Greqi, probleme për emigrantët shqiptarë në ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit | Gazeta Tema
 

Greqi, probleme për emigrantët shqiptarë në ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit

Postuar në: Aktualitet |

Kriza ekonomike në Greqi po i vë në vështirësi emigrantët shqiptarë për ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit. Ligji grek i detyron emigrantët  të plotësojnë të ashtuquajturat pulla të sigurimeve dhe të ardhuart vjetore. Burime  jo zyrtare pohojnë se rreth 25 % e emigrantëve shqiptarë e kanë të pamundur të ripërtëritjen e lejeve të  qëndrimit.

Emigrantët shqiptarë që punojnë  e jetojnë në Greqi edhe gjatë vitit 2010 u ndeshën me peripeci të shumta në ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit. Kriza në ekonominë greke ka shtuar vështirësitë për shqiptarët, veçanërisht në sigurimin e të ashtuquajturave “pulla të sigurimeve” si dhe në sigurimin e të ardhurave vjetore,  kritere këto të përcaktuara nga Ligji grek për Legalizmin e të huajve. Megjithëse autoritetet greke premtuan një lehtësim për këtë proçes, madje edhe një grup deputetësh të parlamentit grek premtuan një inisiativë ligjore gjatë një takimi me komunitetin e emigrantëve shqiptarë,  ende kjo nuk është arritur.

Të dhënat jo zyrtare flasin se rreth 25 % e emigrantëve shqiptarë rrezikojnë të mos ripërtërijnë lejet e vjetra të  qëndrimit. Sipas shtypit grek  në janar të vitit 2010 ishin të pajisur me leje qëndrimi rreth 600 mijë emigrantë të huaj në Greqi , shumica dërrmuese e të cilëve nga Shqipëria. Po sipas burimeve zyrtare  gjatë gjithë vitit numri i emigrantëve që kanë ripërtërirë lejen e qëndrimit është ulur në 26% dhe në këtë kategori pjesën më të madhe e përbëjnë shqiptarët.Mos – ripërtëritja e lejeve të qëndrimit  vë në vështirësi familjet e emigrantëve të cilët  humbasin të drejtën për asistencë sociale dhe rrezikojnë dëbimin.

Lejet  e qëndrimit afatgjata, sipas ligjit grek,  lëshohen për emigrantët  për pesë vjet . Institucionet e qeverisjes vendore pranojnë aplikimet kundrejt një shume të pakthyeshme prej 600 eurosh  dhe kundrejt plotësimit të një pakete dokumentesh. Emigrantët kanë të drejtë që nëse lëshimi i lejes u refuzohet nga institucionet që kanë pranur aplikimet ta kërkojnë  atë edhe në rrugë gjyqësore. Ndërkaq emigrantët shqiptarë nuk janë penguar të lëvizin edhe këtë vit në kufi me lejet e vjetra të qëndrimit të cilave u ka skaduar afati. Emigrantët mbi bazë të një qarkoreje të autoriteteve greke paraqesin në kufi aplikimin për lejen e re dhe kanë mundësi të udhëtojnë lirisht. VOA