Champions League: Bajern Mynih nuk e diskuton Lacion. “Perla” Giroud nderon Chelsea

Bajern Mynih ka siguruar praktikisht që në ndeshjen e parë kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Skuadra bavareze ka fituar lehtësisht 4-1 ndaj Lacios në fushën e kësaj të fundit, për të bërë praktikisht formalitet duelin e kthimit.

Pritej shumë rivalitet, por Lacio u fut e përgjumur dhe thuajse e frikësuar në fushë, duke lëshuar terren shpejt e bërë gafa të pafalshme, si ajo e Musakios i cili i dhuroi topin para portës Levandovskit. Për polakun ishte lojë fëmijësh të shënonte golin e avantazhit i vetëm para Reinas.

Një tjetër përgjumje e prapavijës bëri që 17-vjeçari Musiala të shënonte i pashqetësuar golin e dytë për bavarezët që nuk e ndjenë aspak mungesën e emrave të rëndësishëm për shkak dëmtimesh e COVID-19.

Më pas, Bajerni u tërhoq pak, duke i lëshuar fushën e lojës Lacios, por duke kundërsulmuar rrufeshëm dhe në këtë mënyrë arriti që të shënonte edhe golin e katërt në fundin e pjesës së parë.

Edhe në fillimin e të dytës, ishin përsëri bavarezët që shënuan shpejt një gol tjetër, këtë herë me devijimin e Açerbit në portën e tij. Korrea u përgjigj me golin e nderit, pasi Lacio ishte e pafuqishme për të mposhtur përsëri Nojer dhe për të kthyer fatin e këtij dueli, që qartësisht u hapi rrugën kampionëve në fuqi për të vazhduar rrugëtimin në turne.

Në sfidën tjetër, Chelsea mposht në Bukuresht 0-1 Atleticon e Madridit.

Duheshin 70 minuta lojë për të parë golin e parë. Ishte pikërisht Olivier Giroud që me një lëvizje të bukur gjen rrjetën. Gjithsesi, festa do ndalej për pak çaste, pasi VAR ndërhyn.

Asgjë për t’u shqetësuar për të besuarit e Tuchel që me konfirmimin vazhdojnë festën.

Spanjollët tentojnë të reagojnë, por nuk ka më kohë.  Ky është një rezultat i rëndësishëm, teksa fokusi është tani te ndeshja e kthimit.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *