Dani Alvesh: Pep mund të iki se e lamë pa flokë!

22 Shkurt 2012, 18:18Sport TEMA

Dani Alvesh është një prej personazheve më të veçantë të Barcelonës, pasi thuajse në çdo konferencë për shtyp, ai tregon anën e tij humoristike me batuta të ndryshme. Këtë radhë, para gazetarëve, ai ka folur pak seriozisht e pak me humor rreth rinovimit të Pep Guardiolës më skuadrën katalanase.

“Ai do të rinovojë, sepse e di që pa të ne jemi asgjë. Nëse largohet, hapi i radhës do të jetë të biem nga kategoria. Seriozisht, tani duhet thjesht të presim dhe nëse vendos të largohet, duhet t’i bëjmë një monument. Nëse nuk rinovon, ne lojtarët e mbajmë një pjesë të fajit. Përse?! Kur erdhi Guardiola, kishte shumë flokë dhe ne bëmë mjaftueshëm në mënyrë që t’i binin”, ishte komenti humoristik i lojtarit.

Gjithsesi, ai u shpreh se kundërshtarët do të gëzonin nga ndryshimi në pankinën e katalanasve. “Mund të thuhet lehtësisht se Madridi do të kënaqet nëse Guardiola largohet”, tha ai, duke folur më pas për kampionatin.

“Mua më duket e ekzagjeruar diferenca prej 10 pikësh në renditje, por nëse jemi kaq larg, do të thotë se kemi bërë diçka gabim. Mendoj se diferenca është e ekzagjeruar për mënyrën sesi funksionojnë këto dy ekipe, por nëse Real Madrid fiton kampionatin, do t’i përgëzojmë dhe do të mundemi si kampionë. Të vjen inat për këtë distancë që është krijuar, por nuk e kemi thënë ende fjalën e fundit në kampionat”.

Nuk mund të mungonte ironia ndaj një prej armiqve të tij të betuar. “Zhoze Murinjo nuk është miku im. Tani ai po rri i qetë vetëm sepse është 10 pikë para ekipit më të fortë në botë”.

Në fund, disa batuta edhe për pesë ditët pushim që i ka lënë në dispozicion Guardiola lojtarit që pas ndeshjes me Leverkusen. “Trajneri më tha që isha jashtë skuadre dhe nuk donte të më shihte me sy. Për këto gjëra unë jam profesionist! Nëse trajneri më thotë të hidhem në greminë unë e bëj, imagjinoni kur më thotë se kam 5 ditë pushim”, përfundoi konferencën e tij mbrojtësi brazilian i katalanasve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje