Heshtnim e ndrydhje vaginale | Gazeta Tema
 

Heshtnim e ndrydhje vaginale

Postuar në: Opinion |

Nga Eda Derhemi

Fjalët “vaginë” dhe “penis”, si dhe gjithë versionet e tyre “turpe” apo “rrugaçërore” mungojnë në fjalorin e shqipes së sotme të Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhësisë të 2002-shit, si dhe në atë më praktikun por më të pasur (me rreth 1000 fjalë më shumë), të 2006-ës. Ka gjithfarë fjalësh krahinore me përhapje shumë të kufizuar, në mos zero, terma shkencorë anatomikë e biologjikë me fushë përdorimi minimale, fjalë sharëse e fyese të rrafshit bisedor, arkaizma, fjalë që u referohen pjesëve të imëta të pajisjeve të përdorura në Mesjetë, avlëmendesh apo armësh zjarri muzeale që as përdoren e as do përdoren gjëkundi në Shqipëri. Unë jam e gjitha për fjalorë sa më pasqyrues e të pasur në përputhje me qëllimet që kanë, por jo për heshtnime morale të kategorive leksikore. Në fakt sot nuk diskutoj se sa shkencore dhe të hapura janë kriteret e përzgjedhjes së fjalëve në fjalorë. Sot e shoh reflektimin e tyre në fjalor veç si një shenjë për të trajtuar një temë tjetër, jo pa lidhje me padrejtësitë zyrtare e kulturore që i bëjmë përdorimit të shprehjeve që reflektojnë organe apo marrëdhënie seksuale. Pra, për fjalët më sipër, si edhe ato me përhapje më të gjerë si ‘pidh’, ‘kar’ apo versione të tjera, bashkë me foljen ‘qi’, më të vjetrën e të përdorshmen në shqip referuar marrëdhënies dhe aktit seksual, nuk ka asnjë njësi leksikore në fjalorët e gjuhës shqipe. Nuk është e mjaftueshme që ato të pasqyrohen veç nëpër fjalorë specialë e për seksin, kur e kanë vendin para së gjithash në fjalorët e përgjithshëm të gjuhës.

Me sjelljen tonë ne do sfidonim teoritë që i shohin praktikat shoqërore si ekzistuese dhe gjalluese veç në gjuhë e nëpërmjet gjuhës, dhe si të pamundura jashtë saj. Na kanë vdekur neve këto praktika shoqërore, ndaj edhe s’u kemi emra, apo dimë t’i heshtojmë, ashtu siç bëjmë edhe për shumëçka tjetër që bie ndesh me moralin zyrtar e jozyrtar të absurdit primitiv dhe patriarkal? Besoj se rasti ynë është jo një thyes i teorisë më sipër, por në të kundërt e mbështet atë. Nuk mund të ndash përçudnimet dhe heshtnimin që u bëjmë marrëdhënieve e praktikave njerëzore, nga “zhdukja” e fjalëve për to. Ne kulturalisht ende udhëhiqemi si shoqëri nga një autoritarizëm i rremë, i pakuptim, dhe të cilit i bindemi qorrazi.

Nga njëra anë, profanitetet janë pjesë e gjallë dhe e fuqishme e gjuhës dhe shoqërisë, dhe nuk mund t’i nxjerrë kush jashtë fjalorit me shkopin magjik të autoritetit zyrtar, ashtu si edhe “rrugaçët” e Shqipërisë nuk mund t’i vrasë kush sepse janë të tillë, sado zyrtar apo i zyrtarizuar qoftë organi vrasës. Nuk ka asnjë autoritet të tillë, as gjuhësor dhe as qeveritar, që mund të marrë vendime arbitrare prej Zotash, në një shoqëri të lirë, moderne e demokratike. Por arbitrariteti, autoritarizmi patriarkal, dhe abuzimi arbitrar ndër individë e shoqëri, në rrang publik e privat, janë tipare të kudogjendshme të kulturës sonë në të gjitha nivelet e komunikimit. Fjalori është veç një formë ku ai nxjerr kokën e bëhet i dukshëm. Kjo kulturë është e formësuar gjuhësisht, rimerr vlerë e konfirmohet zyrtarisht, legjitimohet nga të gjithë ne që i bindemi terrorit të saj, që është pikësëpari kundër nesh, dhe forcohet e riprodhohet në pranitë e mungesat gjuhësore, politike e kulturore të prindërve tanë, tonat dhe të fëmijëve tanë. Është kjo besnikëri dhe ky konfirmim i brendshëm që i bëjmë sjelljes patriarkale dhe nënshtrimi vasal e pa kushte ndaj saj, që na mohojnë lirinë dhe na bëjnë të justifikojmë fuqinë që na ndëshkon papushim e çdo ditë, që na la e na lë mbrapa, si në kohën e Ali Pashait, ashtu edhe në atë të Sali pashait.

Nga ana tjetër, është afër mendjes që zgjidhja nuk është përdorimi lirshëm i profaniteteve. Gjuha, kultura dhe shoqëria nuk funksionojnë kështu. Në këtë fazë të zhvillimit tonë, është shoqërisht status-shkatërruese që dikush të nisë e të zbrazë nëpër biseda shprehje mbushur dingas me “pidh e vaginë”. Vlerësimi më dashamirës do ta merrte si të sëmurë psikik me sindromën e tourette-it një folës të tillë. Dikush, duke qenë e sigurtë se nuk i prishet asnjë punë, mundet edhe ta ulërasë fjalën me sa ka në kokë. Por thjesht do thonë: “Gjynah. Paska dalë mendsh!”, dhe asgjë nuk do të ndryshojë as për gjininë e ndrydhur femërore, dhe as për shoqërinë tonë primitive e deliruese njëkohësisht. Njerëzit i dinë mirë pasojat e ndëshkimeve sociogjuhësore në shoqëri patriarkale si e jona, dhe u ruhen, sido që në thelb dihet se zhdukja totale e fjalëve për organet seksuale nga sfera e përdorimit publik ndër femra, është vetëm një mjet nënshtrimi e kontrolli të një grupi shoqëror apo një tjetri.

Por, po të thoshim se fjalë të tilla si ‘pidh’, ‘kar’ etj. dhe tufat frazeologjike që vijnë me to, janë vulgare dhe nuk i sjellin asgjë të re komunikimit e shprehshmërisë veç fyerjeve dhe abuzimeve verbale, ndaj le të mos i shkruajmë apo legjitimojmë nëpër fjalorë, nuk kemi zgjidhur asgjë. E para, sepse duke lënë bosh në fjalor vendin për këtë grup, përforcojmë po atë kulturë shtypjeje seksuale e “turpi” primitiv jo nga fjala, por nga objektet dhe marrëdhëniet njerëzore që konsistojnë në to. Në fakt duke e lënë këtë hapësirë pa fjalë, në një farë mënyre themi: ne jemi njerëz në të gjitha sferat e tjera të cilat na i mbulon gjuha, por jo këtu. Në këtë sferë për të cilën nuk kemi fjalë, ne na udhëheq instinkti dhe kafshëria. Madje kur krijojmë fjalë për të mbuluar këtë sferë, ato nuk mund të kenë veçse konotacione negative dhe të shprehin fyerje, agresivitet e dhunë ekstreme. Duke i lënë fjalë të tilla jashtë fjalorit, nuk hapet rruga e nuk u jepet mundësi as fjalëve apo shprehjeve të tjera eufemistike, që gjuha në kultura më të hapura i krijon natyrshëm, për të zëvendësuar ato profanet dhe tabu. Përdorimet e fjalëve ‘vaginë’ dhe ‘penis’ mund të ishin shumë mirë në fazën e zëvendësueseve quasi-eufemistike për shqiptarët dhe nuk do bartnin aspak ngjyrime vulgare dhe nuk tingëllojnë aspak fyese; dhe në fakt kanë nisur të hyjnë. Por jo: edhe këto janë dënuar të ngelen jashtë fjalorit më prestigjioz të shqipes së sotme. Siç thashë, problemi ynë themelor nuk është me fjalët vetë sa me objektet dhe aktet që kryhen me to. (Në fakt fjalori online shqip<->anglisht LingvoSoft Dictionary 2008 i përfshin si fjalën ‘vaginë’, si atë ‘penis’ dhe plot variante bisedore të tyre, sidoqë me shënimin (anat.) në krah për të parat, dhe (zharg.) për të dytat. Por, ndërsa njësitë e tjera leksikore jepen në formë të pashquar, këto të dyja, pikërisht sepse shqiptarët ende ndiejnë sakëlldi e anomali kur i përdorin, dalin në të shquar. Mosnatyralizimi i termave dhe sikleti e pasiguria e shkruesit, shprehen kështu në lapsuse në formësimin e thjeshtë të njësisë leksikografike.)

Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishmja, pavarësisht se tabutë janë shoqërore, ka një ndarje të menjëhershme gjinore në grupet të cilave u lejohet thyerja e tabuve. Kjo jo vetëm në Shqipëri, por këtu më fort e më qartë se tjetërkund. Keni dëgjuar rrugës shprehje me ‘pidh’ pa dyshim. (… dhe mos ua hedhim fajin fshatarëve e malokëve zbritur në Tiranë së fundmi “që na prishën kulturën qytetare”, se ata këto shprehje, ende nuk i përdorin në këtë dialekt.) Dhe unë po flas për qendrën e Tiranës e jo periferitë. Pa dyshim shprehje me ‘kar’ e ‘loqe’ dëgjoni sa të doni, shpesh përdorur thjesht si thirrorë në vend të emrit. Por nga kush i dëgjoni këto? Nga burrat. Rishtaz meshkujve u lejohet thyerja e tabuve krijuar në një sistem patriarkal. Femrat vetë nuk i referohen dot me fjalë as organit të tyre, e jo më atij mashkullor, as me njëra-tjetrën e jo më me burra, as në ambiente të mbyllura e intime, e jo më në publik, as në mënyrë denotative, e jo më të figurshme apo pexhorative. Gratë e zakonshme në një situatë normale, pra shqiptaret e paorgan, nuk kanë emër për vaginën e vet, e cila emrin (fyes e veç kështu) e mban veç në gojën e meshkujve. Sa breza grash kanë lindur dhe ikur pa e shqiptuar fjalën kurrë: shpesh sepse fjala e vetme që qarkullonte për të ishte veç negative. Sot, sepse ende s’thuhet. Ime më dhe brezi i saj që unë i konsideroj gra ende të reja, nuk e thonë. Gjimnazistet e Tiranës ende ndër to e përdorin me siklet e rrallë ‘vaginën’ si fjalë dëftuese. Dhe, sigurisht, në kushtet e shoqërive patriarkale, gratë dhe vajzat përkrahin më shpejt e më kollaj terma derogativë për veten, sesa një fjalë neutrale apo një krijim eufemistik shekspirian që i referohej vaginës si diçkaje pozitive, estetike apo emocionalisht të bukur. Vetëcensurimi ndër të reja sot konsiderohet si i prapambetur, por, fatkeqësisht, zgjidhja shpesh nuk shihet tek një fjalë neutrale, por tek një term derogativ. Madje përdorimi i këtij të fundit, i bën të ndihen të barabarta me meshkujt, pra të emancipuara. Tamam siç ndodh ende sot në Shqipëri me cigaren. Kështu në fakt, riaktivohen dhe përforcohen të njëjtat diskurse pabarazie, fyerjeje dhe vetë-abuzimi të pandërgjegjshëm. Kjo është një shenjë e së njëjtës ideologji heshtnimi, mungese zëri, padukjeje të gruas; ashtu si edhe fjalori që bllokon fjalën ‘vaginë’, edhe pse gjendet sot në shqip, edhe pse nuk është fjalë vulgare. Besoj, ashtu si edhe shkolla jonë. I tërë sistemi.

Gjuhët e kulturat e tjera të botës paraqesin situata paralele dhe gjithashtu dominohen nga diskurse të kontrollit mashkullor, veçse ne, edhe këtu, jemi shumë pas tyre dhe … aq na bën. Në fund të fundit, fakti që fjala ‘vaginë’ në kuptimin e përditshëm, është ngatërruar me fjalën ‘vulvë’ në gjithë gjuhët e botës që e përdorin atë, është një element që dëshmon pikërisht mungesën e rehatllëkut dhe të natyrshmërisë së lëvizjeve të zakonshme gjuhësore në këtë rast. Ajo nuk është zhvillimi metonimik i zakonshëm për hir të afërisë hapësinore të vulvës dhe vaginës; është thjesht gabim nga padija përzier me frikë dhe turp. Por fjala vaginë tashmë është e stabilizuar në shumicën e kulturave perëndimore. Kjo nuk do të thotë që në mbledhjen e kolektivit kur dikujt i kruhet (vëreni eleminimin me deiksis që i bëj unë fjalës vaginë/pidh në shprehjen “i kruhet”. Vetëcensurim tipik!), lajmëron kolektivin me krenari se po kruan vaginën. Por hapësira e paemër nuk është aty e, edhe kur është, nuk është absolute, e pacënueshme dhe statike. Dhe nuk është e paemër sidomos mes grave e vajzave. Tek ne, edhe mes femrash intime, biseda bëhet “për atë”: “E preku aty” “I ka dalë myk tek ajo”, është maksimumi i drejtpërdrejtësisë së të folmes së përditshme në referimin aktual ndaj organit seksual femëror. Deiksisi ndajfoljor apo përemëror sigurisht që ka nevojë për kontekst e situatë që të kuptimësohet plotësisht. Madje edhe në kontekste relativisht të qarta mund të ndjekë pyetja: “Ku ‘aty’?”. “‘Aty’ pra, mes këmbëve.” Një tjetër e ardhur përqark edhe kjo, por disi më e drejtpërdrejtë dhe më e kapshme nga shqisat në raport me deiktikët më sipër.

Psikologu T. Jay (1996) mendon se në anglisht “fjalët e turpshme” lidhen normalisht me kuptimet seksuale. (Në fakt, nëpër bisedat familjare në Shqipëri deri në vitet 90, edhe vetë fjalët ‘seks’ dhe ‘seksual’, ishin tabu). Jay konsideron si më “të turpshme” (obscene) ndër të gjitha, fjalën “fuck” (në shqip ‘qi’). Por ky duket më shumë si një vështrim historik i autorit, sepse një fjalë e tillë, sido që jo e rekomandueshme në publik, është nga fjalët më të përdorshme të anglishtes, dhe frekuenca e saj e ka bërë të zhvillojë një çerdhe kolosale kuptimesh, frazeologjish e përdorimesh, hera-herës edhe krejt pa lidhje me seksin. Nga ana tjetër, kjo fjalë në anglisht sot përdoret nga gratë, po aq sa edhe nga meshkujt edhe në kuptimin strikt seksual. Ndërkohë që domini i përdorimit të shprehjeve të tilla në shqip është absolutisht i shenjuar nga gjinia mashkullore. Kam njohur vetëm një grua në Tiranë që përdor shprehje profane seksuale me lehtësinë e një mashkulli, një taksiste që më shoqëron shpesh kur jam vonë për diku. Asaj nuk i dridhet qerpiku as të të kërkojë dyfishin e çmimit për rrugën, në raport me një burrë taksist. Dhe është një dukuri aq e rrallë kjo, sa kam menduar se duhet pa tjetër të studiohet nga sociologjia, etnografia apo sociolinguistika shqiptare (ose nga të treja e të tjera njëkohësisht… psikologjia sociale, pse jo?).

Po lexoja një libër shumë interesant të Ralph Keyes (Euphemania: our love affair with euphemisms. 2006) për “maninë” historike të njerëzve që të përdorin eufemizma, kategoritë, procesin e eufemizimit, shkaqet dhe polivalencën e eufemizmave. Keyes, sido që trajton hollësisht eufemizmat seksualë, konsideron si grupin themelor të tyre atë që zëvendëson tabutë për funksionet fizike të trupit dhe jo për fushën e seksit, pra më të fuqishme janë eufemizmat e tipit: “Të vjen e madhja apo e vogla?” sesa ato të tipit “A rrimë pak bashkë në shtrat?”. Besoj se një renditje e tyre sipas fushës është kohore dhe lokale, pra sipas vendit. Keyes në librin e vet tregon se fjala ‘penis’ psh., në Romën e lashtë, hyri fillimisht si eufemizëm, pra ‘bishti i mashkullit’, dhe pastaj u normalizua si fjalë themelore e jofigurative. Edhe këtu besoj se Shqipëria është ende në fazën kur ‘vaginë’ nuk shërben dot akoma si eufemizëm për fjalën ‘pidh’, sepse marrëdhënia e shqipes dhe shqiptarëve me seksin është ende shumë më e mbyllur se tjetërkund, dhe shumë më e mashkullorizuar se tjetërkund. Mjafton të kujtosh se për vaginën anglishtja ka mbi 100 fjalë, profane, fyese, neutrale apo eufemistike, fakt ky në vetvete që dëshmon jo edhe aq kufizim dhe droje. Nga ana tjetër, siç thashë më lart, në të vetmin fjalor shqip online (LingvoSoft 2008) ku këto fjalë ishin përfshirë, dalin me shënimin (anat.) pra si terma anatomikë. Kështu, jemi larg natyralizimit të tyre si eufemizma të zakonshëm në shqip. Por kjo nuk do të thotë që gjërat s’duhet e s’mund të ndryshojnë. Ndoshta një strategji psikanalitike shekspiriane ndaj kësaj kategorie do ishte funksionale drejt çlirimit seksual dhe mos-shenjimit gjinor: pra nga njëra anë verbalizimi në tekstet e shkruara i kruditeteve ekstreme seksuale, nga ana tjetër e parallel me të, edhe krijimi i eufemizmave të reja ndërtuar mbi figura baroke të ligjërimit. Në rastin e Shekspirit do kishim eufemizmin “A bëjmë bishën me dy shpina?”, në vend të “A bëjmë dashuri?”, që edhe vetë, nuk është veçse një shprehje eufemistike.

Për fat të keq, neve na duhet një revolucion shumë më i fuqishëm e më i thellë sesa ai i egjiptianëve këtyre ditëve: na duhet revolucioni brenda nesh. Fjalët që shpesh i shohim si forma të pafajshme e të dobëta sendesh e marrëdhëniesh njerëzore, janë tamam foleja dhe motorri i kuzhinës sonë kulturore dhe botës që shohim e ndërtojmë. Mund të nisim ta shembim kalanë e primitivitetit nga shumë pika njëkohësisht, por fjalët pa dyshim që nuk mund të injorohen. Kjo ka nevojë për çdo individ si dhe gjithë shoqërinë. Nga ana tjetër pa rolin edukues të shkollës në normalizimin e termave, kuptimeve e përdorimeve të këtyre fjalëve në brezat që rriten, asnjë ndryshim nuk ka shanse jete. E mbi të gjitha duhet njohur problemi. Dhe unë besoj se ne ende nuk e njohim, dhe i rezistojmë ende fort pranimit të tij.

*respublica.al

Nje Pergjigje per Heshtnim e ndrydhje vaginale

  1. MEMEDHETARI  --  16 Shkurt, 2011 në 9:21 am

    Pergezime autores se shkrimit te mesiperm…