Flamuri merr në analizë angazhimin e kuadrove të PD-së | Gazeta Tema
 

Flamuri merr në analizë angazhimin e kuadrove të PD-së

Postuar në: Antena |

Përpara Mbledhjes së Këshillit Kombëtar ditën e diel, Flamuri i ka përgatitur Doktorit një raport të hollësishëm mbi reagimin e kuadrove politikë të PD-së pas Puçit të organizuar nga opozita. Raporti është më shumë një analizë rekomanduese për njerëzit që duhen zgjedhur ditën e diel në kryesi të PD-së. Siç shkruan dhe Flamuri në hyrje të raportit, “kjo është një ngjarje e shënuar për PD, pasi ka dy vjet që e presim këtë mbledhje, e cila do të zgjedhë më në fund kryesinë e PD-së”.

“Unë mendoj, thotë Flamuri, se pas kësaj zgjedhja e nënkryetarëve dhe sekretarëve të shtyhet pas dy vjetësh në Kuvendin e radhës”.

I pari në krye të listës ishte Genc Ruli. Në analizën e tij Flamuri ndalet tek shfaqja e disa veseve të vjetra negative të këtij kuadri, për të cilat partia kishte menduar se ishin zhdukur. Ai po na njollos në opinion si hajdut, thekson Flamuri. Do t’ia kishim falur këtë sikur në ngjarjet e fundit të ishte angazhuar publikisht dhe të kishte dënuar Puçin e Shtetit. Por nga të dhënat tona, ai jo vetëm që nuk ka dëshirë të angazhohet, pro frenon dhe kuadro të tjerë të partisë, duke u thënë lëreni këtë kufomën të dekompozohet se do na helmojë të gjithëve. Këtë nuk duhet t’ia falim. Unë rekomandoj të mos propozohet fare për në kryesi të PD-së. Alibia e tij se për të gjitha çështjet që duhet të mbrojë ai ka deleguar fjalën tek Artan Hoxha nuk qëndron pasi ky i fundit ka gjynahet e veta për të shlyer dhe nuk ka fuqi të lajë dhe gjynahet e Rulit. Flamuri propozon që po ashtu PD të mos angazhohet politikisht nëse prokuroria kërkon heqje imuniteti për hetime për Rulin lidhur me koncesionet dhe akuzat e tjera për korrupsion. Duke qenë se sivjet do të jetë viti i Arrës, unë mendoj se është viti i duhur për ta bërë sërish kurban Rulin, përfundon rekomandimin.

I dyti në listë është Genc Pollo. Flamuri rekomandon që “Kuqoja”, siç e ka nofkën në bisedat e tij me Doktorin, ka nevojë për një stazh më të gjatë. Flamuri ka konstatuar se ai tallet me Doktorin në mjedise publike, vazhdon t’i flasë “Abiu” dhe jo Saliu, dhe se për ngjarjet e fundit ka mbajtur qëndrim indiferent. Flamuri ka siguruar të dhëna që tregojnë se disa ambasadorëve të huaj të Perëndimit në Tiranë, Kuqoja u paska thënë që duhet bërë kujdes që “Abiu” të mos e kuptojë që ata janë kundër, ndryshe mund t’i përjashtojë nga partia para Kuvendit. Flamuri propozon që Pollo të propozohet për kryesi, por të mos votohet nga Këshilli Kombëtar. Ai premton se do t’i numërojë vetë votat në këtë rast.

I treti në listë vjen Ferdinand Xhaferri. Edhe pse në dukje militant, Flamuri fsheh një sërë rezervash për të. Sipas të dhënave të tij, Ferdinandi është kundër kandidimit të Igli Carës në Durrës, një deputet i besuar i PD-së dhe po përpiqet të sabotojë fitoren e PD-së atje. Këtë presion e bën pasi sipas Flamurit i ka kërkuar që ose të jetë nënkryetar i PD-së, ose PD nuk fiton dot bashkinë në Durrës. Ai ka kërcënuar se do të bëj publike disa afera të Carës në portin e Durrësit dhe sidomos skemën e dhënies me qira të zyrave për agjencitë doganore. Flamuri propozon që të mos propozohet fare për kryesi.

I katërti i dyshuar është Arben Imami. Flamuri dyshon shumë tek fakti që Imami kohët e fundit u bë shumë i zellshëm në mbrojtje të qeverisë dhe sidomos të sulmonte Puçin dhe rebelimin e armatosur. Sipas Flamurit, të gjithë këtë e bën me qëllim që njerëzit t’i kujtojnë PD-së rebelimin e vitit 1997 dhe djegien e kryeministrisë më 1998, e cila nisi me djegien e makinës së Arben Imamit. Duke dyshuar se Imami e bën qëllimisht lojën e radikalit pro Berishës në këto momente, me qëllim që të dëmtojë imazhin e saj dhe të fyejë militantët sikur ata kanë ngelur në mëshirë të Imamit, Flamuri propozon që ai të mos propozohet as në kryesi dhe as për ndonjë post tjetër. Bile ka kërcënime, përfundon Flamuri, se nëse ai do guxojë të kërkojë postin e Ridvan Bodes, mund të prishet mbledhja e Këshillit Kombëtar.

Më tej Flamuri vazhdon me rekomandimet e tij. Ai vlerëson shumë rolin e Mesilës gjatë trazirave për puç dhe propozon që ajo të bëhet kryetare e gruas së PD-së me qëllim që të jetë një shembull inkurajues për gratë e PD-së në të ardhme. Ai siguron se Jozefina nuk do të jetë kundër në këtë rast. Me këtë rast Flamuri shpjegon dhe faktin pse Jozefina ka qëndruar mënjanë nga debati publik për puçin. Sipas Flamurit ajo nuk mund të dalë në të njëjtin ekran me Arben Imamin dhe të flasin njësoj për ngjarjet e vitit 1997, pasi i ka shpëtuar një herë goja dhe ka thënë që ai e ka pasë hak një plumb ballit. Por Flamuri e siguron Doktorin se ajo është me mish e shpirt e dhënë pas tij dhe nuk do ta tradhtojë kurrë.

Në fund Flamuri bën dhe disa rekomandime për kryesinë e PD-së. Ai mendon se kryesia aktuale është shumë e mirë dhe nëse Doktori ka ndërmend të fusë emra të rinj, do të ishte mirë që të rriste numrin dhe jo të hiqte këta që janë. Flamuri propozon që Eduard Halimi të jetë i propozuari i radhës për anëtar kryesie dhe Sekretar Ligjor i PD-së, pasi ka qenë një luftëtar i madh i krijimit të një legjislacioni të ri, të panjohur më parë në shtetin shqiptar, përmes të cilit mund të dënosh kë të duash, si të duash dhe sa të duash. Për këtë Flamuri jep sigurinë se do të ketë vota maksimale pasi do t’i numërojë vetë ato.

Duke mbyllur raportin e tij rekomandues Flamuri thekson dhe rolin personal që ka pasur në këto vite që PD-ja është drejtuar pa kryesi, pa sekretarë, pa nënkryetarë dhe pa anëtarë. “Kjo ka qenë një përvojë e shkëlqyer, thotë Flamuri, pasi unë kam mundur të drejtoj partinë më të madhe në opozitë vetëm me rojën e PD-së dhe punonjësin e parkingut. Kjo më ka forcuar më shumë dhe jam i gatshëm ta vazhdoj këtë rol dhe në të ardhmen, edhe sikur të mos më zgjidhni asgjë në Këshillin Kombëtar”.

Nje Pergjigje per Flamuri merr në analizë angazhimin e kuadrove të PD-së

  1. Bujar  --  5 Shkurt, 2011 në 8:08 am

    Antena e sotme nuk ngjanka fare si “antene”. Duket sikur eshte nje raport i sakte. Me kete duhet thene se tani nuk ka asnje ndryshim mes funksionimit te PD-se reale me PD-ne e Antenes… Eshte njelloj si te thuash “Hoxhe Aliu” ose “Ali Hoxha”…