Roli dhe ndikimi i stacionit gjerman në opinionin shqipfolës

20 Shkurt 2012, 13:32Blog TEMA

Aktiviteti 20 vjeçar i Radios Deutsche Welle në një libër të Arben Mukës

“Ja si duhet të informohem!” është një monografi që i dedikohet tërësisht dy dekadave në transmetim të Radios Deutsche Welle (1992 – 2012). Nisja nga puna e DW në shqip, më 1 qershor 1992, përkonte jo vetëm me fillimin e proceseve demokratizuese në Shqipëri, por dhe me reaksionin zinxhir të shpërbërjes në ish-Jugosllavi, pra në një moment kur rajoni i Ballkanit gumëzhinte duke marrë vëmendje të shtuar ndërkombëtare. DW si një zë nga zemra e Europës iu prezantua dëgjuesve shqiptarë në gjuhën e tyre me një standard gazetaresk përendimor, që përcillte jo vetëm këndvështrimin gjerman dhe perspektivën globale, por dhe pasqyrimin në mënyrë të pavarur dhe të vërtetë të zhvillimeve të brendshme në rajon. Emisionet informative nisën brenda një kohe të shkurtër të zgjerojnë audiencën dhe kjo jo vetëm nga arsyeja e kuptueshme e etjes që vinte nga izolimi i gjatë dhe të qenit nën trysninë e një media-propagandë të indoktrinuar, por dhe për stilin e veçantë të shkrimit të lajmeve, renditjes dhe prezantimit nga gazetarët në studio, mënyrën e raportimit nga korrespondentët në terren etj.

Në këtë monografi dy dekadat e aktivitetit të Radios DW në shqip trajtohen të ndara në dy fazat kryesore të rolit dhe kontributit të saj, duke nënvizuar ato specifika të aspekteve të ndërtimit strukturor dhe të multiproduktit që ofronte për ndjekësit e vet.

Në fazën e parë, kryesisht në 10 vitet e para, DW në shqip është identifikuar si një stacion radiofonik, ku shërbimi bazë ishte transmetimi i programeve informative disa herë në ditë. Pjesa e aktualitetit freskohej nga njëri edicion në tjetrin në varësi të dinamikës së ngjarjeve, ndërkohë që pjesa e tematizuar mund të përsëritej. Lajme dhe tema nga zhvillimet në Gjermani, Europë e pjesë të tjera të botës, komente nga rajonet problematike dhe në konflikt, raportimet nga korrespondentët e programit në terren, intervistat me figura të njohura të jetës publike, me analistë të pavarur të medias dhe ekspertë – këto përbënin pjesën bosht të audioprogrameve.

Në dekadën e dytë të prezencës së saj në tregun mediatik shqipfolës DW evoluoi në ndërtimin programor dhe aplikimin e teknologjive të reja. Lënda e programit audio pasqyrohej më gjerësisht në faqen on line, e cila në mënyrë graduale mori një rëndësi të dorës së parë. Faqja e internetit u konfigurua që në mënyrë sa më praktike vizitori të orientohej në përmbajtjen e larmishme, duke u freskuar disa herë brenda ditës si një hapësirë virtuale atraktive. Dinamizimi i faqes on line solli dhe një rritje të referencave për lëndën e saj nga mediat lokale shqipfolëse në rajon.

“Ja si duhet të informohem!” është një botim i Institutit Shqiptar të Medias në Shqipëri dhe ka për autor korrespondentin prej rreth 15 viteve të DW, Arben Muka. Muka ka publikuar dhe më parë disa libra nga fusha e gazetarisë si “Informacioni në radio lokale”, 2002; “Depërtimi në media”, 2003; “Gazetar në Radio”, 2007; “70 Radio në shqip në 70 vite”, 2008, si dhe dy monografi mbi rolin dhe ndikimin e medias gjatë Luftës së Dytë Botërore, konkretisht në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe për periudhën shtator 1943 deri në fund të nëntorit 1944 kur vendi ishte i pushtuar nga Gjermania naziste.

Arben Muka ka punuar dhe si reporter terreni dhe redaktor në Departamentin e Lajmeve në Radio Tirana, 1993-1997, ndërkohë që karrierën si gazetar profesionist e ka nisur si kryeredaktor i gazetës Studenti, nga janari 1988 deri në tetor 1993. Ai vijon të aktivizohet nga viti 1999 si trajner dhe ekspert në Institutin e Medias në Tiranë. Nga viti 2007 është pedagog i lëndës “Gazetaria në Radio” në Universitetin UFO në Tiranë. Është diplomuar në Ekonomi, ka kryer kualifikimin shkencor Master i Nivelit të Dytë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe aktualisht ndjek Shkollën Doktorale për Shkencat e Komunikimit e Informimit në Universitetin e Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje