Alergjia nga thinjat e profesoreshë Luljetës!

5 Mars 2021, 13:05Blog TEMA

Nga Andrea Danglli

Muret e Parlamentit kanë tridhjetë vjet që mbajnë brenda tyre specie të të gjitha llojeve.

Janë skuqur nga idiotllëqet, janë lëkundur nga ulërimat, janë nxirë nga sharje, janë krisur nga përleshjet, dhe janë tundur fort nga të shtëna pistoletash që kanë derdhur gjak mu aty ku pritej të flitej për reflektim, veprim e ndryshim.

Kanë qenë po ato mure dëshmitarë kur aty kanë shkelur trafikantë droge dhe bija nënash, hajdutë xhepash dhe shpellash, injorantë me diplomë dhe pa diplomë, kaubojsa me kapele dhe pa kapele,  të rinj të plakur dhe pa rini, vrasës me pagesë dhe pa pagesë (sikurse ka pasur e ka gjithashtu zonja dhe zotërinj plot integritet që s’do mjaftonte asnjë përulje për t’u shprehur mirënjohjen).

Ato mure kanë parë e duruar sesi majtas e djathtas, njëri pas tjetrit, këta individë janë ulur në vendet ku ligjëronte Fan Noli, Mid’hat Frashëri, Pjetër Arbnori, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Sabri Godo,  etj.

Në një nga këto karrige të zaptuara vitesh, me gjasa do të ulet një grua 79-vjeçare për të vendosur thinjat e saj në shërbim të mirëfunksionimit të shtetit ligjor si përfaqësuese e pensionistëve.

Këta të fundit mbase janë shtresa që prej tre dekadash i kemi zbuar duke i konsideruar si makineri të keqpërdorura lufte të cilat nuk vlejnë më për asgjë përpos skrapit.

Flokëthinjura quhet Luljeta Bozo, dhe përpos të tjerave, emri i saj lidhet me faktin se vitin e shkuar na mësoi që nuk shtyhet jeta vetëm me budallenj ekranesh të cilët i kushtojnë më shumë rëndësi shkëlqimit të orës sesa shkëlqimit të argumentit, stilit të flokëve sesa stilit të artikulimit, forcës së zërit sesa forcës së informacionit, numrit të likeve në Facebook sesa numrit të mesazheve për shoqërinë.

Këto thuajse kanë qenë krejt normale duke mos provokuar asnjë reagim në dallim nga ai që sollën sot thinjat e Luljetës.

Pakkush ka marrë seriozisht sesi zverdheshin, skuqeshin apo nxiheshin muret e parlamentit aq sa sot kur shuplakat dhe vreri ndaj një flokëthinjure kanë kapërcyer çdo fantazi e retorikë politike.

Padyshim që zëri i të rinjve duhet të jehojë dhe mendimet e tyre janë serumi më i mirë që mund t’i bëhet këtij sistemi të sëmurë.

Askush nuk mund ta kundërshtojë këtë ashtu si askush nuk mund ta kundërshtojë nevojën që ka vendi për të respektuar të thinjurit e ndershëm të këtij vendi që gjënë më të çmuar që kanë është mençuria e tyre.

Kusuret e Edi Ramës, Lulzim Bashës, Sali Berishës, Fatos Nanos, etj., me historinë e listave janë kapituj të nxirë më vete që të paktën sot nuk duhen përzierë në kaçurrelat e stërgjyshes fisnike, e cila uroj të na mësojë se si mbahet e çelur me dinjitet deri në fund Lulja e Jetës!

Suksese profesoreshë Luljeta, muret e parlamentit të paktën do të kenë një arsye më shumë për t’u zbardhur e mos u skuqur!

10 komente në “Alergjia nga thinjat e profesoreshë Luljetës!”

  1. Bashkim Shehi says:

    Sa shkurt, sa qarte sa sakte. Bravo Andrea

  2. Profesoresh Luljeta eshte nje zonje e paharitshme si nga niveli kulturor dhe edukata qe ajo te afron. Suksese dhe shume respekte per kete zonje.Per njerez te till ka nevoje Shqiperia

  3. Duri says:

    Mirenjohje per kete Grua te mrejullueshme..

  4. Arjani says:

    Te lumte Andrea

  5. Bravo says:

    Yll fare
    Respekt e nderim per kete zonje te nderuar qe do nderoj sallen e parlamentit per prezencen e saj naturale , e bindur se thinjat kan me vlere se fytyrat e disave te fryra me botoks dhe mesazhet e saj percjellin dinjitet nga goja e sai dhe jo imoralitet nga telefoni i sai. Suksese nga zemra profesoresh Luljeta! Bravo Edi Rama per gjetjen e duhur…

  6. MERSIN MUCA says:

    Personazhe si profesoreshe Luljeta na kane nderuar me kontributin e tyre shoqeror intelektual ne fushat ku ata kane ushtruar profesionin e tyre dhe do te na nderojne me perfaqesimin dinitoz ne parlament,.
    Kane vlera te pa mohueshme si njerez me moral dhe me integritet profesional qe vendi yne,politika e mbrapshte e tranzicionit anti demokratik dhe anti Shqiptar nuk ju ka interesuar per ti perfshire ne politik berjen e shtetit dhe mbarevajtjen e kombit Shqiptar.
    Suksesi i profesoreshe Luljetes qendron ne integritetin moral dhe profesional si dhe ne thjeshtesine e saj.
    I uroj profesoresh Luljetes, shendet ne radhe te pare dhe suksese ne rruge e re qe uroj dhe shpresoj qe ajo te kete mundesine te japi kontributin e saj.

  7. Velo says:

    Është nder për parlamentin të jetë atje profesoresha e nderuar.

  8. Loni pe Kolkondasi says:

    Sa demokrat eshte shoku Edi! Vendos ne liste per deputet ke ti doje bytha, duke mos pyetur asnje forum partie. Ne cdo zgjedhje kontroversale qe bene, Rama ka si synim thjesht tu tregoje forcen anetareve dhe forumeve te partise, duke testuar me kete rast frymen kundershtuese brenda saj. Te zgjedhesh nje plake germuqe, vetem per te treguar se une beje cfare t’me doje trapi dhe ju skllever duhet te mbyllni gojen, kjo po, kesaj i them demokraci te brendeshme ne parti une. Te lumte, o Edo, vazhdo, pasi interesaxhinj qe te ngrehin ne qiell, kurdohere do dalin gjate udhes per pushtet absolut. Cfrytezoi dhe sidomos nderseji si qente, per te shqyer ata qe mendojne ndryshe dhe te rrezikojne pushtetin.

  9. k says:

    Nuk mund te jetë profesoreshë ,se nuk ka qenë me dhitë e kopratives,nuk ka diplomë fallco,
    nuk eshte shpellare,dhe nuk e ka emeruar kryeintelektuali noka dhe gjonmarku.

  10. Shpresa says:

    Bravo per petagogen time ne vitet 80′ Ne ekranet tona duhet te dalin me shume nga keto gra se na neveriten vetem lakuriq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje