Strategjia që i duhet Evropës për t’i bërë ballë Rusisë

23 Shkurt 2021, 09:56Bota TEMA

Nga Mark Leonard, Project Syndicate

Edhe pas disa dekadash pas Luftës së Ftohtë, Rusia mbetet armiku i përsosur dhe me një aftësi të pashoqe për të trazuar klasën politike në Evropë. Por intensiteti i debateve dhe emocioneve evropiane në lidhje me Rusinë, maskon një unitet në rritje që duhet të mbështesë një qasje të re ndaj regjimit të presidentit Vladimir Putin.

Në mesin e viteve 2000, evropianët ishin thellësisht të ndarë mbi marrëdhëniet me Rusinë. Gjermania, e udhëhequr nga kancelari i atëhershëm Gerhard Schröder, donte angazhimin e  afërt me të, ndërsa vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, kërkuan ruajtjen e distancës.

Në pamje të parë, debatet e sotme në lidhje me “Nord Stream 2”, një gazsjellës shumë i diskutueshëm që do të dërgojë direkt në Gjermani gazin rus, dhe persekutimi i Kremlinit ndaj udhëheqësit rus të opozitës Alexei Navalny, duket se po e forcojnë këtë ndarje të vjetër.

Por realiteti është krejtësisht i ndryshëm. Evropa nuk ka më asnjë iluzion se Rusia është në ndonjë trajektore drejt demokracisë liberale, e cila mund të përshpejtohet përmes angazhimit më të afërt me të. Gjithashtu, lind ideja se shtetet që janë më të rrezikuara nga Kremlini, janë në telashe vetëm për shkak të sjelljes së tyre provokuese.

Evropianët janë kryesisht të bashkuar në lidhje me nevojën për ta parandaluar Rusinë nga aventurizmi i mëtejshëm në vendet e huaja. Ata kanë mbajtur në fuqi 3 programe të ashpra sanksionesh pas pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2014, dhe aneksimit të Krimesë.

Për më tepër, shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë shtuar shpenzimet e tyre ushtarake, dhe kanë rënë dakord për masat paraprake të NATO-s kundër agresionit rus. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet mbi “Nord Stream 2”, Evropa është gjithashtu më e bashkuar mbi politikën energjitike.

Në mesin e viteve 2000, vendet anëtare të BE-së ishin “ishuj energjie” të izoluar,dhe duhej të merreshin vetë me “ariun rus”. Sot, ato janë pjesë e një tregu të integruar evropian të energjisë, që mund të sigurojë furnizime me gaz të vendeve të ndryshme – përfshirë Ukrainën, përmes gazsjellësve që shtrihen deri në Evropën Perëndimore.

Kjo gjë e redukton ndjeshëm ndikimin e Rusisë mbi vendet e Evropës Lindore. Për më shumë se një dekadë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë alternuar fazat e angazhimit dhe përplasjes me Rusinë.

Vizita e fundit në Moskë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ishte e fundit në një listë të gjatë përpjekjesh të dështuara për rivendosjen e marrëdhënieve dhe pasjen e një bashkëpunimi më të thellë me Rusinë, dhe nuk lë asnjë dyshim mbi mungesën e oreksit nga Kremlini për përpjekje të tilla.

Por një përshkallëzim i mundshëm i sanksioneve të BE-së në përgjigje të burgosjes së Navalny nga Kremlini, rrezikon t’i japë Putin “armikun e jashtëm’ që i duhet për të shmangur vëmendjen nga problemet e tij të brendshme. Putin është në pushtet prej një kohe të gjatë, dhe po e humbet gradualisht kontrollin e tij në shoqërinë ruse.

Për pasojë, Rusia po hyn në një periudhë rënieje ekonomike dhe degradimi të sistemit politik në vend. Popullsia e vendit po plaket, ndërsa të ardhurat reale të klasës së mesme po bien. Putini nuk ka arritur që të diversifikojë burimin e rritjes ekonomike,ndërsa kërkesa globale për hidrokarbure pritet që të bjerë gjatë dekadës së ardhshme.

Për më tepër, tek Navalny, Putini ka përballë kundërshtarin e tij të parë politik, kërcënues për pushtetin e tij. Navalny është më i ri, me simpatik dhe më guximtar se sa Putin. Ai nuk është një liberal apo një internacionalist, dhe ka ndërtuar një infrastrukturë efikase komunikimi, të cilën Kremlini po përpiqet që ta vërë nën kontroll.

Por ajo që e bën Navalny të rrezikshëm,është më shumë dobësia e sistemit të Putinit. Navalny nuk është ende konkurrues me Putinin sa i përket mbështetjes popullore, dhe ndoshta nuk do të jetë kurrë, edhe pse për momentin është sigurisht disidenti më i njohur në vend.

Ndërkohë, disa udhëheqës evropianë po bëjnë thirrje për një aktivizëm më të madh të BE-së ndaj Rusisë. President francez Emmanuel Macron është përpjekur që të rifillojë dialogun me Kremlinin, ndërsa liderë si presidenti lituanez, Gitanas Nausėda, kërkojnë sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

Por sërish ky debat fsheh shkallën e konvergjencës brenda BE-së në raport me Rusinë.

Ndërsa Kina po bëhet më e fuqishme dhe më e angazhuar në skenën botërore, e kundërta është e vërtetë për Rusinë. Prandaj Bashkimi Evropian nuk duhet që të ngutet as për t`u angazhuar me regjimin e Putinit, dhe as për të shkaktuar një krizë të re diplomatike.

Në vend të kësaj, ai duhet ta privojë Putinin nga e vetmja gjë që ai dëshiron:vëmendja politike. Pra, në vend se të luhatet midis rivendosje së marrëdhënieve më të ngushta

Dhe një përballjeje më të ashpër, Brukseli duhet të ndjekë një qasje alternative.

Mund ta quani atë“indiferencë parimore” ose “angazhim i ashpër”.

Së pari, ndërsa forcon sigurinë e BE-së,Evropa duhet të jetë e qartë mbi interesat e saj. Duke forcuar aftësitë ushtarake, kundërzbulimin, kibernetikën dhe energjitikën, vendet anëtare të BE-së mund ta përmirësojnë pozitën e unionit përballë Rusisë.

Për më tepër, BE dhe SHBA duhet që të bien dakord mbi një qasje të përbashkët ndaj Rusisë – duke e pezulluar ndërkohë“Nord Stream” – në mënyrë që Putin të jetë më pak i tunduar që t’i vendosë kundër njëri-tjetrit.

Një dimension i dytë i një qasjeje të tillë, duhet të jetë kufizimi i politikës së jashtme të Rusisë. Është e vërtetë:sanksionet perëndimore dhe problemet e brendshme, nënkuptojnë se Rusia aktualisht ka më pak para dhe një vëmendje të tepërt ndaj Bjellorusisë, Moldavisë, Ukrainës ose Armenisë.

Gjithsesi Brukseli duhet të reagojë me forcë ndaj çdo provokimi dhe agresioni të Kremlinit. Për më tepër, vendet anëtare duhet që të fillojnë të investojnë në partneritetet ushtarake dhe të sigurisë me vende si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, dhe t’i mbajnë të ndara nisma të tilla nga çështja e zgjerimit të NATO-s.

Ndërkohë,BE mund të përfshijë Turqinë në një dialog mbi çështjet e sigurisë së Rusisë dhe Detit të Zi. Përmirësimi i koordinimit transatlantik mbi Rusinë, do të jetë jetik. Putini nuk e ka kohën në krahun e tij. Nëse BE-ja reagon në mënyrë të vendosur dhe jo emocionale ndaj agresionit të presidentit rus, ajo mund të jetë në gjendje që të frenojë ndikimin e tij keqdashës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews

Shënim: Mark Leonard, është bashkëthemelues dhe drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

1 komente në “Strategjia që i duhet Evropës për t’i bërë ballë Rusisë”

  1. Dik says:

    Cfare flet ky ,po kush e ka Navalnin ne pulle ne Rusi,promovojne do figura karnivalesh e ja servisin popullit kot,po kush i hane sot keto budalleqe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje