Mashtrimet me bonot dhe perandoria e bankave | Gazeta Tema
 

Mashtrimet me bonot dhe perandoria e bankave

Postuar në: Dossier,Kryesore |

Javën e kaluar, sajti italian Etleboro, i specializuar për investigime në fushën ekonomike, botoi konkluzionet e një hetimi të ndërmarrë në lidhje me mashtrimet në botën financiare, të lidhura me kolateralet, obligacionet, titujt apo bonot e thesarit të cilat sot e kësaj dite nuk dihet nëse janë të vërtetë apo falsë. Miliarda dollarë qarkullojnë në këtë mënyrë nëpër banka dhe tregje financiare, duke vënë në rrezik stabilitetin e gjithë sistemit ekonomik botëror. Lidhje me krimin e organizuar, mbështetje për trafiqe dhe pastrim parash, ja çfarë ndodh prapa fasadave të institucioneve financiare, të cilave ne u besojmë kursimet tona. Si funksionojnë titujt apo obligacionet false si garanci bankare për operacione financiare kriminale, të cilat përdorin si mbulesë projekte humanitare. Rrjetet kriminale financiare angazhojnë mijëra persona, të cilët në të vërtetë punojnë me qëllim që pak njerëz të përfitojnë shuma marramendëse, në dëm të ekonomisë botërore, të mijëra bizneseve të vogla dhe miliona depozituesve. Gazeta “INVESTIGIM” po boton të plotë artikullin e publikuar nga Etleboro, në të cilin gjen veten e vet edhe Shqipëria.

Në vitin 1934, deri në vitin 1940, Qeveria e Shteteve të Bashkuara hodhi në treg miliarda dollarë obligacione që disa vite më vonë u deklaruan false, jo të konvertueshme. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, këto tituj u stampuan nga CIA dhe u përdorën për të financuar rezistencën antikomuniste në Kinë gjatë viteve ’30 dhe më pas humbën. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e tyre u hodhën në qarkullim dhe për çudi të ashtuquajturat “kolaterale” edhe sot e kësaj dite qarkullojnë në kasafortat bankare dhe në bursat financiare. Po përse këto tituj financiarë, të deklaruara si jo të ligjshëm nga burime zyrtare, vazhdojnë të qarkullojnë? Cili është funksioni i tyre?

Për t’iu përgjigjur një pyetjeje të tillë duhet vënë në dukje në radhë të parë se në sektorin financiar gjithçka që mund të duket e vërtetë mund të shërbejë si mjet për të arritur qëllime të ndryshme. Një kolateral, e thënë ndryshe një titull që përfaqëson një pjesë të borxhit publik dhe që ka zëvendësuar arin si depozitë garancie, në qoftë se është deklaruar i pavlefshëm nga enti që e ka lëshuar, mund të përdoret nga brokerët për të grumbulluar kapital nga depozituesit, të cilët shpresojnë të kenë fitime të larta. Operatorët financiarë i përdorin këto tituj si bazë për kontrata me fitim të lartë ndërmjet dy shoqërive fiktive ose me kapital minimal me seli në vendet off-shore. Pagesa e interesave të këtyre kontratave garantohet nga një urdhër pagese i cili në fund nuk rezulton të jetë veçse një copë letër bakalli, e cila megjithatë kalon nëpërmjet kanaleve bankarë. Në këtë mënyrë këto shoqëri fiktive arrijnë të grumbullojnë fonde kapitale nga persona apo biznese të ndryshme, të cilat shikojnë në këto lloj investimesh mundësinë e fitimeve të mëdha, edhe pse me risk të lartë. Në këtë mënyrë brokerët apo operatorët financiarë arrijnë të vjedhin përditë kursimet e qindra personave apo bizneseve të vogla.

Në qoftë se bonot e thesarit janë të vërteta apo askush nuk është në gjendje të vërtetojë se janë false, mbeten megjithatë obligacione që vështirë se mund t’i pranojë dikush. Në këtë rast ndiqet një strategji tjetër. Brokerat tashmë konsiderohen “kartë e djegur” dhe në vend të tyre hyjnë shoqëri financiare, drejpërdrejt të kontrolluara nga bankat.

Bonot e thesarit apo kolateralet përdoren shpesh për të realizuar operacione të pastrimit të parave, për të rritur kapitalin brenda shoqërive ose për të mbuluar në bilanc humbjet e mëdha të shoqërive. Mënyrat për të rritur kapitalin e një shoqërie janë të thjeshta, por rezultati ekonomik është vërtet shkatërrues. Përmes një noteri vendosen në llogarinë e kapitalit kolateralet e siguruara nga brokerat, me rezultatin e menjëhershëm që shoqëria shumëfishon kapitalin pa bërë asnjë lloj derdhjeje reale të parave. Duke paguar shpenzimet për blerjen e këtyre bonove si dhe shpenzimet e noterit në Zvicër, shoqëria më pas aprovon bilancin, i cili më par rezultonte në prag falimentimi, ose mund të arrijë të sigurojë financime nga bankat. Rritja e kapitalit ndërkohë rezulton e dobishme edhe për të rritur kredibilitetin tregtar të kompanisë ose për të lidhur marrëveshje me grupime kriminale që përfitojnë nga rritja fiktive e këtij kapitali për të realizuar operacione të pastrimit të parave.

Në raste të tjera, kolaterali është përdorur me qëllim që të futen para ilegale në qarkullim bankar dhe për të konvertuar kështu paratë që vijnë nga një burim i paligjshëm në monedha të pastra, nëpërmjet akreditimit në një llogari rrjedhëse bankare. Operacionet e pastrimit të parave presupozojnë në radhë të parë shfrytëzimin e projekteve humanitare nga shoqëri financiare, si p.sh. ndërtimi i spitaleve, qendrave të banimit, ujësjellësve dhe infrastrukturës në vendev të pazhvilluara, duke qenë këto investime shumë të akredituara nga institucionet që, në pjesën më të madhe të rasteve, nuk realizohen kurrë. Organet mbikëqyrëse duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe fondacioneve të lidhura drejpërdrejt apo tërthorazi me Vatikanin dhe organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme, me qëllim që të sigurohen se organizmat jofitimprurës të ndërthuren në këto mekanizma, duke u vënë në dispozicion projekte që kanë qëllim tjetër nga ai kriminal. Pikërisht zbatimi i këtyre projekteve shpeshherë u besohet brokerave, që marrin kontakt me fondacione të ndryshme dhe arrijnë të sigurojnë lejet për financim, me premtimin se do të kujdesen edhe për realizimin e projekteve. Këto projekte më pas administrohen nga shoqëri të ngritura në pjesën më të madhe nga zyra ligjore ose noteriale me qendër në Zvicër dhe që kanë kontakte të drejtpërdrejta me bankat. Tranfertat e parave realizohen nëpërmjet kolateraleve të siguruara nga brokerat dhe të depozituara pranë këtyre shoqërive që menaxhojnë operacionin, në praninë e përfaqësuesve të pronarëve të ligjshëm, edhe këto shoqëri. Në këtë pikë hyjnë në lojë dy banka biznesi: e para fut në llogari titujt e kolateralit, duke i shndërruar në aset bankar, ndërsa e dyta pret financimin e projektit humanitar kundrejt garancisë së titujve të lëshuar nga banka e parë. Në këtë mënyrë të dyja bankat koordinojnë veprimet në mënyrë që të krijojnë një fond brenda bilancit të tyre për të lejuar tranzitimin e fondeve që janë për t’u pastruar, duke simuluar një financim të kundërgarantuar nga kolaterali.

Shoqëria e përfshirë në këtë operacion merr më pas fondet në kartëmonedha për t’i kaluar në llogarinë e vet për llogari të pronarit të vërtetë të parave të paligjshme. Pasi përfundon procedura e kontrollit të brendshëm nga vetë bankat e përfshira në këtë operacion, kolateralet zhduken, projektet humanitare shkatërrohen dhe rrethi mbyllet: fondet e jashtëligjshme kalojnë në kanale zyrtare bankare si para të pastra dhe të gatshme për të riqarkulluar në treg.

Në bazë të kësaj piramide qëndrojnë kështu titujt financiarë falsë. Institucionet që kanë lëshuar këto tituj nuk do të deklarojnë kurrë nëse janë autentikë apo jo, pasi shumë banka kanë ndërtuar me këto tituj një biznes të vërtetë. Për këtë arsye kemi kontaktuar Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara dhe Rezervën Federale, pa mundur të kemi asnjë përgjigje apo informacione të mëtejshme për kolateralët e ndryshëm nga ato të deklaruar si falsë.

Por duke qenë se ato nuk janë veçse ‘letra bakalli”, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën, së shpejti tregjet financiare do të përballen me një tërmet të vërtetë, që do të bëjnë të bjerë gjithë sistemi me një efekt domino shkatërrues. Në atë periudhë vërtet CIA shtypi tituj obligacionesh me vlerë biliona dollarë për t’u transferuar në tregun kinez, me qëllim që të provokonte rënien e komunizmit. Por sot në të njëjtën mënyrë këto tituj po përdoren nga shoqëri shumëkombëshe dhe nga vetë bankat për të shkatërruar konkurrentët në treg dhe për të marrë kontrollin e tyre, duke krijuar një sistem borxhesh që ka si garanci obligacionet false. Mashtruesit dhe të mashtruarit janë rrjedhojë e një sistemi që është në ditët e fundit pasi, për të sjellë përfitim për pak njerëz, kanë dëmtuar popullsinë dhe sistemin ekonomik. Manipulimi i një sasie kaq të madhe parash provokon krizën e likuiditetit në treg dhe prej këtej inflacionin dhe krizën e kredive. Përdoren shoqëri të krijuara nga hiçi, që kanë si qëllim të vetëm të fshehin kapitalet dhe pastaj të arratisen nga “baza operative” për të spekuluar në rrjetin tregtar e financiar.

Kujtoni skandalin e famshëm të piramidave financiare në Shqipëri në vitet ’90. Në atë kohë, në pak muaj u zhdukën miliarda lireta, pa lënë pas vetës asnjë gjurmë, ndërsa media italiane ruajti heshtje të plotë, duke folur vetëm për problemet e emigracionit klandestin dhe kriminalitetit shqiptar. Në vend që të fliste për këto gjëra, media duhet të shpjegonte se Shqipëria ishte viktimë e një operacioni të madh të pastrimit të parave, që uli në gjunjë një shtet të tërë. Kjo sepse manovrat e sistemit financiar që synojnë shpërbërjen në këtë mënyrë të kapitalit në një sistem të caktuar ekonomik kanë më pas impakt të menjëhershëm mbi bizneset dhe mbi individët, të cilët brenda një kohe të shkurtër mund të humbasin shtëpitë dhe gjithë çfarë iu përket.

Ata që merren me këtë punë e dinë shumë mirë se si funksionojnë mekanizma të tillë, por askush nuk mund ta pranojë se kolateralet prej miliarda dollarësh janë absolutisht falsë, sepse rrezikojnë të shkaktojnë rënien e gjithë sistemit që mban mbi ujë shoqëritë e mëdha dhe bankat vetë. Rrjeti i gjerë i brokerave që bashkëveprojnë me këtë sistem të errët financiar, vazhdon të mbledhë kapitale duke mashtruar depozituesit e thjeshtë, pa kuptuar se po përdoren nga bankat e mëdha që lulëzojnë mbi shkatërrimin e njerëzve dhe që fshihen vazhdimisht pas një “No comment”. Ky qëndrim nuk mund të jetë i ndryshëm, sepse nëse do të përballeshin me një debat për këtë çështje, njerëzit do të kuptonin shumë gjera dhe bankat do të dilnin të humbura. Rasti i Ubs-Podgorika Bank është shembulli më i qartë teksa Ubs, e pyetur mbi ekzistencën e procesverbaleve të hetimeve pranë gjykatave zvicerane mbi përfshirjen e saj në operacionet e pastrimit të parave, deklaroi se “nuk shprehet në lidhje me thashetheme apo spekulime”. Në qoftë se një bankë i lejon vetes të thotë se aktet e një gjykate janë spekulime, kjo do të thotë se janë gjithmonë bankat që i diktojnë kushtet edhe sistemit gjyqësor zviceran. Në të vërtetë në bazë të gjithë akuzave ka fakte të pamohueshme, janë operacionet e realizuara nga Podgorika Bank, banka më e madhe e Malit të Zi, gjatë periudhë së sanksioneve financiare. Janë raportet e mbajtura nga Banca Riggs, e hetuar dhe dënuar për pastrim parash në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, prokuroritë në shumë shtete akuzojnë prej vitesh ish-kryeministrin malazez Milo Djukanoviç për organizim mafioz me objekt kontrabandën e cigareve, duke i shkaktuar Komunitetit Europian një dëm ekonomik prej më shumë se 10.000.000 eurosh, megjithatë Ubs thotë se këto janë vetëm thashetheme.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pa zhvilluar hetimet e nevojshme mbi qarkullimin e titujve e kolateraleve falsë, do të ketë gjithnjë e më pak stabilitet në botë për shkak të përkeqësimit të ekonomive brenda shteteve. Deri atëherë, do të vazhdojmë të shohim krizat, sikurse ajo që shkaktoi rënien e një shoqërie të madhe si Parmalat, pikërisht sepse hetimet e institucioneve shtetërore e ndërkombëtare janë sipërfaqësore. Një qytetar i zakonshëm shkon në bankë për të tërhequr apo derdhur 3 mijë euro kesh dhe është i detyruar të japë shpjegime të sakta për këtë transaksion, duke firmosur qindra dokumente. Përkundrazi, në qoftë se derdhen 100 milionë euro, nuk ka asnjë problem, të njëjtët nëpunës të bankave të vënë në dispozicion struktura dhe profesionistë për të zgjidhur çfarëdolloj problemi, duke të garantuar sekretin dhe anonimatin.

Ajo që Xhovani Falkone kishte nuhatur dhe po hetonte, u sabotua dhe u varros. Ai vetë u poshtërua, u sulmua dhe në fund u vra sepse pati kurajën të sulmonte sistemin e errët të parave. Në qoftë se njerëz si Falkone e Borselino do të ishin vërtet të mbrojtur, do të arrinin të zbulonin të vërtetën, pra lidhjen ndërmjet pushtetit financiar dhe krimit të organizuar. Për këtë arsye kërkojmë që prokurorët të hetojnë në thellësi operacionet dhe mashtrimet financiare, apo ndryshe titujt dhen kolateralët mbi të cilët Bankat Qëndrore nuk shprehen dhe nuk deklarojnë nëse janë të vërtetë apo jo, edhe pse janë në pronësi të enteve që kontrollohen nga aksionistë privatë. Kështu do të zbulohet se si masonët në tërë këto vite kanë mashtruar mijëra ndërmarrje, duke nxjerrë shoqëri të falimentuara si përfaqësuese vetëm për emër të trafiqeve të tyre klandestine. Fajtorë megjithatë mbetemi edhe ne vetë, përderisa jemi pjesë e një sistemi mediatik që mbulon aferat e financës së lartë dhe një sistem gjyqësor të korruptuar.

Mst: FBI, hetim për një ministër shqiptar

Një sasi letrash false me vlerë prej 20 miliardë dollarësh u sekuestruan në datën 25 janar të këtij viti në një stacion shërbimi në autostradën A 14 në Itali. Agjencitë e huaja të lajmeve njoftuan se 6 persona, ndërmjet të cilëve një biznesmen, u ndaluan pranë Pedasos, në provincën e Fermos gjatë një aksioni të karabinierëve të Bërthamës Investigative të Romës. Gjashtë personat udhëtonin në tre autovetura dhe u ndaluan gjatë një kontrolli rutinë në një postbllok nga ushtarakët, të cilët ishin të veshur civilë gjatë operacionit. Ata mbërritën në autogril me tre autovetura të cilindratave të mëdha dhe po mundoheshin të siguroheshin se takimi i tyre nuk po monitorohej nga shërbimet e specializuara. Atyre iu gjetën 40 letra me vlerë, nga 500 milionë dollarë secila, të cilat rezultuan të ishin tituj shtetërorë të emetuar nga Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sajti italian Etleboro saktësoi se, sipas deklarimeve paraprake të njërit prej të ndaluarve, këto letra i kishin marrë në dorëzim nga një ministër shqiptar, i cili nga ana e tij i kishte marrë nga një ndërmjetës, qytetar kinez. Menjëherë në ndihmë të hetuesve italianë kanë mbërritur agjentë të FBI-së amerikane. Sipas hetuesve, bëhet fjalë për falsifikim perfekt të 40 obligacioneve të emetuara në vitin 1930 nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që kishin si destinacion banka në provincat e Markes dhe Abrucos. Ndërsa agjenci të tjera lajmesh njoftuan se këto tituj ishin autentikë, por të skaduar. Një mister i cili ende nuk është qartësuar, pasi Rezerva Federale, enti të cilit i atribuohet emetimi i këtyre bonove të thesarit, nuk është shprehur në lidhje me autenticitetin, ndonëse shifra prej 20 miliardë dollarësh është tepër e lartë. Lajmi i detajuar u publikua në sajtin e Etleboro, një OJF e cila prej vitesh po merret me hetime në sektorin bankar e financiar. Sipas drejtorit të Etleboro, Mikele Altamura, dyshimet në të tilla raste janë për një skemë të pastrimit të parave nga trafiqe ndërkombëtare, të cilat përfshijnë edhe banka që marrin pjesë në operacione financiare duke mbajtur një përqindje të konsiderueshme të parave të pista. Altamura shton se në raste të caktuara, vendosja në banka e obligacioneve shtetërore në formë garancie, ka shërbyer jo vetëm për të pastruar paratë e krimit, por edhe për t’i paraprirë trafiqeve të mundshme. Sipas hetuesve italianë, personat e ndaluar janë lënë të lirë pasi janë marrë në pyetje në komisariatin e policisë lokale, ndërsa hetimet synojnë të zbardhin skemën e mashtrimit ose të pastrimit të parave si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë aferë gjigante.

Mst: Avokat Levi: Obligacionet e sekuestruara përdoren vetëm nga krimi

Sekuestrimi në Itali i një sasie të konsiderueshme kolateralesh të emetuara nga Rezerva Federale, për një vlerë prej 20 miliardë dollarësh, kanë rindezur alarmin për përhapjen e titujve “letër bakalli” në tregun bankar dhe financiar. Paketa prej 40 obligacionesh me datë emetimi 1930 me vlerë 500 milionë dollarë secila, sipas hetuesve, është rezultat i një teknike shumë të lartë falsifikimi. Pra janë të destinuara si garanci për operacione të riciklimit të parave të pista apo të transaksioneve të paligjshme, në bashkëpunim me institute krediti, si p.sh. bankat zvicerane. E mbështjellë me mister është prejardhja e tyre. Mbi bazën e disa informacioneve zyrtare të marra pranë autoriteteve italiane, titujt vijnë nga një ministër shqiptar, i cili i ka marrë nga një ndërmjetës nga Republika Popullore e Kinës. Ky detaj bën të dyshosh se vendet e Ballkanit, në mënyrë të veçantë Shqipëria, po shndërrohen në tregje shumë tërheqës për këto lloje transaksionesh, si në sajë të mungesës së kontrollit dhe mungesës së njohurive për këto lloj operacionesh financiare, ashtu edhe për shkak të përhapjes së trafiqeve të paligjshme të armëve, drogës dhe plehrave. Këto tipe titujsh karakterizohen nga fakti që kanë të stampuar shifra të larta (qindra milionë dollarë) që shpesh janë pothuajse të padallueshme duke llogaritur datën e emisionit (1930-1950) dhe që i lëshohen mbajtësit, aq sa vetë posedimi i tyre konsiderohet si posedim i pasurisë që shprehin. Trafikimi i këtyre titujve realizohet nëpërmjet centraleve të vërteta nëpërmjet tregut të zi, duke përdorur avokatë, brokers, persona tëb lidhur me masoneritë dhe organizma të krijuar në parajsa fiskale, të cilat lulëzojnë ndërmjet sistemit financiar dhe politik. Bëhet fjalë për mjedise në rritje në këto vende akoma në rrugën e zhvillimit dhe në këtë aspekt mund të thuhet se Ballkani është një “fole grerëzash”. Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja apo ndryshe vende që kontrollohen totalisht nga grupet bankare, po shndërrohen në kryqëzime për shitblerje titujsh të këtij lloji. Brokers individualë, të lidhur me shoqëri tregtare e më pas me banka të rëndësishme, blejnë në tregjet e Zyrihut e Parisit sasi të ndryshme kolateralesh të negociueshme, secila e shoqëruar me ekspertizë dhe certifikatë. Më pas titujt qarkullojnë në tregun bankar e financiar dhe transaksionet e para janë të domosdoshme për të konfirmuar autenticitetin dhe besueshmërinë e tyre, me qëllim që të krijohet besueshmëria edhe te blerësit e ardhshëm. Titujt qarkullojnë derisa nuk bien në duar të biznesmenëve apo organizatave kriminale, që i përdorin si garanci për operacione të riciklimit të parave apo trafikut të armëve, drogës dhe plehrave. Praktikisht bankat vendosin të pranojnë sasi të konsiderueshme parash kesh (p.sh. 800 mijë dollarë) të garantuara nga kolaterali (për 1 milion dollarë) dhe që shkojnë në depozita. Në të njëjtën mënyrë, titujt mund të dorëzohen në kufi në shkëmbim të materialeve të trafikueshme ilegalisht, si vlerë që i jepet mbajtësit si garanci për transferimin e parave. Në një moment të mëvonshëm, titujt përdoren si garanci për rritjen e kapitalit apo rikapitalizacionit, që në pjesën më të madhe duhet të mbulojnë humbje apo të manipulojnë bilancet për të garantuar rritjen e kuotave të aksioneve në bursë. Në rast kontrolli, bankat mund të kalojnë në zhvlerësimin e rezervave, duke denoncuar brokersat për mashtrim. Ka patur një sërë rastesh me dënime të tilla të individëve të ndryshëm gjatë periudhave të krizave financiare globale, por edhe falimentime në masë që kanë çuar në zhdukjen e grupeve të mëdha bankare. Kështu, këto transaksione organizohen për dobinë reciproke të bankave dhe grupimeve kriminale dhe shpesh edhe të qeverive që pranojnë si të vlefshëm tituj sikundër ata të sekuestruar në Itali dhe që paguajnë për një pjesë të vlerës së tyre. Autoritetet shtetërore që sekuestrojnë këto tituj, në mënyrë të njëanshme mund edhe t’i njohin ata si të vlefshëm dhe të paguajnë për një pjesë të vlerës së tyre. Jo rastësisht, trafiku i titujve intensifikohet në periudhat e krive financiare, që shtyn shtetet të përdorin kolateralet për emisionin e monedhave përmes financimit të veprave publike dhe projekteve të organizatave joqeveritare. Në rast se autoritetet nuk provojnë se titujt janë të destinuara për aktivitete të paligjshme, ato duhen rikthyer pasi ligji dënon mbajtjen e obligacioneve të huaja false. Dhe kështu titujt dalin nga sekuestrimi dhe rihidhen në tregun e zi, për të vazhduar të përdoren në operacione të paligjshme.

***

Për të qartësuar praktika të tilla financiare, kemi intervistuar avokatin Xhonatan H. Levi (Jonathathan H. Levy), profesor i Shkencave Politike, që së fundmi po ndjek procesin për rekuperimin e fondit për Kuomintang-un në lidhje me Bondet e Arta Kineze. Ai është ekspert në fushën e obligacioneve shtetërore dhe operacioneve të pastrimit të parave. Avokati Levi ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve tona, duke sjellë edhe shembuj nga praktika

Së fundmi është sekuestruar në Itali një sasi titujsh kolaterali të Rezervës Federale, për një total prej 20 miliardë dollarësh. Ju besoni se këto tituj janë autentikë?

Jam 100% i bindur se nuk bëhet fjalë për instrumenta financiarë autentikë, të lëshuar nga qeveria amerikane. Rezerva Federale mohon që këto tipe bonosh të jenë lëshuar prej saj. Është i njohur fakti se këto tituj qarkullojnë në tregun e zi, por emetimi i tyre është i mbështjellë me mister. Është e mundshme që origjina e tyre të jetë nga Kina dhe duke llogaritur pamjen, mund të jenë përpara vitit 1950. Disa prej tyre janë thjesht kopje false të obligacioneve të lëshuara përpara vitit 1950, pra falsifikim i bondeve të falsifikuara.

Cila është diferenca ndërmjet titujve kinezë dhe atyre amerikanë?

Në qarkullim mund të gjesh bonde të artë kinezë (tituj të mbuluar me monedhë) të lëshuar përpara vitit 1950, por të dalë jashtë përdorimit që nga viti 1939. Kanë si kundërvlerë hipotetike sasinë e arit nqë i korrespondon dhe një vlerë efektive të skontuar. Shkëmbimi i obligacioneve kineze kanë një përqindje të lartë kontoje në Bursën e Vlerave në Paris. Përkundrazi, të ashtuquajturit “Fed Bonds” nuk kanë një treg referimi të ligjshëm, sepse është i panjohur enti që i ka lëshuar dhe prejardhja e tyre. Të dyja (kineze dhe amerikane) përdoren megjithatë si kolateralë, si elementë shkëmbimi për transaksione të ndryshme.

Për cilat lloje transaksionesh flisni?

Bondet me një vlerë të lartë nominale apo me një kundërvlerë në flori përdoren si kolaterale apo si koperturë për operacione të pastrimit të parave. Përdorimi i kolateralit si garanci mund të jetë i diskutueshëm në rastin e obligacioneve të lëshuara nga qeveria kineze, por përdorimi i “Fed Bonds” është padyshim për qëllime kriminale. Me fjalë të tjera, posedimi i “Fed Bonds” nuk është i jashtëligjshëm, por përdorimi i tyre po. Obligacionet kineze, në dallim prej tyre, mund të përdoren edhe për mashtrime financiare, por përdorimi dhe tregtimi i tyre nuk është i paligjshëm.

Çfarë lloj organizatash i përdorin këto tituj?

Obligacionet false gjenden gjithandej, në tregun e pasurive të patundshme, në tregjet financiare e bankare apo si garanci pasurore të bilanceve. Por mund të gjenden edhe në duar të organizatave mafioze, të bankave të korruptuara dhe të shoqërive që kanë si qëllim transaksione ilegale, duke përdorur titujt si garanci.

Për mendimin tuaj, pas sekuestrimit, këto tituj përdoren sërish dhe rilidhen në treg?

Titujt e sekuestruar në Itali nuk mund të jenë të destinuar për përdorim të ligjshëm, megjithatë posedimi i tyre nuk është i paligjshëm. Megjithatë nuk mund të kalohet kufiri me tituj që nuk kanë një vlerë reale dhe të njohur nga institucionet financiare. Në rast se autoritetet nuk provojnë se këto obligacione janë të destinuara për aktivitete kriminale, ato duhen kthyer.

gazeta-lajmi.com

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

Nje Pergjigje per Mashtrimet me bonot dhe perandoria e bankave

  1. ben  --  16 Shkurt, 2011 në 5:34 pm

    Bankat ne te gjithe boten kane nje te perbashket, jane hajdute te licensuar.I gjithe sistemi bankar,te gjithe ligjet,rregullat qe nxjerrin,jane gjithmone mbytese per klientin(jo per korporatat e tyre) .Bankat pa parate e popullit nuk do te ekzistonin.E gjithe piramida financiare qe kane krijuar cifutet,eshte nje kontroll mbi njerzit nga ana financiare,vjedhje me shkolle(jo si sudja apo vefa-ne menyre me rafinato,si kredi,perqindje etj-perfundimi njesoj).Para disa muajsh ish-futbollisti francez Cantona beri ne France nje fushate sensibilizuese,kundra bankave,qe te gjithe francezet te terhiqnin parate nga llogarite e tyre.E gjithe qeveria franceze doli kunder, edhe BE, duke argumentuar se prishet sistemi qe e kane ndertuar vete.