Bizneset e Bashës e Berishës paguajnë vetëm 3 taksa në bashki

20 Prill 2011, 19:25Politika TEMA

Çështja e taksave të bashkisë së Tiranës tashmë është kthyer në butafori. PS ka hedhur dje poshtë deklaratat e kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha për taksat e bizneseve që u paguajnë Bashkisë. Pasi nxori para mediave pagesat e taksave të familjes së Berishës që ishin 550 lekë të reja në muaj për pastrim-gjelbërim, deputeti Erjon Braçe nxori të dhëna për taksat që paguajnë biznesmenët e afërt të qeverisë, kunati i Bashës dhe miku i kryeministrit, Damir Fazlliç. Ata paguajnë vetëm tre taksa pranë bashkisë, ndërkohë që kandidati për kryebashkiak, Basha, thotë se paguajnë 82 taksa. Duke treguar dokumentacionin e bizneseve të kunatit apo të kumbarit të Lulit, të Fazlliçit, Braçe tha se “vetëm tre taksa paguan biznesi i vogël për Bashkinë e Tiranës”, ndërkohë që sipas tij, “Luli i Saliut gënjen kur flet për 82 taksa bashkiake”.

“Edhe bizneset e afërta e familjare me Lulin e Saliut, si ai i kunatit apo i kumbarit paguajnë po tre taksa për Bashkinë e Tiranës. Braçe ofroi për publikun faturat e pagesës së taksave nga ana e kunatit të Bashës, për disa kompani që ai ka nën zotërim. Braçe tregoi një “fature arkëtimi” e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “Tirana Publishing House” nën administrimin e shtetasit Erjon Isufi, me adresë “Sheshi Italia, Hotel Sheraton, zyra 2”. “Për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 32.120 lekë ose 2.676 lekë në muaj. Po kaq edhe për kompaninë “Premium Print” që ka të njëjtin pronar, të njëjtën adresë, të njëjtin objekt dhe të njëjtin detyrim fiskal”.

Më tej ai tregoi një “faturë arkëtimi” të taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “SRF Developments” nën administrimin e shtetasit Erjon Isufi, me adresë “Blv. Dëshmorët e Kombit, kulla 2, kati 8”, me status aktiv, kunati i Lulzim Bashës dhe shefi i shtabit të fushatës së tij.

“Për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 40120 lekë ose 3343 lekë në muaj. Gjithashtu një “faturë arkëtimi” të taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “Albanian Internet” gjithashtu nën administrimin e shtetasit Erjon Isufi,  e cila për vitin 2010 kishte vetëm 4 taksa, shtohet taksa e biznesit të vogël, me vlerë 37620 lekë në total ose 3135 lekë në muaj. Një tjetër “fature arkëtimi” e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “Reno Albania” nën administrimin e shtetasit Erjon Isufi, për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 66120 lekë në total ose 5510 lekë në muaj”.

Por demaskimi i deputetit të PS-së nuk u mjaftua vetëm me faturat e bizneseve të kunatit të Bashës. Ai nxori më tej faturat e bizneseve të mikut të deklaruar publikisht nga Berisha, Damir Fazlliç. “Kjo që shihni është “faturë arkëtimi” e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “Crown Acquisitions” nën administrimin e shtetasit Damir Fazliç, me adresë “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, pall.26, i njohur gjerësisht si kumbari politik i Lulëzim Bashës: Për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 40120 lekë në total ose 3343 lekë në muaj. Kjo që shihni është  “faturë arkëtimi” e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “ALPHA” nën administrimin e shtetasit Damir Fazliç, me adrese Rr. Luigj Gurakuqi, Pall.8/1, i njohur gjerësisht si kumbari politik i Lulzim Bashës: Për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 40120 lekë në total ose 3343 lekë në muaj. Lulzim Basha gënjen dhe këmbëngul të gënjejë. Barra fiskale mbi biznesin e vogël buron nga qeveria ku Lulzim Basha është pjesë prej vitesh. Një biznes i vogël sot në Tiranë paguan tarifë pastrimi nga 2500 deri në 7500 lekë dhe kjo është 25% më pak se tarifa e mirëmbajtjes së kasës fiskale që qeveria e përcaktoi 9600 lekë. Lulzim Basha është në këtë garë për të gënjyer, ndaj ka humbur që në nisje!”, tha Braçe duke folur dje për median.

 

Lini një Përgjigje