Analiza, Juventusi ende në kërkim të identitetit dhe në luftë me kohën

28 Shkurt 2021, 13:19Sport TEMA

Të kesh në skuadër një nga sulmuesit më profilikë të historisë së futbollit, – golashënuesi më i mirë i Serisë A me 19 gola, – është një “armë” për t’u shfrytëzuar, por nuk mund të jetë zgjidhja e vetme ofensive, pavarësisht mungesa të shumta që e kanë detyruar trajnerin Pirlo ta mbushte stolin me djem të rinj.

Dibala dhe Morata nuk zëvendësohen lehtë (as Bonuçi, Kielini dhe Arthur), por në fund të shkurtit është e natyrshme të shohësh një lojë logjike te një skuadër si Juventusi. Pirlo, me ardhjen e tij në krye të kampionëve, ka provuar ta shkundë ambientin me një projekt ambicioz dhe veçanërisht sulmeus, i ndërtuar te korridoret horizontale në fushë, ku 5 apo 6 lojtarë ndryshojnë rolet në sulm.

Ai kërkon ndërtim të aksionit nga mbrojtja, një ose dy organizatorë në mbështetje të lojtarëve që depërtojnë në zonë, presing lart dhe agresivitet sapo skuadra humb topin. Një ide që sigurisht ka pasur nevojë për kohë për t’u asimiluar nga skuadra gjatë javës stërvitore. Por ndeshjet shumë afër njëra-tjetrës kanë limituar qasjen taktike dhe kështu, duke parë rezultatet, Juventusi ka ndryshuar.

Qendrat e mesfushës qëndrojnë më poshtë, mbrojtje pozicionale dhe shfrytëzim i aftësive sulmuese të lojtarëve si Ronaldo dhe Kieza. Ka ndikuar shumë mungesa e Arturit, lojtarit kyç në ndërtimin e aksioneve. Pa të shpresat janë te rikuperimi i topit në zonat lart të fushës, pranë zonës kundërshtare. Kjo ishte strategjia në Verona, me dy fantazistë pas Ronaldos, Kulusevskin dhe Ramsein.

Taktika ishte për të vënë në presion tre mbrojtësit e skuadrës së Juriç, por sapo përfundoi vrulli fillestar dhe presingu i vazhdueshëm, Juventusi i la shumë fushë kundërshtarit, duke u mbrojtur me skemën 5-4-1, me Kiezën dhe Bernardeskin që ndihmonin në krahë dhe Kulusevskin dhe Ramsein në qendër.

Pas avantazhit, Juventusi mund ta administronte më mirë ndeshjen, duke i lënë iniciativën Veronës për ta goditur në kundërsulm. Por pësoi gol me mbrojtje të vendosur në pozicon, ku Barak u gjend i lirë të godiste pa u bezdisur nga kundërshtari.

Alibitë nuk mungojnë, por ka skuadra të afta të kenë një identitet edhe kur mungojnë titullarë të rëndësishëm në ndeshje me kundërshtarë të nivelit inferior, si Atalanta, Specia, Sasuolo dhe Verona. Kjo është një arsye që duhet ta shtyjë stafin teknik të reflektojë, sepse koha tashmë është shumë e shkurtër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje