KRONOLOGJIA e një fushate të përgjakshme | Gazeta Tema
 

KRONOLOGJIA e një fushate të përgjakshme

Postuar në: Kryesore |

Kryetari i PS, Edi Rama, viziton simpatizantin e plagosur tek Komuna e Parisit

Disa nga mediat më të mëdha në botë si EuroNews, VOA, AFP e AP raportojnë për mbylljen e një fushate të dhunshme dhe mbajtjen e zgjedhjeve mes tensionit të lartë. Gazeta Tema sjell një kronologji të kësaj fushate të dhunshme

 

Krim në mes të Tiranës, plagoset kryeinspektori ndërtimor i Bashkisë

4 prill

 

Kryeinspektori i policisë ndërtimore të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, është plagosur me armë zjarri nga dy persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur sot në afërsi të Bashkisë. Mendohet se Kaja është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga dy persona me motor. Kaja ndodhej në makinën e tij kur është qëlluar. Ai është jashtë rrezikut për jetën.

Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka reaguar nga Spitali Ushtarak pas sulmit me armë që iu bë kryeinspektorit ndërtimor, Ardit Kaja.

Rama tha se u qëllua në mes të ditës një shërbëtor i shtetit. “Ngjarja erdhi pas incidentit me flamujt e LSI-së. Ne nuk vendosim flamuj aty ku nuk lejohet,” u shpreh Rama.

“Kaja është përballur me dhunën,” tha Rama. “LSI ka ndotur qytetin tonë me flamujt. Ajo ka cenuar pasurinë tonë të përbashkët,” vijoi më tej kryebashkiaku.

Kaja mbajti një deklaratë dje ku paralajmëroi se nuk do lejohen flamujt e asnjë subjekti partiak në kundërshtim me ligjin e pa marrë leje.

 

Përplasje në Kashar dhe Bathore mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së

10 prill

 

Situata politike është acaruar ndjeshëm në Tiranë, aq sa simpatizantët e PS-së dhe PD-së janë përplasur fizikisht mes tyre. Ngjarja ka ndodhur në Kashar dhe shkak janë bërë flamujt.

Sipas deputetit të PS-së, Artan Gaçi, ka thënë se simpatizantët e PD-së dhe kandidati I mazhorancës për komunën e Kasharit, kanë hequr gjatë mbrëmjes flamujt dhe simbolet e PS-së.

“Simpatizantët e PD-së po dhunojnë simbolet e Partisë Socialiste. Sot simpatizantët e PD-së ishin edhe të armatosur dhe konflikti shkoi deri në përleshje fizike” theksoi Gaçi duke shtuar se policia nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me këtë incident.

Por, mësohet se incidente mes simpatizantëve të PD-së dhe PS-së kanë ndodhur edhe në Bathore. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, ndërsa përfaqësuesit e PS-së kanë kërkuar takim me zyrtarë të OSBE-së dhe policisë, për të qetësuar situatën.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se përplasja midis militantëve të Partisë Demokratike dhe Socialiste ka ndodhur pas një incidenti me makina, ku pas tij, një simpatizant i Partisë Demokratike ka goditur me levë simpatizantin e PS.

 

Shefi i forcave speciale padit zv/ministrin e Brendshëm: Më kërcënoi të çoja forcat në Kamëz të shtyp militantët e PS

11 prill

 

Shemsi Prençi, drejtues i forcave speciale, ka paditur zv/ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, për shkak se ky i fundit e ka kërcënuar. Prençi ka thënë se Peka i ka kërkuar që të çojë forcat speciale në Bathore e të ndërhyjë pas incidenteve të fundit elektorale. Prençi ka thënë se nuk ka pranuar të bëjë një gjë të tillë, pasi sipas tij kjo është e paligjshme. Prençi thotë se Peka i ka kërkuar të shtypë militantët e PS. Prençi thotë se më pas është kërcënuar nga Peka. Për këtë arsye ai është drejtuar prokurorisë. Në dijeni janë vënë edhe ambasadorët.

“Sot kam denoncuar incidentin më të rëndë në raste zgjedhjesh. Për një incident që ka ndodhur në Bathore, zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka ka kërkuar që unë të shkel ligjin dhe të vë forcat speciale në atë zonë. Kam refuzuar dhe ai më ka kërcënuar dhe ofenduar. Do t’i kërkoja zotit kryeministër që standartet që mundohet të ndërtojë në Shqipëri, të mos lejohen t’i shkelin e t’i mëpërkëmbin njerëz si Avenir Peka”, ka deklaruar Prençi.

Prenci tha se ai merr urdhëra vetëm nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe askush tjetër dhe se nuk do pranojë t’u bindet urdhërave të paligjshëm.

“Nuk do zbatoj urdhërat e paligjshëm të zëvendësministrit Peka. Kërcënimet e tij ishin të natyrave të ndryshme, jo vetëm për vendin e punës, sepse për atë jam mësuar, por edhe fyerje shumë banale sa nuk mund të thuhen për mediat”, ka pohuar Prençi.

 

Tension në bulevard për një çadër të PS, përplasen policia bashkiake me ndërtimorët

11 prill

 

Në bulevardin kryesor në Tiranë ka pasur tension të shoqëruar edhe nga përplasje fizike mes policisë bashkiake dhe inspektoratit kombëtar të ndërtimit, e cila së fundi drejtohet nga partia e çamëve. Inspektorati kombëtar kundërshton ndërtimin e çadrës, kurse PS pretendon se është marrë leja nga të rinjtë e forumit të PS. Tensioni është rritur dhe palët janë përplasur edhe fizikisht. Policia bashkiake pretendon se nuk ka të drejtë inspektorati kombëtar të merret me këtë çështje, por inspektorati vendor.

 

Njerëz të LSI sulmojnë mitingun e Ramës tek Qendra Kristal. Plagoset një përkrahës i PS

12 prill

 

Simpatizantë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë konfrontuar ndërmjet tyre në afërsi të Qendrës Kristal në Tiranë. Incidenti ka ndodhur pranë qendrës Kristal në kryeqytet, ku kreu socialist Edi Rama do të prezantonte kandidatin e PS për këtë njësi. Ndërsa mbështetësit socialistë me në krye Ramën kanë parakaluar para njësisë elektorale të LSI ka ndodhur një përleshje nga disa persona, të cilët kanë ardhur pasi grupi i PS ka kaluar para njësisë së LSI. Nga përplasja ka mbetur i plagosur një militant i PS, i cili u dërgua në spital. Ai është jashtë rrezikut për jetën.

Eglantina Gjermeni, deputete e Partise Socialiste në vendngjarje tha se “besojmë se ata që kanë sulmuar janë vërtet ata që përfaqësojnë aleancën e PD dhe LSI dhe janë ata që paguhen me para të pushtetit”.

Në vendgjarje kanë ardhur forca të shumta policie, të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e disa personave

 

Pogradec, tritol banesës së kreut të shtabit të PS

17 prill

 

Shpërthim tritoli në banesen e kreut të shtabit të Partisë Socialiste në Pogradec. Shpërthimi ka ndodhur gjate natës, rreth ores 01:00, në katin e parë të nje pallati në lagjen numër 1 në Pogradec, në banesën e Vasfi Syzas.

Mësohet se në momentin e shpërthimit në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e tij, 48 vjecarja Rajmonda Syz. Drejtoreshë e Tatim Taksave në Pogradec.

Fatmiresisht mësohet se nga shpërthimi i tritolit, i vendosur në deren e jashtme nuk ka patur të lenduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Ka patur demtim të dyerve, mureve të banesës dhe thyerje të xhamave.

Vasfi Syza reagon në TVNeës24 për ngjarjen duke u shprehur se shkak janë motivet politike, duke përmendur detyrën e tij në krye të shtabit të PS në Pogradec.

Ndërkaq ka reaguar menjëherë kreu i Bashkise së Pogradecit, Artan Shkëmbi i cili gjithashtu e ka cilësuar ngjarjen politike, duke akuzuar drejtperdrejte për lidhje me ngjarjen Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Nga ana e saj, kjo forcë politike nëpërmjet kandidatit për Bashki në këtë qytet z Luan Topciu mohojnë lidhjen me shpërthimin e sotëm, ndërsa kanë deklaruar se ngjarja po merr ngjyra politike për shkak të fushates elektorale.

Sipas policisë, një pistë e hetimeve është ajo e një konflikti që ka pasur kohë më parë djali i Vasfi dhe Raimonda Syzos, me disa persona të tjerë në qytetin e Pogradecit.

Tiranë, tritol banesës së kandidatit të PS, Erion Koka

18 prill

 

Një sasi eksplozivi shpërtheu rreth orës 01:50 pas mesnatës së diel në derën e apartamentit të kandidatit të Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, Erion Koka.Eksplozivi, sipas Policisë, dyshohet se ka qenë në masën 50 gramë dhe ishte vendosur në sheshpushimin e katit të katërt të apartamentit parafabrikat pranë shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, disa metra larg Komisariatit Nr.2. Shpërthimi, përveç disa dëmeve materiale, nuk ka lënduar asnjë prej gjashtë anëtarëve të familjes Koka, të cilët ndodheshin duke fjetur kur ndodhi ngjarja. Shpërthimi është shoqëruar me panik dhe tronditje për dy djemtë e mitur të kandidatit socialist. Jo zyrtarisht, nisur edhe nga deklarimet e inxhinierit 32-vjeçar, Erion Koka, që kandidon për herë të parë për kryetar minibashkie, policia thotë se dyshimet kryesore janë se shpërthimi ka ndodhur për motive politike. Nga verifikimet e kryera prej grupit hetimor, pyetja e familjarëve dhe personave të njohur të Kokës, rezulton se ai nuk ka pasur asnjëherë konflikte personale që mund të arrinin deri në vënie eksplozivi. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga forcat e Komisariatit Nr.2, ekspertë Antieksploziv, Xhenier dhe oficerë të Krimeve të Rënda. Grupi hetimor ka nisur veprimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes dhe burimet sqarojnë se për kapjen e tyre mund të ndihmojnë kamerat e sigurisë që ndodhen të vendosura përreth shtëpisë së Emiljano Shullazit, i cili ndodhet përballë hyrjes së pallatit. Për këtë arsye, Prokuroria ka lëshuar një urdhër sekuestroje për kamerat e sigurisë në mënyrë që të zbulohen sa më shpejt autorët e ngjarjes.

Sulmohet makina e Ben Blushit në Korçë

21 prill

 

Persona të paidentifikuar kanë sulmuar makinën e deputetit të PS-së, Ben Blushi. Mësohet se makinës së Blushit i janë thyer xhamat.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm vetëm pak metra larg policisë së qytetit të Korçës, ku dhe kishte parkuar automjetin e vet deputeti i PS-së.

Ka qenë vetë Blushi i cili ka bërë denoncimin në polici për këtë ngjarje, e cila tashmë ka nisur hetimet. Për momentin, ende nuk ka asnjë pistë se kush mund të jenë autorët dhe motivet e këtij sulmi.

Blushi ndodhej në Korçë për prezantimin e programit të kandidatit të PS-së për bashkinë e Korçës, Niko Peleshi.

Sipas zyrtareve te Partise Socialiste, incidenti ka ngjyra politike.

“Eshtë nje veprim me sens të pastër politik sepse ka ndodhur fill pas një aktiviteti në Korcë. Blushi nuk ka patur asnjë cështje personale me individe. Kërkoj që edhe kundërshtarët tanë politikë të distancohen dhe të dënojnë këtë akt”, tha kryetari i degës socialistë në Korcë, Muharrem Meko.

 

Kronologjia, katër incidente zgjedhore ditën e sotme

21 prill

 

Dje ishte një ditë pa incidente, por sot janë shënuar disa të tillë. Mëngjesi ka nisur me lajmin se makina e deputetit socialist, Ben Blushi është sulmuar. Ndërsa gjatë ditës janë raportuar të paktën katër incidentë të tjera.

-Në Shijak janë përplasur simpatizantët e PD me ata të PS. Ngjarja ka ndodhur kur një turmë me simpatizantë të PS po priste për një miting elektoral. Në mes të turmës kanë hyrë dy makina me flamuj të PD. Ngjarja ka rrezikuar të degjenerojë në një përplasje të rëndë pasi përkrahësit e PS kanë sulmuar personat në makinë. Madje njëra nga makinat ka qenë kabrio. Për fat ngjarja është mbyllur pa shumë probleme, edhe pse mes tyre ka pasur kontakte fizike.

-42-vjeçari Naim Haxhiu simpatizanti i Partisë Socialiste qe u dhunua tre dite me pare ne Kavajë është sulmuar serish rreth orës 3:00 te mëngjesit, por këtë radhe ne banesën e tij. Persona te paidentifikuar pasi kane kaluar murin rrethues te banesës ku jeton 42 vjecari se bashku me nënën e tij te moshuar kane thyer xhamat me qellim qe te hynin brenda. Te paidentifikuar mbeten edhe personat qe keqtrajtuan tre dite me pare haxhiun.

-Ndërkohë, një sasi tritoli është shpërthyer pranë një banese ne Tapize te Krujës, serish nga persona te panjohur. Për pasoje është shembur muri rrethues, por fatmirësisht nuk ka dëme ne njerëz. Rreth 500 metra larg banesës se familjes Çiku një makine i është vene flaka ne oborrin e shtëpisë se Bektash Sinanit. Si Sinani, ashtu edhe Çika te ardhur nga Dibra, pretendojnë se ngjarjet lidhen me fushatën pasi ata janë mbështetës te se djathtës.

-Edhe PS e Fierit denoncon se kandidati për kryetar komune ne Kuman është kërcënuar me thike nga një anëtar i PD i te njëjtës zone. Banush Gjoni qe kandidon për koalicionin Aleanca për te Ardhmen i është drejtuar Prokurorisë se Fierit ku ka kallëzuar shtetasin Beqo Toska. Por ndërkohë ky i fundit pas marrjes ne pyetje nga organi i akuzës hedh poshtë pretendimet e socialistit.

 

Arrestohet Emiljano Shullazi: Ja detajet e kallëzimit në prokurori nga PS

22 prill

 

Policia ka njoftuar se është arrestuar Emiljano Shullazi, pas kallëzimit që ka bërë dje Vasilika Hysi dhe Besnik Bare pranë prokurorisë së Tiranës. Partia Socialiste akuzoi Shullazin në prokurori pasi të enjten mbasdite, sipas Partisë Socialiste, ai ka shkuar në mes të takimit tek një lokal tek blloku i pallateve përballë Uzinës Enver, ka kërcënuar sallën dhe dy deputetët që gjendeshin aty, Besnik Bare dhe Vasilika Hysi. Shullazi, sipas denoncimit të bërë nga Partia Socialiste, ka kërkuar që kush nuk ishte i lagjes të ikte me vrap nga salla. Kur ka parë që askush nuk ka lëvizur, Shullazi sipas denoncimit ka  thyer bllokun e fonisë. Takimi është prishur, por dhuna nuk ka mbaruar këtu. Shulazi, sipas denoncimit, ka shkuar me pas tek zyra elektorale e Partisë Socialiste e ka thyer dhe atë dhe ka nxjerre jashtë tre njerëzit që po punonin aty duke e mbyllur zyrën.  Më pas ka thirrur pronarin e lokalit dhe zyrës dhe i ka thënë të shesë lokalin deri nesër, ndryshe do ja digjte. Në ikje ai ka shoqëruar një grup të partisë së Shpëtim Idrizit që po shpërndante fletëpalosjet e Bashës dhe Alimehmetit. Këto detaje i përmban denoncimi i Partisë Socialiste për Emiljano Shullazin, i cili është një personazh i njohur në Tiranë për shkak të arrestimit të tij të bujshëm disa vjet më parë nën akuzat për veprimtari kriminale.

Një tjetër detaj i rëndësishëm ka të bëjë dhe me faktin që Emiljano Shullazi banon në një kat me Erjon Kokën, kandidatin socialist të minibashkisë nr 7, të cilit i kanë vendosur para disa ditësh tritol.

Policia ka tentuar të zbusë detajet e arrestimit të Shullazit, ndërkohë që Shpëtim Idrizi po shfaqet përditë e më shumë me persona problematikë pas tij në fushatë, duke kërcënuar se javën e fundit do t’i mbyllin në shtëpi socialistët.

 

Trazohen fundjava dhe Pashkët; Sulm me armë ndaj socialistëve në Kombinat

25 prill

 

Një tjetër incident është shënuar pasditen e djeshme rreth orës 18:30 në zonën e ish-Kombinatit. Disa persona të armatosur kanë sulmuar me thika një poster elektoral të kandidatit socialist për minibashkinë numër 6 të kryeqytetit.

Sipas dëshmitarëve, persona të armatosur kanë sulmuar me thika dhe mjete të tjera një automjet promocionesh, ku ndodhej poster i Partisë Socialiste në prani të simpatizantëve të kësaj të fundit.

Po sipas këtyre burimeve, në ikje e sipër, agresorët kanë nxjerrë dhe armë automatike por nuk kanë shtënë. Deputeti socialist Saimir Tahiri në një deklaratë për shtyp ka dënuar aktin duke i bërë thirrje rivalëve politikë të heqin dorë nga akte të tilla. “Kjo tregon mentalitetin e dhunshëm të kësaj qeverie ndaj qytetarëve de mungesën e vizionit për të trajtuar sic duhet një fushatë elektorale që duhet të ishte për qytetarët”, – tha Tahiri.

 

Incidentet, sulmohen zyrat e PS-së dhe LSI-së në Tiranë

26 prill

 

Incidentet gjatë kësaj fushate zgjedhore duket se tashmë janë bërë një lajm i përditshëm. Kështu, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, dy incidente të tilla janë shënuar në kryeqytet.

Incidenti i parë ka ndodhur në zyrën e deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, tek zona e Xhamllikut. Persona të paidentifikuar i kanë thyer Gjonit xhamat e dritareve të zyrës.

“Ky akt nuk është shënuar as në zgjedhjet e vitit 2007 dhe as në zgjedhjet e 2009-ës”, ka thënë deputeti Gjoni, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur probleme në këtë zonë.

Ndërkohë, pak metra më tutje është sulmuar edhe një zyrë e LSI-së, të cilës po ashtu i janë thyer xhamat.

Burime pranë policisë kanë thënë se dyshohet se zyrat e PS-së janë sulmuar nga militantë të LSI-së dhe për pasojë, militantët e PS-së u janë përgjigjur me të njëjtën monedhë.

 

Rrihen dy mbështetës së PS-së në Korçë

26 prill

 

Fushata elektorale ka shënuar një tjetër incident të rëndë. Në qytetin e Korçës, persona të paidentifikuar kanë rrahur në mënyrë barbare dy mbështetës së Partisë Socialiste, të cilët kanë qenë duke vendosur postera të kandidatit të kësaj partie, Niko Peleshi.

Dy personat e dhunuar janë Niko Proko dhe Gesi Salaveci. Drejtuesit e PS-së në Korçë thanë se ata janë goditur me mjete të forta. Dy simpatizantët janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit, në mes të ditës. Policia tha se ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të këtij sulmi të dhunshëm.

 

Denoncoi përdorimin e nxënësve në fushatë, drejtori i shkollës godet kreun e PS-së në Tepelenë

27 prill

 

Kreu i PS-së në Tepelenë, Arben Kaçorri, është qëlluar me mjete të forta. Kaçorri është qëlluar nga Nekim Liçi, drejtori i shkollës së mesme “Abaz Shehu”.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal të Tepelenës, për shkakun se Kaçori kishte shfaqur disa filmime, në të cilat bëhej e ditur se Nekim Liçi kishte përdorur nxënësit për fushatën elektorale të PD-së.

Kreu i PS-së në Tepelenë ka thënë se tashmë ka bërë një denoncim në polici për drejtorin e shkollës së mesme “Abaz Shehu”.

 

Dhunohen zyrat e PS-së në Korçë

28 prill

 

Partia Socialiste e Korçës ka rënë sërish pre e sulmeve. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes, persona të paidentifikuar kanë thyer xhamat e dy zyrave të PS-së në lagjen “Radanec”. Përveç thyerjes së xhamave të zyrave, këta persona kanë grisur edhe posterat e kandidatit të opozitës për bashkinë e Korçës, Niko Peleshi.

Ky incident është i disati që ndodh në Korçë, pasi vetëm dy ditë më parë u rrahën dy simpatizëntë të PS-së, ndërsa ditë më parë u sulmua me gurë dhe makina e deputetit të opozitës, Ben Blushi.

 

Sarandë, kërcënohet me armë kandidati Stefan Çipa dhe 2 djemtë e tij

1 maj

 

Një incident i rëndë ndodhi mbrëmë vonë në një lokal në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u kërcënuan më armë kandidati socialist për bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, së bashku me dy fëmijët e tij, Jorgo e Marko Çipa.

Sipas rrëfimit që jep për “Shekullin”, bashkëshortja e kandidatit Stefan Çipa, në lokalin “Jesa”, dy fëmijët e kandidatit e saj, njëri 17 e tjetri 23-vjeç, së bashku me dy moshatarë, kanë qenë duke parë në një prej dy televizorëve të lokalit, një ndeshje futbolli.

Në një moment, Markoja, instiktivisht ka kthyer kokën në televizorin tjetër, ku në tavolinën poshtë monitorit, kanë qenë disa persona, si klientë të zakonshëm. Në një moment, nga kjo tavolinë është ngritur dikush, që nga familjarët është identifikuar si i ardhur nga Tirana me një “xhip” me targa të huaja disa orë para mitingut të kryeministrit Berisha në Sarandë dhe që është shoqëruar me disa zyrtarë vendas.

Ndërkohë, në këtë tavolinë është dëgjuar që dikush duke folur ne telefon, t`i ketë thënë një tjetri: Hajde se këtu janë! Ky person ka kapur Marko Çipën në kokë duke e mbërthyer më pëllëmbë dhe ia ka drejtuar me forcë kokën nga televizori tjetër, dukë i thënë kërcënueshëm: Shiko andej!.

Në këtë moment, mes tyre ka shpërthyer një debat, deri në momentin kur personi në fjalë i ka nxjerrë pistoletën djalit të kandidatit, duke e kërcënuar më fjalët: Do ju vrasim! Më pas, në lokal ka mbërritur kandidati Stefan Çipa, i njoftuar për situatën e rëndë të fëmijëve të tij, dhe kërkon të sqarohet me personin kërcënues.

Por dhe Çipës, ai i ka drejtuar pistoletën. Por ka qenë ndërhyrja e shumë personave të atyshëm që ngjarja nuk ka agravuar më tej.

 

 

Dajç, demokratët rrahin shefin e shtabit të kandidatit të pavarur

1 maj

 

Është rrahur dje në orët e vona të mbrëmjes shefi i shtabit të kandidatit të pavarur për komunën e Dajçit, Broz Pjetrani. Dhuna e ushtruar ndaj këtij personi, sipas denoncimit në polici, është bërë nga persona që ndodheshin në një makinë të veshur me posterin e Arben Gjurajt, kandidatit demokrat për këtë komunë.

Në një deklaratë për shtyp, stafi elektoral i kandidatit të pavarur u shpreh: “Krimi i mbështetur nga pushteti shkakton dhunë në komunën e Dajçit. Stafi elektoral i kandidatit të pavarur për kreun e kësaj komune Gentian Palaj, denoncon aktin e shëmtuar të ndodhur në 23:20 të së dielës në afërsi të fshatit Mushan në Shkodër, ku është goditur drejtuesi i stafit elektoral të këtij kandidati, shtetasi Broz Pjetrani. Dhuna psikologjike që ka shoqëruar gjithë fushatën në këtë zonë,dhe ku protagonist janë kryetari aktual i komunës dhe kandidat për zgjedhjet e 8 majit, Arben Gjuraj, si dhe personat që e mbështesin, ka kulmuar mbrëmjen e së dielës me plagosjen e Pjetranit, duke i zënë pritë në rrugë ndërsa ky kthehej në shtëpi me familjarët e tij. Broz Pjetrani nuk ka pasur asnjëherë konflikt me persona të tjerë, madje as katër vjet më parë kur ai vetë ishte kandidat i pavarur për kreun e kësaj komune.”

 

Kushëriri i kandidatit të PD qëllon me armë makinën e kandidatit të PS-së në Ishëm

2 maj

 

Automjeti i kandidatit të Partisë Socialiste në komunën e Ishmit në Durrës, Sulejman Ibrahimi, është qëlluar me armë gjatë orëve të vonë të mbrëmjes së djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, kur automjeti i Ibrahimit është qëlluar me një kallashnikov.

Për fatin e mirë, kandidatin e PS-së nuk e ka zënë asnjë prej plumbave të lëshuar në drejtim të tij.

Policia e Durrësit ka nisur hetimet pas denoncimit të Ibrahimit dhe ka deklaruar se dyshon që autorët e kësaj ngjarje të jenë dy persona nga Thumana e Krujës. Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes që ka shtënë me armë, i cili është i afërm i kandidatit të PD-së Gëzim Ylli, ndërkohë që identiteti i tij mbahet i fshehur për cështje hetimi. Ndërkohë që kryetari i PS-së Z. Bejko ka theksuar që ky nuk është incidenti i parë, por më i rëndi fatkeqësisht.

 

Roskovec, kërcënohet me jetë kandidati i PS-së

2 maj

 

Kandidati i Partisë Socialiste në bashkinë e Roskovecit për zgjedhjet e 8 majit, Albert Tafa, ka deklaruar se është kërcënuar me jetë. Ai ka thënë se kërcënimi i është bërë nga njerëz që kanë lidhje me PD-në.

Sipas Tafës, kërcënuesit i kanë thënë se “do të fusim në bagazhin e makinës”, ndërsa kanë ushtruar dhunë edhe ndaj nipit të tij, 28-vjeçarit Fatjon Xhelilaj.

Menjëherë pas kërcënimit, i cili ka ndodhur ditën e djeshme, Albert Tafa ka bërë një denoncim në polici, e cila ende nuk ka dalë me një reagim lidhur me këtë ngjarje.

Ky është i treti incident i rëndë i ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, teksa në Dajç u rrah barbarisht nga demokratët shefi i shtabit të kandidatit të pavarur, ndërsa në Ishëm u qëllua me armë makina e kandidatit të PS-së.

 

Shpërthim pranë çadrës së PS në bulevard, një i plagosur

2 maj

 

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në çadrën që ka ngritur PS në bulevard. Shpërthimi ka lënë një të plagosur. Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie. Mendohet se shpërthimi ka ndodhur në një kazan aty pranë. Një bombël me fitil është hedhur aty. Të pranishmit janë përfshirë nga paniku. Mendohet se qëllimi i këtij akti ka qenë të tërhiqet vëmendje nga lajmi i cilësimit të Bashës vrasës. Ky lajm është kthyer brenda pak sekondash në më të shikuarin e më të klikuarin.

Në vendngjarje mbërriti edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cili qendroi përreth 15 minuta së bashku me drejtues të grupit hetimor dhe deputetë të Partisë Socialiste. Ambasadori amerikan pasi u njoh me ngjarjen dhe hetimet nuk dha asnjë koment për të.

Nga ana tjetër burimet e policisë shpjeguan se në vendngjarje është gjetur edhe një fitil shashke, por ky version nuk përmendet në reagimin zyrtar të Policise së Tiranës. Policia as zyrtarisht dhe as jo zyrtarisht nuk arriti të shpjegojë se si është provokuar shpërthimi i fuqishëm i bombulës së gazit, por dëshmitarët, kalimtarë të rastit shpjeguan se kanë dëgjuar një shpërthim të ngjashëm si ai i ndodhur nga lëndët plasëse.

 

Rrihet barbarisht kandidati i PS në Blinisht të Lezhës. Pse kaq shumë incidente në këtë rreth?

3 maj

 

Kandidati i koalicionit opozitar për komunën e Blinishtit në Lezhë është rrahur barbarisht nga disa persona që i kanë dalë në pritë. Zef Hila, mësohet të jetë dërguar urgjentisht në spitalin e Lezhës pas plagëve të marra si pasojë e rrahjes barbare të ushtruar mbi të. Hila është qëlluar me tytën e pistoletës dhe grushta disa herë pas një prite që i kishin zënë mbrëmjen e sotme, persona të paidentifikuar ende. Sipas Hilës, dhuna ndaj tij është ushtruar nga kandidati rival dhe militantë të Partisë Demokratike por policia e Lezhës ende nuk është shprehur në një komunikatë për këtë ngjarje.

Lezha me sa duket po kthehet në rrethin që po kryeson përsa i përket incidenteve elektorale. Ditët e fundit në fushatë në këtë rreth është shfaqur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në çdo tribunë që del, flet me tone luftarake. Ajo dhe kandidatët flasin të gjithë në emër të Berishës, duke u shprehur se kanë besimin e mbështetjen e tij. Tensioni është i lartë në të gjithë zonën edhe për faktin se Lezha dhe komunat e saj janë tepër të lakmuara për shkak të pozicionit të tyre.

 

Anëtari i PD-së qëllon me thikë anëtarin e shtabit të PS-së në Durrës

4 maj

 

Fushata zgjedhore ka shënuar një tjetër incident të rëndë. Një anëtar i shatbit të Partisë Socialiste në Durrës është qëlluar me thikë. Personi i goditur me thikë është Ervin Muça.

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, ndërsa autori i plagosjes është Ergest Ferhati, 23 vjeç, pjesëtar i shtabit elektoral të Partisë Demokratike.

Ky i fundit është ndaluar nga ana e policisë, e cila ka thënë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

Ndërkohë, Ervin Muça, edhe pse është qëlluar tre herë me thikë, është jashtë rrezikut për jetën, pasi goditjet nuk i kanë prekur organet jetësore.

 

Kukës, hidhet në erë makina e kandidatit të opozitës

5 maj

 

Hidhet në erë makina e kandidatit të PS për komunën Shtiqën në Kukës, Astrit Cengu. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit të sotëm, menjëherë pasi Cengu kishte zbritur nga makina.

Fatmirësisht, ai nuk është lënduar, por ngjarja e ndodhur në një nga rrugët e qytetit të Kukësit ka shkaktuar panik tek banorët.

Sipas policisë, shpërthimi i ndodhur 5 minuta pas zbritjes së Cengut nga mjeti tip Fuoristradë ka ardhur si pasojë e lëndës plasëse tritol, e vendosur nën sediljen e pasagjerit, ndërkohë që duhet saktësuar se makina ishte prodhim anglez (me timon në krah të djathtë).

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të saj.

 

Tjetër opozitar i rrahur barbarisht, Associated Press: Kjo fushatë po dëmtohet nga dhuna

5 maj

 

Tashmë të jesh opozitar është kthyer në gjënë më të rrezikshme. Një tjetër anëtar shtabi i PS në Pukë është rrahur barbarisht dhe është në spital. Fushata po shënon incidente të njëpasnjëshme, dhe anëtarët e opozitës janë duke u përndjekur gjithandej. Kësaj situate i ka kushtuar një artikull edhe agjencia e njohur Associated Press, që i referohet shpërthimit të makinës së kandidatit të PS në Kukës, Astrit Cengu. Agjencia shkruan se kjo fushatë është dëmtuar nga dhuna. “Dhjetëra kandidatë janë rrahur ose u është vënë eksploziv në shtëpi ose në makina,” shkruan agjencia.

“Tensionet janë shumë të larta këtë vit me katër mbështetës të opozitës të vrarë në trazira në janar”.

 

Dhunohen tre simpatizantë të PS-së në Peqin

5 maj

 

Tre simpatizantë të Partisë Socialiste në Peqin janë dhunuar dhe rrahur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bishqem të komunës Pajovë, ndërsa të dëmtuar nga kjo ngjarje kanë mbetur Sabjan Xhani, 37 vjeç, Dorjan Palku 27 vjeç dhe Qazim Plaku 52 vjeç.

Këta të fundit janë dërguar në spital me shenja të shumta, ndërsa mësohet se autorët e dhunimit janë dy simpatizantë të Partisë Demokratike dhe kryetari i komunës Pajovë, Albert Kreci. Policia e Elbasanit ka thënë se në zënkë janë përfshirë pesë persona, për motive të dobëta, duke mos dhënë shpjegime të hollësishme.

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

7 Pergjigje per KRONOLOGJIA e një fushate të përgjakshme

  1. erjon  --  7 Maj, 2011 në 9:51 pm

    Haruat icidentin ne sarande me Stefan Cipen….

  2. fule  --  7 Maj, 2011 në 10:22 pm

    Tradhtari Sal, thote qe dhunen e ben opozita, nderkohe qe dy xhama dhe 5 flamur humbi ne fushate. Nderkohe bandat PD+LSI sakatosen e gjakosen aq sa munden, fare te pashqetsuara madje sinkron me te ashtuquajturen polici e shtetit

  3. england  --  7 Maj, 2011 në 10:24 pm

    Erjon hidhi edhe nje sy tjeter faqes dhe do ta shohesh qe nuk kane harruar asgje!
    Te pakten kjo faqe qe une po lexoj e ka dhe ngjarjen e Cipes me dy cunat e tij

    • TemA  --  7 Maj, 2011 në 10:30 pm

      Erioni kishte te drejten, ne e plotesuam pas verejtjes se sakte te tij. Nuk duhet harruar se jane mbi 60 incidente te renda dhe mund te kete ndonje qe ka ngelur jashte listes!

  4. Rani  --  8 Maj, 2011 në 12:08 am

    Une do ti jap “Aleances per te ardhmen” 4 vota neser, se vete nuk jam atje prandaj se ndryshe do te ishin bere 5. Ju qe jeni atje hidhni nje sy neper qendrat e votimit se mos behet ndonje dallavere. Kam pak frike se vellai me tha se kishte njerez te mitingu i PD, normalisht shumica per sehir po si dihet. Shpresoj qe kesaj radhe populli te votoje me mend ne koke.

  5. shkoderlocja  --  8 Maj, 2011 në 4:02 am

    NESE SOCIALISTET NUK BOJKOTOJNE ZGJEDHJET EDI RAMA BEN LOJEN E SALI BERISHES ME KOMPANI ME KEQ SE FATOS NANO. SHPETIMI I SHQIPERISE ARRIHET ME SHKUNDJE TOTALE TE SKEMAVE TE RAMIZ ALISE
    TE SHOHIM NESER!

    • 1 maji  --  8 Maj, 2011 në 11:34 am

      kam lexuar ne nje vend nje krahasim shume te goditur. albania = alzheimer