Meta dhe Berisha, një histori manipulimesh zgjedhore

7 Maj 2011, 09:43Politika TEMA

Eshtë për t’u vënë në dukje se këta dy politikanë, që i kanë dëmtuar kaq shumë zgjedhjet në vendin tonë, në kurriz të njëri-tjetrit, do të përgatisin zgjedhjet e vitit 2011. Të dy kanë synim shumë të fortë që të dëmtojnë rëndë Partinë Socialiste dhe liderin e saj, Edi Rama. Janë shumë të pakta gjasat që ata të mos përdorin hiletë e vjetra për të pasur një rezultat të dëshirueshëm, për shkak se zgjedhjet lokale të atij viti do jenë një test jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta.

Gazeta “TemA” boton nga sot një përmbledhje të raporteve të OSBE/ODIHR për disa nga zgjedhjet më problematike në vendin tonë. Është për t’u theksuar që në krye të herës se protagonistët kryesorë në këto manipulime skandaloze, që kanë vonuar kaq shumë integrimin dhe përparimin demokratik të vendit, janë dy njerëzit që drejtojnë sot qeverinë shqiptare, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

 

Potenciali për të bërë zgjedhje

 

Një nga përfundimet më të rëndësishme të raportit të ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit ishte se Shqipëria e ka të gjithë potencialin për të bërë zgjedhje brenda standardeve ndërkombëtare. Kjo ndoshta nuk është një frazë e re për shqiptarët. Por kësaj radhe kjo fjali përforcohej dhe me qëndrimin se kuadri ligjor dhe parashikimet teknike janë shumë të mira për të garantuar proces të standardeve të kërkuara.

Edhe në rekomandime pak kishte ngelur për të thënë. Që në krye theksohej se duhet vetëm vullnet politik për të bërë zgjedhje siç duhen, vullnet që në këto zgjedhje mungoi.

Tashmë qeveria ka ngelur krejt e zbuluar përkundrejt manovrave për të dëmtuar zgjedhjet në favor të fitores.

 

Nisja e monitorimit ndërkombëtar dhe zgjedhjet e vitit 1996

 

Zgjedhjet e vitit 1996 ishin zgjedhjet kur të huajt mbërritën në vendin tonë për të parë për herë të parë nga afër se si do të zhvillohen zgjedhjet në demokracinë rishtare.

Raporti është i fortë dhe gjërat janë të prera. Duket se vëzhguesit janë të qartë për t’i prerë rrugën nisjes së një kalvari manipulimesh zgjedhore.

Megjithatë, zgjedhjet e vitit 1996 janë një dështim total. Gazeta sjell përmbledhjen e raportit përfundimtar të ODIHR për këto zgjedhje, ku janë përfshirë rastet e faktuara të manipulimeve zgjedhore.

Raporti nis që në fillim duke thënë se gjysma e neneve që trajtojnë procesin zgjedhor, ishin dhunuar.

Ky raport solli dhe çarjen e parë të kryeministrit, Sali Berisha, me misionin vëzhgues të zgjedhjeve, çarje që jehoi dhe në këto zgjedhje. Faktet e grumbulluara në këtë raport janë të shumta dhe mjaftojnë për secilin për të krijuar një ide se ku po shkonte presidenti i asaj kohë, dhe kush ka të drejtë në përplasjen e tij me vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai kundërshtoi ashpër emrin e Audrey Glover, e cila do vëzhgonte zgjedhjet e vitit 2009, duke e akuzuar se kishte ndikuar, doemos në mënyrë negative, në hartimin e raportit.

Për të kuptuar se kush e kishte nisur me këmbë “të mbarë” këtë proces, mjafton të shihet raporti në nisje. Qeverisja e asaj kohe as nuk denjonte të takonte vëzhguesit e ODIHR, ashtu siç ndodhi në këto zgjedhje. Takimet e kërkuara shpesh anuloheshin.

Berisha, mjeshtër i lobimit, arriti që të shkëpusë dhe qëndrime pozitive për ato zgjedhje, por që nuk e shpëtuan dot nga verdikti i ndërkombëtarëve për të mos pranuar proces të manipuluar.

Më poshtë vijon raporti për këto zgjedhje.

“Konkluzioni i Misionit Vëzhgues është se në shumë instanca, zbatimi i ligjit elektoral ishte i dështuar. Më specifikisht, 32 nene nga 79 që merren me periudhën parazgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve, u dhunuan. Ato përfshijnë nenet 4, 13, 16, 19, 21, 22, 28, 29, 31, 32, 36, 37, 38, 39, 40, 44, 48, 51, 53, 56, 57, 60, 63, 64, 66, 68, 70, 71, 72, 73, 74, dhe 75.

 

– ODIHR ndjen keqardhje që niveli i bashkëpunimit zyrtar, që u ofrohej përfaqësuesve të saj nga autoritetet qeveritare dhe zgjedhore, ishte i kufizuar.

Takimet e kërkuara shpesh anuloheshin.

– Akreditimi i disa vëzhguesve u shty deri ditën përpara zgjedhjeve, duke shkaktuar probleme për planin e shpërndarjes.

– KQZ deklaroi se nuk ishte në gjendje që të furnizonte misionin vëzhgues me informacion të qartë në lidhje me adresat e qendrave të votimit.

– Komisioni i Verifikimit u ngrit për të rishikuar dosjet policore të periudhës komuniste për të gjithë kandidatët, sipas ligjit “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Komisioni rekomandoi skualifikimin e rreth 200 personave që do kandidonin për zgjedhje. Shumica e skualifikimeve u bënë në bazë të nenit 2c, në lidhje me personat e regjistruar në listën e Sigurimit të Shtetit, si informatorë. Mënyra se si u skualifikuan kandidatët potencialë bie në kundërshtim me nenin 7.5 të Dokumentit të Kopenhagës që garanton respektin e të drejtës së qytetarëve për të kërkuar poste publike ose politike pa u diskriminuar.

Gjashtë nga shtatë anëtarë të Komisionit të Verifikimit janë emëruar nga qeveria, çka ngre pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e Komisionit.

– Një tjetër çështje shqetësuese e ngritur nga vëzhguesit ishte se, sipas nenit 19 të Ligjit Zgjedhor, personat, përfshi këtu drejtues të rendit publik dhe shërbimit sekret, duhet të largoheshin nga detyra 25 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, në rast se janë regjistruar si kandidatë për parlament. Personat, subjekt të këtij neni, ishin sërish aktivë në postet e tyre, pavarësisht se kandidonin.

– Presidenti është gjithashtu kandidat në listën proporcionale, çka bie në kundërshtim me ligjet.

– Lista e votuesve përmban njerëz që tashmë kanë vdekur, që nuk kanë arritur akoma 18 vjeç dhe disa herë i njëjti emër përsëritet në më shumë se një listë.

– Partitë të opozitës ndalohen në mënyrë të vazhdueshme që të mbajnë ambiente në sheshe të hapura, veçanërisht në qytete të mëdha.

Në Tiranë, partitë e opozitës kërkuan dhe iu refuzua një leje për miting në sheshin “Skënderbej”, aty ku partia qeverisëse u lejua të mbante mitingun e saj më 24 maj.

Shpjegimet zyrtare varionin që nga mundësia që partitë e opozitës nuk kishin mjaftueshëm mbështetës në mitingun e tyre për të justifikuar mitingun, deri te qëndrimi se ajo që do bënte partia në pushtet nuk ishte një miting politik, por një koncert, e deri te fakti se nuk ishte një tubim elektoral, por presidenti do i adresohej njerëzve.

– Me shumë pak përjashtime, vetëm posterat e partisë në pushtet ekspozoheshin publikisht gjatë fushatës. Madje dhe në ndërtesat qeveritare në qendër të Tiranës, Partia Demokratike lejohej të vendoset posterat e saj. Përveç kësaj, Partia Demokratike vendosi një baner shumë të madh në sheshin qendror “Skënderbej”, që qëndroi i varur deri ditën e zgjedhjeve.

– Në Rrëshen dhe Lezhë, vëzhguesit ishin dëshmitarë se hapësira e vënë në dispozicion për takimet e PS ishte shumë e vogël për të mbajtur të gjithë mbështetësit e partisë.

Ndërtesat që jepeshin për takimet e opozitës shumë shpesh ishin të vogla për numrin e personave që donin të merrnin pjesë, por në krahun tjetër ky ishte dhe një justifikim për praninë masive të policisë për të mbajtur rregullin.

– Në disa raste, vëzhguesit raportuan për makina me kandidatët dhe mbështetësit e partive opozitare, të cilët ndaloheshin në rrugën e tyre. Për shembull, më 28 maj, mbështetësit dhe kandidatët e Partisë Socialiste u ndaluan në një postbllok policie në Shkodër, pas të cilit qëndronin mbështetës të partisë në pushtet që kishin bllokuar rrugën me një barrikadë. Ata u ndaluan, për shkak se një miting elektoral që do të zhvillohej në stadiumin e Shkodrës, për të cilin PS kishte marrë leje më 6 maj, ishte anuluar nga autoritetet në minutën e fundit, pa dhënë ndonjë motiv. Policia nuk i ndaloi mbështetësit e PD që të mos bllokonin rrugën dhe nuk hoqi barrikadën.

– Një tjetër incident u dëshmua një javë përpara zgjedhjeve. Mbështetësit e partisë në pushtet bllokuan një rrugë që të çon në Vlorë, duke ndaluar kështu makinat që po shkonin në një miting të PS. Vëzhguesit vunë re se policia nuk ndërhyri. Të pyetur në lidhje me bllokimin e rrugës, ata thanë se ishte një protestë spontane e banorëve të Vlorës kundër PS. Vëzhguesit vunë re megjithatë se shumë nga ata që ishin prezent, kishin pankarta kundër PS, dhe shumë nga automjetet ishin me targa të Tiranës.

– Sipas ligjit zgjedhor, një komision multipartiak administron votimin në qendrat zgjedhore. Ai përbëhet nga kryetari dhe sekretari, të përzgjedhur nga qeveria dhe nga një anëtar që përfaqëson secilën parti ose grupim politik. Megjithatë, vëzhguesit vunë re se, edhe pse emrin e kishin multipartiak, komisionet nuk ishin të tilla në përmbajtje. Ky është një dhunim i hapur i ligjit zgjedhor.

– Vëzhguesit theksuan se disa komisione zgjedhore pretendonin se pjesëmarrja e votuesve ishte shumë më e madhe se ajo që tregonte numri i firmave në regjistrin e votuesve. Në zonën e Peshkopisë një skuadër vuri re se rreth orës katër, komisionarët pretendonin se të gjithë votuesit kishin votuar, pavarësisht faktit se regjistri nuk përmbante firma.

– Disa skuadra raportuan për njerëz që hidhnin në kuti disa fletë votimi dhe në shumë raste raportuan për votim familjar, që ishte një rregull e jo një përjashtim.

– Shumë vëzhgues raportuan për një prani të madhe policore, brenda dhe jashtë qendrave të votimit. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në Berat dhe Lushnjë, ku policia luante një rol aktiv në qendrat e votimit. Në disa raste, policia luante madje rol në procesin e numërimit.

– Te disa qendra votimi, në Tiranë, Berat e Kukës, vëzhguesit vunë re praninë e personave të paidentifikuar dhe të armatosur. Ata luanin një rol aktiv në proces dhe vendasit i identifikonin si anëtarë të policisë sekrete.

– Në Korçë dhe Berat policia ndoqi vëzhguesit.

– Në Berat, një skuadër vëzhguesish vuri re se pjesëmarrja në votime ishte 105 për qind. Po në Berat, një skuadër vëzhguesish u këshillua që të largohej nga qendra e votimit gjatë procesit të numërimit të votave.

– Në Lushnjë, një qendër votimi u mbyll në mesditë. Në një tjetër qendër votimi, 942 vota ishin në kuti, por kishte vetëm 880 firma në regjistrin e votuesve.

– Në Fier, një qendër votimi u mbyll në orën shtatë duke raportuar se kishin votuar 100 për qind, por vëzhguesit raportuan se kishte akoma njerëz që prisnin për të votuar.

– Në një qendër votimi në Gjirokastër, u vu re se votat për një parti të opozitës u numëruan për partinë qeverisëse. Në një tjetër qendër votimi në Gjirokastër, votuesit e Partisë Socialiste llogariteshin për Partinë Demokratike.

– Në Kukës, një vëzhgues që kupton shqip, dëgjoi kryetarin e një qendre votimi duke i telefonuar dikujt për t’i kërkuar falje se nuk kishte qenë në gjendje të ofronte rezultatin e kërkuar, për shkak të pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë.

– Në Kuçovë, një skuadër vëzhgues vuri re praninë e fletëve të votimit të plotësuara paraprakisht, si dhe tufa fletësh votimi, të mbledhura shuk e të futura në kuti. Kur u numëruan, ato rezultuan për partinë në pushtet.

– Në Korçë, një skuadër vëzhguesish vuri re se kishte 90 vota të pavlefshme gjatë numërimit. 45 prej tyre ishin për Partinë Socialiste dhe 45 ishin për partitë e tjera të opozitës. Nuk pati asnjë votë të pavlefshme për partinë në pushtet.

 

 

Zgjedhjet e vitit 2001, Meta në krye të operacionit më të madh për manipulimet zgjedhore

 

Pas rënies së zgjedhjeve të vitit 1996 dhe kolapsit të vitit 1997, misioni vëzhgues i ODIHR e kishte të qartë se politikanët e këtij vendi vetëm zgjedhje të lira nuk donin të bënin. Nis kështu një periudhë tolerimesh, zgjedhjet fillojnë të quhen një hap përpara, edhe pse më poshtë në çdo raport listohen shkelje skandaloze. Kështu ndodh me zgjedhjet e vitit 1997, që quhen të pranueshme, e vijon vlerësimi “një hap përpara” me zgjedhjet e vitit 2000, të drejtuara nga Ilir Meta. Por kulmi i abuzimeve zgjedhore vjen në vitin 2001, me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Meta, atëkohë kryeministër, drejton një operacion të madh të shkatërrimit të procesit zgjedhor dhe kundërshtarit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e publikojnë raportin me vonesë. Ata theksojnë se kjo është bërë, për shkak se opozita kishte paraqitur një dosje me pretendime, të cilat ishin hetuar më tej. Dhe meqenëse vendi dukej se ishte klasifikuar te grupi i shteteve ku pushteti nuk lëshohet me zgjedhje dhe ku ekuilibrat janë delikatë, atëherë dhe ODIHR lëshon fjalinë “magjike”: “Me gjithë këto shqetësime, nuk ishte fitorja e PS në këto zgjedhje që u vu në dyshim, por vetëm gjerësia e kësaj fitoreje”.

Fjalia e mësipërme mori shumë kritika, për shkak se ishte një mbështetje shumë e fortë për manipuluesit. Meta kishte arritur të nënshtronte çdo skutë të shtetit për t’i manipuluar këto zgjedhje. Kishte ndërtuar një KQZ grabitqare, përdorte gjithë mekanizmat e pushtetit vendor, policinë e kishte lëshuar rrugëve për të bërë presion e për të mbushur kutitë, por mbi të gjitha, kishte “përdhunuar” Gjykatën Kushtetuese, e cila dha vendime skandaloze për apelimet zgjedhore.

Përmbledhja e mëposhtme e raportit tregon qartë se sa i dashuruar me zgjedhjet e lira është Meta. Njeriu që përdori më shumë se të gjithë antiopozitarizmin, e nis fushatën zgjedhore duke përdorur partinë e Pollos për t’iu marrë siglën demokratëve dhe ia arrin me sukses kësaj.

Më poshtë përmbledhja e raportit të ODIHR për zgjedhjet e vitit 2001

– Partitë politike përfituan nga e drejta e tyre për të paraqitur qëndrimet gjatë seancave të KQZ dhe në disa raste pikëpamjet e tyre u morën parasysh. Megjithatë, mënyra se si KQZ trajtoi ankesat kryesore zgjedhore nuk ishte gjithmonë e mjaftueshme. Si pasojë, partitë dhe kandidatët kërkuan zgjidhje te gjykatat. Trysnia politike e ushtruar nga udhëheqja e PS, në disa raste, dukej sikur e kompromentonte veprimtarinë e KQZ.

– Kryetari i KQZ kërkoi një qëndrim kolegjial ndaj vendimmarrjes, e cila ishte vetëm pjesërisht e suksesshme. KQZ ishte e përçarë për shumë çështje të rëndësishme dhe disa vendime u morën me votën e shumicës, duke mposhtur një opinion mjaft të fortë të pakicës.

– Para raundit të parë, lindi një konflikt ligjor midis Partisë Demokratike dhe partisë së shkëputur prej saj të quajtur Partia Demokrate për përdorimin e shkronjave nistore dhe stemës. Të dyja partitë pretendonin pronësinë mbi shkronjat nistore “PD”, dhe të drejtën e përdorimit të këtyre shkronjave nistore në fletën e votimit. Më 29 maj, përpara se të shtypeshin fletët e votimit, Gjykata e Apelit të Tiranës i dha Partisë Demokrate të drejtën ekskluzive për shkronjat nistore “PD” dhe vendosi se KQZ kishte gabuar kur plotësoi kërkesën e Partisë Demokratike për të përfshirë shkronjat nistore “PD” në fletën e votimit përkrah atyre të BF. Megjithatë, Partia Demokrate nuk arriti të sigurojë në kohë një “urdhër ekzekutiv” para fillimit të shtypjes së fletëve të votimit dhe fletët e votimit u shtypën më 8 qershor me shkronja nistore “PD”, si për Partinë Demokrate, ashtu edhe për BF.

– Gjatë vitit 2000, autoritetet shqiptare, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, ndërmorën krijimin e një regjistri kombëtar votuesish të kompjuterizuar. Edhe pse kjo shënon një hap domethënës për të afruar më tej vendin me praktikat evropiane në përcaktimin e së drejtës së zgjedhësve për të votuar, përsëri mbetën mangësi, përfshirë rekorde të dubluara ose rekorde që mungonin, rekorde të caktuara në qendrën e gabuar të votimit, procesverbale me datëlindje të pasakta, dhe gabime të tjera të dhënash.

– OSBE/ODIHR vazhdoi të merrte ankesa se një numër i lartë votuesish u la qëllimisht jashtë regjistrave të votuesve. Gjithashtu, pati prova për shmangie të tepruara në numrin e votuesve të regjistruar në zonat 1-emërore më tepër se 5%-shi i rekomanduar.

– Gjatë raundit të parë të votimit në 24 qershor, pati incidente të izoluara, por domethënës të ushtrimit të presionit dhe të ndërhyrjes nga ana e policisë dhe të autoriteteve vendore. Disa prej këtyre incidenteve përfshinin veprime në favor të kandidatëve të partisë qeverisëse. Në shumë raste, u raportua një prani e tepruar e policisë dhe në disa raste u vërejt se policia u soll në një mënyrë të papërshtatshme dhe të njëanshme. Gjithashtu, u vërejtën civilë të armatosur, si p.sh. në Zonën 18.

 

– Në disa raste të rralla, policia u përfshi në manipulimin e materialeve zgjedhore. Për shembull, në Zonën 49, një vëzhgues ndërkombëtar njoftoi për mbushjen e kutive të votimit me fletë votimi nga policia në KQV-në 46 gjatë pasdites. Zyrtarët zgjedhorë përkatës e konfirmuan incidentin. E njëjta qendër votimi u bë përsëri problematike më 22 korrik. Në Zonën 19 një oficer madhor policie i mohoi vëzhguesit të OSBE/ODIHR hyrjen në KZZ. Më 23 qershor në Zonën 60, policia ndërpreu shpërndarjen e materialeve zgjedhore me kërkesë të zëvendës/kryetarit të KZZ të PS. Një oficer madhor policie e konfirmoi këtë incident tek një vëzhgues ndërkombëtar.

– Gjatë raundit të dytë, pati një prani mjaft të dukshme të policisë gjatë ditës së votimit dhe, pati raste ndërhyrjeje në procesin zgjedhor. Disa nga këto ndërhyrje ishin serioze si në rastin kur policia mori me vete në mënyrë të pajustifikueshme një kuti votimi në një qendër votimi në Zonën 35. Gjithashtu, ishin shqetësuese njoftimet që pretendonin për kërcënime dhe ndalime nga policia të disa anëtarëve të KZZ-ve dhe KQV-ve, kryesisht nga ana e PD.

– Zgjedhjet u përsëritën në 11 zona në raundin e tretë, më 22 korrik. U njoftuan shkelje serioze në një numër qendrash votimi. Këto përfshinin mbushje të kutive të votimit nga ana e anëtarëve të komisioneve në të vetmen qendër votimi ku u zhvilluan zgjedhjet në Zonën 22, ku deri në orën 17:00, kur qendra e votimit u mbyll herët, 98% të votuesve me të drejtë vote u regjistruan sikur kishin votuar, pavarësisht se vëzhguesit dëshmuan për një pjesëmarrje të paktë.

– Më 22 korrik gjatë raundit të tretë, në një incident serioz në KQV-në 14 të Zonës 2, vëzhguesit mbërritën pranë qendrës së votimit në 15:45 dhe zbuluan se kishte filluar numërimi i votave dhe se ky proces po drejtohej nga një njeri i armatosur, i cili nuk ishte anëtar i KQV.

– Gjithashtu, më 22 korrik, në një incident tjetër serioz në Zonën 4, Sekretari i KZZ i kërkoi një vëzhguesi të dorëzonte përsëri procesverbalin e marrë nga KQV 2 në këtë zonë.

– Integriteti i rezultatit proporcional në shkallë vendi nga zgjedhjet e 24 qershorit ishte përgjithësisht i pranueshëm, megjithëse kishte disa raste që ngjallën shqetësim. BF paraqiti procesverbale nga një numër i KQV-ve të Zonës 33, duke përfshirë një formular pasqyrimi të një KZZ-je që tregonte se sasi të vogla votash ishin transferuar në favor të PAD duke manipuluar me procesverbalet. Një përfaqësues i PS u ankua zyrtarisht se, në Zonën 13, votat për PS ishin rindarë në favor të PA. Formularët e pasqyrimit, për Zonën 13 mund të gjenden pranë KQZ dhe ndryshojnë nga ato të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me apelimin ndaj rezultatit të votimit më 24 qershor. Ndërkohë që faqja e parë e dokumentit të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nuk është plotësuar fare, faqja e parë e atij që pretendohet se është i njëjti dokument paraqitur KQZ është i plotësuar, por shifrat e pjesëmarrjes nuk kuadrojnë, në disa raste, në mënyrë domethënëse.

– Më 22 korrik, pas një debati të zgjatur, KQZ filloi procesin e përllogaritjes të rezultatit për Zonën 60, duke hapur kutitë e votimit, duke nxjerrë procesverbalet dhe duke mbledhur rezultatet individuale. KQZ vendosi përsëritjen e zgjedhjeve në gjashtë qendra votimi për arsye të parregullsive, si dhe në dy qendra votimi ku zgjedhjet nuk ishin zhvilluar. Sipas dokumenteve të KQZ, të cilat regjistronin materialet e gjetura në kuti, 25 kuti votimi nuk përmbanin procesverbalet e rezultateve për konkurrimin proporcional. KQZ vërejti gjithashtu parregullsi të tjera të rënda. Këto përfshinë 27 kuti votimi të cilave u mungonte numri i qendrës së votimit përkatëse, kuti votimi të pavulosura, zarfe të hapura me fletë votimit të përdorura, lista votuesish si dhe fletë votimi të vlefshme që mungonin. Gjithsesi, KQZ ishte e vendosur të shpallte një rezultat për këtë zonë, pra përdori të gjitha procesverbalet që dispononte, duke përfshirë edhe ato të dyshimta dhe me një origjinë të paqartë për të përllogaritur një rezultat përfundimtar. Rezultati i zgjedhjeve për proporcionalin në këtë zonë i ngriti PBDNj, PAD, dhe PA mbi pragun 2,5% dhe i futi në Kuvend me nga tre vende secila.

– Disa konkurrime në raundin e dytë u përcaktuan me diferencë të ngushtë, ku numri i fletëve të votimit të quajtura të pavlefshme, në disa raste, ishte më i madh sesa marzhi i fitores. Pas raundit të dytë, gjykatat e faktit në pesë zona filluan rinumërimin e fletëve të votimit, ashtu siç përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Rezultatet në tri nga këto zona ngjallën shqetësime. Në zonën 29, gjykata lokale e faktit nuk arriti të kontrollonte imtësisht fletët e votimit të shpallura të pavlefshme nga KQV-të, shpërfilli udhëzimin e KQZ se si duhet të përcaktohet vlefshmëria e fletës së votimit, si dhe shpërfilli dispozitat e nenit 106 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të hetonte në mënyrë të mjaftueshme lidhur me këtë rast dhe, për pasojë, ka dyshime për rezultatin e zgjedhjeve. Përveç kësaj, njoftime të besueshme për një kërcënim nga një deputet i PS ndaj një kandidati të BF nuk u hetuan plotësisht nga autoritetet.

– Më ose pas 22 korrikut u zhvilluan dymbëdhjetë zgjedhje të plota apo të pjesshme, prej të cilave opozita vuri në pikëpyetje rezultatet në 8 zona. 0OSBE/ODIHR ka shqetësime specifike në lidhje me mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, ose me procesin e apelimit në Zonat 2, 13, 49 dhe në ashtu siç e kemi specifikuar më lart, Zona 60. Përveç kësaj, nuk u krye asnjë herë rinumërimi në Zonën 14 ashtu siç u kërkua nga BF, dhe në Zonën 18, ku BF ngre pretendime për një sërë shkeljesh zgjedhore, që ndikuan në rezultatin përfundimtar

– Pas zgjedhjeve të 24 qershorit, u depozituan 28 raste në Gjykatën Kushtetuese, vetëm 12 prej të cilave u zgjidhën gjatë raundit të dytë më 8 korrik. Pas raundit të dytë, u depozituan nëntë çështje të tjera. Në shumë raste, Gjykata vendosi përfundimisht mbi rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, vendimet e Gjykatës nuk bazoheshin gjithmonë mbi standarde të përcaktuara qartë ose të zbatuara në mënyrë konsekuente. Për shembull, në raste në dukje të ngjashme, Gjykata Kushtetuese vendosi zhvillimin e raundit të dytë të zgjedhjeve në Zonat 25 dhe 40, por jo në Zonat 19, 24, 57, 63, dhe 67. Në disa raste, u duk se Gjykatat nuk arritën të hetonin në mënyrë të mjaftueshme ose të merrnin plotësisht parasysh rrethanat ose faktet e paraqitura. Për shembull, në Zonën 19, Gjykata Kushtetuese deklaroi se “të dyja pasqyrat e rezultateve ishin të nënshkruara nga të njëjtët anëtarë të komisionit…”, kurse kopjet e të dyja versioneve të procesverbalit të manipuluara të KQV 6, Zona 19, që ju shpërndanë vëzhguesve në orët e para të 25 qershorit, treguan qartësisht të kundërtën. Gjykata Kushtetuese preferoi të mbështetej jo në procesverbalet e përgatitura në qendrën e votimit nga KQV, por në të kundërt vendosi të rinumërojë fletët e votimit të cilat, ndoshta, mund të mos ishin ruajtur të paprekura në mënyrë të mjaftueshme përpara gjykimit të çështjes. Megjithatë, nuk kishte procesverbal në kutinë e votimit dhe zarfet e sigurisë ishin të hapura.

– Transparenca e seancave të gjykimit ishte ndonjëherë problematike. Për shembull, OSBE/ODIHR nuk arriti të marrë në kohë dokumentacionin e plotë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të përsëritur zgjedhjet në Zonën 13, ku fitorja e raundit të parë të kandidatit të BF dukej bindëse.

– Një kandidat i pavarur, Agron Duka, u zgjodh në Zonën 25, ku vëzhguesit verifikuan raste mashtrimi.

4 komente në “Meta dhe Berisha, një histori manipulimesh zgjedhore”

  1. Neorealizmi says:

    RIDE WITH THE DEVIL!

  2. raimondi says:

    Ketu ke harruar nje te trete :….Nanon ——- Pra treshja _ Berisha, Nano, Meta_ kane nje histori te turpshme manipulimesh zgjedhore ….

  3. Sociologu says:

    Dy te korruptuar i shtrengojne doren njeri-tjetrit! THANK YOU Very much!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje