Paolo Maldini dhe Filipo Inzagi, dy legjenda të Milanit, tani duket se janë kundër mënyrës se si po vepron klubi kuqezi. Ish-kapiteni nuk ka ngurruar të tregojë për “Gazzetta Dello Sport” se si është lënë në hije pas lamtumirës nga futbolli i luajtur.
“Disa herë Milani ka përmendur emrin tim, por e vërteta është që në të gjithë këto vite nuk më është propozuar asgjë. Nuk është e vërtetë që kam patur kërkesa të larta. Nuk jam mendjemadh që të kërkoj t’i mësoj punën dikujt që ka 25 vjet që fiton”
“Fillimisht Leonardo e më pas Alegri më kërkuan si pjesë e stafit. Leo donte që të isha mbështetës në pankinën e ekipit, ndërsa Maks dëshironte që unë të isha ndërmjetësi i skuadrës me klubin. Por ata kanë gjetur vetëm dyer të mbyllura për propozimet e tyre. Unë e dua shumë Milanin dhe nuk kam asnjë qëllim tjetër ndaj tij përveçse atyre sportive, por ndoshta ky është problemi i vërtetë”, ishte deklarata e bujshme e Maldinit.
Ndërkohë, problemi i legjendës tjetër, Filipo Inzagi, është se nuk ka më raport me trajnerin Masimiliano Alegri. I aktivizuar si titullar në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Novarës, Inzagi u zëvendësua në minutën e 59-të, ndërsa në vendin e tij u aktivizua Pato.
Kjo solli edhe acarimin e sulmuesit, i cili nuk shkoi drejt pankinës por në shenjë proteste iku direkt drejt dhomave të zhveshjes. Inzagi nuk ka preferuar të flasë as për mediat, duke u larguar menjëherë nga stadiumi pas takimit, ndërsa pritet që këto ditë, të kërkojë largimin përfundimtar nga kuqezinjtë duke e parë se nuk është më i nevojshëm për këtë skuadër.