PJESE nga libri i Ramës: Ftesa nga Nano dhe ndarja me Ilir Metën

9 Nëntor 2011, 23:31Politika TEMA

Gjeni të botuara më poshtë dy pjesë nga libri i kreut të PS “Kurban”, ku Rama rrëfen ftesën e Nanos për të hyrë në qeverinë e tij dhe momentin kur Edi Rama u nda me Ilir Metën

 

Ftesa nga Fatos Nano

 

Paloçëllëku më i fundit kishte qenë një komision hetimor kundër meje në të hyrë të të njëjtit vit, që ishte në fakt vijimi atavik i një bashkëpunimi të vendosur mes Fatosit e Saliut qysh në kohën e katharsisit, atëherë kur, me ndihmën e drejtpërdrejtë të armikut historik, i cili nuk e çonte PD-në në Kuvend për tu lënë fushë të lirë socialistëve të shqyenin njëri-tjetrin në kacafytjen e tyre torturuese sa në rrugë e sa në sallën kuvendore, ku qeveria s’i arrinte dot numrat për të hapur seancat e miratimit të ministrave, “Konti i Montekristos” realizoi hakmarrjen e planifikuar duke e detyruar të dorëzohej qeverinë e Ilir Metës. Ishte vetëm pika e parë e planit të bashkëpunimit mes ish presidentit dhe ish të burgosurit të tij, ku parashiheshin me radhë goditja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atë që Saliu e ngrinte dhe ulte paturpësisht me nofkën Mark Abdia, pastaj me komisione hetimore parlamentare për kryetarin e SHIK-ut dhe më tutje kryetarin e bashkisë së Tiranës, pra mua, armikun e shpallur të Saliut qysh në dekikat e para të krijimit të Partisë Demokratike dhe mikun armik të Fatosit qysh nga dita inaugurale e katharsisit, kur u tregoi para kamerave fshatarëve të mbledhur në një pijetore në Pezë sesi më kishte gjetur rrugëve në Francë, refugjat thonjpaprerë, që merresha me kontrabandë ikonash, ndërkohë që ishim takuar në fakt për herë të parë në zyrën e tij në ditët e rikthimit tim disaditor në Tiranë nga Parisi pas shumë kohësh, vetëm pak muaj pas rikthimit të tij në atë zyrë me fitoren e qershorit 1997.

Ruaja një mbresë të shkëlqyer nga nata e asaj fitoreje, kur rastësia e solli që edhe të flisnim për herë të parë me njëri-tjetrin. Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Barcelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, por është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh, sepse ka kulturë të madhe, përsosje të pazakontë të shijeve letrare, artistike por edhe politike, e mbi të gjitha njerzillëk të hatashëm që nën çatinë e tij të bën të ndihesh rehat si rrallëkund, dhe ndiqnim rezultatet me telefon kur, në një nga bisedat me Avokatin, më kaloi “Mjekrën” siç e quanim mes nesh Fatos Nanon, që pasi e urova për fitoren më çuditi me përgjigjen: “Është rasti të të uroj edhe unë ty sepse kjo është fitorja ime sa ç’është e jotja, pres të shihemi së shpejti”. Më çuditi sepse ishte ngrohtësisht miqësor, a thua njiheshim që gjithmonë dhe kishte përulësinë e sojit më të mirë të njerëzve të suksesshëm që famën apo fuqinë e përçojnë si gjerësi shpirtërore, cilësi që më vonë vajti duke ia tretur paralelisht me humbjen e sigurisë, sidomos pas katastrofës së 14 shtatorit të një viti më vonë. Në zyrën e tij më çoi një tjetër soj i veçantë njeriu, i ndjeri Gramoz Pashko, rebeli mondan dhe eklektik i lëvizjes së dhjetorit ‘90, që kishte dalë nga prapaskena politike dhe ndihmonte pas kuintave si këshilltar kryeministrin që rrëzoi në vitin 1991, për të ringritur Shqipërinë e rrëzuar nën gërmadhat e piramidave që la mbas vetes në 97-ën binjaku komunist e bajraktar i Pashkos në krye të asaj lëvizjeje.

Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty në zyrën e tij, gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj. Jemi takuar më mbrapa edhe në Paris, kur erdhi në krye të delegacionit qeveritar. Drekuam në një restorant të bukur pranë Operas së Bastijës, ku vazhdoi të mundohej të më bindte pse duhej të kthehesha në Tiranë, ma kishte thënë disa herë në formë sfiduese, për t’iu bërë krah atij që ndihej “i vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin tua mbyllte çadrën e t’i linte në kalbeshin në shi”, pa munguar nga kontaktet tona telefonike për herët që e takoja, në fakt me shumë kënaqësi, Edën, vajzën e tyre vërtet të mrekullueshme, për darka me miq në shtëpi a ndonjë festë sallonesh pariziere. E nëse im atë s’do të më kishte sjellë befasisht në prill të vitit 1998 për funeralin e vet në Tiranë, duke më futur në një dëshpërim hutues dhe kallur në shpirt një ndjenjë brejtëse faji për jetën arratisëse, që më shtynë të pranoja dorashkën e Fatosit, i cili, rastësia deshi të ishte duke riformatuar qeverinë pikërisht në të thyer të atij prilli, s’kishte as edhe një gjasë që unë t’i përgjigjesha apelit të përsëritur të kryeministrit të vendit për të lënë botën e artit dhe qytetin me të cilin isha dashuruar asokohe i gjithi e për të hyrë në arenën ku jam sot e gjithë ditën.”

 

Ndarja me Ilir Metën

 

Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse ra mbi bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste, për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 orë pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore. Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky s’është vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ngjarjeve përcaktuese në rrugëtimin e Partisë Socialiste, megjithatë besoj se do të më gjykoje keq nëse këtë moment do ta kaloja pa një shpjegim pak më të gjatë se ç’kam bërë hera-herës kur rrëfimi im ka cekur jetën politike për të dhënë kontekstin e gjërave të ndodhura me bashkinë për shkaqe kryekëput politike.

E vërteta e atij largimi, të paktën në këndvështrimin tim, është krejt e ndryshme nga ajo që ka fituar qytetarinë në optikën e opinionit, sidomos të zëdhënësve të publikut, kur bëhet fjalë për shkaqet e ndarjes së Ilirit me Partinë Socialiste për tu rifutur në rrugën vetmitare të LSI-së. Ose, e thënë ndryshe, nuk është aspak e vërtetë që unë desha të imponoj pa kushte sistemin e ri zgjedhor, modeli spanjoll, i cili pastaj u kthye në nen kushtetues, sepse paskam pasur qëllim asgjësimin e LSI-së. E kundërta është e vërtetë, synimi im ishte krijimi i një boshti solid PS-LSI, përmes atij sistemi dhe të gjitha shifrat e derisotme, të dy palë zgjedhjeve me sistemin e ri, madje edhe për aq sa ato janë të vërteta në kushtet kur në rang kombëtar ka pasur manipulime të mëdha të votës për subjektet politike opozitare edhe në 2009-ën edhe në 2011-ën, tregojnë se me këtë sistem, pavarësisht manipulimeve, edhe koalicioni ynë do ishte fitues, edhe LSI do të kishte më shumë se katër deputetët që mundi të fuste në Kuvend dy vjet më parë, ndër të cilët mandati i vetë Ilir Metës në Tiranë u sajua me një marifet, për të cilin ka dëshmitarë e nuk u fitua me vota, po iu rrëmbye PS-së në dekikat e fundit. Nënvizoj këtu se,ndryshe nga sa ç’thashethemohet, unë s’kam asnjë gisht në atë marifet, e kam marrë vesh më vonë, por spekulimi ka lindur nga fakti që kam urdhëruar me mesazh të gjithë kujdestarët elektoralë të partisë sonë të ruajnë, pavarësisht armiqësisë politike, çdo votë të LSI-së, e cila s’kishte anëtarë në komisione dhe rrezikonte të goditej nga vjedhje që kurrë, asnjëherë e për asnjë arsye, Partia Socialiste në qendër s’i ka stimuluar e s’do t’i stimulojë ndonjëherë sa të jem unë në krye, në kurriz të askujt. As të kundërshtarit.

Jo vetëm aq sa thashë, por jam i bindur se falë sistemit të ri, as PS-ja s’do të kishte e vetme shumicën e 71 votave që acaronin paranojën e Ilirit, duke e bërë të frikej se mund të defaktorizohej për shkak të humbjes së ndikimit mbi qeverisjen, as LSI-ja nuk do e humbte çelësin e kontrollit mbi shumicën, pa të cilin Ilir Meta s’e kupton dot ekzistencën e tij në krye të asaj partie të vogël. Dhe as boshti PS-LSI nuk do të rrezikohej dot nga ansambli folklorik i koalicionit të Saliut, të paktën sa kohë që Saliu ishte në krye të Partisë Demokratike. Deri këtu jemi tek faktet, jo tek opinionet dhe të gjitha faktet thonë se është vetëm kështu. Kush thotë s’është kështu, s’ka fakte, po vetëm opinione pa bazë logjike e faktike.

Çfarë ndodhi atëherë?

Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashkë me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për tu mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë. Sapo kishin nisur debatet e keqkuptimet në shtyp për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kërcënimin jetik që u vinte partive të vogla nga sistemi spanjoll, ose siç u pagëzua qysh në fillim nga sistemi i Kaçit, që e bënte kërcënimin e supozuar të dukej edhe më i zi për shkak të reputacionit që Kastriot Islami gëzonte në mjedisin politik, veçanërisht atë opozitar si ‘nëna e gjithë intrigave’ në familjen socialiste. Shtuar këtu edhe alergjia e lëkurës që u shkaktohej reciprokisht të dyve, Metës e Islamit, kur njëri dëgjonte emrin e tjetrit, s’ishte aspak e zorshme të hamendësoje se terreni psikologjik për reformën ishte i minuar nga mosbesimi total pa nisur ende puna e përbashkët që duhej të bënim për të. Qëllimi im ishte pikërisht çminimi i atij terreni, duke i folur hapur Ilirit dhe duke i kërkuar që të mos lejonim të na ngatërrohej me llafe rrugësh e kafenesh ai proces që ishte natyrshëm boll i ngatërruar, ndërkohë që pa asnjë dyshim, jo vetëm që s’dëshiroja tkurrjen e LSI-së, por përkundrazi besoja me bindje të plotë se modeli spanjoll zgjidhte shkëlqyeshëm ekuacionin e fitores së zgjedhjeve, qoftë problemin e bashkëjetesës së vështirë mes dy partive tona.

“Reforma zgjedhore,” i thashë pakashumë, “është një proces tejet delikat, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë klasën politike, prek interesa, ngjall orekse, krijon shtigje shumë të shpeshta për dyshime, keqinterpretime, keqkuptime. Unë s’kam asnjë arsye në botë ta fus reformën në një rrugë që na ndan. Modeli spanjoll më duket absolutisht më i përshtatshmi, të paktën nga sa unë kam lexuar mes modelesh të ndryshme, qoftë për PS-në, qoftë për LSI-në. Por nëse ty nuk të rezulton kështu, jam plotësisht i gatshëm të vendosim ndryshe. E vetmja gjë që të kërkoj është që konkluzionet t’i nxjerrim jo me hamendje, as me dyshime reciproke, as me llafe që vijnë vesh më vesh dhe ty të ndikojnë për keq. Mblidh njerëzit e tu të besuar, ata që marrin vesh nga kjo punë, jepu detyrën të bëjnë analizat përkatëse dhe më thuaj. Nëse do të flasësh edhe me Kastriotin, e ke në dispozicion”.

Duhet një penë e fortë, që unë s’e kam, për ta vizatuar me fjalë portretin e Ilir Metës kur është i gjithi i pushtuar prej sëkëlldisë së dyshimit e frikës që i shkon në kockë dhe ia paralizon lidhjet mes trurit, figurës e zërit, fytyra i buzëqesh ndërsa sytë i lëvizin ngado për të mos ndaluar mbi fytyrën e të dyshuarit në karrigen përballë, njërën dorë, atë pa celular, e vë në mes duke kapur rripin e pantallonave, fjalitë që thotë janë të rralla, tek-tuk edhe pa asnjë lidhje me bisedën, një mërmërimë në formë “ë”-je të zvargur i del hera- herës sikur njëkohësisht ndjek bashkëfolësin e i thotë vetes, po të dëgjoj e s’po të flas dot tani, çohet për ndonjë telefonatë pa lidhje, ulet prapë, derisa në fund, pasi e dëgjon e dëgjon, plas papritmas një të qeshur buçitëse me kokën e shtriqur pas e supet që tundet nga gazmendi, pastaj dëgjon edhe njëherë të njëjtën gjë nga ana e bashkëbiseduesit të sëkëlldisur po ashtu ngaqë s’i vjen asnjë valë tjetër veç dyshimit të përçuar nga çdo pore e Ilirit dhe çohet duke thënë gjithnjë një frazë që lidhet me një “mirë do flasim”.

Përpikërisht kështu e mbylli dhe atë bisedë duke thënë: “Mirë, flori, kuptova, do ta shoh e do flasim”. “Një gjë unë ta them që sot me bindje”, i thashë duke u ngritur në përpjekjen time finale, të kotë, që të ngulja gozhdën e shtrembëruar nga goditjet e përsëritura të arsyetimit në veshët e bukosur të Ilirit, ku e ndjeja që zërit tim hynte vetëm si zhurmë turbulluese. “Me sistemin spanjoll jemi qetësisht fitimtarë, të paktën derisa Saliu të jetë në politikë. Nëse ti s’e krijon këtë bindje, gjejmë një zgjidhje tjetër, nuk ka problem”.

Por fatkeqësisht për shumicën e këtij populli, problemi kishte lindur dhe zgjidhja tjetër kishte vdekur para se ta kërkonim, lavjerrësit në kokën e Ilir Metës i kishte ardhur ora për të lëvizur djathtas, ndërsa Ilirit dita për të bërë sikur po lëvizte më majtas, që të shpëtonte të majtën, socialistët e vërtetë, vetë Shqipërinë nga një pazar i madh, që në fakt s’ishte gjë tjetër veçse shprehja e frikës së tij imagjinare se mund të mbetej vetë jashtë pazarit.

 

23 komente në “PJESE nga libri i Ramës: Ftesa nga Nano dhe ndarja me Ilir Metën”

  1. analist says:

    Interesant eshte te degjohej edhe cfare thote Ilir Meta per momentet ne fjale te pershkruara nga E.Rama.

    1. Dean says:

      Me të vërtet,shumë interesante do jetë,pasi Ilir Meta njihet si SINONIMI i sinqeritetit dhe pastërtisë morale.
      Pra,c’do gjë që ai do thotë do të jetë tepër përcaktuese,që ti si popull të formosh 1 mendim të qartë për atë KOPUK.
      Sepse,ti si popull,Je aq Sylesh dhe nuk ke aq Intelekt që ta Kuptosh se Ilir Meta nuk është gjë tjetër vecse 1 Katundar Ambicioz Skrapari(jo ”racizem” pasi jam vetë prej andej).
      1 Pyetje tepër e ciltër nga ana ime,për ty:Me të vërtet do t’i BESOSH argumentat që do të paraqes Ilir Meta ne 1 liber imagjinar(sepse ai është aq i TRASH,nuk ka mardhënie të mira me Shkrim/Leximin e Librit),që ai BARBAR mund të shkruaj??????????????????????????????????????????

      1. agroni says:

        me shkrive se qeshuri me “pastertine morale”
        faleminderit

  2. Albann says:

    hahaha.Koka e Ilir Metes punonte ne drejtim tjeter.Nderkohe qe ti flisje ,ai shihte se mundesia per te vjedhur zvogelohej.E sa me shume ti flisje aq me teper dobesohej zeri yt ne veshet e Metes…
    Te pakten eshte treguar i ndershem qe nuk hyri ne kualicion e te tradhetonte me pas.Ai konkuroi dhe zgjodhi ate drejtim qe i siguronte me shume te ardhura dhe antare ne parti..Vertete mbajti ne pushtet Berishen por maksimizoi perfitimet e tij personale dhe te partise.Pra u tregua praktik.
    Nuk eshte Meta i keq ,por eshte sistemi gjyqesor qe eshte qelbur,e ka qelbur gjithe Shqiperine.

    1. grava says:

      Pershkrim i persosur per Mjekren dhe Ilir Meten

    2. tea says:

      koment shume i sakte

  3. aldo says:

    E degjoni Ramen qe i duket vetja se eshte Mesia dhe ka gjithmone te drejte. Ky eshte nje aventurier e sharlatan. Harron se Nano e mori me thonj te paprere dhe e beri bashkiak , ja fali edhe partine se po te donte Nano edhe pse ai dha doreheqje nuk e linte te behej kryetar por vendoste nje te besuar te tij. Ky eshte nje bukeshkelur.

    1. xhuliano says:

      Aldo, mos je nga fisi u bumcave ti mor djalke? Ik e ha nje dore pershesh, se nuk analizoke dot as dy fjale. Me nje fjali na nxjerr konkluzione, qe tregojne se e ke koken plot kontuzione.

    2. martin says:

      …ty ose te ka zene leximi ose nuk e ke lexuar fare. Mjekra vetem ka dashur ta shfrytezoje Ramen si figure. Rama nuk e fitoi 4 here rrjesht bashkine e Tiranes se i th Fat
      osi shqiptarve qe ta votonin po e fitoi me aftesite e veta. Dhe per kete nuk ka pse te jete borxhli i askujt se PS nuk eshte prone e Fatos Nanos por e shqiptareve. Dhe nese do ta dish djali i Fatos Nanos ka pranuar te jete ne listen e deputeteve te Tiranes ne zgjedhjet e ardhshme. Po ne kte rast si thua ti qe Sokoli duhet t ja dije per nder Rames !?

    3. anais says:

      ore ALDO….po thonjte te paprere EDI si ka pas dhe atehere kur te gjithe ne nuk kishim as gershere neper shtepia…… mos jini kaq ”xheloz” qe rrjedh nga nje familje qytetare ….. po ne fakt cdo popull meriton qeverine e tij …..dhe ne meritojme ciklopin e vicidolit qe kur vinte ne tirane i lante opingat neper pellgjet e ujrave ……

    4. m says:

      Po pse mos PS eshte prona e Fatos Nanos? Edi Rama erdhi ne krye te saj me vote. Pastaj na lejo ta lexojme e pastaj ta vleresojme vete. Komentet mbi çiltersine ose jo te autorit, behen pasi libri te dale ne qarkullim, e te lexohet. Ky vleresimi yt, per momentin eshte shprehje e veshtrimit tend kritik, ndaj Edi Rames apriori.
      ps: mund te kundershtosh, por te lutem mos fillo nga sharjet, qe ti japim edhe seriozitet ketij blogu, edhe te perfitojme nga njeri-tjetri
      faleminderit

  4. Rilind says:

    Mendime te sinqerta por stil ca i lodhshem ky i Rames ne te shkruar. Fjali te gjata e me fjale te renduara. Jo per ti bere qefin, por krahasoheni me stilin e rrjedhshem te Mero Bazes dhe do e kuptoni ndryshimin.

    1. god bless amerika says:

      stili i te shkruajturit shume i lodhshem……shpesh i rikthehem fjalive per te kuptuar se ku fillon e mbaron nje mendim per tu pasuar nga mendimi tjeter,megjithate mendoj se ky stil tregon per vertetesi mendomesh pasi jane shkruajtue ashtu si jane ngulitur ne mendje….

      1. sinani says:

        Ke shume te drejte! Shume i lodhshem, shume i lodhur, madje i pjerdhur fare! Dhe te mendosh se ne duart e kujt kemi qene dhe do te ishim! Ik Edo ik! Boll te besuam! Tani nuk na e hedh dot me! Ti ke marre me shume se fund!

  5. Rilind says:

    Per kete sistemin spanjoll, Rama ka shume te drejte. Ky sistem godiste partite e vogla me 1 e 2 perqind por jo nje parti si LSI qe mund te kapte se paku 5% po te ishte brenda nje koalicioni. Praktika e vertetoi. LSI fitoi 4 deputete jashte koalicionit por mund te ishin pa frike 7 a 8 po te ishte ne koalicion me PS. Por mendjemadhesia se do kapnin 40 e kusur deputete i coi ne ndarje me PS.

  6. raimondi says:

    Une mendoj se ky Liber eshte i parakoheshem….

  7. Je i madh Edi,ai pershkrim per ilir kok lopen eshte perfekt,nuk kam cte shtoj me teper suksese edhe nje dit te afert te te shohim kryeminister

  8. gezimi says:

    Ato cfar shkruan Rama per Ilirin jane cilesite e fshatareve qe zbresin ne qytet me ky vend nuk ben hair sa kohe drejtojne fshataret ruajna o zot prej tyre.

    1. Latif Dreqi says:

      o Gezo, pse valle ka qytetar ne Shqiperi?!

  9. alina says:

    Njerez keto fragmente jane nje diamant qe ka filluar te jap shkelqimin e vet.Mendoj se te gjithe duhet te kerkojme pak drite ne humneren e thelle ku na kane zhytur.Duhet te ngacmojme ne cdo moment trurin tone te fjetur dhe te kuptojme realitetin e hidhur qe na rrethon e klasen politike qe na qeveris.Lexoni me vemendje e do te kuptoni gjithca qe thuhet,gjithcka qe nenkuptohet.Jemi aq te zgjuar sa te themi me ze te larte BRAVO …

  10. Torrishta says:

    Nuk mund te pajtohem kurrsesi me mendësitë raciste (në këtë rast antifshat) të zotit Gëzim.Ky fakt shpreh se sa pak njohje ka zotëria për zhvillimin historik të shoqërisë njerëzore në tërësinë e vet… E cili qytet në boëe nuk i ka rrënjët në një fshat të dikurshëm? Sa njerëz gjenialë të shkencës, letërsisë e politikës origjinimin e kanë te nocioni “fshatar”…?! Teksa e ngushton problemin nje komentator, ç’mund të presesh për shpalosje pikëpamjesh për problemin themelor, që trajton autori…! Nuk tentoj të paragjykoj për cilin person e ka fjalën komentatori, kur përdor difemizëm, për të ofezuar një shtresë të tërë të popullatës botërore dhe ku ofesa eshte e dukshme dhe tejet e padrejtë, madje cinike dhe pa kurrfarë etike e kulture njerëzore…

  11. Engjell says:

    Kam njohur dike qe kishte komunikim miqesor me Ilir Meten kur ky i fundit ishte k/minister ,pa patur asnje lidhje fisnore me te ,me thuaj me cilin rri te te them se cili je .
    Qe atehere une çuditesha dhe me mundonte fakti se ke kisha kryeminister ne vendin tim.
    Personi ne fjale (qe kam njohur une ) ishte nje bastard i vertete ,nje mashtrues ,nje i pa afte i cili pavaresisht se kishte arsim te larte nuk mund te ballafaqohej as me nje femije te klases se tete ne tetvjeçare ,nje vjedhes dhe intrigant qe nuk kishte shokun ,ja pse mendoj se edhe kush e mbante afer ate nuk kish se si te mos i ngjante atij .

  12. beso says:

    Mendoj se Fatos Nano kish perenduar si politikan kur tha se Ramen e kish gjetur me thonj te paprere;tregoi se vertet ishte bere nje dipendent i alkoolit.Burri me logjike burri nuk lejon ti shpetoje fyerja.Ndersa eshte interesant sesi Rama”pikturon”Ilir Meten,me pak a shume,ate shpoti qe perdori Nano kunder tij(dhe thonjve te tij).Per mua,kodi zgjedhor nuk goditi vetem Meten(LSI),por edhe partite e Gjinusheve,te cilat çuditerisht i ka sot ne tryeze dhe konsultohet nje here ne jave,kur flitet per Opozitarizem.Pra,njefare shpotie e zgjatur,e sterzgjatur,mund te ishte kursyer,per ta bere brendine e librit me jetegjate.Keshtu mendoj une!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje