Sa e rrezikshme është euro-kriza zoti Barroso?

10 Tetor 2011, 10:45Politika TEMA

Flet Hose Manuel Barroso, presidenti i Komisionit Europian.

 

Zoti president, që prej shpërthimit të krizës në Greqi, ne kemi shkruar gjithmonë: Athina nuk mund të shpëtohet. Kur do dorëzoheni më në fund e të pranoni se Greqia ka falimentuar?

 

Greqia po përballet e po lufton me probleme të jashtëzakonshme. Është epiqendra e krizës së borxheve. Por, Greqia po sforcohet për të zgjidhur problemet e saj. Për fat të keq kemi parë që disa gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç kemi dëshiruar ne. Ne po përgatisim vlerësimin për hapat e marra në terren, së bashku me Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. E qartë është se mbështetja e BE është e lidhur me progresin që bëhet. Por fakt është edhe se nëse e dorëzojmë Greqinë, ekziston rreziku më i madh që kriza të sulmojë vende të tjera.

 

A nuk do ishte më mirë falimentimi sesa të hidhej para në një terren të pasigurt?

 

Ne në zonën euro nuk kemi përjetuar deri më tani një situatë të tillë. Po ecim në një terren të ri dhe po diskutojmë për zgjidhje, që nuk janë provuar më parë. Por jemi të bindur se një falimentim i Greqisë nuk do ishte më i lirë se një paketë shpëtimi. Dhe deri më tani nuk janë bërë transferta. Ndaj nuk flas dot për një terren të pasigurt.

 

Qeveria greke ka premtuar shumë, por ka mbajtur pak. A duhet besuar Athina më?

 

Fakt është se problemet nuk janë shkaktuar nga qeveria aktuale. Ajo ka ndërmarrë një seri programesh kursimi dhe ka arritur sukseset e para. Por nuk ia ka dalë të çlirohet nga borxhet. Reformat duhet të vijnë më shpejt. Ndryshe Greqia do humbasë besueshmërinë.

 

Përse ju politikanët e keni kaq të vështirë të thoni se Greqia duhet të dalë nga zona euro?

 

Sepse do ishte gabim. Sepse pasojat do ishin të paparashikueshme. Ekziston rreziku i madh që kriza të mbërthejë vende të tjera në zonën euro. Pastaj e gjithë zona euro- ekonomia dhe prosperiteti i saj- do zhytej. Prandaj ne po ngremë barriera për të penguar kontaminimin e vendeve të tjera. Nuk bëhet fjalë më vetëm për Greqinë. Çështja është për të siguruar euro-n në tërësi. Bëhet fjalë se si do të shihet Europa në botë, si një kontinent që zgjidh problemet, apo një kontinent që dështon në zgjidhjen e problemeve.

 

A është ky një mesazh i gabuar për vendet me borxhe. Ato mund të bëjnë borxhe në të ardhmen, por janë të sigurta se nuk do flaken nga zona euro?

 

Jo, të gjitha vendet duhet të veprojnë sipas kërkesave të BE, duhet të sjellin në rregull buxhetin e tyre dhe të ulin borxhet. Ne kemi mësuar nga kriza dhe kemi nxjerrë leksione, që këto probleme të mos përsëriten në të ardhmen. Ne po koordinojmë politikat tona ekonomike, diçka që vetëm pak më parë nuk mendohej. Sanksionet tani hyjnë në fuqi në mënyrë automatike, ndryshe nga më parë, kur ato shmangeshin përmes negociatave politike. Kjo gjë ka kaluar. Na duhet më shumë disiplinë dhe integrim i vendeve anëtare.

 

A ishte gabim pranimi i Greqisë në zonën euro?

 

Pranimi i Greqisë ishte një vendim politik i vendeve anëtare. Komisioni me anë të një deklarate bëri të ditur në vitin 1998 se Greqia nuk i ka plotësuar kriteret. Por ishte një dëshirë politike, që Greqia të pranohej. Pati shumë presion politik për këtë. Vendimi erdhi pasi Greqia solli shifra të reja, të përmirësuara, që nuk u kontrolluan nga BE. Sot është ndryshe. Që në nisje të detyrës sime në vitin 2004, kam propozuar që Eurostat të kontrollojë e verifikojë këto të dhëna. Atëherë vendet anëtare- përfshi Gjermaninë- e kishin refuzuar një gjë të tillë.

 

*Marrë me shkurtime nga gazeta BILD

1 komente në “Sa e rrezikshme është euro-kriza zoti Barroso?”

  1. h says:

    Edhe une qe nuk kam shkolle fare e marr veshqe kriza ekonomike i ka hyre EU deri ne palce , po ju e keni me terezi ase nuk ju preket rroga dhe merrni, sa merr nje puntor i mire ne vit ti zoteri merr ne nje muaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje