Artan Hoxha: Lidhjet e krimit në Shqipëri shkojnë deri tek politika | Gazeta Tema
 

Artan Hoxha: Lidhjet e krimit në Shqipëri shkojnë deri tek politika

Postuar në: Kryesore |

Flet gazetari i emisionit “Xhungël” në News 24

Bisedoi: Bledar Lumani, Free Press

Në këto vitet e fundit, krimi ka ardhur në rënie apo e kundërta?

Kurba e nivelit të kriminalitetit ka një varësi të madhe nga situatat e ndryshme politike dhe ekonomike që kalon vendi. Statistikat e deritanishme kanë dëshmuar se, në rastet kur situata politike është e ngarkuar dhe e acaruar, edhe niveli i kriminalitetit pëson rritje. E njëjta gjë vlen edhe për situatën ekonomike të vendit. Sjellja e agjencive ligj-zbatuese të vendit dhe efikasiteti i tyre në luftën ndaj krimit, është pandashmërisht e lidhur me situatën politike dhe atë ekonomike. Gjithsesi, statistikat kanë dëshmuar se gjatë kësaj periudhe kohore ka pësuar një rënie krimi i vrasjes, por është rritur krimi ordiner, kryesisht grabitjet dhe krimi ndaj pronës. Gjendja e vërtetë e këtij lloji krimi nuk pasqyrohet në statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit, pasi shifrat falsifikohen, duke u minimizuar rastet që ndodhin në territorin e vendit. Gjatë muajve të fundit është vënë re një rritje e krimit të vrasjes, sidomos vrasjet e organizuara dhe të sofistikuara, duke bërë që në pjesën dërrmuese autorët të mos zbulohen. Pra, në tërësi është ulur niveli i krimeve të regjistruara në shkallë vendi, por është rritur numri i vrasjeve të organizuara.

 

Dëgjojmë shumë, sidomos nga politikanët, për krim të organizuar. A ekziston vërtet krimi i organizuar në Shqipëri dhe nëse po, sa i rrezikshëm mund të jetë ai?

 

Përpara se ta thonë politikanët, një gjë të tillë e ka bërë media dhe raportet e agjencive të huaja që monitorojnë nivelin e kriminalitetit në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit në tërësi. Po, është e vërtetë që në Shqipëri ka krim të organizuar. Por, ende nuk kemi një nivel të tillë organizimi sa ai i organizatave mafioze të njohura në nivel ndërkombëtar. Pra, në Shqipëri nuk ka ende një organizatë mafioze të mirëfilltë. Grupet kriminale shqiptare janë treguar të suksesshëm deri tani, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, për shkak se janë tepër operativë, të formuar mbi bazë gjaku, miqësie apo shoqërie të ngushtë. Këto grupe veprojnë si celula guerile, me numër të kufizuar personash dhe janë të afta të përshtaten në çfarëdo lloj terreni. Ato nuk janë të specializuara vetëm në një lloj natyre krimi, siç ndodh rëndom me organizatat kriminale të huaja. Grupet kriminale shqiptare janë të afta të kalojnë menjëherë nga një fushë krimi në një tjetër, në varësi të kërkesë-ofertës në treg dhe mundësive për të fituar sa më shumë. Një tjetër detaj që i dallon ato, që ka ndikuar së tepërmi për të rritur namin e tyre të keq dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave evropiane, është fakti se grupet kriminale shqiptare janë shumë të dhunshme, gjë që i ekspozon në krahasim me bandat nga vendet e tjera. Nëse vëmë re lajmet që publikohen gati çdo ditë për grupet kriminale shqiptare që arrestohen në vendet e Bashkimit Evropian, konstatojmë se, pavarësisht rasteve në rritje, asnjëherë nuk është bërë e mundur që t’i jepet një goditje vendimtare kësaj veprimtarie. Për të ilustruar këtë fenomen po jap një shembull. Nëse policia italiane godet një grup trafikantësh droge në një lagje të Milanos, kjo nuk do të thotë që në atë lagje ka marrë fund trafiku i drogës. Mjaftojnë vetëm disa javë, për të kuptuar që në atë territor të lirë është shfaqur një bande e re kriminale, e cila ka zënë vendin e së parës dhe vazhdon aktivitetin. Duke patur këtë natyrë organizimi, pra në banda të vogla, mjaft operative dhe me lidhje kryesisht farefisnie, grupet kriminale shqiptare kanë patur sukses, duke u shtrirë gjithandej në vendet e BE-së. Kjo ndodh për shkak se këto lloj grupesh nuk kanë një kokë apo një shtab qendror (si organizatat e mirëfillta mafioze), goditja e të cilit do të çonte në asgjësimin e gjithë organizatës. Nëse në një lagje apo qytet goditet një grup kriminal shqiptar, brenda pak kohësh aty shfaqet një grup i ri, i cili zë vendin e të parit. Kjo mënyrë funksionimi e ka bërë mjaft të rrezikshëm kriminalitetin shqiptar dhe të vështirë për t’u asgjësuar me operacione në shkallë të gjerë, siç ndodh rëndom ndaj organizatave mafioze.

 

A ka marrë fund epoka e bandave të organizuara në Shqipëri, pas shkatërrimit të disa prej tyre, si ajo e Durrësit apo e Lushnjës apo ato vazhdojnë që të funksionojnë?

 

Kriminaliteti, si çdo aktivitet tjetër i natyrës njerëzore, ka faza zhvillimi dhe evolucioni. Pra, edhe në Shqipëri ka ndodhur ky fenomen. Krimi ka kaluar nga një fazë zhvillimi në një tjetër më të organizuar dhe sofistikuar. Sot nuk janë më në “modë” bandat kriminale që mbinë si kërpudhat pas shiut gjatë vitit 1997. Natyra e krimit ka evoluar. Nëse sjellim shembuj konkret, shohim se bandat e viteve 1997-1999 kanë qenë kryesisht banda shumë të dhunshme, me shumë anëtarë, që vepronin haptazi, që kishin territore të vogla nën kontroll, kryesisht lagje apo dhe qytete të veçanta. Ato kryesisht merreshin me vrasje, grabitje me dhunë dëmtim prone etj. Goditja e këtyre bandave u krye menjëherë sapo shteti nisi të stabilizohej dhe gjatë vjeshtës së vitit 1999, pjesa dërrmuese e anëtarëve të tyre ose u arrestuan, ose u larguan jashtë vendit, duke u shpartalluar. Përmendim bandën e Çoles (Zani Çaushit), bandën e Gaxhait dhe Kakamit, bandën e Arben Xhelitës, bandën e Pusit të Mezinit, bandën e Altin Dardhës, bandën e Rrugës së Kavajës, bandën e Mandelës etj. Më vonë u krijuan organizata kriminale që u specializuan për trafik ndërkombëtar droge, prostitucioni, klandestinësh dhe kontrabandë cigaresh apo hidrokarburesh. Organizimi, logjistika, territori dhe përbërja e këtyre bandave ishte shumë herë më e mirë dhe më e madhe nga paraardhëset e tyre. Por, këto grupe sërish vazhdonin të tregoheshin shumë të dhunshme dhe të pamëshirshme ndaj rivalëve të tyre. Ky tipar i ekspozoi dhe pavarësisht mbështetjes që kishin në shumë raste nga politikanë apo forca të caktuara politike, u goditën nga policia. Ky është rasti tipik i Bandës së Lushnjes apo bandës së Durrësit. Nga mesi i dekadës që sapo lamë pas, krimi kaloi në një etapë tjetër. Paratë e siguruara nga aktivitete të paligjshme, nisën të investohen në pasuri të paluajtshme, në investime publike, e deri në media dhe në fushata politike. Aktualisht, në vend veprojnë disa grupe kriminale me nuanca të familjeve mafioze, por ende nuk kanë arritur të kenë qartësisht një status të tillë. Këto lloj grupesh nuk e shohin vrasjen si një zgjidhje, por si një problem që i ekspozon përballë agjencive ligj-zbatuese, medias, politikës. Besoj që shumë prej këtyre grupeve kriminale do të përfshihen në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore që sapo ka nisur.

 

Flitet shumë për mungesë profesionalizmi nga ana e policisë shqiptare, pasi jo vetëm që shumë rrallë i parandalon vrasjet, por lë për të dëshiruar edhe në hetime. Sa e vërtetë është kjo gjë?

 

Pavarësisht evoluimit që ka bërë në shumë drejtime, Policia e Shtetit ka ende probleme të dukshme. Lëvizja e titullarëve dhe oficerëve drejtues të policisë sa herë ndryshon situata politike, e ka dëmtuar vazhdimësinë e luftës ndaj krimit. Punën që e nis një staf drejtues i policisë, nuk e vazhdon stafi pasardhës, duke i dhënë mundësi krimit të humbë gjurmët dhe të fitojë terren. Policia pas ngjarjeve të vitit 1997 humbi besimin te qytetarët dhe gati gjithë rrjetin e informatorëve të saj. Mungesa e informacionit të siguruar në rrugë operative, pra nga informatorët e thjeshtë, ka bërë që policia të mos jetë në gjendje të parandalojë krimet e rënda, e sidomos vrasjet. Metodat e përdoruara në hetime nga policia kanë dëshmuar se janë ende larg profesionalizmit dhe standardeve evropiane, ku ne aspirojmë të shkojmë.

 

A ka një bashkëpunim real të institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht të prokurorisë dhe policisë në hetimin e krimeve, pasi rasti i hetimeve të 21 janarit dha një shembull jo shumë pozitiv në këtë drejtim?

 

Rasti i demonstratës së 21 janarit shërbeu vetëm për të dhënë alarmin mbi mungesën e një bashkëpunimi reciprok polici-prokurori. Në fakt, në mungesën e këtij bashkëpunimi ka ndikuar së tepërmi përfshirja e politikës, e cila ka synuar t’i përdorë këto dy institucione sipas interesave të çastit. 21 janari shërbeu vetëm për të dëshmuar se deri ku kishin arritur kontradiktat dhe përplasjet mes dy agjencive që mbajnë barrën kryesore në luftën kundër krimit. Kjo situatë do të vazhdojë të jetë e tillë të paktën deri pas zgjedhjeve të 8 majit. Përgjegjësia kryesore për mendimin tim bie mbi Policinë e Shtetit, e cila ka treguar më shumë se një herë se është përdorur për qëllime të pastra politike.

 

Kohët e fundit ka pasur akuza që drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë të përfshirë në veprimtari të dyshuara kriminale. Sa e vërtetë mund të jetë kjo gjë dhe a stimulohet krimi nga struktura shtetërore, si p.sh policia?

 

Ka pasur raste kur drejtues të lartë apo oficerë të policisë janë implikuar në afera të pista, me persona me precedentë penale apo trafiqe ilegale. Nuk ka se si, në territorin e Shqipërisë të kenë lëvizur brenda dy vitesh dhjetëra autobote me naftë virxhin, që kanë bërë mijëra rrugë dhe Policia e Shtetit që kontrollon territorin, të mos ketë ditur asgjë. Janë konstatuar raste flagrante të korrupsionit dhe implikimit të oficerëve të lartë të policisë, madje dhe sektorëve të tërë me grupe kriminale. Një ngjarje e tillë me pasoja të rënda është vrasja e 4 oficerëve të skuadrës së operacioneve speciale, më 7 gusht 2009 në qytetin e Durrësit, gjatë përpjekjes për të kapur personin e shumëkërkuar Dritan Dajti. Shpresoj që një gjykim i drejtë i kësaj çështje të ndëshkojë ideatorët dhe personat përgjegjës në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, që çuan drejt vdekjes së sigurt katër dëshmorë të atdheut, të cilët lanë pas tetë fëmijë jetimë.

 

Një nga problemet e mëdha të krimit është trafiku i drogës, që më së shumti lidhet me Lazaratin. Përse nuk ka ndërhyrë shteti gjatë gjithë këtyre viteve aty, cilat janë motivet e vërteta?

 

Lazarati, për fat të keq është njolla e zezë, që tregon fytyrën e vërtetë të kriminalitetit të organizuar në Shqipëri. Aty është gjithçka e organizuar, qysh nga kontaktimi i fermerëve që do të kultivojnë bimën narkotike, sigurimi i farës, pagesa e kaparit për prodhimin, ruajtja me grupe të armatosura e parcelave më hashash, grumbullimi i drogës nga jo më shumë se 7 “grosistë” të mëdhenj. Nga investigimi që emisioni “Xhungël” kreu vitin e kaluar në Lazarat, rezultoi se aty ishin mbjellë sipërfaqe me bimë narkotike që në tregun ndërkombëtar kapin një vlerë prej të paktën 60-70 milionë euro. Në fshat rezultojnë të jenë tre presa të përpunimit të bimës narkotike. Ndërsa policia lokale, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e tjera të luftës kundër krimit, dëshmuan dhe njëherë se dështuan me turp në fushatën e tyre anti-kanabis. Gjendja reale e Lazaratit është ajo e trafikantëve që kapen për ditë me sasi prej qindra kilogramësh hashash të presuar. Mjafton të kujtoj se policia arrin të kapë vetëm një ose dy ngarkesa në dhjetë të tilla që dalin nga Lazarati. Në fakt, drejtues të veçantë të policisë janë të përfshirë vetë në këtë biznes miliona eurosh. Por, asgjë nuk do të kishte pasur sukses, sikur organizatorët dhe drejtuesit e kësaj industrie ilegale të mos kishin mbështetje politike. Pse nuk ka ndërhyrë shteti gjatë këtyre viteve?! Mjafton të shikoni se cila forcë politike i ka fituar në vijimësi zgjedhjet në këtë njësi vendore dhe sa i thellë ka qenë rezultati i fitores në krahasim me komunat e tjera të vendit.

 

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

2 Pergjigje per Artan Hoxha: Lidhjet e krimit në Shqipëri shkojnë deri tek politika

  1. fule  --  3 Prill, 2011 në 1:19 pm

    Respekte Artan per kontributin e madh qe ke dhene vecanerisht kete vit.

  2. rexha italia  --  4 Prill, 2011 në 8:56 am

    ME proteksin se prokuroria nuk ka mjetet e duhura per hetimin e krimeve te korrupsionit do te thote
    VIDHNI CTE GJENI
    VRISNI CTE DONI
    ASKUJT MOS I JEPNI
    ASKUJT MOS I THONI

    SA TE JETE SALIU
    ME XHOZIN NE KRYE
    KRAHET GJER NE BRRYL
    ME GJAK ME I PERLYE

    KJO ESHTE QEVERIA
    DIKTATURE ME PAS
    SE NDRYSHE KY POPULL
    SMBAHET ME HASHASH

    ME FASLLICET NE KRYE
    JUVE MOR TE MJERE
    DO TE VIJE AJO DITE
    KUR POPULLI DO JU DHJERE