Erdha, pashë dhe pështyva mbi Kosovën!

Postuar në: Opinion |

Nga Enver Robelli

 

Stili i Fernando Gentilinit: në një libër ambicioz diplomati italian dhe aktualisht përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë përpiqet të shpjegojë shoqërinë shqiptare të Kosovës përmes stereotipave dhe paragjykimeve

 

“Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë“

Egon Erwin Kisch, gazetar gjerman, pas një udhëtimi në Mal të Zi në vitin 1913

 

1.

Që nga shkatërrimi i Jugosllavisë para dy decenieve janë shkruar me qindra libra për luftën, për zgjidhjen e konflikteve, për pajtimin, për ndërtimin e demokracisë dhe për shumë çështje të tjera. Mes kësaj sasie shquhen shumë vepra me vlerë – të tilla që shpjegojnë objektivisht konfliktet ballkanike në fund të shekullit XX. Por, aty-këtu, shtëpitë botuese në Perëndim kanë botuar edhe libra mbi Ballkanin, të cilat vlojnë nga paragjykimet, mendimet kuturu, hamendjet. Vitin e kaluar në Gjermani një ish-ushtare e KFOR-it me emrin Danijela Matijeviq publikoi librin “Me ferrin kisha mundur të jetoj”. Në këtë copë tekst Matijeviq përmbledh kujtimet e saj nga koha kur erdhi në Kosovë, në vitin 1999, si ushtare e forcës paqeruajtëse të NATO-s. Por, këto kujtime të saj shpesh nuk përputhen me realitetin. Ajo thotë se bashkë me ushtarë të tjerë kishte aterruar në aeroportin e Tetovës. Dihet që Tetova nuk ka aeroport. Ajo shkruan se pas vdekjes së Titos në vitin 1980 nga Jugosllavia u shkëputën disa rajone. Matijeviq përmend Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë, Kroacinë dhe Serbinë “greko ortodokse”. Brenda kësaj fjalie gjenden disa gabime: së pari Shqipëria kurrë nuk ka qenë pjesë e Jugosllavisë, së dyti banorët e Serbisë nuk janë greko-ortodoks, së treti lufta në Jugosllavi nuk shpërtheu menjëherë pas vdekjes së Titos, por 11 vjet më vonë. Më tutje në librin e saj Matijeviq shkruan se ushtarët gjermanë të KFOR-it pas stacionimit në Kosovë në vitin 1999 vuanin nga uria dhe ishin detyruar të presin një qen dhe ta hanë mishin e tij. Libri i Matijeviq është demaskuar në mediat gjermane, por nuk është tërhequr nga tregu nga shtëpia botuese “Heyne” e Münichut.

 

2.

Fernando Gentilini është diplomat dhe, kuptohet, ai tregohet më i kujdesshëm në formulime. Aktualisht Gentilini është përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë. Në Kosovë ka shërbyer edhe gjatë vitit 2004. Në atë kohë ai, bashkë me disa zyrtarë të BE-së, ka qenë i përfshirë në një aksident trafiku në veri të Kosovës, rrethanat e të cilit kanë mbetur të paqarta. Atëbotë madje ishte bërë presion edhe nga vetë kryediplomati evropian Javier Solana që gazetat në Kosovë të mos merreshin me këtë rast. Aksidenti në veri Gentilinit i ka shërbyer si moment reflektimi. Në ato kushte të shërimit nga aksidenti ai kishte vendosur të shkruajë një libër për Ballkanin. Kështu veprojnë jo pak diplomatë dhe ardhacakë të tjerë, të cilët punojnë në misionet ndërkombëtare në Kosovë, Irak, Afganistan e gjetiu. Shpesh ata shkruajnë libra me vlerë, të cilat i ndihmojnë publikut të interesuar të kuptojë prapaskenat e politikës. Jo rrallë kujtimet e diplomatëve të pensionuar zbulojnë hollësi të vendimeve politike, të cilat hedhin dritë mbi shumë ngjarje historike.

 

3.

Diplomati italian Fernando Gentilini ka vendosur të mos e pres pensionimin, por të shkruajë një libër derisa është duke bërë karrierë si diplomat i BE-së në lëvizje mes Brukselit dhe thepajave të Ballkanit. I botuar në vitin 2007 në Itali dhe i përkthyer më vonë në serbisht libri “Ballkani i ngatërruar” përmban përsiatje, mendime, ekskursione mendore në histori, gjeografi dhe në aktualitetin politik të Ballkanit. Gentilini e quan librin e tij “një udhëtim sentimental nga Prishtina në Bruksel”. Që në hyrje të librit ai shkruan se është me rëndësi që në Ballkan të mos nguteni me dhënien e gjykimeve. Për fat të keq libri i tij është një shembull i gjykimeve kuturu dhe i numërimit të stereotipave. Kjo vërehet sidomos në pjesët ku ai shkruan për Kosovën. Këtë rajon ai e quan një mister, i cili do të mbetet i tillë edhe një kohë të gjatë, me histori të panjohur, me një shoqëri që funksionon në bazë të logjikës së pakuptueshme “nga ana jonë”. “Këtu, më shumë se në çdo vend tjetër, e vërteta ka disa fytyra, është e ndërlikuar dhe vështirë mund të rikonstruohet”. Fatkeqësisht Gentilini nuk përpiqet shumë të hulumtojë dhe të shpjegojë arsyet pse Kosova mbetet mister. Për të tragjedia më e madhe është që në Prishtinë pothuaj nuk ka më serbë. Sigurisht që për çdo familje serbe dëbimi me dhunë nga banesa apo shtëpia në vitin 1999 apo 2000 ka qenë fatkeqësi. Por, për të kuptuar aktet individuale të disa shqiptarëve kundër pakicës serbe duhet shpjeguar vitet 90-të, përfshirë terrorin serb, diskriminimin e gjithanshëm nga shteti serb, po, patjetër duhet sjellë në vëmendje mbishkrimin para Hotelit Grand në vitet 90-të: “Ndalohet hyrja për qenë, shqiptarë dhe kroatë”. Vitet e plumbta të Kosovës, pra vitet 90-të, Gentilini i kalon shkarazi, pa ndonjë interesim. Pa e njohur mirë situatën e atëhershme nuk është e mundshme të sqarohet largimi i serbëve nga Prishtina. Sikur pjesa dërmuese e tyre të mos ishin ekzekutorë vullnetarë në shërbim të regjimit të Slobodan Milosheviqit, atëherë do ta kishin më lehtë të qëndronin në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës.

 

4.

Në librin e tij diplomati shpreh një lloj habie që në rrugët e kryeqytetit të Kosovës gratë e martuara dalin në shëtitje me burrat e tyre. Kjo, sipas tij, është një kthesë revolucionare në raport me traditën, sipas të cilës një shqiptare e martuar duhet të rri në shtëpi. Duke lexuar këso konstatimesh lexuesi pyet veten: a mos e ka ngatërruar autori Prishtinën me ndonjë qytet në Arabinë Saudite? Që në Prishtinë femrat dalin të shëtisin vetëm ose me këdo që kanë dëshirë është një dukuri që nga fundi i viteve 60-të, kur fillon liberalizimi i Jugosllavisë dhe përparon dukshëm emancipimi i femrës. Natyrisht që jo gjithçka ka ecur mirë sa i përket emancipimit të femrës në Kosovë dhe garantimit të të drejtave të saj. Ligjet mbi barazinë mes gjinive në Kosovë nuk zbatohen si duhet. Por, të thuhet se qenkësh revolucion që bashkëshortët dalin e shëtisin në Prishtinë, siç bën Gentilini, është larg realitetit. Më i besueshëm autori është kur konstaton se pjesët rurale të Kosovës i kontrollojnë klanet e fuqishme nga familjet që kanë përfituar nga lufta. I besueshëm Gentilini është edhe kur nënvizon se në disa pjesë të Kosovës martesat ende rregullohen përmes shkuesve. Autori ia qëllon kur e quan Kosovën “Gas Vegas” – për shkak të pompave të shumta të benzinës, ose kur e përshkruan Kosovën si parajsë për adhuruesit e kiçit. Ndërtimet pa leje, shkatërrimi i pjesëve substanciale të qyteteve, hedhja e bërllokut kudo jashtë shtëpisë dhe oborrit, mungesa e përgjegjësisë për ambientin janë fenomene kosovare, të cilat s’mund t’i mohojë askush.

 

5.

Gentilini është palejueshëm sipërfaqësor kur shkruan për historinë e Kosovës. Ai përmend vitin 1690, kur patriarku Arsenije III i priu “dhjetëra mijëra” serbëve drejt Vojvodinës austro-hungareze. Që në mesin e të ikurve ishin edhe disa mijëra shqiptarë nga Kosova perëndimore, këtë duket se nuk e di Gentilini. Në Vojvodinë dhe në Kroaci (rrethina e Vukovarit) edhe sot mund të gjenden pasardhës të atyre shqiptarëve që lanë vatrat e tyre përballë terrorit osman. Ndër fshatrat e para që i sulmoi ultranacionalisti Vojislav Sheshel në fillim të viteve 90-të ishin Hrtkovci dhe Nikinci në Vojvodinë. Në këto vendbanime jetonin ende edhe shqiptarë të kroatizuar, të cilët kishin ruajtur fenë katolike. Sipas Gentilinit ikja e serbëve në vitin 1690 u mundësoi shqiptarëve të maleve të Shqipërisë veriore që ta popullojnë Kosovën në kërkim të tokës së pëlleshme. Por, autori e përgënjeshtron menjëherë vetveten, kur shkruan se në Betejën e Gazimestanit në vitin 1389, krahas serbëve, morën pjesë edhe shqiptarët. Si është e mundshme të thuhet ose aludohet se deri në vitin 1690 në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë dhe pastaj të tregohet se ata kanë marrë pjesë në Betejën e Fushë-Kosovës 300 vjet më parë? Gabime të tilla mund të bëhen nga pakujdesia ose nga ndonjë motiv tjetër. Por, autori nuk bën gabime vetëm kur shkruan për historinë, por edhe për ngjarjet më të reja politike. Ai nënvizon se Milosheviqi gjatë fjalimit të tij në Gazimestan me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës u tha serbëve se askush nuk guxon t’i rrahë. Këtë fjali Milosheviqi e kishte nxjerrë nga goja jo më 1989, por më 1987, gjatë një tubimi të serbëve në Fushë-Kosovë. Duke cituar librin “Lufta pas luftës” të gjeneralit italian dhe ish-komandantit të KFOR-it Fabio Mini diplomati Gentilini arrin në përfundim se pas luftës në Kosovë ndodhi ndërrimi i roleve: të shtypurit e djeshëm (shqiptarët) u shndërruan në shtypës dhe posterët e vëllezërve Jashari, prijësve shpirtërorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i zëvendësuan posterët e Arkanit dhe tigrave të tij. Sipas kësaj logjike i bie se, njëjtë sikur Arkani, edhe Adem Jashari ka vrarë e prerë civilë dhe ka plaçkitur qytete të tëra! Në këtë stuhi konstatimesh pa asnjë bazë Gentilini e quan shoqërinë e Kosovës “relativisht ksenofobe”. Dihet se ksenofobi urren çdo gjë të huajën, nuk pranon asgjë të huaj dhe e hedh poshtë dhe e mohon atë fare. Kosova është shembull i një vendi postkonfliktuoz, ku të huajt vazhdojnë të mirëpriten dhe ku nuk iu kanoset asnjë rrezik. Të thuash se Kosova është vend ksenofob është thjesht e pavërtetë. Gentilini nuk ofron asnjë fakt për konstatimin e tij se në vitin 1992 Ibrahim Rugova u zgjodh president pas një marrëveshjeje sekrete me serbët, të cilët nuk dëshironin të hapnin edhe një front krahas krizës në Bosnjë. Dëshmitarët e kohës dhe literatura përkatëse e dokumenton të kundërtën: në fillim të viteve 90-të në Kosovë nuk shpërtheu lufta për shkak të politikës paqësore të Rugovës. Madje konflikti nuk u ndez as pas disa sinjaleve nga regjimi i kryetarit kroat Franjo Tugjman se do t’i dilte në ndihmë Kosovës nëse do të niste një rezistencë të armatosur kundër terrorit serb.

 

6.

Kjo hapësirë gazete nuk është e mjaftueshme për t’i numëruar të gjitha gabimet e librit “Ballkani i ngatërruar” të Fernando Gentilinit. Megjithatë, në mënyrë telegrafike duhet përmendur edhe disa lajthitje të autorit. Si shumë diplomatë të tjerë edhe Gentilini e quan “luftë civile” agresionin serb kundër njësive të tjera të federatës jugosllave. Luftë civile do të ishte sikur sllovenët, kroatët, boshnjakët (myslimanët) dhe shqiptarët të kishin sulmuar serbët në Serbi. Diçka e tillë nuk ka ndodhur. Kur flet për Vukovarin Gentilini shkruan se atje u luajt njëra prej tragjedive të mëdha serbo-kroate. E vërteta është kjo: në përpjekje për të pushtuar këtë qytet buzë Danubit ushtria serbe dhe forcat paramilitare jo vetëm që shkatërruan pothuaj gjithë Vukovarin, por edhe vranë e masakruan qindra civilë kroatë. Çka nuk i bie në sy Gentilinit në Vukovar, kurrsesi nuk i ik në Beograd. Në kryeqytetin serb ai sheh “rininë më të bukur të Evropës – e lirë, kreative, elegante, e orientuar nga bota, paqedashëse dhe vizionare”. Për Gentilinin regjisori Emir Kusturica, i konvertuar në ortodoks dhe në super-serb-nacionalist, është gjenial dhe vizionar. Nëse është gjenial një person që i arsyeton krimet e serbëve në Bosnjë dhe i këndon Radovan Karaxhiqit, siç ka vepruar Kusturica, atëherë vërtet Gentilini ka një perceptim krejt ndryshe të gjenialitetit nga pjesa tjetër e botës. – Ndoshta pjesa e vetme me vlerë e librit “Ballkani i ngatërruar” është ajo ku autori angazhohet për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Pyetja që mbetet pezull është se si mund të integrohet Ballkani në BE përballë paragjykimeve dhe stereotipave të servuara nga një diplomat, i cili merr vendime të rëndësishme për të ardhmen e rajonit.

 

 

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

17 Pergjigje per Erdha, pashë dhe pështyva mbi Kosovën!

  1. preng sherri  --  21 Shtator, 2011 në 10:58 pm

    shkrim vertet i bukur,por duhet te na beje te reflektojme,mbi veten tone ne rradhe te pare.
    Dhe une kam paragjykimet e mia mbi karakterin italian dhe ky artikull e nxjerr te plote dhe nuk ja vlen te harxhosh llafe te tjera.
    dicka qe vertet me beri pershtypje ,ishte thenia e ish presidenti kroat Tugjman,qe shprehet i gatshem per ti dal ne krah Kosoves.
    Ajo qe nuk eshte diskutu asnjehere nga politika shqiptare dhe tregon mesemiri llumin ku jemi zhyt,eshte mungesa e nje analize serioze mbi mungesen e shtetit shqiptar per ti dal zot bashkekombasve te vet,mospergatitja,shkaterrimi i te gjitha strukturave mbrojtese,por nka kush?per cfare interesi? kujt i sherbejne? kombit shqiptar? natyrisht qe jo,sot kemi nje shtet ku qytetaret e thjeshte nuk jane as te mbrojtur as kane te drejta,aq me pak te mendohet dicka me shume.
    Shkaktaret i dime te gjithe ,dhe ata vazhdojne te vjedhin dhe te grabisin,kur dita dites rrezikojme qenien tone ne trojet tona,dhe kjo nuk ndodh vetem pse te tjeret kane vendos keshtu per ne,e,nese rrethanat nderkombetare nderrojne?!

    Përgjigjjuni

  2. Votren  --  22 Shtator, 2011 në 7:29 am

    Mire o Envere por shkruaje te shkreten ”para dy dhjetevjecareve” e jo para dy decenieve”.

    Përgjigjjuni

  3. denny  --  22 Shtator, 2011 në 9:38 am

    Njihet afiniteti i italianëve për Serbinë. Në 1999 Italia refuzoi të marrë pjesë në bombardimet e Nato-s. Bombardimet mbi Beograd e Serbi i bënë amerikanët, francezët dhe anglezët. Historinë reale duhet ta shkruajnë vetë shqiptarët.

    Përgjigjjuni

    • Pelasgian  --  22 Shtator, 2011 në 2:30 pm

      Italianet kan pak dashuri per serbet edhe per shkak te Kroatve , dihet qe Italia akoma i deshiron tokat qe dikur ka pasur Venecia si Dalmacia dhe qytetet e tjera ne bregdetin Kroat , po ashtu edhe Serbia do tokat ne Kroaci si Krajina !!!

      Përgjigjjuni

  4. Glauku  --  22 Shtator, 2011 në 10:35 am

    I nseruar Enver ! Ky nuk èshtè thjeshtè njè shkrim, po èshtè njè kontribur dhe i çmuar. Kjo èshtè mbrojtja mè e mirè qè mund tè bèjè njè intelektual atdheut tè tijè.
    Vetè fati e solli qè ti njohim italianèt, tè paktèn janè njèzet vjetè qè jetojmè e punojmè me to. Ata janè njerèz tè lehtè. tè pa pètgjegjshèm, tè manovrueshèm dhe pa principe. Mungesa e guximit dhe pèrballimi i çdo situate, ju jep instiktin tè gjejnè gjithmonè rrogè tè tjera dhe mè shumè si ato tè miut.
    Ndaj dhe vetè signor F.Gentilini nuk mund tè dali nga ajo hija ( NI ) ku gjithmonè èshtè as PO dhe as JO, I Libri i tijè èshtè e keqja mè e vogèl po tè mendojmè qè nè kèto momente ai pèrfaqèson KE nè Kosovè ?!? Kjo do tè thotè se ai ka kaluar nga teoria nè praktikè, gjè e cila lèkund vèrtetè besimin europian nè Kosovè.
    Librat e tyre, ose teoritè e tyre ( mund tè vendos dhe bast) i keni shtrirè pèr tokè. Por si do tè bèhet qè tè largojmè menjèherè nga Prishtina mercenarin e fundit dhe aspak Gentil sengior F.Gentilinin.
    Se Kosova ka nevojè pèr dipllomatè realistè dhe me (pale) dhe jo tè mefshtè dhe me paragjykime.

    Përgjigjjuni

  5. irina  --  22 Shtator, 2011 në 1:06 pm

    une e kam lexuar balcani infiniti ne italisht… robelli nuk ka te drejte… duket qe ka nje urrejtje ndaj autorit dhe nuk e dijme pse… por libri ne fjale eshte i mrekullueshem dhe nuk ka aspak paragjykime per shqiptaret, kosovaret, serbet, malazezet etc. perkundrazi, kemi nje dashuri te pakusht qe autori u shpall. eshte e tmerrshme si robelli e sulmon njeriun dhe ate ne syte e nje publiku qe se ka lexuar ne shqip librin ne fjale. te shpresojme qe do te del dikush ta botoje kete liber ne shqip pa cka do te shohim… peshtyerjen e robellit qe i ka bere vetes me kete tekst.

    Përgjigjjuni

    • Pelasgian  --  22 Shtator, 2011 në 2:31 pm

      Irina nqs Enveri nuk ka shkruar ato qe jan ne liber ateher jam dakort me ty por nese kto qe ka shkruar enveri jan ne liber ateher libri eshte plot gabime dhe paragjykime
      ti zotrote ky i ke syte ??

      Përgjigjjuni

  6. Kosovari  --  23 Shtator, 2011 në 8:05 am

    Paragjykimet e të huajve nuk kanë rëndësi. Ajo për të cilën duhet të brengosen shqiptarët është urrejtja për njëri tjetrin. Nëse gjërat e përmendura në këtë artikull janë shkruar në libër janë gënjeshtra. Gratë dhe fëmijët nga Kosova kanë pas ikur në Shqipëri, por meshkujt kanë qëndruar aty. Nëse ne nuk kemi ngrënë mish të qenit, as gjermanët nuk kanë pasë nevojë. Ky është trillim.

    Përgjigjjuni

  7. tg usa  --  23 Shtator, 2011 në 9:11 am

    kosova i del vete per zot vetvehtes
    shqiptaret te mos futin hundet ne punet e kosovareve

    Përgjigjjuni

    • Kosovari  --  23 Shtator, 2011 në 4:12 pm

      Ju lutem shumë zotëri TG (Torture Gangster), që të mos flisni nga SHBA në emër të kosovarëve, se nuk jemi me aftësi të kufizuara mendore. Mos na ngatërro neve me qeverinë e shitur nga Prishtina. Ata kanë interesa tjera me pozitën e dhuruar.

      Kombi ynë, flamuri ynë dhe gjuha jonë janë shqipe. Ne jemi shqiptarë, deshe apo nuk deshe ti dhe shokët tuaj që dëshirojnë të ndajnë e të na përçajnë.

      Përgjigjjuni

  8. demokrati  --  23 Shtator, 2011 në 7:47 pm

    Gentilini nuk ka asnje ndryshim nga Lamberto Dini,kastraveci Fratini apo parardhesi famekeq Ciano. Vijne nga e njejta diplomaci qe ndot Europen per me se paku nje shekull. Diplomatet italiane shikojne qimen tek tjetri po jo traun ne syrin tyre. Eshte kultura e tyre e ulet qeverisese, e bashkuar me korrupsionin e perhapur ne cdo skute te jetes politike dhe publike, nje imoralitet ne kufijte e te pabesueshmhes qe i ben gentilinet e Romes qesharak ne syte pjeses tjeter te Europres. Eshte kjo kulture. i pari eksport italian ne Shqiperine e pas 90 dhe pasojat e saj po i vuajme, ne shqiptaret. Ketij humbamenos dergojini nje foto nga ato te Napolit per ti treguar c’jane plehrat, dergojini nje foto nga autogrillat qe gjenden ngjitur me njera tjetren, nga ndertimet ne Sicili, apo nga perfaqesuesi me i denje i “races” italiane, Z.Berluskoni. Italianet asnjehere nuk kane qene te sinqerte me shqiptaret, dhe pabesia e tyre ne raport edhe me aleatet eshte proverbiale, shembulli me i qarte eshte fjalimi i fundit i Obames ku pershendeti te gjithe aleatet pervec italise, jo me kot, ne kulmin e bombarimve ndaj Kadafit, Fratini kerkonte marreveshje. Shqiperia e panjohur, Kosova e panjohur. Kush ja u ka fajin ketyre idioteve te pertej kufirit, eshte me afer Shqiperia se Sardenja, qe as nuk lexojne as nuk mesojne as nuk degjojne gysherit e tyre qe kane lene kockat ne keto ane.

    Përgjigjjuni

  9. Labi Vlore  --  23 Shtator, 2011 në 9:02 pm

    Te nderuar vellezer Shqipetar.Italia eshte shume raciste.Une prej vitesh jetoj ne Itali dhe mund te them se i njof tashme goxha mire.Po mbaroj studimet universitare ketu dhe me kane ardhur ne maje te hundes.
    Me padurim po pres perfundimin e studimeve dhe kthimin ne atdhe.
    Italianet jane shume raciste.Shume Shqipetar te ketueshem qe kane pak vite ne Itali mendojne se Italianet jane popull i kulturuar tolerant dhe me vlera te medha.Nuk e ve ne dyshim sa ka shume Italian me keto cilesi,por shumica derrmuese e tyre jane racista dhe mafioza.Po te doni,me besoni,une kete mendim kam per ta.
    Italianet nuk pranojne,madje hidhen ne sulm per te u mbrojtur kur i quan popull raciste apo me keq akoma xenofob.
    Nderkohe Gentilini e thote pa kurrfare ndrojtjeje kete per Kosovaret apo Shqipetaret ne pergjithesi.
    Te nderuar vellezer,populli Italian nuk e don popullin Shqipetar,dhe asnjehere nuk ka qene i sinqerte me te.
    Keta jane popull qe,po qe se fati jot qendron ne duart e tyre,nuk kane pike meshire te te shkaterrojne e te te bejne te ligat me te medha te kesaj bote.
    Nuk njoh shume mire,aq sa njoh Italianet ndonje popull tjeter Europian,prandaj nuk shprehem,por kam parandjenjen se te gjithe jane te tille.
    Shqipetaret duhet ta kuptojne njehere e pergjithmone,se e mira kombit tone i vjen vetem nga forcat e veta,e asnjehere nga jashte.
    Pavaresine e Kosoves e solli UCK-ja dhe Shqipetaret.
    NATO-ja na ndihmoi me tej,por qe edhe kjo e fundit na ndihmoi per interesat e saja dhe kurrsesi gratis.Me ka ndodhur disa here ketu ne Itali qe kolege te mij studente Italiane ne fakultet me thoshin.
    “Ti nuk dukesh si Shqipetar”.Kete shprehje e thoshin ne forme komplimenti.Kjo shprehje eshte perhapur shume ketu ne Itali si forme komplimenti ndaj disa Shqipetareve,si pershembull ndaj studenteve apo biznesmeneve te sukseshem apo edhe te tjera kategori njerezish.
    Nuk ka shprehje qe fsheh racizem te fshehur dhe thjeshtesisht e interpretueshme sipas deshires.
    Shume Shqipetar naiv e pranojne dicka te tille si kompliment.Me ka ndodhur qe e kam konstatuar personalisht tek disa njerez.
    Une ketyre njerezve kur me thoshin kete shprehje fillimisht u thosha.
    Nuk dukem si Shqipetar,por fatekeqesisht per ty,e fatemiresisht per mua,do apo nuk do ti,mua zoti me ka bere Shqipetar dhe krenar e i tille kam deshire te vdes.
    Kjo eshte menyra Italiane e te ofenduarit.
    Me te ketilla gjykimesh e paragjykimesh na ka ofenduar edhe Gentilini,madje duke shprehur urrejtjen pa arsye ndaj Shqipetareve.
    Po sjell nje shembull tjeter.
    Ne rrethet akademike te Historianeve Italiane dhe ne konferencat akademike qe organizojne ata i ofendojne shume shpesh Shqipetaret,e madje edhe ne libra te shkruar nga profesore te medhenj te historise apo te shkencave politike apo gjeostrategjike.
    Ne njeren nga keto konferenca flitej per politiken Italiane per dominimin e bregut matane te adriatikut.
    Ndersa per Jugosllavet thuhet,se ata me lufte te vendosur e mbrojten bregdetin e Kroacise e deri ne Mal te Zi,nje profesor i nderuar me urrejtje Bizantine citonte si me poshte.
    Nuk e mbajtem dot te pakten Vloren,popullsia e se ciles ne dallim nga ajo Kroato-Serbe ishte thellesisht injorante e lehtesisht e dominueshme.
    E se Italianet nga Vlora u larguan mbas presioneve te fuqive te medha,e se Shqipetaret nuk kane bere ndonjehere lufte ndaj tyre,per shkak te c’organizimit te tyre dhe mungeses se deshires per liri.
    Sepse populli Shqipetar thoshte ky i fundit as qe ja ka idene se cdo te thote atdhe apo shtet.
    Ata perhere kane qene dhe jane nje popull me organizim krahinor dhe gjithmone i shtypur,injorant dhe i pashkolluar.
    Prandaj autori shume i nderuar i shkrimit ne fjale,te mos habitet aspak nga Gentilini.

    Keto jane opinionet qe kane per ne,fqinjet tane nga ana tjeter e adriatikut.

    Përgjigjjuni

    • lali  --  23 Shtator, 2011 në 9:29 pm

      Djale i zgjuar qenke te lumte,te uroj suksese…….

      Përgjigjjuni

  10. Tironci Lugano  --  23 Shtator, 2011 në 9:29 pm

    Labi Vlore
    Deri diku Italianet kane te drejte per ne kur thone qe ne se kemi idene e nocionit shtet.por qe Italianet te jene raciste me duket pak e sforcuar.Mbase konstatim personal.ndersa Pelasgian dua te te them qe italianet ose nje pjese tyre e majta me mire ka nje dashuri per Serbet e kjo ska lidhje me Kroacine.per vite em radhe ato shkonin ne Serbi e kishin kontakte me kreret komuniste te kohes.Disa prej tyre sot kane gra Serbe.E dueht te kujtoj qe ne vitine bombardimeve 1999 Italia nuk bombardoi Serbine.Ishte ne pushtet e majta nese kujtoehsh por lejuan bazat nen presion Amerikan qe kujtojme se ishte administrata Klinton.E panevojshme te rikujtoj emisionin e turpshem televisiv te RAI ne Kukes nga nje anti shqiptar si Santoro(i martuar me Serbe)

    Përgjigjjuni

  11. PrapambetjetOsmane  --  23 Shtator, 2011 në 10:14 pm

    Te metat i kane gjitonet qe na hapen deren, na dhane pune dhe mbushem barkun me buke se ne shqiperi do kishim ngrene kokat me njeri-tjetrin!!! Ne nuk kemi asnje te mete !!! Cok gyzel icoglan Davutoglu !!!

    Përgjigjjuni

  12. preng sherri  --  24 Shtator, 2011 në 4:58 pm

    besoj eshte me e rendesishme te diskutojme politiken e antishqiptarit Berisha,i cili jo vetem furnizoi makinen ushtarake serbe me nafte gjate lufterave ne ish-jugosllavi,por mbi te gjitha qe me ardhjen e tij ne pushtet,ka shkaterruar me paramendim cdo strukture ushtarake ,ekonomike dhe te inteligjences te ketij vendi.
    nje zoteri me siper,thote qe Kosoven e cliruan UCK dhe shqiptaret,do te doja shume qe te ishte keshtu,por nuk eshte e vertete.Mos te ishte politika amerikane,as shteti shqiptar nuk do ishte me,por do ishim pre e serbeve e grekeve,kete mos ta harrojme.
    Thjesht te mendojme politiken anti-shqiptare,anti-shtet te Berishes dhe te njerezve qe e perkrahen,kaq e asgje me shume.

    Përgjigjjuni

  13. orli  --  24 Shtator, 2011 në 7:10 pm

    Labi!per kete konkluzionin qe kane formuluar italianet(ky nga fundi jot i shkrimit)mendoj qe kane plotesisht te drejte.Selam Musait thone:” se pasi e bene xurxull i thane qe te futej ne kazermen italiane te shifte nese kishin ikur italianet e te kryenin”detyren”e tyre,vjedhjen e batanijeve e ndonje pagureje qe mund te kishin harruar pipinot”…

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>