FOTOT: “Engjëlli” që drejtonte një prej karteleve më të frikshëm në botë dhe “sfidoi” SHBA

Me një fytyrë engjëllore, ajo duket e pafajshme për të pasur në mend gjëra djallëzore dhe për të qenë e përfshirë në botën e krimit.

Por gruaja e narkotrafikantit të njohur meksikan, Joaquin “El Chapo” Guzman, është arrestuar në aeroportin e Uashingtonit nën akuzën se është e përfshirë në trafikun e drogës dhe se organizoi arratisjen e bashkëshortit të saj.

Sipas gazetës Daily Mail, një informator e akuzon 31-vjeçaren se kishte planifikuar arratisjen e të shoqit. I gjithë plani i arratisjes kushtoi 3 milionë dollarë.

Ajo pritet të dalë përpara gjykatës të martën, e akuzuar se ka trafikuar drogë nga viti 2014 deri në vitin 2017, kur i shoqi u ekstradua për në SHBA.

31-vjeçarja Emma Coronel Aispuro, me shtetësi meksikane dhe amerikane duhet të përballet tashmë me një gjykatës federal.

Ajo akuzohet se e ndihmoi të shoqin 63-vjeçar të arratisej përmes një tuneli nga burgu Altiplano në Meksikë në vitin 2015. Një informator tha se ajo i dha 2 milionë dollarë kreut të burgjeve në Meksikë për transferimin e të shoqit në një burg ku mund të arratisej. 1 milionë dollarë të tjera shkuan për operacionin e arratisjes.

Edhe pse i shoqi u arrestua dhe u dënua në SHBA për trafik droge, ajo vazhdonte stilin e saj luksoz të jetesës, duke acaruar jo pak oficerët e antidrogës në SHBA.

Bashkëshorti i saj, themelues i kartelit të Sinaloa është duke vuajtur një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale në Shtetet e Bashkuara.

Coronel dhe Guzman janë martuar që nga viti 2007, kur u kurorëzuan në një ceremoni të spikatur në një fshat në shtetin meksikan të Durango. Në atë kohë, Coronel ishte një mbretëreshë bukuroshe 18-vjeçare.

Shtetet e Bashkuara identifikuan Coronel si vajza e Ines Coronel Barreras, një “tregtar i rëndësishëm i huaj i drogës” dhe një anëtar i rëndësishëm i kartelit Sinaloa.

Hetimet ndaj gruas së El Chapo-s

Pasi autoritetet amerikane më në fund arritën të kapnin dhe dënonin narkotrafikantin më famëkeq të viteve të fundit, El Chapo, prokurorët kishin nisur të merreshin me çështjen e gruas së tij, Emma Coronel Auispuro, që dy vjet më parë.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar gruan e Joaquin Guzmann që të regjistrojë në Shtetet e Bashkuara markën e biznesit “El Chapo Guzman” në zyrën e Patentave në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një zëdhënëse të skuadrës së avokatëve të kreut të Kartelit të Sinaloas, ky është një projekt për të cilin Emma dhe Joaquin kanë vite që diskutojnë dhe më në fund po bëhet realitet.

“Mund të them vetëm se nuk kam asgjë për t’u turpëruar. Unë nuk jam perfekte, por e konsideroj veten një qenie njerëzore e mirë që kurrë nuk kam lënduar askënd qëllimisht,” tha ajo kur mbaroi gjyqi i burrit të saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *