Linda: Jeta si bashkëshortja e Edi Ramës

Postuar në: Lifestyle |

Nga Iva Tiço

Një veshje e thjeshtë bardhezi, këmishë e pantallona, syzet e zeza mbi flokë dhe ecja vajzërore në majë të gishtave, nuk tërheqin vëmendjen e askujt nga ato pak tavolina të mbushura në pjesën e kafenesë të “Bukëve dhe ëmbëlsirave franceze”, në orar dreke. “Diskrete” – kështu e kanë përcaktuar të gjithë ata që e njohin, pak apo shumë, gjatë asaj jave të vetme të dhjetorit, kur brenda tri ditëve, nga një personazh i panjohur, Linda Rama u gjend në të gjitha faqet e para të gazetave e revistave, në emisione lajmesh apo biseda studiosh televizive. Për një javë të tërë, ajo dhe historia e saj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreun e opozitës, qe në gojën e të gjithëve, ndonëse ajo pranoi të shfaqej në një intervistë të vetme, në studion e “Top Story”-t. Sigurisht që ato ditë kërkesat ishin të panumërta. Përderisa gazetarët intervistonin që nga organizatorët e dasmës e deri tek analistët, nuk kishte si të mungonin përpjekjet për të intervistuar protagonistët… Kështu, pas disa rekomandimesh të njohurish të përbashkët, lidhem në telefon me Linda Ramën, vetëm një ditë përpara dasmës. Duket mjaft e dashur dhe miqësore, është dakord të dalë në kopertinën e revistës “JETA”, por e lëmë të flasim pas dasmës për detajet, për intervistën dhe fotot… Pas konsumit mediatik të fotove të dasmës, nuk ia vlen më të merremi me histori me nuse e dhëndër. Ia vlen që të kalojë edhe ca kohë përpara se Linda të dalë në një kopertinë reviste… Në sms- të e shkëmbyera për urimet e Vitit të Ri vijojmë të kujtojmë premtimin e një kopertinë që do bëjmë… Deri në fund të shkurtit, kur duket se është çasti i duhur: katër muaj larg asaj bujës së fundtetorit dhe tre të tjera larg datës së zgjedhjeve. “Nuk ka fare lidhje me zgjedhjet! E pse duhet të jem unë në kopertinë gjatë fushatës?!”, – pyet Linda, ndërsa i shpjegoj që në atë periudhë kërkesat e gazetarëve priten të jenë po aq këmbëngulëse sa gjatë javës së dasmës. “Prandaj është më mirë tani”, – thotë ajo, duke zgjedhur të shfaqet pikërisht në këtë kohë, kur jo vetëm fushata zyrtare nuk ka nisur, por edhe kur bashkëshorti i saj nuk është shprehur publikisht nëse do jetë ai apo jo kandidati për Bashkinë e Tiranës. Zgjedh pra, të shfaqet, por pa u lidhur domosdoshmërisht me datën e zgjedhjeve. Në të njëjtën mënyrë siç e kishte paralajmëruar në të vetmen intervistë televizive, se do të qëndronte në krah të të shoqit, por pa u marrë mirëfilli me politikë. Duke ruajtur atë tipar, me të cilin e kanë përcaktuar të gjithë ata që e njohin: “diskrete”.
Për vite me radhë keni ruajtur një profil të ulët publik, duke mos u shfaqur në media, ndonëse shumë pedagogë apo aktorë të shoqërisë civile, si ju, janë shndërruar në protagonistë. (Shumë kolegë të mi e patën të vështirë të gjenin foto apo filmime tuajat). Pse kjo zgjedhje?
Pikërisht për një dëshirë, një zgjedhje të bërë herët, edhe me vetëdijen se të qenit protagonist në jetën që na u dha mundësia e mrekullueshme të jetojmë, nuk lidhet kurrsesi domosdoshmërisht me shfaqjen në media. Kam respekt për protagonistët që njohim përmes medias. Por, kam njohur në vetë të parë apo përmes librave, plot protagonistë që nuk i ka kapur syri i medias. Protagonistë të jetës, si një mundësi për të qenë të dobishëm për të tjerët, jashtë kamerave, larg lajmit të ditës, matanë horizontit të vëmendjes mediatike.
Si bëhet kjo?
S’ka as receta e as hierarki të vendosshme në këtë aspekt. Secili bën zgjedhjen e vet të respektueshme. Fjala vjen, duke drejtuar matanë periferisë së vëmendjes mediatike një projekt që lidhet me komunitetin rom, je vetiu një protagonist për ata që s’kanë zë dhe shpeshherë as figurë në perceptimin kolektiv, jo më në media. Po për një studiues të angazhuar, për dikë që, si unë, lexon e shkruan me dëshirën që të jetë i dobishëm për të tjerë, kjo është sfida e zgjedhur. Nuk jam e vetmja që kam bërë këtë zgjedhje, madje guxoj t’ju them se ndjehem në distancë higjienike të sigurt nga mjedisi i rrëmujshëm i protagonizmit të ditës, kur gjendem mes të ngjashmish, të cilët në “heshtjen” e tyre flasin me gjuhën e të dobishmes, që s’përbën lajm.
Ç’do të thotë për një njeri, që ka ruajtur të tillë profil, të gjendet befas në të gjitha edicionet e lajmeve dhe faqet e para të gazetave?
Kapërcimi për disa ditë, nga zona e “heshtjes”, në faqet e para të gazetave, ishte diçka e pashmangshme në kushtet kur zgjodha të lidh jetën time me një njeri, që për shkak të angazhimit të tij politik me publikun, gjendet në faqet e para. E drejtë e padiskutueshme e medias për të informuar publikun, duke qëmtuar nga afër zgjedhjen e tij, jo timen në fakt, dhe e drejta e publikut për t’u informuar nga media mbi atë që u bë gruaja e Edi Ramës. Por kaq! Pak ditë nën reflektorët e fortë, thuajse verbues, e pastaj gati bezdisës të skenës, pastaj një vijim i natyrshëm i jetës në distancë me atë skenë ku im shoq gjendet përditë, sepse ka zgjedhur të jetë protagonist në arenën politike. Ndërkohë që unë kam zgjedhur atë që Edi është përtej këtij protagonizmi, njeriun e panjohur për shumëkënd, por shumë të dashur për mua.
Por, edhe pse pak ditë nën këta reflektorë të fortë, tashmë anonimati ka humbur njëherë e përgjithmonë. Si e përjetoni këtë ndryshim, të qenit nën vëzhgim?
Shpresoj të mos kem ndryshuar unë, pavarësisht ndryshimit të jetës sime nga një jetë si të gjitha jetët e pavëzhguara të qytetit tonë, në një jetë të vëzhguar nga i gjithë qyteti. Por s’do të isha plotësisht e hapur me ju, nëse s’do t’ju thosha se, gjithsesi, edhe për mua diçka ka ndryshuar shumë. Konkretisht, qoftë pse dashamirësit e Edit, jo të paktë në këtë qytet, hera-herës më ndalojnë, duke më përcjellë ngrohtësi, apo qoftë pse, megjithëse shumë më të pakta, nuk mungojnë rastet kur ndjehem keq për rezonancën e fjalëve keqdashëse ndaj tij. Megjithatë, s’mund ta fsheh se “humbja e anonimatit” ka shtuar energjinë pozitive që më rrethon në kontaktet me njerëzit.
A ndjeni mall për kohën kur ishit më e shkujdesur?
Jo. Mbase sepse me natyrën që kam nuk kam qenë asnjëherë e pavëmendshme ndaj mjedisit ku jetoj dhe njerëzve të njohur apo të panjohur përreth.
Përsa u takon të njohurve, për shkak të karrierës suaj, si në administratën shtetërore, ashtu dhe në shoqërinë civile, duhet të keni miq si “kampin” e socialistëve, ashtu dhe të demokratëve. Si kanë ndryshuar këto raporte pasi lidhjes suaj me Edi Ramën?
Asnjë lloj ndryshimi. Madje, dua të theksoj që kjo nuk është vetëm për meritën time, por edhe për meritë të miqve e të të njohurve të mi. Në dasmën tonë na nderuan të gjithë me praninë e tyre dhe u ndjeva e ndjehem mirë, për faktin që njohja dhe miqësia e ndërtuar prej vitesh me demokratë të vërtetë të tillë nuk është cenuar aspak nga lidhja ime me Edi Ramën. Ashtu sikundër asgjë nuk ka ndryshuar në shoqërinë time me miq e të njohur socialistë, për shkak të faktit se unë jam gruaja e Edi Ramës. Ata kanë qenë e do mbeten njësoj për mua dhe unë për ta kam qenë e do jem thjesht Linda.
Por ama Linda, që prej pak muajve njihet me një tjetër mbiemër, Rama. Sa ua ka ndryshuar jetën ky mbiemër?…
Unë nuk kam ndryshuar emrin, vetëm mbiemrin. Pra, jam po ajo, Linda që kam qenë. Që kujdeset për fëmijët, për prindërit, për motrën e vëllanë. E njëjta Linda, që preokupohet për çdo gjë që nuk shkon mirë për një mik, shok a shoqe apo të njohur dhe i gëzohet çdo të mire që atyre u ndodh. Po ajo Linda, pjesë e shoqërisë civile dhe jetës universitare, ndjekëse e pasionuar e zhvillimeve ekonomike e sociale në Shqipëri e gjetkë për qëllime mirëfilli akademike. Brenda meje nuk ka ndryshuar asgjë, në thelb. Është pasuruar po, përmbajtja e jetës sime. Më janë shtuar detyrime e kënaqësi, që lidhen me dashurinë, familjen, me miq e shqetësime të përbashkëta. Por s’më ka ndryshuar dëshira për ta jetuar jetën brenda një rrethi njerëzish e gjërash, që mbeten thjesht të miat.
Në këto gjëra që janë shtuar, bëjnë pjesë edhe vizitat e ndryshme ku ju shoqëroni Edin. Siç qenë për shembull edhe ngushëllimet e fundit… Në të tilla raste, jeni ju që kërkoni ta shoqëroni, apo është ai që kërkon praninë tuaj dhe të nënës së tij?
As njëra, as tjetra. Thjesht ne jemi bashkë, gëzimet e hidhërimet i ndajmë bashkë. Rasti tragjik që ju i referoheni ishte një rast, që do jepja çfarë të mundesha për të mos e jetuar. Ishte një rast që preku familjen tonë, besoj si çdo familje shqiptare, që jo vetëm pa vrasje njerëzish në mes të Tiranës, po edhe mësoi diçka më shumë për jetët, hallet, rrethanat familjare të këtyre njerëzve të varfër, të papunë dhe tërësisht të pafajshëm. Ngushëllimet në familjet e tyre s’ishin protokollare, por thjesht njerëzore, si tek njerëz të afërm të pllakosur nga një fatkeqësi e pangushëllueshme.
Keni thënë ndërkohë se do vijoni të mbeteni një mbështetëse e karrierës politike të Edit, pa u bërë kurrë protagoniste në politikë. A keni ndonjë model të tillë”gruaje të parë”?
Po, unë do ta mbështes Edin, pa u kursyer, në angazhimin e tij politik me publikun, pasi ndiej pasionin, besimin e sinqeritetin e tij. Unë besoj në fuqinë që Edi ka për t’u përballur vendosmërisht me problemet, për t’i bërë gjërat mirë dhe mbi të gjitha për të mos lënë askënd në baltë. Edi është një njeri i vërtetë dhe po aq i vërtetë është edhe suksesi i tij. Se cili do të jetë pastaj modeli që unë do të ndjek përgjatë këtij rrugëtimi, nuk kam kërkuar asnjë të tillë për të kopjuar, sepse besoj që më mjafton të jem thjesht ajo që jam, pavarësisht admirimit që kam për gra të njohura, të cilat kanë kaluar me dinjitet e rrezatim mbresëlënës përmes kësaj rruge. Ashtu siç respektoj çdo grua që është sot pranë një burri në politikë, në këtë vend ku politika mbetet burimi i një stresi të pashoq për ata që e bëjnë dhe ata që e ndjekin.
A lexoni ju çdo gazetë apo ndiqni lajmet ku flitet për Edi Ramën?
Çdo gazetë?! Jo, jo, dhe jo vetëm sepse dita ime është shumë e zënë për shkak të mënyrës se si organizoj kohën dhe natyrës së punës që kam zgjedhur. Por edhe sepse kam gjetur, kohë më parë, një rrugë selektive të marrjes së lajmeve nga jeta e përditshme e vendit. Kjo s’do të thotë se nuk i ndjek vijimësisht zhvillimet e këtushme, edhe ato politike, përkundrazi. Kam qenë gjithnjë një qytetare e interesuar, përveçse një studiuese e detyruar të ndjekë ecurinë e punëve në këtë vend. Përfshirja në jetën e Edit, s’ka asnjë dyshim që më ka rritur vëmendjen në drejtim të procesit politik, ku ai është me mish e me shpirt i përfshirë.
Si i përjetoni sulmet politike që i bëhen atij?
Varet shumë se nga goja apo pena e kujt dalin këto sulme dhe, në fund të fundit, le ta themi qartë: tjetër sulmet me baltë e tjetër sulmet, sado të ashpra, brenda etikës. Këto të dytat, jo rrallë me autorë njerëz që unë i respektoj e në disa raste edhe i numëroj ndër miqtë, janë tjetër, krejt tjetër kapitull. Ndërsa sulmet me baltë, ato që dalin nga gojë tellallësh të përçudnisë së komunikimit publik, i përjetoj në radhë të parë si një prapambetje të madhe për vendin ku jetojmë, me pasoja mbresuese për të gjithë ata që e jetojnë sot këtë vend. Jam e keqardhur për persekutimin psikologjik që shpifjet po i bëjnë shoqërisë tonë, duke i varfëruar njerëzit shpirtërisht dhe duke i përdorur ata për qëllime të mbrapshta. Mbase ky është një çmim, që ende duhet t’ia paguajmë shtypjes psikologjike të ideologjisë së shkuar të urrejtjes për të ndryshmin. Por, sidoqoftë, duket se u bë një kohë më e gjatë sesa kufiri i durimit të njeriut normal ndaj kësaj gjuhe të pangjashme me asgjë, që mund të thuhet mes palësh apo njerëzish normalë në botën e sotme demokratike. Ndërsa ato që i bëhen specifikisht Edit nga baltëfolës apo baltëshkrues, thuajse përditë, i dëgjoj sigurisht si të pavërtetat e radhës, por ka raste që edhe mërzitem.
Në cilat raste mërziteni?
Në rastet kur preken të tjerë, padrejtësisht, përtej çdo caku të imagjinueshëm. Edhe përtej cakut të logjikës së një përfitimi politik, që unë nuk besoj se i vlen ndokujt, në këmbim të një gjuhe vrazhdësisht të papranueshme për çdo mendje e vesh normal. Nëna e lënduar krejt padrejtësisht me të pavërteta skandaloze! Babai, që nuk jeton më, pasi s’ka bërë tjetër veçse ka jetuar denjësisht jetën e tij, ndërkohë që baltoset egërsisht! Gregu, djali që dëgjon monstruozitete të shpikura dikur nga ata që sot shpifjet e tyre i rendisin si gjoja fakte, për të përçudnuar publikisht imazhin e kundërshtarit politik!… Ç’t’ju them? I dini dhe dihen nga të gjithë, mbase përmendësh, sot gjithë ditën, shpifjet që përsëriten e përsëriten, si në një lojë me detyrim përcaktim për këtë shoqëri, që i dëgjon përditë nga politika e helmimit të mendjeve, ndërkohë që pret politikën e melhemit të plagëve. Më e keqja është të mësuarit me këtë helm, të kthyerit e këtyre skandaleve etike e gjuhësore në rutinë, të bërit e baltës së shpifjeve mjet i zakonshëm ballafaqimi me tjetrin. Mbase kështu mund të shpjegohet transformimi befasues në autorë skandalesh të tilla edhe i disave, burra ose gra, që dikur jo vetëm kam pasur rastin t’i njoh, në opozitë apo në shoqërinë civile, por edhe t’i inkurajoj për një rol aktiv në politikë, pa e menduar dot deformimin që do t’iu bënte pushteti.
Flisni për një kohë kur Edi Rama, pasi të ketë përmbushur atë që ju e quani misionin e tij politik, do të tërhiqet…
Siç e thotë edhe vetë, por siç e shoh edhe unë, profesioni i Edit nuk është politika, paçka se sot është i angazhuar tërësisht në politikë. Vetëm ata që politikën e kanë profesion, ata që nuk dinë të bëjnë asgjë veç “politikës” ose ata që e bëjnë politikën vetëm sepse mund të nxjerrin përfitime të paligjshme, nuk e kanë të mundur të largohen prej saj. Edi nuk bën pjesë në asnjërën prej këtyre kategorive, që s’do të thotë aspak se unë mendoj se politika s’është një profesion i respektuar. Përkundrazi, pa politikanët s’do të kishte progres shoqëror dhe politikanët profesionistë s’janë absolutisht të gjithë njësoj, mediokër apo sharlatanë.
Si e mendoni atë Edin mes pikturës dhe penës? Do t’i kthehet ai sërish edhe veshjes antikonformiste të dikurshme? Apo xhaketat dhe kravatat janë bërë dashuri e përhershme?
Pena dhe ngjyrat janë bashkudhëtare besnike të Edit edhe sot, në fjalët e tij të shkruara apo ngjyrat që le përditë mbi letrat e punës. Megjithatë, unë e pres me shumë dëshirë e kuriozitet ditën kur ai do të këtë më shumë kohë për to. Por nuk do të guxoja të paracaktoja zgjedhjen e tij për të ardhmen thjesht si një kthim në studion e piktorit, ku i dihet çfarë mund të lindë në kokën e tij… E kam dëgjuar disa herë, fjala vjen, se do t’i pëlqente shumë që një ditë të qepte rroba për miqtë e të njohurit! Për sa i takon veshjes, mendoj se dashuria e përjetshme e Edit nuk është as veshja antikonformiste e dikurshme dhe as xhaketat e kravatat, që kanë gjithashtu antikonformizmin e tyre. Është pasioni për të bukurën.
Keni thënë se dikur, ajo që ju ka pëlqyer më shumë nga Edi, është pena e tij. Tani keni privilegjin të lexoni e para atë që ai shkruan…
Edi është padyshim një ndër lëvruesit e shqipes që, pa e njohur, ka fituar admirimin tim qysh shumë herët. Publicistika e tij në vitet ’90 ishte si një eksplorim në thesarin gjuhësor të shqipes, përmes të cilit ndërtohej mendimi vizionar dhe fshikullues i një njeriu shumë të veçantë për kohën. Sot është po ai njeri, por megjithëse roli që ka është tjetër dhe koha po ashtu tjetër, pena e Edit mbetet një arsye e fortë për t’u ndier thellësisht e privilegjuar si lexuesja e parë e atyre që ai shkruan.
Miratoni çdo gjë që ai shkruan apo thotë, apo për çështje të caktuara ndani mendime të kundërta?
Ne jemi shumë komplementarë, sepse jemi të ndryshëm dhe, si të tillë, padyshim kemi gjithnjë arsye e kënaqësi të debatojmë për qasjen ndaj çështjesh të caktuara. Por s’kemi thuajse asnjëherë dallim në parimet e vlerat që ndajmë bashkarisht.
A është Edi Rama natyrë që dëgjon këshilla?
Krejt ndryshe nga ajo që thuhet apo edhe duket, Edi është një njeri me një interes shumë të veçantë, thuajse obsesiv, për të kërkuar dhe dëgjuar sa më shumë pikëpamje lidhur me çdo çështje që i intereson. E di që e keni të vështirë të më besoni, megjithë ato që janë shkruar e thënë për të, si njeri që bën çdo gjë në kokën e vet. Mirëpo kjo s’më pengon t’ju them se ai i do këshillat, i kërkon nga gjithkush që mendon se mund ta ndihmojë me një këshillë lidhur me një problem për t’u zgjidhur. Edi nuk e ka aspak të vështirë të pranojë e të bëjë të vetën çdo këshillë bindëse. Eshtë diçka tjetër pastaj vendosmëria e tij për të mbrojtur bindjet apo pozicionet e marra pasi këshillohet. Në këtë pikë, s’kam parë njeri më të vendosur.
A është kjo e juaja një nga ato dashuritë që vijnë si pasojë e miqësisë dhe ndarjes së ideve të njëjta apo tërheqje e të kundërtave?
Më lejoni ta kaloj me një buzëqeshje shumë dashamirëse këtë pyetje tuajën. Po të shpjegohej dot kështu, s’do quhej dashuri.
Po mund të na tregoni së paku se cilat janë ato gjëra që të kanë pëlqyer më shumë tek Edi…? Ç’ju ka bërë të bini në dashuri me të?
Edi ka cilësi që të bëjnë ta jetosh jetën cilësisht jo vetëm për vete. Mbi të gjitha është shumë i hapur, i afërt e i drejtpërdrejtë. Ka një kreativitet jashtëzakonisht tërheqës në komunikim dhe bën çdo përpjekje që t’i bëjë të ndjehen mirë njerëzit kur janë me të. E kënaq çdo punë e mirë e të tjerëve. Nuk është asnjëherë xheloz për suksesin e dikujt tjetër dhe ka një nxitje të brendshme për të inkurajuar çdo mundësi për sukses të të tjerëve. Po Edi Rama, që sinqerisht më vjen keq që s’mund ta njohin të gjithë, është babai krejt i veçantë, asnjëherë i pabarabartë me fëmijën. Gregun dhe Rean i sheh dhe trajton si njerëz të lirë, duke i sfiduar në biseda, ku kurrë nuk imponohet me forcën e më të madhit, po krijon hapësira dhe hap dritare komunikimi nganjëherë të çuditshme për mënyrën sesi zgjidh me ta dilemat apo problemet e tyre. Pa i rënë asnjëherë bisedës në rrugën e zakonshme të autoritetit prindëror.
Vendimi për martesë ishte një përfundim logjik i lidhjes së dy të rriturve, apo një dëshirë e beftë e ndonjërit prej jush?
Tashmë ngjarja e martesës sonë është e shkuar dhe vendimmarrja për të është jeta jonë e përditshme së bashku. Të cilën e kemi dëshiruar që të dy dhe të dy jemi të lumtur për vendimin që kemi marrë.
Si është një ditë në krah të Edi Ramës? Si janë fundjavat tuaja, kur nuk janë të mbushura me aktivitete politike?
Çdo moment në krah të Edit është, pa asnjë ekzagjerim, një arsye për të thënë diçka të bukur, por do të më lejoni t’i mbaj për vete ato që mund të them, si pjesë të një jetese që kemi zgjedhur ta mbajmë jashtë dhe sa më larg vëmendjes së të tjerëve.
A ndiheni e bezdisur nga prania e përhershme e bashkëpunëtorëve të tij, truprojave, shoferit…? Sa kohë kaloni vetëm ju të dy?
Nuk ndjehem e bezdisur, sepse e kam pranuar specifikën e punës së tij me të gjitha andrallat e panumërta. Por, ndërkohë, nuk jam as e detyruar të provoj durimin tim lidhur me praninë e atyre që përmendët, pasi kur Edi është me mua, është përgjithësisht vetëm me mua. Sepse kohën që mbetet vetëm për njëri-tjetrin e kalojmë më së shumti në shtëpi.
A i shmangni bisedat politike brenda mureve të shtëpisë?
Na pëlqen ta kalojmë mbrëmjen në shtëpi, mes bisedash, filmash, leximesh… Apo edhe ndonjë ndeshje të veçantë sporti që Edi më detyron ta shoh.
Tani që folët për sportin, më kujtohet se në revistën “One”, Edi ka folur për vrapimin, sportin, që ai nuk e ka braktisur dhe që e ushtron bashkë me Gregun. A i jeni bashkangjitur dhe ju këtij “ekipi”?
Kam pasur gjithnjë një respekt të veçantë për sportistët e talentuar, por nuk jam dalluar ndonjëherë as për talent e as për vullnet të veçantë për t’u marrë me sport. Ndërkohë që me hope bëj edhe unë përpjekjet e mia, për të mos e lënë organizmin në gjumin e viteve që ikin.
Por ama ka një tjetër “sport” që ju e bëni në çift: “shopping”- un. Domethënë pazari ushqimor. Na thanë se jeni blerës të rregullt të supermarketit, ku dhe jeni fotografuar. Kjo do të thotë se tek ju nuk mungojnë vaktet e gatuara rregullisht në shtëpi? Cilat janë ushqimet e parapëlqyera?
Hamë thjesht. Ushqime jo të rënda, e kam fjalën. Pjata e preferuar janë angjinaret, të cilat janë gatuar tradicionalisht në familjen e Edit dhe në mënyrat e ndryshme të gatimit ato shijojnë vërtet shumë.
Edi gatuan?!
Sigurisht, kur ia lejon koha dhe ia ka vërtet qejfi ta bëjë këtë, duke sajuar pjata të pakonkurrueshme. Por fatkeqësisht nuk ndodh aq shpesh sa do të doja.
Folët për gatime tradicionale të familjes së Edit. A keni marrë ndërkaq “mësime” gatimi nga mamaja e Edit?
Konsultohem vazhdimisht për gatimin, si me mamanë e Edit ashtu edhe me mamanë time. Kur ato gatuajnë diçka të veçantë, shijojmë gatimin e tyre, i cili na kujton fëmijërinë.
Cilat janë ato punë të shtëpisë që urreni t’i bëni?
Unë i kam bërë gjithnjë vetë punët e shtëpisë. Nuk kam marrë asnjëherë njeri për të më ndihmuar. Në qoftë se e do shtëpinë ku jeton, nuk mund të urresh asnjë prej punëve që bën në të. Përkundrazi!
Si është arredimi i shtëpisë suaj? Me ç’ngjyra? Piktori i shtëpisë është Edi apo ti?
Eshtë një shtëpi e vogël, që sigurisht syri dhe dora e Edit e kanë bërë një shtëpi të veçantë, pa asnjë mur ndarës për shembull dhe me një organizim të përshtatur për të ndarë orë mikpritjeje me njerëz të dashur tanët, pavarësisht hapësirës modeste. Ngjyrat? E kuqja, grija dhe e bardha janë ato që dominojnë, por ka tek-tuk ndonjë “njollë” të gjelbër apo blu.
U fol gjatë në media për zgjedhjen për të jetuar në këtë shtëpi me qira… Do jetoni përgjithmonë në një shtëpi të tillë apo planifikoni ta blini një?
Si të gjithë, edhe ne e kemi ëndërr të kemi shtëpinë tonë, që duam ta ndërtojmë vetë, dalëngadalë. Madje, unë e kam filluar ndërtimin e kësaj shtëpie në ëndrrën time. I di përmendësh muret, mjediset, mobilimin, gjithçka. Jam e lumtur që Edi iu bashkua kësaj ëndrre.
Duket si një nga ato përrallat me fund të lumtur. Ku dy njerëz të rritur vendosin të ngrenë shtëpinë e tyre, familjen e tyre, duke pasur fëmijët e tyre. Gregu- djali i Edit- dhe Rea, vajza e Lindës, janë shfaqur të lumtur në krah të prindërve ditën e dasmës.
Si ka ndikuar vendimi për martesën në jetën e vajzës suaj?
Rea është një fëmijë i rritur mjaft mirë, me dashuri shumë të veçantë, në një mjedis ku kujdesi dhe respekti i ndërsjellë ishte pjesë e pacenuar kurrë e kodit të çmuar familjar. Falë dashurisë e përkushtimit të jashtëzakonshëm të babait të saj dhe timin, në çdo çast, për vite me radhë, Rea është sot një vajzë me botë të madhe shpirtërore, mendjehapur, kurajoze. E pakursyer në dashurinë për gjyshen, të atin e saj e për mua, ajo mban në një ekuilibër të përsosur marrëdhëniet e veta me të dyja shtëpitë.
Si ka reaguar ajo kur mësoi lidhjen tuaj me Edin dhe më vonë vendimin për martesën?
Marrëdhënia e Reas me Edin është një kapitull i bukur më vete, që pas futjes së vajzës në rrugën e studimit të arkitekturës e të artit, ka një hapësirë diskutimi të vazhdueshëm mes tyre. Nëna ime, me të drejtë, është shumë kritike ndaj prindërve që kalojnë masën në lëvdatat për fëmijët e tyre, ndaj shpresoj që kur ta lexojë këtë bisedë tonën të mos më marrë në telefon për të më thënë se e kalova masën duke folur për time bijë.
Disa herë, gjatë bisedës sonë, dëgjova të përmendnit “fëmijët”, në shumës. Kjo do të thotë që Gregun e shihni si djalin tuaj? Si është marrëdhënia me të?
Sigurisht që fëmijët tanë janë njëlloj pjesë e jona dhe jemi të bekuar që i kemi. Gregu është bashkëmoshatar me Rean, madje kanë qenë në vitin e parë të shkollës së mesme në të njëjtën klasë. Binte në sy qysh atëherë si krejt i ndryshëm nga shokët e shoqet e klasës së sime bije, jo vetëm pse shumë i gjatë po njëkohësisht shumë i mirësjellë. Djali ka kaluar një vështirësi të madhe shëndetësore, pesë vjet më parë, që e ka ndikuar dhe ndihmuar shumë në pasjen e një thellësie, peo edhe humori të veçantë. Me mua ka një komunikim “të fshehtë”, e them duke buzëqeshur, sepse dëshiron të ndajë çdo pikëpyetje nga shumë pikëpyetje të natyrshme të moshës. Edhe ai merret me art, pikturon e fotografon bukur, po unë mezi i pres copëzat e shkrimeve të tij që m’i dërgon rregullisht.
Keni thënë, në të parën dhe të vetmen intervistë, se me Anetën, nënën e Edit, keni një marrëdhënie miqësore. Sa kohë ka që zgjat kjo miqësi? I ndani bashkë shqetësimet kur jeta private e Edit përdoret për sulme politike?
Aneta Rama është, përtej marrëdhënies sime shumë të afërt me të, një grua shumë e rrallë. Këto ditë më rastisi të shoh një dosje me vizatime të fëmijërisë së hershme të Edit e të Olsit, të ruajtura me shumë kujdes nga babai i Edit, Kristaqi, në një koleksion ku mbishkruhej prej dorës së tij: “Kujtimet e fëmijëve”. Veçanërisht njëra prej tyre më preku shumë. E nxora mënjanë për ta vënë në murin e shtëpisë. Eshtë një vizatim i Edit. Me shkrimin e një fëmije 6-vjeçar shkruhet mbi një det, ku kalon një vapor shumëngjyrësh: “5.11.70. MAMIT TIME – NGA EDI”. Kjo, më duket mua, se do të ishte pamja më e përshtatshme për të përshkruar atmosferën në familjen Rama sot e gjithë kohën. Aneta është një grua e kulturuar, e cila karrierën e saj e la mënjanë, duke mbështetur burrin që adhuronte dhe rritur me përkujdesje të madhe fëmijët e saj. Eshtë një nënë që di të respektojë zgjedhjen politike të të birit, përtej dhimbjes prej goditjeve të paturpshme që i bëhen papushim familjes së saj, kujtimit të burrit të saj. Ndërsa Edi është për të djali, që kalimi i viteve përmes vështirësisë së mundimshme të krijuar prej sulmeve të baltës e bën edhe më të ndjeshëm ndaj saj. Nën peshën e brengës për lëndimin që shkakton tek nëna fjala e rëndë deri në mëkat e kundërshtarëve politikë të të birit, Aneta merr çdo ditë përkëdheljet e tij telefonike, kur koha nuk lejon më shumë, dhe shpeshherë, një tufë lule dërguar prej Edit në shtëpi. Ndërsa unë jam vazhdimisht me të. Jemi të shqetësuar kur ajo shqetësohet dhe bëjmë sa mundemi ta qetësojmë e ta gëzojmë.

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

2 Pergjigje per Linda: Jeta si bashkëshortja e Edi Ramës

  1. Frederik  --  19 Mars, 2011 në 4:40 pm

    Bukur dhe mbreselenese!

  2. devolliu  --  19 Mars, 2011 në 5:36 pm

    Zoti e bekoftë këtë familje dinjitoze!