Historia e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, fitoret e PS dhe të PD

Postuar në: Dossier,Kryesore |

Edi Rama në zgjedhjet e vitit 2000

Analiza e rezultatit të zgjedhjeve lokale në 20 vite tranzicion. Detaje të fushatave elektorale të zgjedhjeve lokale, specifika e fitores së PS në 26 korrik 1992 dhe fitorja e PD në tetor 1996 pas dështimit të kësaj partie në zgjedhjet famëkeqe të 26 majit, ku PD u akuzua nga opozita dhe faktori ndërkombëtar si autore e manipulimit të zgjedhjeve

Partia Demokratike ka fituar dy prej pesë proceseve zgjedhore vendore të zhvilluara në 20 vite të tranzicionit në Shqipëri. Tre procese të tjera zgjedhore i ka fituar Partia Socialiste.

PD ka fituar zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 1996, si dhe zgjedhjet lokale të 18 shkurtit të vitit 2007, në shkallë vendi, por duke humbur në shumicë dërrmuese bashkitë kryesore. Ndërsa PS ka fituar zgjedhjet lokale të korrikut 1992, zgjedhjet lokale te tetorit 2000 si dhe zgjedhjet lokale të vitit 2003. Nga këto zgjedhje, vlejnë për tu veçuar zgjedhjet vendore të 26 korrikut të vitit 1992, kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet përballë Partisë Demokratike, e cila kishte vetëm tre muaj që kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 22 marsit, me rezultat të thellë ndaj PS.

Një analizë e detajuar e të gjitha proceseve zgjedhore të zhvilluara në Shqipërinë  e pas viteve 90 gjendet në librin e politologut Afrim Krasniqi “Zgjedhjet në Shqipëri, (1991-2008)”. Më poshtë botohen pjesë nga libri i Krasniqit, kryesisht ato që kanë të bëjnë proceset zgjedhore lokale në Shqipëri.

 

 

Zgjedhjet lokale të 26 korrikut të vitit 1992

 

Kishin kaluar vetëm tre muaj nga fitorja e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e para lokale të zhvilluara në sistemin politik shumëpartiak.

“Vlen të theksohet se zgjedhjet lokale të vitit 1992, janë të parat zgjedhje lokale në historinë e Shqipërisë. Përvoja e dy proceseve zgjedhore parlamentare dukej e mjaftueshme për të përgatitur dhe zhvilluar një fushatë të veçantë, në të cilën nuk do të votohej për qeverinë qendrore. Fushata elektorale e zgjedhjeve lokale të 26 korrikut 1992 mbetet një nga fushatat më të qeta dhe qytetare. Kjo u arrit si rezultat i ndikimit të disa faktorëve, ndër të cilët më kryesorët ishin mbajtja e tyre tre muaj pas entuziazmit dhe votimit me shumicë absolute për rotacion pushteti në zgjedhjet parlamentare, vapa e nxehtë e verës 1992 si dhe qëndrimi larg fushatës i figurave kryesore politike. Këto janë zgjedhjet e para dhe të fundit në të cilat nuk pati një fushatë intensive elektorale nga ana e Presidentit Berisha, i cili sapo kishte lënë postin formalisht, duke mbajtur vendin në kryesinë e PD-së. Tashmë PD-ja drejtohej nga kryetari i ri (Eduard Selami) i zgjedhur me 16 prill në Kongresin e Jashtëzakonshëm. Në krah të tij ishin sekretari i ri i përgjithshëm, Tomor Dosti, një nga pinjollët më të njohur të disidencës dhe ish-të përndjekurve politikë, i ardhur nga kampet e internimit të Lushnjës, si dhe dy nënkryetarët e njohur, Arben Imami e Azem Hajdari. Problemet e krijuara në kongres, ku gara për kryetar midis Selamit dhe Imamit përfundoi me fitoren e të parit me një diferencë të thellë (411 nga 484 vota) dhe ku nënkryetari Hajdari u nis për studime të pjesshme në SHBA, krijoi ftohtësi në marrëdhëniet në lidershipin demokrat. Ato morën një zhvillim të ri më 23 qershor 1992, kur PD-ja vendosi përjashtimin e deputetit Gramoz Pashko, një nga figurave kryesore drejtuese të kësaj partie dhe ish-zv/kryeministër në Qeverinë e Stabilitetit. Pashko nuk u thirr në qeveri dhe më pas u bë kritik ndaj politikave preferenciale të PD-së ndaj grupeve mbështetëse. Ai e krahasoi ikjen e përkohshme të Hajdarit në SHBA me ikjen e Kadaresë më 1990, gjë që shkarkoi reagim ekstrem të Berishës dhe PD-së, deri në pezullimin e tij nga grupi parlamentar. Një faktor tjetër me ndikim në zgjedhje ishin edhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadrin e reformave ekonomike dhe strukturore. Një valë spastrimesh në administratë krijuan rotacion të zgjatur të pushtetit dhe vonesa në trajtimin e premtimeve elektorale. Po ashtu, një javë përpara votimeve qeveria shpalli vendimin e saj për liberalizimin e çmimit të bukës. Kjo masë që preku të gjithë qytetarët, pasi në psikologjinë dhe traditën shqiptare, për dekada me radhë çmimi i bukës kishte mbetur i njëjtë dhe vetë buka përbënte një nga produktet ushqimore më të preferuara të tryezave familjare. Në rrafshin elektoral ministrat e rinj të PD-së, të zgjedhur kryesisht nga degët e periferisë, nuk kishin krijuar ende autoritetin e duhur publik për t`u përballur me qytetarët në debate publike dhe mitingje elektorale. Kështu që një pjesë e mitingjeve u anuluan, të tjera u bënë formale, dhe një pjesë tjetër me sforcim, duke nxjerrë në to nëpunësit e administratës apo nxënësit e shkollave. Probleme u shfaqën edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie. Demokratët kishin kandiduar në zgjedhjet parlamentare kapacitetet e tyre njerëzore më të njohura e më të kualifikuara, kështu që për të ishte e vështirë të hartohej një listë e dytë kandidatësh potencialë, vetëm tre muaj pas fitores së bujshme elektorale. Në rivalitet me PD-në, socialistët dukeshin në pozita më komode. Ata nuk vuanin për kandidatë, përkundrazi ia lejonin vetes të bënin një përzgjedhje kandidatësh potencialë në një listë të madhe kandidatësh, një pjesë e të cilëve konkurruan dhe humbën në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kështu, në Tiranë socialistët konkurruan me nënkryetarin e tyre, Luan Hajdaraga, një figurë e njohur e qarqeve pedagogjike, pa lidhje serioze me sistemin dhe regjimin e kaluar.

 

Rezultatet

Zgjedhjet lokale u zhvilluan në dy raunde, me sistemin mazhoritar. Në raundin e parë u votua edhe për Këshillat e Rretheve dhe ato të komunave e bashkive. Në zgjedhje morën pjesë 1.405.066 nga numri total prej 1.988.795 zgjedhësish. Në përqindje pjesëmarrja ishte 70,65%. Rreth 9% e votave rezultuan të pavlefshme. Rezultatet e votimit sipas partive politike nxjerrin fitues Partinë Socialiste, e cila mori 340.266 vota ose 45.43%. PD-ja siguroi 278.101 vota ose 37.13%, PSD-ja 40.065 vota ose 5.35%, ndjekur nga PR-ja me 33.726 vota ose 4.50% dhe PBDNJ-ja 33.223 vota ose 4.44% të votave. Siç shihet, koalicioni qeveritar fitoi 46.98% të votave ndaj 49.87% të koalicionit të majtë opozitar. Duke llogaritur së bashku votat për këshillat bashkiakë dhe komunalë rezulton se koalicioni qeveritar ka marrë 644.872 vota ose 51%, ndërsa Partia Socialiste 519.239 dhe së bashku me dy partitë e majta 535.713 vota ose 43% të votave. Në përfundim të zgjedhjeve, rezultatet ofruan surpriza në disa qytete. Demokratët fituan bashkitë e mëdha të Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Lushnjës, qytetet të fituara prej tyre edhe në dy zgjedhjet parlamentare. Por ata humbën në shumë prej qyteteve të tjera, kryesisht të kategorisë së dytë dhe ato periferike. Fitoret më të bujshme të PS-së u shënuan në Gjirokastër, Fier, Lezhë, Kukës, Peshkopi etj. Zgjedhjet për bashkinë e Tiranës patën një domethënie të veçantë. PD kandidoi Sali Kelmendin, një mësues i angazhuar në poste administrative në Ministrinë e Arsimit, kurse përballë tij ishte socialisti Luan Hajdaraga, gjithashtu i ardhur nga fusha pedagogjike. Kelmendi nuk kishte dhe nuk mori asnjëherë post politik në PD, kurse Hajdaraga do të ishte nënkryetar i tretë i Partisë Socialiste dhe për disa vite deputet, ministër apo zv/ministër në qeveritë e Partisë Socialiste. Vetë rezultati i votimit, një diferencë 13,90%, është tregues i lehtësisë me të cilën fitoi PD dhe mbështetjes së saj në kryeqytet.

 

 

Zgjedhjet lokale të 20 tetorit të vitit 1996

 

Në këto zgjedhje Partia Demokratike zgjodhi figura të reja politike, shumica deputetë të zgjedhur në parlamentin e majit 1996 apo të rinj të dalë në pah gjatë vitit elektoral. Kandidati i PD-së në Tiranë, Albert Brojka, ishte zgjedhje unanime e momentit të fundit e kryesisë së PD-së. Përballë tij PS-ja u përpoq të zgjidhte gjithashtu një kandidat civil, të papërfshirë në debatet e ashpra politike parlamentare dhe jashtëparlamentare. I tillë ishte diplomati Agim Fagu, i njohur në publik si një nga sportistët më të suksesshëm në historinë e sportit shqiptar. Fagu kishte provuar të hynte në politikë në maj 1996 duke konkurruar pa sukses për deputet përballë sekretarit demokrat, Ylli Vejsiu. Në tetor 1996, Fagu ishte zgjidhje e shpejtë, e imponuar nga rrethanat dhe e menduar të tërhiqte pas vetes numrin e madh të votuesve të rinj dhe të atyre të pavendosur.

 

Rezultatet

Në mbrëmjen e datës 20 tetor PD-ja shpalli fitoren në zgjedhje dhe nisi deklarimin e rezultatit të zgjedhjeve. Sipas të dhënave të saj, PD-ja fitoi në raundin e parë 61% të bashkive dhe 58% të komunave, kurse socialistët vetëm 6% të tyre. Të dhënat zyrtare të dala ditë më vonë raportuan se PD-ja fitoi 37 bashki, PS-ja në 4, një bashki u fitua nga kandidati i pavarur dhe 22 kaluan në balotazh. Në 310 komuna demokratët fituan 193, socialistët 12, partitë e vogla 7 dhe pjesa tjetër prej 98 komunave kaloi në balotazh. Në votimin proporcional për këshilltarët në 36 rrethe PD-ja fitoi 52.5%, PS-ja 31.2%, PR-ja 3.5% dhe partitë e tjera pjesën e mbetur. IRI raportoi se KQZ-ja asnjëherë nuk bëri publike rezultatet finale të zgjedhjeve. Me përfundimin e zgjedhjeve dhe më vonë, shpalljen nga KQZ-ja të rezultateve të përgjithshme zgjedhore bashkë me listën e fituesve dhe numrin e votave të partive në proporcional, u krijua mundësia e ballafaqimit të rezultateve zgjedhore me zgjedhjet lokale të korrikut 1992 dhe ato parlamentare të majit 1996. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u zhvillua në limite kohore, pasi rezultatet zyrtare të raundit të parë dolën të mërkurën dhe të enjten, ndërkohë që raundi i dytë duhej zhvilluar të dielën. Pra mbetën vetëm 1-2 ditë për fushatë elektorale. Raundi i dytë solli surprizën më të madhe të zgjedhjeve: një kandidat i së Djathtës së Bashkuar, Bahri Boriçi, fitoi përballë kandidatit demokrat Artur Luka në Shkodër. Rezultatet e tjera të balotazhit nuk sollën surpriza, demokratët fituan në shumicën e bashkive, tashmë me mbështetjen e partive të vogla të së djathtës. Megjithatë vëzhguesit raportuan se në raundin e dytë u shënuan shumë më tepër incidente dhe probleme sesa në raundin e parë të zgjedhjeve. Në fakt, zgjedhjet në Shkodër ishin komplekse dhe më shumë se zgjedhje midis alternativave u shndërruan në zgjedhje midis besimeve fetare të kandidatëve. Tradicionalisht partitë kishin pranuar kompromisin e heshtur se drejtuesit e qytetit verior duhet të ishin me rotacion, njëherë një katolik dhe më pas një mysliman. Më 1991 Shkodra drejtohej nga kryetari i Komitetit Pluralist Ali Spahia. Më 1992 vendin e tij me zgjedhje direkte në krye të bashkisë e zuri Filip Guraziu, përfaqësues i njohur i një prej familjeve katolike dhe disidente të këtij qyteti. Më 1996 do të duhej që kandidati të ishte i besimit tjetër, duke votuar rotacionin, por kryesia e PD-së vendosi të kandidojë ekonomistin e ri Artur Luka, pinjoll i një familjeje të njohur qytetare shkodrane. Kandidimi i tij u prit me rezerva nga një pjesë e kryesisë së PD-së lokale, e cila vendosi të përkrahte kandidatin e së djathtës, mësuesin Bahri Boriçi, edhe ky përfaqësues i njohur i qytetarisë shkodrane.

 

 

Zgjedhjet lokale të  1 tetorit 2000- Partia Socialiste merr gjithë pushtetin

 

Zgjedhjet lokale të 1 tetorit 2000 ishin të tretat në Shqipërinë pluraliste dhe të parat pas ardhjes së socialistëve në pushtet më 1997. Të mbajtura tre vjet pas vitit të krizës së thellë politike dhe një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës, ato u panë gjerësisht si një test i rëndësishëm politik. Socialistët duhej të dëshmonin aftësinë e tyre për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Demokratët duhej të dëshmonin se kishin lënë pas fazën e krizës politike dhe organizative dhe se tashmë ishin një alternativë e besueshme për zgjedhjet parlamentare të parashikuara më 2001. Përgjegjësia e organizimit të tyre u mor nga kryeministri Ilir Meta, i cili, në tetor 2000, ende nuk kishte arritur fazën kulmore të suksesit të tij politik. Disa teste politike, siç ishin votimet e pjesshme në 4-5 bashki e komuna më 1998 dhe 1999 ishin shoqëruar me kritika dhe incidente, por gjithsesi ato kishin zgjatur vetëm pak ditë pasi komuniteti ndërkombëtar nuk ishte përgatitur ende të adresonte kritika mbi PS-në dhe aleatët e saj. Zhgënjimi nga PD-ja dhe politikat e saj bojkotuese e refuzuese i solli asaj izolim ndërkombëtar dhe humbjen e vëmendjes së duhur edhe në dëgjimin e atyre çështjeve, për të cilat ajo mund të kishte të drejtë. Në zgjedhje u regjistruan 35 parti dhe një koalicion, “E Djathta e Bashkuar”.

 

Rezultatet

Në tërësi, në votimin nominal Partia Socialiste mori drejtimin e bashkive kryesore, të drejtuara që nga 1992 nga PD. Në përfundim të raundit të parë të zgjedhjeve u konstatua se PS-ja fitoi 28 bashki dhe 110 komuna, PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna, PBDNJ-ja 5 komuna dhe PLL-ja 1 komunë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve ishin në garë 28 bashki, 128 komuna dhe 10 nga 11 minibashkitë e Tiranës. Siç pritej PD-ja fitoi në vetëm 21 njësi ndaj 114 të ?tuara nga PS-ja. Në proporcional PS-ja fitoi 42.91% ndaj 33.79% të PD-së. Parti e tretë, në fakt edhe më e suksesshme e zgjedhjeve u rendit PSD-ja me 7.11% të votave. Pas saj me diferencë të thellë u rendit PAD-ja me 3.14%, PR-ja me 2.68%, PBDNJ-ja me 2.24%, PDK-ja 2.3%, DBSH-ja 2.09% dhe PA-ja 1.53%. Në një analizë krahasuese vlen të theksohet se suksesi i PSD-së ndaj partive të tjera të vogla bazohej në tre faktorë: ajo ishte partia politike më e lidhur me PS-në, një pjesë e kandidatëve të saj lokalë në fakt ishin figura të njohura të PS-së që nuk arritën të sigurojnë mandat konkurrimi në PS ndaj edhe kaluan me PSD-në dhe së treti, kjo parti mbante poste të rëndësishme në qeverisje, ku binte në sy posti i kryetarit të Kuvendit që mbahej nga kryetari i saj Gjinushi.

Në Buletinin e KQZ-së mbi rezultatet e zgjedhjeve për  pushtetin vendor, tetor 2000, bien në sy disa të dhëna, të cilat janë shprehja më e mirë e problemeve me të cilat hasi procesi zgjedhor. Të tilla mund të konsiderohen një bashki dhe gjashtë  komuna, në të cilat pjesëmarrja në votime rezulton të jetë më e lartë sesa 100%. Konkretisht në Ersekë kemi pjesëmarrje 316%, në Stravaj (Librazhd) 128%, në Ujmisht (Kukës) 115%, në Kala e Dodës (Dibër) 102%, në Sinaballaj (Kavajë) dhe Lekbibaj (Tropojë) 101%.

Në zgjedhjet e tetorit 2000 demokratët dhe socialistët ndërruan vendet e fituara në zgjedhjet lokale të vitit 1996. Konkretisht, demokratët humbën 39 bashki në krahasim me katër vite më parë. PD-ja fitoi vetëm 13 bashki, të gjitha në pjesën veriore të vendit dhe duke përjashtuar Shkodrën, Kukësin e Kavajën, të tjerat bashki dytësore. Po ashtu demokratët pësuan një humbje të thellë edhe në votimin për kryetarët e komunave. PD-ja fitoi vetëm 79 komuna nga 309 gjithsej, duke pasur një humbje prej 181 komunash në krahasim me 1996. Humbja e bashkive dhe komunave nga PD-ja do të kishte një çmim të lartë për anëtarët dhe strukturat e saj, pasi me humbjen e postit drejtues sipas traditës, do të pushoheshin nga puna disa qindra drejtues lokalë, punonjës dhe ekspertë, të cilët kishin shërbyer në pushtetin vendor gjatë qeverisjes nga demokratët. Me humbjen edhe të rreth 410 këshilltarëve bashkiakë dhe 365 këshilltarëve ë komuna, lista e të papunëve në PD do të dyfishohej, gjë që nuk mund të mos kishte ndikim në ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të verës 2001.

 

 

Zgjedhjet lokale 2003- një mundësi e humbur

 

Zgjedhjet lokale të vitit 2003 u panë si një rast tjetër për testimin e aftësive të Shqipërisë për arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e demokratike. Ato ishin zgjedhjet e para pas zgjidhjes konsensuale të presidentit të Republikës (korrik 2002) dhe marrëveshjes politike midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Një test paraprak elektoral i zhvilluar në një zone elektorale në Elbasan rezultoi i dështuar për shkak të numrit të madh të incidenteve dhe akuzave për manipulime. Kjo bëri që partitë të fillonin të mendonin për zgjedhjet lokale që në fundin e vitit 2002. Mazhoranca kaloi një krizë të thellë për shkak të konflikteve të brendshme politike midis kryeministrit Fatos Nano dhe zëvendësit të tij Ilir Meta. Nga ana tjetër opozita i përqendroi të gjitha energjitë e saj në aksione parlamentare kundër kreut të bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Një komision i posaçëm parlamentar zhvilloi hetime kundër tij si dhe deputetët demokratë morën disa nisma denoncimesh kundër tij në prokurori. Presidenti Moisiu më 17 korrik dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2003. Në këto zgjedhje OSBE-ja dhe vendet anëtare të saj dërguan një mision vëzhgues prej 220 anëtarësh, ndërkohë që në KQZ u regjistruan më shumë se dy mije vëzhgues të tjerë vendas. Në zgjedhje do të votohej për 65 bashki, 11 minibashki dhe 308 komuna.

 

Rezultatet

Pesë muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare. Në zgjedhje morën pjesë 1,180,414 zgjedhës, të cilët votuan për 6,126 të zgjedhur vendorë. Nga këto vota totale Partia Socialiste fitoi rreth 410 mije vota ose 34%, kurse Partia Demokratike 382 mijë vota dhe 32%. Asnjëherë më parë dy partitë kryesore politike nuk kishin pasur distancë më të afërt sesa në lokalet e vitit 2003. Në vend të tretë u rendit PSD-ja me rreth 7% të votave. Pesë parti politike, PR-ja, PAA-ja, PBDNJ-ja, PDS-ja dhe PAD-ja morën rreth 3% të votave. PLL-ja dhe PDR-ja kaluan kufirin e 2%, kurse PDK-ja, PBK-ja dhe PK-ja morën më shumë se 1% të votave.

Në tërësi rezultatet e zgjedhjeve lokale të 2003 shënuan një rënie në numrin e votave të fituara nga PS-ja krahasuar me zgjedhjet vendore të vitit 2000 dhe ato parlamentare të vitit 2001, megjithëse është e dukshme që PD-ja nuk pati përmirësim në mbështetjen proporcionale krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Gjithsesi, PD-ja arriti fitore domethënëse në konkurrimet për kryetarë dhe këshilla në zona jashtë bazës së saj tradicionale dhe atje ku PS-ja ka mbizotëruar më parë, duke përfshirë zona urbane të Tiranës dhe qytete në zonat qendrore dhe jugore të vendit. Fitore të rëndësishme u shënuan edhe nga partitë e vogla dhe, në shumë raste, kryetari i bashkisë vinte tashmë nga një sfond politik i ndryshëm nga ai i partisë që kontrollon shumicën e vendeve në këshill. Është domethënës fakti që asnjë organ i qeverisjes vendore i sapozgjedhur nuk është bojkotuar.

 

 

Zgjedhjet lokale të vitit 2007- beteja e certifikatave

 

Procesi i zgjedhjeve lokale 2007 do të duhej të ishte pjesë normale e votimeve periodike për qeverisjen vendore dhe një test për qeverinë e re dhe angazhimin e saj për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kalimi me sukses i provës së zgjedhjeve do të ishte një sinjal pozitiv përgjegjësie dhe serioziteti që u dërgohej vendeve të BE-së, të cilat duhet të ratifikojnë MSA-në me Shqipërinë. Për kryeministrin Berisha, të rikthyer në pushtet pas tetë vjetësh në opozitë, zgjedhjet ishin një sfidë e dyfishtë personale. Synimi i tij ishte kalimi me sukses i testit të zgjedhjeve për të lënë pas imazhin negativ të zgjedhjeve të organizuara gjatë mandatit të tij presidencial, si dhe rotacioni politik në Bashkinë e Tiranës, ku në emër të PS-së kandidonte për të tretën herë kryetari i ri i saj, Edi Rama.

Për opozitën zgjedhjet ishin një rast i mirë për të mobilizuar anëtarësinë dhe elektoratin e përçarë dhe të hutuar, për t`i dhënë një goditje politike qeverisë dhe për të ruajtur pozitat dominuese në bashkitë kryesore, me qëllim krijiimin e një baze të fortë për imponimin e saj në zgjedhjet presidenciale të radhës. Për partitë e tjera politike të majta e të djathta zgjedhjet ishin një rast për testimin dhe rivendosjen në koalicionet e reja politike.

Një ditë pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, misionet vëzhguese ndërkombëtare i cilësuan ato një shans të humbur dhe zhvillim negativ në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe se ato “i përmbushën vetëm pjesërisht angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”.  Kritikat dhe zhgënjimi nuk kishin të bënin me ditën e zgjedhjeve, por me të gjithë procesin zgjedhor. Zgjedhjet e shkurtit janë të parat zgjedhje që nga viti 1991, për datën e të cilave do të duhej të dilnin dy dekrete të ndryshme presidenciale. Nëse më 1991 vendi ishte në krizë politike dhe ndryshim sistemi, më 2006- 2007 anulimi i zgjedhjeve normale dhe ridekretimi i një date të re ishte tregues krize të klasës politike sunduese dhe rolit aktiv pengues të partive politike.

 

Rezultatet

Referuar rezultateve zyrtare të dhëna nga KQZ-ja kandidatët e zgjedhur nga PD-ja dhe aleatët e saj fituan në 36 bashki, 3 njësi bashkiake dhe 188 komuna. Në total ata morën 227 njësi vendore. Socialistët dhe kandidatët e mbështetur prej tyre fituan në 26 bashki, 10 më pak sesa PD-ja, dominuan njësitë bashkiake me 8 njësi të fituara, por morën vetëm 92 komuna, rreth 50% më pak sesa PD-ja. Në total PS-ja dhe aleatët e saj morën 126 njësi vendore ndaj 227 të PD-së. Siç shihet shifrat krahasuese japin një fitore të thellë të demokratëve. Por, duke hyrë në detajet e rezultateve, në emrat e bashkive, rezulton se kemi të bëjmë me një realitet të ndryshëm politik nga të dhënat zyrtare të KQZ-së.

Kështu, socialistët fituan 9 nga 12 bashkitë e kategorisë së parë, si dhe 5 nga 6 qytetet më të mëdha të vendit. Pra, PS-ja fitoi qendrat urbane dhe PD-ja periferinë e tyre.

Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2003 koalicioni i djathtë ka një rritje të ndjeshme, me rreth 10 bashki dhe 75 komuna të fituara më shumë. Socialistët ranë ndjeshëm duke humbur përkatësisht 10 bashki dhe 60 komuna. Rritje ka shënuar edhe fitorja e kandidatëve të pavarur, të cilët më 2003 fituan 8 njësi vendore, kurse më 2007 ata arritën të fitojnë në 12 njësi vendore. PBDNJ-ja, e vetmja parti jashtë koalicioneve të mëdha, gjithashtu shënoi rritje nga 11 në 14 njësi vendore të fituara. Në votimet në proporcional, nga e njëjta analizë krahasuese rezulton se PS-ja e PD-ja janë humbëset më të mëdha të zgjedhjeve me një rënie prej 100-110 mijë zgjedhësish.

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

Nje Pergjigje per Historia e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, fitoret e PS dhe të PD

  1. anisa  --  13 Maj, 2011 në 2:12 pm

    po kete vit ne tirane kush eshte fituesi???zgjedhjet lokale ne 2011