëndë se plumbi. As këtë nuk e kuptojmë. Kalimtari kalon në vijat e verdha, ku edhe rrëmuja është më e madhe.

Drejtuesi e sheh nga larg dhe nuk ul shpejtësinë, por e shton atë. Sikur edhe “këmbës” t’i biesh e të presësh në trotuar, drejtuesi i automjetit nuk të hap rrugë. “Çfarë respekti që kemi për njëri-tjetrin! Kemi një ndjenjë egoizmi, një sedër të sëmurë, një mendjemadhësi të çuditshme.

Edhe në komunikimin e përditshëm edhe në zyrat e shtetit edhe në administratë dëgjon një fjalor që të ngre qimet e kokës përpjetë. Hyn në një zyrë administrate. Del punonjësja dhe të pyet: Ça kishit? Kjo shqipe e bastarduar të bën që t’ia mbathësh njësoj si nga dyqani i bulmetit tek sheh shitësin që shet me cigare në gojë dhe dorezave nuk ua di emrin. A ka kontroll? Përpara kësaj pyetje duhet të pyesësh vetveten: A ka shtet?

Shteti është i zënë me fushatën që me siguri përgatiten për katrahurën më të madhe. Po se mos vetëm në këtë kohë fushate. Në shumë zyra të administratës, të Hipotekave, të ALUIZNI-t e kudo, punonjësi të sheh si “egërsirë” të sorollat me dhjetëra e dhjetëra herë, po të mos i japësh gjë, ashtu si gjykatësi, si mjeku. Prona që qytetari kërkon janë bërë të tjera mbivendosje, të njëjtën hyrje në pallatin që përfundon ndërtuesi ua ka shitur tre personave dhe ia ka mbathur në drejtim të paditur.

Ndodh një krim dhe më i rëndë nga ai që humb jetën, është sorollatja e familjarëve. Hallexhiu, do të fillojë nga “hallka” e parë e zinxhirit. Do të kapi avokatin, policin, prokurorin, gjykatësin. Të tërë kërkojnë nga pensionisti nga qytetari me asistencë që gjysmën e pagës, ia merr noteri vetëm me një vulë. Avokati kërkon që ta mësojë si të gënjejë sepse më shumë se avokat, është sekser i gjykatësit, i prokurorit.

Polici kërkon, prokurori po ashtu, gjykatësi nuk të sheh me sy, por komunikon vetëm nëpërmjet sekserit. Asnjë marrëveshje apo kontratë që lidhet midis dy personave, apo midis dy subjekteve të çfarëdoshme, deri sot nuk ka përfunduar me sukses përveçse me sherre dhe grindje deri në ndarje. Pse? Sepse nuk mund të merren vesh në gjuhën shqipe dhe t’i qëndrojmë marrëveshjes ashtu si është vendosur.

Gjithçka është interes. Prishen interesat prishen dhe marrëveshjet, kontratat. Si koalicionet e partive që “ngjisin” sot dhe çahen nesër. Askush nuk lëshon pe po iu prekën interesat. Askush nuk lidh marrëveshje apo kontratë siç thotë ai tregtari i vogël “me zemër të mirë” por gjithçka bëhet me zemrën “e keqe”, me “shpirtin e zi” sepse secili synon të rrëmbejë sa më shumë nga tjetri, të mashtrojë sa më shumë, kjo sepse më herët nga “shpirti i pastër”, ka zënë vend shpirti i zi “arti” i të mashtruarit.

Politikani mashtrimin e bën haptazi, biznesmeni po ashtu e deri tek “mashtroshteti”. Fjalët e bukura shqip, “më falni”, “ju lutem”, “ndjesë” etj. etj. që tregojnë mirësjellje, bukuri, njerëzillëk, dalëngadalë po e humbasin kuptimin e tyre që janë alfa e mirësjelljes dhe edukatës. I drejtohemi një shoferi taksie: “Më falni, mund të më tregoni ku ndodhet kjo adresë”. Ai nuk të përgjigjet, duke menduar që ka të bëjë me ndonjë provokator, sepse është mësuar t’i thuash “Ej, ty të flas: “Hypni në taksi, ju çoj unë”!

“Nuk dua të shkoj, por dua ta di”, vazhdon qytetari. “Nuk e di unë, ikni gjejeni dhe të kthen kurrizin. Të jetë vallë shqiptar ky? “Bir-o, kam një zarf për Selanik, sa kushton? “Dhjetë mijë lek ose tetë euro”, i përgjigjet një “garip” në një agjenci udhëtimi, nënës së moshuar. “Më mirë të shkoj vetë do të më shkojë më lirë”! Sikur të ishin vetëm këta. Kjo sjellje, kjo kulturë, këtë shërbim do të gjesh kudo me përjashtime të pakta.

T’i këtë bërë Covidi vallë të tillë?! Askush nuk e pranon që është “shkrap” nga dijet, nga kultura, mirësjellja, më e keqja, këta hiqen më të diturit! Këta janë “me shumicë” në televizione dhe i shihni me çfarë fjalori flasin. I kemi “me shumicë” në politikë. Të tërë të ditur, të tërë kanë zënë “qiellin” me dorë të tërë vetëm për të dhënë mend! Kush i merr mendtë e tyre? Askush. Të vobektëve poshtë, këta u marrin të keqen.

Shikoni sot presidentin e vendit dhe kryeministrin se çfarë “dashurie” kanë me njëri-tjetrin, pa e ditur edhe vetë këta që “dashuria”, “harmonia” dhe “toleranca” e tyre është edhe e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Flet presidenti për kryeministrin me një gjuhë si ata që dalin natën nga “bushkat”! Ky është “shembulli” i politikës së “qendrës” dhe merret me mend politika e fafeneve.

Këta, dhe jo vetëm këta që janë sot në krye të shtetit, por edhe të tjerët në këta tridhjetë vite. Harmoninë, tolerancën, njerëzillëkun, dashurinë e kam kthyer në egërsi. Nuk nxjerrin “zemrën e bardhë”, por nxjerrin dhëmbët e çakallit. Edhe po të shkojmë në thellësitë e historisë, edhe po të vijmë në dy shekujt e fundit, të bie në sy, që e kanë patur të vështirë të merren vesh me njëri-tjetrin.

Nuk është fjala për regjimet e së kaluarës dhe të sotmen, por midis të vetëve, për të qenë si të themi në një mendje me njëri-tjetrin. Në Konferencën e Paqes në vitin 1919, për padrejtësitë që i bëri Europa çështjes shqiptare, shqiptarët shkuan me pesë delegacione dhe askush prej këtyre që flisnin shqip, nuk e mbrojti cështjen shqiptare. Edhe kur ishte puna në luftë kundër regjimeve të kaluara, të mirë apo të këqij, nuk janë bërë ndonjëherë bashkë për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Ne, përleshemi me njëri-tjetrin, bota bën sehir, na bën “zborr”. Flasin të gjithë, “Duam bashkim me Kosovën”. Është e drejtë. Por më vonë, mos e dhëntë Zoti, do të kërkojnë ndarjen. Përse? “Kush të marri thelën e madhe”, “Ne jemi dardanë, ju shqiptarë”, “E duam ministrin nga ana jonë”, “Jemi ne shteti amë, ju jeni “bija”” e sa e sa të tjera. Halli më i madh do të jetë i “gomarit” që do të mbetet në ahur pa kullotur.

Duhet një i “paditur” ta kullosë, por të tillë nuk ka. Të gjithë janë “mendjellinj”, “të ditur”, me “gomarin” nuk merren sepse, “të diturve”, nuk u pëlqen ta marrin për kapistre ta kullosin. “Gafa” e Anna Komnena, bijës së Perandorit Romak, Alexi i Parë, që na pagëzoi me emrin Albani, na ka futur në sherr.

Në lojërat Olimpike, të vitit 2016, vetëm tre pjesmarrës ishin shqiptarë dhe do të parakalonin të parët. U vonua parakalimi i pjesëmarrësve sepse tre shqiptarët, i thanë “Stop” njëqind e ca shteteve. Ata grindeshin sepse nuk binin dakord se kush do të mbante flamurin.

Po politikanët? Nuk është e thënë që të jenë në një mendje me njëri-tjetrin, përkundrazi, secili, pozitë apo opozitë ka mendimet e veta, rrugët e veta, mënyrat e veta për çdo problem madhor të vendit. Ja p.sh. nëna Shqipëri, ka një ditëlindje. Edhe bijtë e bijat e saj, kanë një gëzim kur festojnë ditëlindjen e nënës, të cilës i bëhet qejfi kur djemtë e vajzat e saj, zihen, por jo me dyfekë e grushta, por për t’u bërë më e mira.

Por nënës Shqipëri, nuk i shkonte kurrë ndërmend që ca bij të saj të festojnë më 28 Nëntor, ca të tjerë më 29 Nëntor. Kaq e vështirë qenka të merren vesh me njëri-tjetrin dhe kaq “hendek” i thellë qenka kjo datë që t’i ndajë nga nëna, bijtë dhe bijat e saj?

Sa krerë të politikës, kryetarë partish qysh nga ish-presidentë që kanë ndërruar datën e lindjes. E megjithatë familjarët i shkojnë kur ata e kanë shkruar në “qitapin” e tyre. Po pse për nënën, bëjnë si ata vëllezërit e këqij që u shkojnë prindërve ku prehen, në ditë të ndryshme megjithëse ka mbetur i vetmi rast ku “egërsirat” të bashkohen?

3 komente në “Të njëjtën gjuhë flasim, asnjëherë nuk merremi vesh!”

  1. joel shkodra says:

    Ne fakt nenes Shqiperi te gjithe ia festojne me 28 nentor, por eshte diçka tjeter qe i ka ndare me 28 apo 29 nentor. Prandaj, mos i ngaterro “festat”.

  2. Tomi says:

    fytyrat me te ndyra ne univers ….
    perbuzje

  3. Pse,do thuash ti says:

    Solidaritetin që shumë drejt konstaton se mungon,e kultivon kombëtarizmi.
    I cili mungon sepse kjo është mënyra për të shpërbërë një popull.
    U përpoqën kaq vite tu mbushnin mendjen shqiptarëve se kombëtarizmi është i keq ,se evropa nuk e kultivon(a ka mashtrim më të madh),së tani nuk ka më armiq,se nuk dihet gjuha,kultura,identiteti.
    Së nuk na duhen parti të kombëtare(shih vv),por ato krahinore(shih pd dhe ldk),nuk na duhet ushtria,industria.
    Nuk na duhet asgjë kombëtare.
    Nuk na duhen emrat shqiptarë.
    Që kur të vijë bismarku i radhës e të thotë ku janë shqiptarët? Nuk ka shqiptarë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje