Nje studim interesant per Elektrën

Postuar në: Dossier |

Prof. Zija Vukaj*

HYRJE

Pse e zgjodha këtë vepër?

Përzgjedhja e një vepre për t’u parë me një vështrim shqyrtues përbën që në fillim një varg sfidash. E para lidhet me universin e librit si pasqyrim i universit të kulturës njerëzore që shtrihet gati pafundësisht në hapësirë dhe në kohë. Së dyti, moria e llojeve, zhanreve, epokave, drejtimeve, rrymave etj., krijon parapëlqime të shumta dhe dilema e hezitime të mëdha, aq sa ngjan gati e pamundur që vëmendja të përqëndrohet që në fillim mbi një vepër të vetme. Por edhe në morinë e librave të lexuar, ka disa që rrezatojnë në kujtesën dhe shpirtin e njeriut me një shkëlqim të papërsëritshëm. Kjo lidhet me shumë faktorë, që mund të jenë personalë apo të përgjithshëm, të ndërgjegjshëm apo të pavetëdijshëm. Një vepër, që zgjidhet për t’u veçuar mes të tjerave, mund të ketë hyrë plotësisht në rezonancë me shpirtin dhe mund të ketë ngacmuar më shumë se të tjerat intelektin. Fakti që zgjodha “Elektrën” e Sofokliut ka të bëjë para së gjithash me parapëlqimin personal ndaj kulturës klasike greke, ndaj teatrit antik e sidomos ndaj Sofokliut, dramaturgut të heronjve të mëdhenj vetmitarë. Secila nga shtatë tragjeditë e kolanës shkëlqimtare që trashëgojmë nga ky autor ka rrezatimet e veta, të ndryshme prej të tjerave. Ato flasin për shpirtra heronjsh që janë kthyer në arketipe letrare, filozofike, sociologjike, etj., për të komunikuar me shpirtrat e lexuesve e të krijuesve të të gjitha kohëve dhe qytetërimeve. Vëmendja ime e veçantë për “Elektrën” shpjegohet me faktin se kjo tragjedi e trishtueshme dhe monokorde është një histori çlirimi, por edhe një dramë mundimesh. Kjo vepër i ka folur njeriut në përgjithësi e femrës në veçanti, herë me gjuhën e thjeshtë e të drejtpërdrejtë të fabulës së mitit, herë me gjuhën e ndërlikuar simbolike me nëntekste të thella filozofike e psiko- analitike, siç është rasti i veshjes sintagmatike të nocionit “kompleksi i Elektrës”.

Duke qenë një nga figurat më mbresëlënëse të ciklit mitologjik të atridëve, kjo figurë është trajtuar edhe nga Eskili dhe Euripidi në këndvështrime të pjesshme apo të plota, por në optikën e artit të Sofokliut del në përmasa të tjera, duke u bërë mishërim i rezistencës së një shpirti që nuk bën asnjë kompromis me atë që quhet krim dhe padrejtësi, cilido që të jetë shkaktari. Veç kësaj, struktura dramatike e veprës është në harmoni të përsosur me thellësinë e ndjenjës dhe intensitetin e veprimit.Kjo përmendore dashurie vëlla-motër e merr gjithë shkëlqimin nga vetë Elektra.

Jeta  dhe vepra e Sofokliut

(Bibliografi dhe biografi)

Burimi më i rëndësishëm është një biografi e periudhës së vonshme helenike që sjell njoftime autoriale si të Aristosenit, nxënës i Aristotelit, biografi aleksandrin Satiro Istri, nxënës i Kalimahut, Aristofani i Bizancit etj. Një zë monografik gjendet te Suda dhe të dhëna të çmuara kronologjike jep Marmor Parium. I shtohen informacione të përhapura nga autorë të tjerë, mes të cilëve Aristoteli, anekdota me besueshmëri të dyshimtë dhe ndonjë mbishkrim.

Jeta e Sofokliut mbulon pothuajse të gjithë shekullin V para Krishtit (496- 406), që i përket periudhës klasike të qytetërimit grek dhe ndërthuret me ngjarjet kryesore të demokracisë së Perikliut. Kronologjikisht është poeti i dytë i madh i Greqisë pas Eskilit. U lind në një familje të pasur nga Koloni, ku mori një kulturë të madhe në poezi muzikë e gjimnastikë. Sofokliu bëri paraqitjen e parë dhe triumfuese teatrale përpara Eskilit, që ishte kryemjeshtri i poezisë tragjike të asaj kohe, me një tetralogji që përmbante tragjedinë “Triptolemi”, në vitin 468, kohë kur Athina, pas fitores së luftrave medike, vinte bazat e hegjemonisë së helenizmit. Është shekulli i artë i Perikliut. E kësaj kohe është “Antigona” që përkon me themelimin e Parthenonit në Akropol. Por pas dhjetë vjetësh, 431, shpërtheu lufta e Peloponezit që e gjunjëzoi plotësisht Athinën në vitin 404. Gjatë kësaj pëplasjeje civile prej dekadash u krijua një klimë mediokriteti kulturor që përfaqësohej nga figura minore dhe ideja e patriotizmit dobësohej dita-ditës. Në këtë klimë dy poetët e mëdhenj tragjikë të gjallë, Sofokliu  dhe Euripidi më i ri, vazhduan t’i luanin veprat e veta përpara bashkatdhetarëve. Sofokliu vlerëson si mision të vetin të ruajë të gjallë imazhin e “njerëzve të vjetër”, duke pritur edhe disa vite të reflektonte “harmoninë e kulmit me majën”. Aristoteli shkruan më vonë në “Poetikën” e vet: “Sofokliu i paraqiste njerëzit si duhet të jenë, kurse Euripidi siç janë” (1460b 35)

Sofokliu pati një jetë të gjatë e të qëndrueshme plot lumturi dhe harmoni. I kulturuar, i pashëm, dashamirës e mbi të gjitha adhurues i Athinës, nuk iu largua kurrë atdheut të vet, veç kur ishte nevoja t’i shërbente atij, duke mos pranuar as ftesat e mbretërve të huaj. Është i njohur ndër bashkëkohësit e tij për aforizmat plot humor dhe përqeshjet e mprehta. Megjithëse nuk pati prirje të veçanta për politikë, ai mori shpesh detyra të larta. Në vitet 443- 442 ishte administratori i Greqisë. U zgjodh dy herë strateg, herën e parë së bashku me Perikliun, në vitin e shfaqjes së “Antigonës”. Sipas disa hipotezash, zgjedhja e tij ishte rezultat i suksesit të veprës. Më vonë, në një moshë shumë të thyer, rreth viteve 413- 412, iu dha një post i lartë, për shkak të shkëlqimit të madh të personalitetit të tij, në trupën e Dhjetë Pleqëve. Ushtroi edhe funksione fetare dhe ishte në krye të punës për hyjnizimin e Asklepit në Athinë si perëndi e shërimit (420). Filostrati i dytë bën fjalë për një peanë të shkruar nga Sofokliu për atë perëndi. Mendohet të jetë pranuar edhe në misteret e Eleusit, mbështetur në logjikën e zgjedhjes së temës së tragjedisë “Neoptolemi”.

Si poet tragjik, Sofokliu qe personifikimi i suksesit, sepse, ndryshe nga Euripidi, bëri për vete shpejt dhe lehtësisht publikun, duke siguruar fuqishëm dashamirësinë e tij. Fitues mbi Eskilin e madh që në konkurimin e parë, Sofokliu shijoi gëzimin e çmimit të parë rreth njëzet herë dhe nuk ra kurrë nën vendin e dytë. Në vitin 409, në moshën 87 vjeç zuri edhe një herë vendin e parë me “Filoktetin”, dëshmi e transparencës shpirtërore dhe e freskisë së talentit poetik.

Kur vdiq Sofokliu (405), gjenerali spartan Lisandri, që në atë kohë mbante të rrethuar Athinën, duke pasur nën komandën e vet gjithë Atikën, lejoi kortezhin mortor të përcillte kufomën e poetit në banesën e fundit të dalë nga Athina, për t’u bërë i mundur salikimi në varrin familjar në Deqelie. Mbi varrin e tij athinasit ngritën një sirenë në kujtim të poemave të bukura dhe më vonë ndërtuan një kishëz duke e adhuruar atë si hero.

Nga vepra e pasur dhe e larmishme e Sofokliut ka shpëtuar vetëm një pjesë e vogël dhe ajo vetëm nga dramat e tij. Konkretisht nga njëqind e njëzet e tri tragjedi dhe drama satirike që njeh tradita aleksandrine, në duart tona mezi kanë mbërritur shtatë tragjedi që i përkasin të gjitha siç duket periudhës së pjekurisë dhe të pleqërisë së krijimtarisë poetike të Sofokliut  (“Ajaksi”, “Elektra”, “Edipi Mbret”, “Antigona”, “Trakinëset”, “Filokteti”, “Edipi në Kolon”), fragmente të gjata nga drama satirike ???????, kurse njohim titujt dhe disa fragmente shumë të varfra nga 110 drama të tjera të tij (ndër to mund të shënojmë një “Amfitrion”, një “Andromakë”, një “Danae”, një “Ermionë”, një “Herkul”, një ”These”, një “Ifigjeni”, një “Palamed” dhe një “Fedra”. Radhitjen e shtatë tragjedive të shpëtuara e trashëgojmë nga një botim shkollor i gramatikanit romak Juvenal. Nga shtatë tragjeditë e shpëtuara vetëm tri mund të datohen kronologjikisht me njëfarë saktësie: “Antigona” (442 /441), “Filokteti” 409 dhe “Edipi në Kolon”, që u shfaq pas vdekjes së poetit nga nipi i tij homonim (Sofokliu II) në vitin 401. Sipas  disa filologëve veprat renditen kështu: “Trakinëset”, “Ajaksi”,”Antigona”, “Edipi Mbret”, “Elektra”,”Filokteti”, “Edipi në Kolon”.

Struktura e veprës

Për të paraqitur strukturën e veprës është e nevojshme të përmendim disa nga novacionet e Sofokliut në krahasim me paraardhësin e tij të madh Eskilin, që çuan në përmirësimin dhe përsosjen e traditës duke udhëzuar kështu tragjedinë në pjekurinë e saj të plotë. Konkretisht u shtua numri i valltarëve nga dymbëdhjetë në pesëmbëdhjetë, ndërsa veprimi me të fitoi rëndësi më të madhe duke marrë formën e një ngjarjeje të vërtetë, siç e kuptojmë këtë normë sot. Element i rëndësishëm i strukturës dramatike të veprës këtu mbetet kori, si mbështetës i personazhit kryesor, me teknikën metrike të strofës dhe antistrofës dhe përdorimit të epodit në fillim dhe në dy pjesët qëndrore të dramës.

“Elektra” e mban me të drejtë këtë titull, sepse figura e Elektrës, që te “Koeforet” e Eskilit ikën nga veprimi pas skenës së rinjohjes dhe kommos, këtu dominon skenën nga paroda e deri në fund. Këtë e tregon edhe fakti që autori i ka kushtuar Elektrës 710 vargje, nga rreth 1260 që ka gjithë drama me tetë personazhet e saj.  Legjenda antike tregon se Elektra kishte shpëtuar Orestin foshnjë dhe kthimi i tij ishte borxhi ndaj ndihmës. Mbi këto indikacione Sofokliu ndërtoi figurën që mbetet krijimi i tij më origjinal. Në skenën e prologut që ka karakterin e një preludi para dramës së Elektrës, Oresti mbërrin me edukatorin e tij të vjetër në pallatin e atridëve në Mikenë dhe paraqet planin e hakmarrjes. Gjatë bisedës së tij vijnë nga shtëpia ankimet e Elektrës. Oresti ka shkuar te varri i të atit, kur ajo hyn në skenë dhe zbraz dhimbjen e saj, së pari në një këngë vetëm, pastaj në një këngë të alternuar me korin e grave mikenase. Klitemnestra, e tmerruar nga një ëndërr kërcënuese, ka dërguar te varri i Agamemnonit më të ëmblën e bijave, por Elektra e bind të motrën të lutet në libacione, jo për të ëmën por për të vëllain dhe fatin e shtëpisë. Pjesa qëndrore e tragjedisë është formuar prej dy skenash që paraqesin vendimin e marrë nga Elektra dhe rënien e saj në mjerimin më të thellë. Në skenën e gjerë të agonit Elektra i çjerr së ëmës maskën e hipokrizisë, duke mbrojtur drejtësinë. Mendimet e të dy grave përqëndrohen mbi Orestin. Të gjitha shpresat e Elektrës mbi ardhjen e tij fundosen, por Klitemnestra, në fund të kësaj skene i lutet fshehurazi Apollit që ta mbrojë nga hakmarrja. Mbërrin atëherë edukatori i vjetër i Orestit, i cili njofton se ai ka vdekur në një garë me karroca në Delf. Ky rrëfim që arrin artin e vërtetë mjeshtëror epik të tregimeve të lajmëtarëve euripidianë ka një vetvetishmëri të tillë që edhe ne, gati të gënjyer, provojmë ndjenjat e të dy grave. Klitemnestra merr frymë thellësisht e lehtësuar, ndërsa Elektra gremiset nga shpresa e fundit në ligështim që ngjan pa rrugëdalje. Por kjo motër autentike e Antigonës nuk heq dorë nga misioni i saj. Do ta kryejë me dorën e vet hakmarrjen dhe Krizotemi duhet ta ndihmojë. Në një bisedë që rimerr simetrikisht skenën e parë mes dy motrave dhe që me të mbyll në një rreth dy skenat e bllokut qëndror, Elektra i kërkon Krizotemit atë çfarë nuk mund të arrihet nga motra e dobët dhe e paqëndrueshme. Nëse në skenën e parë të Krizotemit dy motrat shfaqen aq të ndryshme, këtu ndahen me kontrastin më të pastër. Kështu Elektra është e vetme. Ia beh Oresti me kutinë e hirit. Nuk e njeh të motrën, ajo beson në mashtrimin, merr urnën dhe flet në një dialog prekës me atë ç’ka mbetur prej të vëllait. Tani Oresti e njeh njeriun që qan përballë tij dhe shfaq veten. Hareja e Elektrës që nuk njeh kufi, pason këtu ankesën që është shfaqur në skenën e parë . Një përgjigje shpaguese e fundit, më e gjerë lidh skenat më të largëta, të parën dhe finalen e kësaj drame të ndërtuar mjeshtërisht. Atje djali që kthehet nga larg në shtëpinë e vet për të vendosur drejtësi, këtu realizimi i hakmarrjes që i rikthen të drejtat e tij.

II.

Idetë kryesore dhe konceptet që formulon autori

“Elektra” është drama e urrejtjes, në të cilën nuk ka vend për vrarje ndërgjegjeje dhe pendime. Vëlla e motër kryejnë hakmarrjen pa asnjë skrupull me një ndjenjë të egër gëzimi dhe çlirimi. Duke mos qenë një dramë e Orestit, në dallim nga “Koeforet”,  kjo tragjedi e lë krejtësisht në plan të dytë mëmëvrasjen. Fakti që Sofokliu e paraqet këtë krim në mënyrë joproblematike, pranuar si një shenjë apo gjest, është bërë i pranueshëm nga portretizimi që ai i bën Klitemnestrës. Ajo është e keqe e pakushtëzuar, por pa madhështinë demoniake që i kishte atribuar Eskili. Te Sofokliu ajo mbetet jashtë qerthullit të mallkuar që shtrëngon fisin, është një e braktisur, e dëbuar, eleminimi i së cilës na duket i justifikuar. Këtu nuk duhet të kërkojmë qëndrimin apo sjelljen e birit ndaj nënës. Për këtë arsye Klitemnestra këtu bie përpara Egistit, me vrasjen e të cilit, në skenën finale, poeti jep spikamën më të madhe.

Urrejtja është ajo forcë që jo vetëm të gllabëron së brendshmi, por njëkohësisht të jep forcë të ecësh përpara drejt një qëllimi që është çlirimi. Këtë e vërteton fakti që drama mbyllet, sapo hakmarrja është kryer, si për të theksuar se, pas vrasjes së dyfishtë asgjë e rëndësishme s’mbetet për t’u thënë.

Sofokliu është më i avancuar në përceptimin e rëndësisë që ka vullneti njerëzor përballë urdhërimit hyjnor apo universal, i pakuptueshëm ky për njeriun, që manifestohet në shkatërrimin e individit. Tek “Elektra” nuk kemi më kontrastin e pakalueshëm mes planeve njerëzore dhe vullnetit hyjnor, pasi poeti nuk konfirmon më ekzistencën e urdhërimit universal.

Megjithatë, përmbi njerëzit dominojnë akoma të njëjtët zota, por që janë tërhequr formalisht nga sfondi i veprimit. Konkretisht, urdhri i hakmarrjes, i nisur nga Apolli tek Oresti, mbetet në periferi të veprimit që është i përqëndruar fort mbi Elektrën; mbi vuajtjet e saj, mbi shpresat dhe luftrat e saj kurajoze. Në dritën e re që ndriçon shpirtin e njeriut, në këtë dramë të Sofokliut edhe aspektet psikologjike shfaqen më pasurisht të zhvilluara . Kur Elektra i flet hirit të Orestit, ajo gjen tone të një delikatese dhe intimiteti ekstrem, që nuk hasen gjetiu në tragjeditë antike. E njëjta Elektër shpërthen në një urrejtje të egër kundër së ëmës.

Në këtë histori çlirimi dhe dramë mundimesh jepet edhe ideja e një vetmie ekstreme që paraqitet si një nga pjesët më të spikatura të tragjizmit. Mbase Elektra është personi më i vetmuar i familjes së atridëve dhe qëndresa në këto rrethana i jep profilit të saj përmasat e madhështisë.

Pjesa më mbresëlënëse më ngjan të jetë skena e rinjohjes vëlla-motër ose, më mirë, kur Elektra, pas shembjes së të gjitha shpresave, në kulmin e dëshpërimit dhe të vetmisë, rinjeh Orestin në figurën e kumtarit të vdekjes së tij.

Pas hyrjes së Orestit, Piladit dhe dy shërbëtorëve, njëri prej të cilëve mban boskën mortore të hirit, Oresti pyet gratë mikenase se ku banonte Egisti. Kori e siguron që ishte drejtuar saktë. Kur ai u lutet që të lajmërohej brenda ardhja e tij, kori bën me shenjë nga Elektra. Kemi më pas dialogun e ankthshëm të këtij “të huaji” me Elektrën.  Fillimi i dialogut shënon edhe kulmin e dëshpërimit të Elektrës, sepse tashmë kalohet nga lajmi te prova. Atë çfarë kishte dëgjuar nga kujdestari për vdekjen e vëllait, tani po e shihte me sy. Dhe ishte kutia mortore e hirit të trupit të Orestit. Ajo i lutet “lajmëtarit të huaj” t’ia jepte e të vajtonte mbi atë hi per vete dhe tërë fisin e atridëve.  Vajtimi i saj arrin kulminacione rrënqethëse të një shpirti të dëshpëruar, të rrënuar, të zhgënjyer e, mbi të gjitha, të vetmuar. Oresti, që në fillim kishte qenë mjaft i përmbajtur, në mbarim të vajtimit duket se nuk e ka më sigurinë e parë në komunikimin me të motrën. Kjo fillon që me replikën rënkuese: “Sa fatkeqësi të rëndë kam para syve!”. Elektra çuditet se si një i huaj ia kishte ngulur sytë dhe rënkonte për fatin e saj. Por Oresti në një stërmundim të vetpërmbajtjes, duke lundruar përmes një morie batutash ambigue, i pasigurt, rreket t’i shmanget shfaqjes së vetvetes. Mirëpo tensioni dramatik rritet, kur Elektra shpjegon më tej gjendjen e saj, marrëdhëniet me të ëmën dhe mungesën e mbrojtjes dhe të shpresës. Dhe kur askush nuk merrte pjesë në vuajtjet e saj, ky “i huaj”deklaron: “E i vetmi unë vij të marr pjesë në hallet e tua”. Kur Elektra e pyet se mos kishin lidhje gjaku ai kërkon të ketë sigurinë e grave mikenase që të fliste. Me t’u siguruar ai fillon gradualisht të vetshfaqet, deri sa arrin pika kulmore e kësaj skene:

Elektra- Ua! Ti je ai?

Oresti- Shiko këtë vulë të babës,/ të marrësh vesh nëse flas të vërtetën

Elektra- O ditë e bardhë e lume!

Oresti- E bardhë dhe e lume/ po e dëshmoj dhe unë.

Korifeu- E shohim bijë; kjo ngjarje e shenueme/ ban sytë e mi të rrjedhin lot gëzimi.

Kjo tablo prekëse, që shënon edhe kthesën e beftë dhe të papritur të fatit të familjes së atridëve dhe hap rrugën e shpagimit, është edhe një himn i rrallë i dashurisë vëlla-motër. Këtu merr fund edhe vetmia e Elektrës dhe gjithë figura e saj arrin shkëlqimin më të madh. Por edhe tragjizmi, i cili në këtë dramë nuk qëndron tek vrasja fizike, por te mundimet shpirtërore, hedh siparin e tij.

Nga shembujt konkretë që më kanë pëlqyer më shumë mund të përmendim:

Strofa III (Kori dhe Elektra. Pj.I)

Kori-Sa i vajtueshëm tingëllon zëri i kthimit,

Dhe më e vajtueshme britma ushtoi pranë shtratit,

Kur përmbi kokë të babës tand ra e kobshmja

Sëpatë e bronxtë dytehëshe

Tradhtia qe gjykatës

Dhe dashuria vrasës.

Në këtë pjesë që, është fillimi i dramës, ngjarjet zhvillohen në dy plane: jashtë është Oresti me kujdestarin dhe me Piladin. Brenda Elektra me korin e grave mikenase. Vargjet elegjiake të korit rievokojnë edhe një herë tmerrin që ka ndodhur në familjen e atridëve si për ta përgatitur spektatorin që të justifikojë hakmarrjen. Në mënyrë mjeshtërore poeti ka vënë në pah tradhtinë dhe vrasjen, të cilat mbretërojnë prore në atmosferën e frikshme të pallatit të atridëve. Në këtë tufë të bukur vargjesh spikasin me shkëlqimin e tyre dy vargjet e nënvizuara. Kontrasti antonimik i çiftit të emrave abstraktë  tradhti- dashuri rindërton nëpërmjet oksimorave metaforike situatën e një tmerri në kushtet më paradoksale dhe mbetet një shembull i rrallë në koncentrimin e mendimit dhe të dramaticitetit.

Një tjetër shembull, ku dëshmohet fuqia e vullnetit dhe gjithë këmbëngulja e forca shpirtërore e Elektrës është në dialogun e saj me të motrën, Krizotemin:

Krizotemi- Ç’kërkon nga unë që qenkam kaq e zonja?

Elektra- Të kryejsh me guxim një plan që do sajojmë

Dhe Elektra i shfaq së motrës planin e hakmarrjes, pra vrasjen e Egistit, duke kërkuar ndihmën e saj. Krizotemi jo vetëm që nuk i përgjigjet, por me natyrën e saj të nënshtruar e këshillon ta heqë nga mendja një gjë të tillë dhe të mbyllë gojën.

Krizotemi- Moj, a nuk e sheh se nuk je burrë, po grua/ dhe krahun ke shumë më  të dobët se armiqtë/  se çdo ditë fati u buzëqesh atyre/ dhe i mban me hatër…

…. Ndaj kujt ia mban të vrasë një burrë si Egistin?

Ruhu  fatzezë, se do na gjejë mënxyra.

Elektra- Ti s’the asgjë që nuk e prisja dhe  e dija mirë/ këshillën time poshtë ti do hidhje/ Por me dorën time e e vetme unë këtë vepër/ do ta çoj n’fund, se nuk do rri pa e krye.

Ajo është e palëkundur në vendimin e saj dhe në këtë dialog të gjatë përvijohet, jo vetëm  diferenca mes dy profileve të motrave atride, por kulmon edhe madhështia e Elektrës dhe shpirti i saj i pamposhtur.

Ndër argumentimet logjike më të pëlqyera mund të përmend:

Në funksion të arritjes së qëllimit Oresti pranon t’i dalë nami që ka vdekur. Ky mjet justifikohet nga qëllimi, pasi pa të nuk është e mundur të thuret plani. Kori, si mbështetës i Elektrës, i drejtohet natyrës së saj “idhnake” të vetpërmbahet dhe të mos hahet me sundimtarët.

Kur Krizotemi mezi i bindet Elektrës që të mos i çojë blatimet e Klitemnestrës mbi varrin e Agamemnonit, pas ëndrrës që ajo kish parë, është e natyrshme që të tërhiqet më pas përballë një detyre shumë më të vështirë, kur e motra i kërkon bashkëpunim në hakmarrje.

Egërsia e Elektrës në bisedat me të ëmën është e justifikuar, sidomos kur përmendet sakrifikimi i Ifigjenisë në Aulidë. Klitemnestra nuk e fsheh krimin, por shfajësohet duke  akuzuar Agamemnonin. Sipas saj, këtë sakrificë duhej ta bënte Menelau, i shoqi i “mollës së sherrit”  dhe jo Agamemnoni, ky baba përbindësh. Këtu vjen sqarimi i Elektrës mbi dënimin hyjnor që Artemida i kishte dhënë Agamemnonit. Pa këtë detaj nuk do të mund të  përligjej sjellja ndaj Klitemnestrës.

III.

Vendi në historinë e mendimit

Ciklet mitologjike kanë qenë burimi më i pasur i krijimtarisë së autorëve të tragjedisë klasike greke. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që temat historike janë tepër të rralla ndër këta autorë. Legjendat njohin personazhe të ndryshme me emrin Elektra, por personazhi më i njohur  me këtë emër është  Elektra e ciklit mitologjik të atridëve, ku edhe është mbështetur Sofokliu. Ajo nuk është e njohur nga eposi homerik, por nga poetët e mëvonshëm zëvendësohet pak nga pak në Laodikë, njëra nga vajzat e Agamemnonit, emër i cili nuk përmendet më që nga ai moment. Legjenda vjen në versione të ndryshme dhe ka trajtime të ndryshme autoriale nga tragjikët. Roli i Elektrës si personazh varion nga një variant në tjetrin dhe po kështu varion edhe trajtimi artistik sipas optikës dhe qëllimeve të autorit dhe filozofisë së epokës. “Elektra” i përket fazës së pjekurisë së Sofokliut. Kjo bie në sy jo vetëm nga të dhënat historike për jetën dhe veprën e autorit, por sidomos nga niveli i lartë artistik, nga struktura dhe konceptet e autorit. Përvoja e madhe e autorit është padyshim një nga arsyet e suksesit të veprës, por duhet theksuar edhe ndikimi i madh i traditës. Këtu mund të përfshijmë kulturën antike në përgjithësi dhe traditën që u krijua nga paraardhësi gjenial Eskili. Megjithë novacionet e veprës së Sofokliut, gjejmë të pranishme edhe struktura të përdorura nga Eskili, që natyrshëm morën vlera të reja shprehëse. Kështu mund të përmendim rhesis , ambeo, stasima, interlude, trimetrat jambike ose organizimi i elementëve skenikë, si paroda, epode, pjesët lirike me anapeste recitativë, parade komatike etj.

Sofokliu e braktisi trilogjinë me temë unike duke hedhur poshtë një traditë të konkurseve teatrore që parashikonte tri tragjedi dhe një dramë satirike. Risia qe një pasojë e drejtpërdrejtë dhe jo e vetme e një problematizimi, i ri në raport me Eskilin, të mitit, jo i parë më nën këndvështrimin e fisit, që ishte struktura kryesore e shoqërisë arkaike, por në dimensionin individual të heroit që mori me Sofokliun një rol të protagonizmit absolut, duke parashtruar dilema të reja etike dhe një imazh të ndryshëm për zotat. Tragjedia autonome dhe individualiteti heroik qenë instrumentet strukturorë dhe dramaturgjikë, me të cilët Sofokliu solli në plan të parë atë problematikë etiko-psikologjike, të cilën heronjtë e mitit deri atëherë e mbartnin vetëm potencialisht dhe e aktualizoi nepërmjet krahasimit me vlera etiko-fetare dhe social-politike të kohës. Raporti i Sofokliut me zotat është mjaft i diskutuar. Athinasit nuk kishin mbetur në të njëjtën vizion për fenë që nga koha e Eskilit, i cili i paraqiste zotat si të drejtë. Por Sofokliu nuk e arriti as polemikën e hapur të Euripidit që i paraqiste zotat shpesh të padrejtë. Ai e shikoi perëndinë me shqetësim dhe madje me dyshim, por me respekt të thellë.

IV.

ESE

Refleksione mbi idetë

Në gjerdanin shkëlqimtar të tragjedive të Sofokliut “Elektra” i ngjan një margaritari të zi, rrezatimet e të cilit kanë forcën të depërtojnë thellë në shpirtin e njeriut dhe  të mos shlyhen më. Duke kundruar veprën në tërësi, lexuesi apo spektatori futet në botën e ndjesive dhe vramendjeve nga më të ndryshmet. Shija e misterit provohet që në fillimin e një meditimi. Një varg pyetjesh lindin natyrshëm. Nga i vjen gjithë ky shkëlqim një vepre, në dukje, kaq të thjeshtë? Pse “nuk bie në sy” ky personazh në trilogjinë e Eskilit? Ç’efekte krijon cikli mitologjik i atridëve, në lidhje me këtë figurë, në krahasim me dramën e Sofokliut? etj.

Nga çdo këndvështim që të shihet, ajo që bie në sy që në fillim dhe mbetet thuajse e pashmangshme, është forca rrezatuese e personazhit qëndror. Ajo rri mirë në qendrën e dramës ose, po të perifrazojmë titullin e ripunimit të të njëjtit mit në trilogjinë e Gladstone O’Neil, “zia i shkon Elektrës”. Këtu mbase edhe qëndron një nga sekretet e misterit të suksesit. Kjo vendosje në qendër është realizuar në dy mënyra: së pari nepërmjet një portretizimi të përkryer dhe së dyti nëpërmjet fokusimit të disa detajeve të subjektit duke u dhënë rëndësi më të madhe seç u jep cikli mitologjik i atridëve apo tragjikët e tjerë.

Portretizimi, i cili është tërësisht shpirtëror, është bërë nga jashtë dhe nga brenda personazhit, duke nxjerrë në pah ato tipare mbi të cilat ngrihen edhe gjykimet dhe idetë që transmetojnë mesazhe universale. Dhe kjo është realizuar edhe me mjete të përshtatshme skenike. Lexuesi apo spektatori në fillim të dramës njihen më parë me klithmën: “Oh korba unë e mjera!” që dëgjohet nga brenda, se me vetë Elektrën që e lëshon këtë klithmë, me të cilën shpreh gjendjen e saj dhe paralajmëron ankthe, mundime, urrejtje dhe vuajtje të reja. Veç kësaj, kjo thirrje dëshpëruese që del jashtë mureve të pallatit të atridëve, tregon atmosferën e tmerrshme që rëndon brenda dhe shpreh njëkohësisht, dëshpërim vetmi, mungesë shprese, por edhe një fije rezistence që i ka mbetur njeriut të ndodhur përballë sfidave të fatit. Kjo fije rezistence vjen duke marrë trajtë në skenat që pasojnë, duke u bërë një tipar dominues i një shpirti të pazakontë që nuk mposhtet as nga goditja më e rëndë e fatit; vdekja e Orestit. Një shpirt, i cili i ngjan feniksit që ngrihet nga hiri i vet. Dhe Elektra ngrihet nga hiri i shpresës së saj të shkatërruar për të ndërtuar planin individual të hakmarrjes. Këtu kemi edhe zhgënjimin e fundit nga e motra Krizotemi, por edhe provën më të fortë të qëndresës së saj titanike për të vazhduar e vetme luftën e saj.

Në një skenë mjaft prekëse, që është ajo e vajtimit, autori ka vetmuar dy heronjtë e tij Orestin dhe Elektrën. Por në shpirtrat e tyre ka dy vizione krejt të ndryshme vetmie: atë të Orestit, që e di se është vetë i dytë, pra bashkë me të motrën, pasi ai nuk i qe shfaqur akoma asaj si vëlla dhe vetminë e Elektres që e di se është krejt e vetme. Prandaj gjendja e saj është drama e vërtetë dhe gjithë pesha e rëndë e tragjizmit shkarkohet mbi të. Vajtimi i saj i thekshëm në atë monolog elegjiak zbulon nga kënvështrimi i saj ironinë e fatit të familjes së atridëve. Duke qenë e bindur se po vajton mbi boskën mortore, ajo shpreh zhgënjimin dhe rrënimin e shpresave që tingëllon thekshëm në antitezën e vargjeve:

Se nuk të prita ashtu siç të nisa,

Pse s’je asgjë sot që të mbaj në duar

Dhe kur të nxorra prej shtëpije o bir

Ti rrezatoje gjallëri i dritë.

Sofokliu ka vënë në fokus disa detaje të subjektit që në qasjet e mëparshme e të mëvonshme, qoftë nga miti, qoftë nga tragjikët, janë anashkaluar apo kanë qenë të pakonsiderueshme. Një detaj i tillë është vendosur në dialogun e vrazhdë të Elektrës me Klitemnestrën. Është çasti kur Elektra shpjegon zemërimin e Artemidës ndaj Agamemnonit dhe dënimin që ajo i jep. Pra sakrifikimin e Ifigjenisë në Aulidë. Ky shpjegim arrin të bëjë për lexuesin dhe spektatorin një efekt të dyfishtë. Së pari Klitemnestra e bjerr madhështinë demoniake që i kishte atribuar Eskili në trilogjinë e tij. Së dyti, portreti i Agamemnonit ridimensionohet duke u parë nga një këndvështrim i ri. Veç kësaj, një tjetër detaj që bie në sy është edhe qëndrimi i Sofokliut ndaj figurës së Egistit. Ai mbetet një personazh jo i pranishëm dhe memec që shfaqet në finalen e dramës, vetëm për t’u vrarë e, madje, si objekt sekondar i urrejtjes dhe hakmarrjes të cilat shkarkohen mbi Klitemnestrën.

Një rrethanë interesante, gjithashtu është fakti që në Elektrën e Sofokliut kthimi i Orestit paraqitet si një borxh ndaj ndihmës. Autori ka vënë në optikën e vet artistike një të dhënë të mitit duke e zmadhuar në dobi të qëllimit. Elektra ka shpëtuar Orestin. Ngjan sikur, nga kënvdvështrimi i Elektrës, për Orestin nuk ekziston ndonjë detyrim tjetër veç borxhit ndaj saj. Kësisoj ajo merr mbi supet e veta gjithë barrën e hakmarrjes dhe të drejtësisë. Oresti mbetet vetëm mjeti për realizimin e qëllimit. Parë në këtë këndvështrim, të bëhet të mendosh se Agamemnoni është vetëm babai i Elektrës. Në këtë formë kjo figurë qendërzohet në një mënyrë të pashembullt brenda kësaj tragjedie dhe dashuria e nderimi i Elektrës për figurën e babait duket sikur i përkasin vetëm asaj. Por ajo plotësohet si personazh edhe nga dashuria për Orestin. Pjesë të veçanta të veprës janë himne të dashurisë së motrës për vëllain.

Profilit të Elektrës, autori i ka dhënë edhe një përmasë të re, me anë të së cilës plotësohet tërësisht. Është delikatesa e saj që shprehet në vargjet:

Kam turp, o vajza para jush të dukem

Gjithnjë e pikëllueme me ankim e derte

Me veprue kështu nga e keqja detyrohem

Më falni pra. Po cila grue fisnike

S’do bënte kështu

Kur shoh çdo ditë e natë

Në ship t’babait zezonat që sa vete

Gjithnjë tërbohen dhe shkatrrojnë më tepër.

Pra ky detyrim i saj i brendshëm për t’u shfajësuar para grave mikenase pasqyron një shpirt të ndjeshëm dhe të përmbajtur, që, megjithë brengat e sfilitjet e veta, nuk lë pas dore as komunikimin njerëzor, duke shprehur edhe aspekte të qëndrueshmërisë, fisnikërisë dhe forcës së karakterit.

Sado e urryer, figura e Klitemnestrës dhe sado e errët optika e autorit ndaj saj, prapë se prapë në të ka mbetur diçka që s’mund të shlyhet nga portreti i nënës. Kjo bie në sy në fjalët e saj pas lajmit që merr për vdekjen e Orestit:

Zeus, si ta quaj? Fat i bardhë, ja i  prapët,

Apo fitore? Sa idhnim më bie

Falë vdekjes s’bijve lum se unë jetoj

Sa e tmerrshme të jesh nënë, pse as urrejtje

S’mund të kesh për bij edhe rëndë kur të fyejnë.

Në një lexim të vëmendshëm të këtyre vargjeve nuk është e vështirë të dallohen dy ndjesi të kundërta që përjeton shpirti i Klitemnestrës: e para është ngazëllimi që vjen prej ngarkesës së frikës nga hakmarrja dhe çlirimit prej ankthit mbytës. Vargu “Zeus, si ta quaj? Fat i bardhë, ja i prapët” është gati në kufirin e ngazëllimit, por brenda tij ngërthehet edhe embrioni i këtij dualiteti ndjenjash, nga ku fillon të zgjohet edhe ndjenja e dytë, ajo e natyrshmja, që duket sikur del nga nënvetëdija, ndjenja e nënës apo një mbeturinë e saj, që ka tepëruar prej shtypjes së përbindshme të egos së Klitemnestrës. Por ky fakt nuk e prish ekuilibrin dramatik të veprës, madje i shkon logjikës së gjërave dhe dëshmon aftësinë e Sofokliut për të bërë vëzhgime të thella psikologjike, për të depërtuar në skutat e shpirtit të qenies njerëzore. Gjithashtu forcon frymën e vërtetësisë,duke ndihmuar në përceptimin e veprës sipas vizionit të autorit, filozofisë së kohës dhe lexuesit të kohëve që do të vinin. Pork ky është vetëm një çast, sepse më vonë ky lloj vegimi zhduket, kur Klitemnestra i përgjigjet Elektrës: “S’është mirë për ty, por ai asht mirë ashtu”, dhe Elektra: “Poshtroje tash që të buzëqeshi fati”.

Në një dramë si “Elektra” njeriu shfaqet në një mënyrë te re në qendër të tragjedisë. Por kjo s’do të thotë laicizëm apo shekullarizim i tragjedisë, e lidhur me kultin, siç është te Euripidi, deri në dramat ku zotat shkelin skenën. Nuk ka asnjë motiv të supozohet që në vizionin thellësisht fetar të  Sofokliut mbi botën të ketë ndërhyrë ndonjë tjetërsim. Por ka pasur një zhvendosje të theksave që ka krijuar pasojat e veta.

Hija e Agamemnonit në këtë dramë rri pezull për të krijuar sfondin e një atmosfere infernale që sundon pallatin e atridëve. Kjo hije është zanafilla e gjithçaje dhe shkaku i çdo veprimi dramatik. Agamemnoni është i pranishëm në të gjithë cepat e pallatit, por edhe në të gjitha skutat e shpirtit të banorëve të tij. Tek Elektra ushqen dhimbjen dhe urrejtjen, përligj durimin, nxit qëndresën, ngjall shpresën, frymëzon veprimin. Te  Klitemnestra ushtron ankthin dhe mbyt shpresën, kurse te kori i grave mikenase evokon respektin dhe etjen për drejtësi. Agamemnoni mbret, baba, zot shtëpie, risjell në kujtesë krimin e trefishtë dhe si rrjedhim humbjen trefish të së drejtës nga Klitemnestra. Tensioni dramatik kushtëzohet nga etja për shpagim. Kësisoj figura e Klitemnestrës reduktohet ndjeshëm duke u zhveshur nga të qënët nënë. Duket sikur Agamemnoni mbretëron që nga bota e të vdekurve dhe thërret për vendosjen e drejtësisë. Frymëzon veprimin e fëmijëve të tij dhe justifikon nënëvrasjen, duke e bërë atë jo vetëm akt drejtësie, por edhe një veprim të pritshëm dhe shumë të dëshirueshëm. Në këtë tragjedi kemi dy ndjenja të kundërta çlirimi që ndodhin në dy personazhet e kundërta: njëra është ajo e çlirimit të shpirtit të Elektrës dhe tjetra është çlirimi në shpirtin e Klitemnestrës. Te Elektra shoqërohet, madje shtypet nga mundimet sfilitëse. Te Klitemnestra shoqërohet e shtypet nga pesha e ankthit dhe nga prania e Elektrës. Si për ironi të fatit, që të dy këto ndjenja arrijnë të përjetohen. Çlirimi u vjen personazheve në dy mënyra dhe forma të ndryshme. E para e arrin Klitemnestra në skenën e marrjes së lajmit për vdekjen e Orestit. E dyta e arrin Elektra në fundin e dramës. Dhe pas këtij çlirimi final asgjë më s’ka kuptim të vazhdojë, pasi asgjë s’ka mbetur për t’u thënë. Çlirimi dhe katarsisi përfshijnë tashmë spektatorin apo lexuesin.

V.

ESE

Vepra “Elektra”, kultura dhe komunikimi ndërkulturor

Mitet në përgjithësi tregojnë për ngjarje që kanë ndodhur në hapësirë e në kohë. Në këtë tregim, me gjuhën e simboleve shprehen ide filozofike e fetare dhe shprehet gjendja e brendshme e njeriut. Këtu qëndron edhe rëndësia e mitit. Ata që nuk arrijnë të marrin vesh domethënien e vërtetë të mitit, e interpretojnë atë si pasqyrim parashkencor dhe naiv të botës dhe historisë ose si një tregim i vërtetë për ngjarjet “reale”. Vetëm këto dy variante konsideroheshin të mundshme në kulturën perëndimore të shëkullit XIX dhe XX; mirëpo më vonë mori formë gradualisht një metodë tjetër, sipas së cilës, në plan të parë ngrihej rëndësia fetare e filozofike e mitit dhe përmbajtja e shfaqur e saj shihej si shprehje e kësaj rëndësie në simbolet. U përcaktua se përmbajtja e shfaqur e mitit duhet kuptuar jo thjesht si pjellë e fantazisë së popujve primitivë. Në të ka dëshmi të së kaluarës të ruajtura me kujdes.

Duke qenë një nga shtatë tragjeditë më të bukura të Sofokliut, “Elektra” është bërë , që në krijimin e saj, një pjesë e çmuar dhe shumë e rëndësishme e teatrit grek dhe e gjithë artit dhe kulturës botërore. Është e njohur fama dhe madhështia e autorit, por njihet edhe ndikimi i fuqishëm i veprës së tij në botën antike. Dimë se teatri grek nuk ishte vetëm një institucion artistik, por në shumë momente të rëndësishsme të historisë u bë një instrument i edukimit qytetar të njerëzve. Komunikimi përmes koncepteve dhe ideve, i njerëzve të shquar të antikitetit me polisin, bëhej më i lehtë dhe efikas nëpërmjet artit të fjalës. Tragjedia lindi jo rastësisht në periudhën klasike të qytetërimit helen. Duke u mbështetur tek gjykimi i Aristotelit, që e vendos historinë e tragjedisë mbi kriteret evolucioniste, gjinia tragjike duhet të ketë kaluar një fazë të gjatë embrionale që nga periudha arkaike. Mbi bazën e traditës së krijuar nga Eskili, Sofokliu i dha një dimension më të madh teatrit dhe është më afër komunikimit me njeriun e sotëm. “Elektra” është një vepër që i përket fazës së pjekurisë përfundimtare të autorit. Për këtë arsye, qoftë në formë, qoftë në përmbajtje është një vepër e përkryer. Kjo dramë ka krijuar lidhje të shumanshme me aspektet më të ndryshme të kulturës njerëzore.

Siç ka ndodhur shpesh me mitet greke, që janë rimarrë nga shkrimtarë e artistë të ndryshëm, ashtu edhe “Elektra” e Sofokliut është punuar apo ripunuar në variante të ndryshme, në kohë të ndryshme e në optika e këndvështrime të ndryshme prej arteve e artistëve të ndryshëm. Është një listë e gjatë me vepra të frymëzuara prej këtij miti. Kështu, në vitin 1558, poeti hungarez Pierre Bornemisza dha në botim një variant të “Elektrës” së  Sofokliut me temë dhe heronj në atmosferën hungareze. Në vitet e rilindjes së tragjedisë në Francë, me Rasinin e Kornejin “Elektra” njohu imitues të shumtë. Përpjekja më e mirë ishte ajo që bëri Prosper Joyllot de Crebillon që u vu në skenë në 1708. Në fillim të shekullit tonë (1905) pa dritën e botimit “Elektra” e Benito Parez Galbos që ka një frymëzim ibsenik. Vjen më pas “Elektra” e Hugo von Hofmannsthahl që u bë më shumë e njohur si opera e muzikuar nga Richard Strauss në 1909. Gladstone O’Neil ripunoi të njëjtin mit në trilogjinë e vet “Zia i shkon Elektrës”, që pasuroi trilogjinë klasike me elemente psiko- analitikë. Vlen për t’u shënuar “Elektra” e Jean Giraudoux, një dramë drejtësie dhe shlyerje faji që u shfaq në skenë në 1938 dhe është një nga veprat më përfaqësuese të poetit. Veç kësaj, jo vetëm vepra në tërësi, por edhe konceptimet artistike, situatat, emocionet, personazhet dhe idetë janë shfrytëzuar nga autorë të shquar që nga Rilindja e deri në kohët moderne.

Në mjaft konceptime e teknika, madje edhe në motive, Shekspiri është ushqyer nga krijimtaria e Sofokliut. Jo vetëm ngjashmëritë e jashtme por edhe ato të brendshme e vërtetojnë këtë. Kemi hijen e mbretit të vrarë Dunkan, në tragjedinë “Makbeth” që endet skutave të shtëpisë e që i fanitet Makbethit edhe në fron siç ndodh me hijen e Agamemnonit të vrarë në pallatin e atridëve. Por kemi edhe rastin e dramës brenda dramës te “Hamleti”, që përdoret si një mjet parabolik dhe që është deri diku e ngjashme me ëndrrën e Klitemnestrës dhe thëniet e Orakullit të Delfit. Po kështu koncepti i fatalitetit apo vëzhgimi i hollë në psikologjinë e personazhit, janë ndikime të qarta që kjo vepër ka ushtruar në krijimtarinë artistike të autorëve të tjerë. Te “Fausti” i Gëtes trajtohet problemi i frikës që ndikohet nga nënat enigmatike, afërsisht në frymën e “Elektrës”:

Mefistofeli: Vështirë e kam të fshehtat të zbuloj

Ku mes shkretëtirave të heshtura janë perëndeshat

As vend as kohë rreth tyre nuk ka

Më ngrijnë buzët të flas për to.

Janë Nënat!

Fausti: Si, Nënat?

Mefistofeli: Dridhesh?

Fausti: Janë Nënat! Ti flet çuditshëm.

Si te Sofokliu, ndjenja e tmerrit dhe e frikës lind vetëm nga përmendja e perëndeshave që i përkasin botës së lashtësisë. Në veprën e shkrimtarit të shquar Italian Luigi Pirandello, figura e Elektrës së Sofokliut shërben si arketip i një morie veprash dramatike dhe këtë figurë e gjejmë te ky autor edhe të cituar në fragmente romanesh apo në traktate të ndryshme estetike.

Figura e Elektrës ka frymëzuar edhe arte të tjera si muzika, piktura, skulptura, kinematografia etj. Kështu në vitin 1909 Shtrausi kompozoi operan “Elektra”. Libreti i saj u muar nga tragjedia homonime me një akt që u shkrua nga poeti Hugo Von Hofmann Shall në vitin 1901. Personazhi i Elektrës ishte frymëzuar nga Elektra e Sofokliut.

Në artet figurative mund të përmendim ndikime dhe krijime të frymëzuara nga figura e Elektrës së Sofokliut që nga pikturat e vazove etruske, “Elektra ndjek Orestin në Delf” e deri tek pikturat dhe skulpturat moderne.

Miti mbi “Elektrën” që vjen nga pena e Sofokliut është shfrytëzuar e trajtuar edhe nga psikologjia, psikanaliza, sociologjia etj.

Të parët që çanë rrugën për konceptimin e ri të miteve ishin Johan Jakob Bahofen dhe Zigmund Frojdi. Bahofeni ka studiuar dhe interpretuar një pjesë të miteve greke, ndër ta edhe “Elektrën” për një qëllim të caktuar kulturor që ka të bëjë me forcat drejtuese të hierarkisë shoqërore. Ai ka paraqitur në mënyrë të çuditshme nëpërmjet simboleve betejën e fundit mes perëndeshave nëna dhe përëndive baballarë fitimtarë. Klitemnestra vrau burrin e saj që të mos ndahej nga i dashuri. Oresti mori hak duke vrarë nënën me dashnorin. Erinia kërkon ndëshkimin e tij, por Apolloni dhe Athinaja (e dalë nga koka e Zeusit), që përfaqësojnë fenë e re patriarkale, ishin në anën e Orestit. Nga pikëpamja e marrëdhënieve patriarkale dashuria dhe respekti i djalit për babain dhe krimi më i lartë konsiderohet vrasja e babait.  Por me mitin mbi “Elektren”, mbi të cilin u krijua edhe sintagma, “kompleksi i Elektrës”, janë marrë Frojdi dhe Jungu. Miti për Elektrën përfaqëson një mundësi të mrekullueshme për t’u njohur me mënyrën e interpretimit të miteve prej Frojdit dhe na lejon të shohim një mënyrë të re të shtrimit të problemit, sipas së cilës, kryesore në këtë mit nuk është ana erotike, por qëndrimi ndaj padrejtësisë dhe krimit, një nga aspektet më themelore të marrëdhënies mes individëve. Frojdi shkruan: “Njeriun e sotëm e trondit jo më pak se grekun antik. Shkaku i rëndësisë së profetësisë në tragjedinë greke nuk është në kontradiktën mes fatalitetit dhe vullnetit hyjnor, por në veçoritë e vetë temës, në terrenin e së cilës pasqyrohet kjo kontradiktë”.

Ekziston, me sa duket, në shpirtin tonë zëri që është i gatshëm ta pranojë vullnetin e pashmangshëm të fatalitetit te “Elektra”. Fati i saj na mbërthen ne, sepse ai mund të bëhet edhe fati ynë, sepse orakulli na ka pajisur që përpara lindjes sonë me një mallkim. “Kompleksi i Elektrës”, i trajtuar sipas psiko-analistëve, është i ngjashëm me “kompleksin e Edipit”. Ai flet për drejtimin e ndjenjës së parë seksuale tek babai.

Meqë Frojdi ishte i prirur ta shihte mitin si një ëndërr, roli i studimit të mitit, para së gjithash është i tërthortë, duke parë në të vetëm shprehjen e impulseve të pavetëdijshme antisociale, por jo mençurinë e lashtë, të shprehur me gjuhën e simboleve. Elektra e urren me tërë forcën e shpirtit të ëmën dhe simpatizon thellë figurën e babait të saj, Agamemnonit. Respekti, dashuria dhe vlerësimi për të atin nuk janë zbehur as nga vdekja e tij, e as nga fakti që ai ndodhet në botën tjetër. Në një farë mënyre, duket sikur forca e dashurisë së Elektrës e mban të gjallë e të panishme hijen e Agamemnonit në ambjentet e pallatit të atridëve. Urrejtja për Klitemnestrën dhe dashuria për Agamemnonin, që të dyja këto impulse të shprehura me forcë të rrallë artistike, gjithë ky emocion që lind edhe në rrethana të pazakonta, tronditës për lexuesin dhe për spektatorin, është shfrytëzuar nga psiko-analiza thjesht dhe vetëm për konvencion simbolik. Por Sofokliu, duke hedhur dritë për krimet në pallatin e atridëve na drejton ne tek njohja e unit tonë.

A ka të drejtë, vallë Frojdi apo Jungu, duke thënë se ky mit vërteton pikëpamjet e tij se, në mënyrë të pavetëdijshme impulset e incestit dhe , si rezultat, urrejtja ndaj nënës rivale, janë karakteristike për çdo fëmijë të gjinisë femërore? Krijohet përshtypja se miti e vërteton këtë teori, kështu që “kompleksi i Elektrës” është i justifikuar. Mirëpo duke e analizuar nga afër, lindin një sërë çështjesh që ngjallin dyshime në pranimin e një përfytyrimi të tillë. Kur Agamemnoni vritet nga e shoqja dhe i dashuri i saj Egisti, ai sapo ishte kthyer nga lufta e Trojës dhe pothuajse figura e tij nuk mbahej mend nga fëmijët. Në personin e zymtë të Elektrës autori nuk lë asnjë dyshim për ndonjë shteg impulsesh. Sikur të flitej për rivalitetin sipas Frojdit dhe Jungut, i bie që Klitemnestra të ishte xhelozja dhe rivalja, sepse ajo është vrasësja e Agamemnonit, dhe jo Elektra.

Simbolika e “kompleksit të Elektrës” është shfrytëzuar edhe në aspekte të tjera. Në disa raste përdoret për të cilësuar një dukuri që mund t’i përshtatet më mirë Elektrës së Sofokliut: vlerësimi që vajzat i bëjnë figurës së babait, duke parë te ata modelin e njeriut të përkryer. Në jetën e përditshme përdoret kur disa vajza nuk e gjejnë apo hezitojnë ta gjejnë shokun e jetës, për shkak se nuk gjejnë modelet e krijuara duke pasur parasysh babain, sado i papërkryer dhe i zakonshëm qoftë ai. Si përfundim duhet thënë se “Elektra”, duke qenë një vepër letrare e fondit të artë të letërsisë botërore, jo vetëm që është një pjesë e kulturës, por me forcën e madhe shprehëse dhe me rrezatimin e saj shekullor ka krijuar komunikime me të gjitha kulturat, duke u bërë gjenezë krijimtarie e veprave artistike në të gjitha artet e kulturat e botës.

PJESA E TRETË: PËRFUNDIME

Një fjalorth i vogël i termave

Amshim-i= përjetësi, (këtu bota e përtejme)

agon- i = garë, luftë, ndeshje

antistrofë- a = pjesa e dytë e një triade lirike

blatim- i = dhurata  perëndive apo mbi varret e njerëzve

boskë- a = vazo për të mbajtur hirin e të vdekurit

epod-i = pjesa e tretë e një triade ose vargu i dytë i një distiku jambik

erinie- t= hyjni që mbrojnë mëmësinë ; te “Koeforet” e Eskilit kthehen në  eumenide

evlat-i= fëmija, biri/ bija

feb-i = epiteti dhe shpesh emri i Apollonit (i shëndritshëm)

had-i = bota e të vdekurve; Hadi është perëndia e të vdekurve, vëllai i Zeusit

kismet-i = fati

kobzi- u= ndjellakeq, ai që ndjell keq

koçi- a = karrocë në greqinë e lashtë, për gara dhe për luftë

kommo= dialog lirik mes korit dhe aktorit në tragjedinë greke

libacion-i= ritual i shenjtë që shoqërohej me derdhje vere

orakull- i = parashikues i fatit

parodë-a=pjesa anësore ku hyn kori në teatrin grek

vraç- i = kalë me ngjyrë të mbyllur

vrom- i = rrugë, xhade

zezona- a= mynxyrë, gjëmë, kob, fatkeqësi e madhe

Disa fraza të bukura nga libri

Ku është dobia, nuk ka vend tersllëku : janë fjalët e Orestit kur përgatitet të hapë lajmin e vdekjes së tij. Ky lajm është i dobishëm për realizimin e planit të hakmarrjes, megjithëse është tepër i rëndë.

I çmendur për t’u dhimbsur/  kush lë pas dore prindët/ e vramë me vdekje t’kobshme: këto fjalë në komunikimin e Elektrës me korin tregojnë vendosmërinë dhe devocionin e saj për të atin.

Darka e Agamemnonit: e quajnë kështu vrasësit e tij me një cinizëm të tmerrshëm.

Pse kur të kqijat na rrethojnë,/ ne jemi të detyruar të veprojmë të keqen: nëpërmjet këtij arsyetimi aforistik Elektra, jo vetëm  do t’u shpjegojë grave mikenase gjendjen e vet, por edhe të shfajësohet për qarjet dhe ankimet e saj para tyre.

Shpeshherë ngurron kush ndërmerr punë të madhe: gratë mikenase duan të justifikojnë para Elektrës mosardhjen e Orestit.

Pse po të vrasin atë që vret,/ do vdesësh ti e para: Elektra komunikon me të ëmën në këtë formë pas fjalëve të ashpra të Klitemnestrës për sakrifikicën e agamemnonit.

Në qoftë se shquhem për veti të tilla,/ s’do turpnoj gjakun që prej teje mora: kështu e mbyll bisedën Elektra me të ëmën.

S’është vdekja e urryeshme por, dëshira e vdekjes,/ kur e thërret e s’merr: këto fjalë të Krizotemit shpallin nënshtrimin e frikën e saj dhe tërheqjen nga plani i Elektrës.

Biseda e gjatë zbon çastin e volitshëm: i drejtohet Oresti Elektrës para shpagimit me qëllim të mos humbë kohë.

Ta dish se mbi çdo njeri tjetër,/ të kam urryer e dashur brenda ditës: Elektra në ngazëllimin për ardhjen e Orestit tregon kontrastin e thellë të përjetimeve për shkak të kthesës së papritur të ngjarjeve.

Me këtë udhëtim të shkurtër në një pjesë të vogël të botës së artë të Sofokliut u përpoqa të hedh sado pak dritë, duke dhënë gjykimet e mia modeste për njërën nga veprat më të bukura të teatrit antik grek. Mendimet dhe vlerësimet për këtë poet janë dhënë prej të gjitha plejadave të historisë së kulturës njerëzore. Ajo që mbetet për t’u thënë prej një lexuesi apo një studiuesi modest është më së shumti përsëritje e të tjerëve. Megjithatë, mendoj që Sofokliu, edhe pse ka paraardhës dhe pasardhës të shquar në letërsinë antike, ndriçon më shumë se të tjerët. Jo për faktin se është fituesi më i madh i konkurseve dramatike, por për trajtimin e veçantë që u ka bërë miteve duke krijuar arketipe që ngjajnë si zbulimet e shkencave të sakta. I tillë është edhe rasti i “Elektrës”, një vepër që ka hyrë në përceptimet e gjithë artit dhe kulturës botërore si një stacion i pashmangshëm mendimi, gjykimi e krijimi. Por në çdo vepër njeriu mund të gjykojë edhe për ndonjë rezervë, që buron mbase prej këndvështrimit subjektiv. Në mbështetje të kësaj do të thosha se raporti i Sofokliut me mëmëvrasjen është problematik: ai përgatitet të sjellë justifikime, apo më mirë parashtrimet e nevojshme të realizimit të hakmarrjes, si p.sh orakulli i Delfit apo ëndrra e Klitemnestrës, që dëshmojnë bashkimin e zotave me planin e Orestit. Impenjohet në heqjen e çdo gjurme njerëzore të viktimës së mëmëvrasjes, që del nga drama si një  grua e ligë e kriminale, vrasëse e pamëshirshme, grua e pabesë, e padenjë për as më të voglën tronditje. Sofokliu i drejtohet Klitemnestrës, statusit të saj si nënë përmes formulës “nënë jonënë” duke çliruar Ortestin nga frerët e lidhjes me nënën dhe duke e afruar kështu mëmëvrasjen me një vrasje të thjeshtë. Dhe në këtë qëllim nuk do të jetë pa vend të kujtojmë që e drejta atike parashikonte shpagimin nga ana e djalit mbi bashkëshortin vrasës. Nga ana tjetër, s’mund të dyshohet që Sofokliu e ka konceptuar aktin e Orestit si një krim të tmerrshëm. Besimi fetar i Sofokliut, i thellë dhe i ndier (“Zeusi i madh në qiell që sheh e zotëron gjithkça”), nuk ishte i gatshëm për një kritikë të mitit si Euripidi: poeti pret pra historinë ta veshë sa më mirë që të mundet atë që i duket më e urryer dhe e dënueshme, duke lënë në hije, qoftë përgjegjësitë e njerëzve, qoftë ato të zotave, duke e përqëndruar gjithë pathosin në brengat e Elektrës.

Ndërsa në aspektin skenik, gjë që lidhet edhe me vetë tekstin dramatik, nuk më pëlqen të vonuarit e Orestit për t’iu shfaqur së motrës. Dialogu më duket i tejzgjatur, gjë që zbeh tensionin dramatik, pasi lexuesi apo spektatori është në dijeni se ai është Oresti.

Leximi i një vepre krijon tek lexuesi, jo vetëm emocion artistik apo bëhet burim informacioni, por bën edhe ndryshime konceptesh e botëkuptimesh. Konkretisht tek unë ka ndryshuar përfytyrimi dhe koncepti mbi Elektrën si personazh, formuar nga miti i atridëve dhe dhe trilogjia e Eskilit. Kjo vjen për shkak të këndvështrimit të autorit dhe të teknikave të tij dramaturgjike. Po kështu koncepti për tragjiken. “Elektra” i ngjan një tragjedie pa tragjizëm, pasi fundi tragjik nuk i është rezervuar personazhit tonë të zemrës, ndërsa vrasja e Klitemnestrës nuk mund të quhet tragjike. Megjithatë, dhimbja që ndjejmë për brengat e Elektrës na shoqëron edhe pas përfundimit të veprës. Së fundi, “Elektra” të bën të kuptosh se forca e vullnetit njerëzor duhet të provohet në provat më të vështira të jetës edhe atëherë kur shpresat duket se kanë humbur dhe karakteri i fortë i individit duket sikur i kapërcen edhe vullnetet hyjnore.

*Zija Vukaj është lexues, shkrimtar, përkthyes, profesor dhe botues i zoti. Ky punim i profesorit të nderuar u botua me ndërmjetësimin e Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës.

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD