Një sërë zotimesh elektorale të garës Basha-Rama, mbartin nga pas kosto të konsiderueshme financiare. Por, ekzistojnë edhe premtime të papërkthyeshme në para, duke qenë se ka mënyra të ndryshme për të përmbushur një plan hipotetik, apo edhe ngaqë nisma të ndryshme të deklaruara janë thjeshtë kundërthënëse e të pavend. Shifrat e hedhura deri tani në fushëbetejën elektorale të kryeqytetit
Nga: Ervin Qafmolla
Përplasja ndërmjet kryebashkiakut aktual Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, me kandidatin e Partisë Demokratike për postin e kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, përveçse ka pushtuar opinionin publik me akuzat e kundër-akuzat që vërtiten dy anëve të barrikadës, ka nxjerrë në shesh edhe një seri të larmishme premtimesh elektorale. Nga infrastruktura e transportit publik, te lehtësitë për studentët, taksat vendore, parqe të reja publike, vende të reja pune që për nga shifrat ngjajnë sikur mblidhen me fadromë, internet falas në të gjithë Tiranën e të tjera si këto.
Por, të analizuara nga një pikëpamje me karakter financiar, dhe në mos të gjitha, të paktën një pjesë e këtyre premtimeve mbajnë fatura të kripura, që si në afatin e shkurtër dhe në atë të gjatë, ngrenë pikëpyetje serioze mbi sigurimin e fondeve përkatëse, apo kompensimin e kostove (apo të fitimit të munguar) që u krijohen të tretëve. Në disa raste, premtimet janë të thjeshta e të dëshiruara nga komuniteti; në disa të tjera përmbajnë përmasa apokaliptike. Problemi kryesor i zotimeve të hedhura në këtë garë, është se ashtu sikundër ka ndodhur edhe në të shkuarën, nuk është se janë shoqëruar me projekte konkrete, apo edhe me ndonjë vlerësim paraprak sesi do të ndodhin. Gjithçka është kufizuar brenda formulës “do të bëhet”, si dhe “le të bëhet”. Por, vlen që këto zotime, më saktë, ato më të “rëndat”, të konsiderohen një për një.
Transporti urban dhe infrastruktura
Ndërsa linjat e kryeqytetit janë mbushur me autobusë të rinj gjatë muajve të fundit – proces që ende nuk përfunduar – surpriza të tjera qenë rezervuar për qytetarët e Tiranës. Gurin e parë e hodhi ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili tha se do të pajiseshin të gjithë studentët e kryeqytetit me kartën e studentit, e cila do të garantonte edhe udhëtim falas në transportin publik. Në Tiranë janë aktualisht të regjistruar, rreth 33,000 studentë në universitetet publike, përkatësisht në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Bujqësor, ndërsa në universitetet private, llogariten rreth 25,000 studentë. në total bëhet fjalë për rreth 58 mijë studentë, aktualisht të regjistruar në arsimin e lartë publik dhe privat në kryeqytet. Duke qenë se nuk ekzistojnë shifra konkrete për përdorimin e transportit urban nga studentët, mund të merret një minimale ekstreme, sipas së cilës, nga çdo tre studentë, vetëm një përdor një herë të vetme në ditë autobusin. Marrë parasysh, çmimin aktual të biletës prej 30 lekësh, plani i Bashës për udhëtimin falas të të gjithë studentëve, nxjerr në pah rezultate financiare shumë interesante. Kostoja ditore, sipas formulës së mësipërme, është 600,000 lekë në ditë. Kostoja mujore është 18,000,000 lekë, ndërsa fatura vjetore është rreth 216, 000,000 lekë (216 milionë lekë të reja), ose ndryshe, rreth 1.54 milionë euro në vit. Në këtë pikë, duhet theksuar termi “në vit”, sepse gjasat janë që kjo faturë të shumëzohet me numrin e viteve që vijnë.
Por, paralelisht, me këtë pikë, kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës, ka theksuar se Tirana do të bëhet qyteti i 100,000 studentëve. Nëse formula e mësipërme përdoret në këtë plan, rezulton se fatura e transportit publik falas për kategori, rritet në mënyrë “brutale”, siç mund të thoshte britanikja “The Economist” ekonomistët në kësi rastesh. Kështu, rezultatet, sipas premtimit të ri prej 100 mijë të regjistruarish në arsimin e lartë, janë si vijon: rreth 1 milionë lekë në ditë; rreth 30 milionë lekë në muaj dhe rreth 360 milionë lekë në vit, ose afro 2.57 milionë euro në vit.
Këto shifra në vetvete nuk thonë shumë, përpos faktit që janë vërtet rënda. Por, çështja rëndohet edhe më, kur fjala vjen se kush do ta paguajë faturën. Për sa i përket firmave të transportit urban, është një shifër që do të shkaktonte tronditje serioze, financiare e emocionale për çdo sipërmarrës, jo vetëm të këtij sektori, por të çfarëdolloj aktiviteti fitimprurës. Me fjalë të tjera, më saktë, sipas terminologjisë ekonomike, kjo quhet fitim i munguar. A do t’i paguajë bashkia këto para? Nuk dihet asgjë.
Rama, nga ana e tij nuk ka munguar të kontribuojë në spektakël, duke premtuar një sistem tramvaji, të tillë që do ta kishin zili edhe vende më të përparuara se Shqipëria dhe kryeqytete shumë të më përparuara se Tirana. Përtej kësaj, ky sistem është përfolur sakaq në media se mund të kushtojë diku te 100,000,000 eurot, shifër kjo me karakter dramatik, por që e shtrirë në më shumë se një dekadë dhe me ndërhyrjen edhe të sektorit privat, mund të bëhej e përballueshme. Por, sërish, mbetet problemi i një plani të qartë, i cili ndonëse mund të ekzistojë, nuk është dorëzuar ende pranë publikut. Megjithatë, ky plan dukshëm, nuk penalizon sektorin privat, si dhe nuk ngarkon bashkinë e kryeqytetit me fatura të hidhura subvencionesh, siç është rasti i udhëtimeve falas për studentët. Por, sërish, mbetet një projekt pa projekt konkret të publikuar.
Paralelisht, të dyja palët kanë premtuar rrugë e parqe të reja. Ndërsa çështja e rrugëve mund të mos ngjallë më emocione të theksuara ndër banorët e kryeqytetit – përjashto këtu ndonjë bllok të veçantë pallatesh, si dhe ndonjë rrethinë, çështja e parqeve mbetet problem i ndjeshëm. Jo në nivel faturash financiare, sesa për sa i përket hapësirës së disponueshme. Në autostradë, nëpër kodrat rreth qytetit, apo në ndonjë zonë tjetër periferike, është e vërtetë që ka vend për parqe publike, por përsa i përket Tiranës urbane…
…diçka e tillë do të ishte një mision vështirësisht i realizueshëm për secilin kandidat. Zgjerimi i rrugëve (premtim i Bashës) është një mision, po aq i parealizueshëm, marrë parasysh, rrugët sakq të ngushtuara në kurriz të trotuareve që parashikohen të mbajnë edhe koston në hapësirë për lëvizjen me biçikletë. Por, periferitë, janë ende zona ku këto premtime mund të gjejnë zbatim të plotë, ndërsa në kryeqytet, shumë të pjesshëm.
Taksat bashkiake?
Ishte kandidati Lulzim Basha ai që e hapi lojën duke deklaruar se bashkia kishte 60 taksa, nga të cilat ai do të hiqte rreth 16 taksa e tarifa, si dhe do të ulte 2.5 herë detyrimet nga taksat e tarifat. E vërteta është se bashkia në fjalë, ka gjithë-gjithë 15 taksa që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore. Ato janë si vijojnë: Taksa Vendore e Biznesit të Vogël, Taksa mbi ndërtesën (Kategoria II), Taksa e Fjetjes në Hotel, Taksa për Zënien e hapësirës publike, Taksa e Tabelës, Taksa e Përkohshme e gjelbër, Tarifa e Pastrimit, Tarifa e Parkimit të Automjeteve (rezervimet 6/mujore dhe 12 mujore); dhe për agjentët tatimorë: Taksa e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve, Taksa e kalimit të të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, Taksa për zënien e hapësirës publike në tregjet publike (Njësitë Bashkiake), Taksa mbi ndërtesat kategoria e familjarëve (Njësitë Bashkiake), Tarifa e pastrimit kategoria e familjarëve (Njësitë Bashkiake), Tarifa e parkimit ditor të automjeteve (Njësitë Bashkiake), Taksa e Tokës Bujqësore(Njësitë Bashkiake.
Ndërsa “të tjerat” janë thjesht tarifa kryesisht 100-200 lekëshe, si ato për marrje certifikatash, vërtetimesh etj., të cilat nuk përbëjnë ndonjë çështje madhore në nivel financiar. Por, ulja me 2.5 herë është muhabet serioz dhe madhor. Sidomos, nëse kombinohet me premtimin paralel të rritjes me dyfish të investimeve. Ende nuk është shpikur ndonjë formulë ekonomike që mundëson uljen e taksave me 2.5 herë dhe rritjen e investimeve me dy herë.
Rama nga ana e tij, në këtë pikë është treguar më pak spektakolar, kur ka deklaruar se do të ketë një skemë të re taksash.
Mijëra-mijëra vende pune
Punësimi është ndër problemet madhore të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Sidomos, duke marrë parasysh krizën ekonomike, të cilën vendi jo vetëm nuk e ka kaluar, por që tashmë po ndjehen edhe efektet në ekonominë reale. Dhe bazuar në këtë çështje me ndjeshmëri të lartë qytetare, dhe si rrjedhojë, elektorale, të dy kandidatët e kanë cekur si temë. Së pari, Basha deklaroi se do të hapen 30 mijë vende të reja pune në 2 vitet e ardhshme, ndërsa Rama ka deklaruar se do të krijohen 200 mijë vende pune deri në vitin 2020. Duke rrumbullakosur periudhat, rezulton se Basha premton 150 mijë vende pune në vit, ndërsa Rama rreth 10 mijë.
Diskutimi në këtë pikë, vlen të shtrohet te politikat e strategjitë e punësimit, të cilat secila palë duhet t’i kishte parashtruar paraprakisht. Por, në mungesë të tyre, mund të kujtohet paga minimale, e cila është fiksuar aktualisht në nivelin 18,000 lekë në muaj. Në rastin e Bashës, fatura është 270 milionë lekë në muaj dhe 3.2 miliardë lekë në vit, ndërsa në rastin e Ramës, bëhet fjalë për 180 milionë lekë në muaj dhe 2.1 miliardë lekë në vit. Këto janë para (dhe vende pune) që gjenerohen nga ekonomia, më saktë, ajo e Tiranës, dhe jo nga ndonjë buxhet bashkiak. Në këtë pikë, bëhet i domosdoshëm shqyrtimi i strategjive të secilës palë, për të kuptuar fizibilitetin e nismave përkatëse. Gjithsesi, në rastin e Ramës, periudha kohore, prej rreth 18 vjetësh, mund ta bëjë të pavlefshëm një mesatarizim vjetor, dhe nga ana tjetër, ka gjasa të ofrojë më shumë mundësi realizimi. Por, kjo do të ngrinte, nga ana tjetër, problemin e përqendrimit të krijimit të këtyre vendeve pune në më pak vite dhe me më shumë vende pune për çdo vit. Ndërsa, në rastin e premtimit të Bashës për 15 mijë vende pune në vit, situata ngjan ekonomikisht e pashpresë. Sidomos, nëse merret parasysh se sipas shifrave të INSTAT, nga tremujori i katërt i vitit 2009, në të njëjtën periudhë të 2010-ës, në shkallë republike, numri i të punësuarve në harkun e një viti është rritur me rreth 17 mijë individë.
Por, gara sapo ka filluar dhe premtime të reja, pritet të hidhen në lojë. Dhe me to edhe fatura të reja financiare, të cilat në thelb, përtej zërave dhe shifrave përkatëse ngrenë një pyetje të përbashkët: Kush do t’i paguajë paratë?
Comments are closed.
Premtimet qe bo behen “rrugeve” te tiranes jane premtime sa qeshare aq edhe trillime. U bene 20 vite skemi akoma uje te pishem neper shtepi,problemi i dritave t’pakten u rregullua sepse shkoi u permbyt shkodra 2 here dhe nuk kishin si ta shfajesonin me veten me shitjen kontrabande te energjise elektrike. Premtimet e fushates me duken si premtimet e firmave piramidale njehere e nje kohe, fusni leket sot e pas 3 muajsh merrni 3-fishin, aman ku keni pare vend te botes te ndodhe dicka e tille, u be vite qe ndodhem rrugeve te europes e askush nuk me ka falur 1-cent thjesht kshu kot pa punuar. Kandidimi i lulit eshte turp per te gjithe Tiranen, jo nuk mund ta pranoj si kandidat dike qe ka vrare 4 jete njerezish per ti bere qejfin kryeministrit, fitorja e lulit do ishte vrasja jone…
PARE TE KESH SE GAZ KA PLOTE
E vuri re njeri sa gabime aritmetike kishte ky artikull. A dine ndonjecike llogari keta kryeredaktoret e artikujve apo varja se dhe Shqiptaret gjysma nuk dine, perderisa gjysma vajtkan ne universitete private ku mesohet vetem Salizem-Topallizem!