Dialogu nuk është vetëm për rrush, patate dhe lule

22 Shkurt 2012, 21:44Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Ende nuk mund të përkufizohet qartë se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu. Variacionet shkojnë prej deklarimeve të zyrtarëve kosovarë se dialogu është për integrimin e Kosovës në BE dhe për njohjen e realitetit nga Beogradi e deri te shpjegimet e zyrtarëve ndërkombëtarë se qëllimi është që qytetarët e Kosovës t’i zgjidhin disa probleme praktike, si: shitja e rrushit, e patateve apo e luleve në Serbi e Bosnjë

 

Para çdo analize të dialogut duhet pranuar disa fakte. Qeveria e Kosovës në krye me Hashim Thaçin ka hyrë në dialog me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo mbështetje për kryeministrin vazhdon të jetë argumenti kryesor për t’i heshtur kritikat e opozitës me përjashtim të “Vetëvendosjes”. Për këtë dialog dhe mënyrën se si ai po vazhdon nuk ka mbështetje të gjerë në opinionin kosovar. Për mungesën e kësaj mbështetjeje nuk e kanë fajin mediet, sepse që në fillim u vlerësua se nuk ka nevojë për kurrfarë mbështetjeje të brendshme, kur ka mbështetje të jashtme. Dhe aq gjatë sa do të ketë mbështetje të jashtme (para së gjithash nga SHBA-ja dhe BE-ja) Qeveria do të jetë e sigurt, pa i marrë parasysh zhvillimet e brendshme në Kosovë. Madje, mbështetësit do t’i zbusin kritikat edhe për dukuri negative në Kosovë e në disa raste edhe do të heshtin, në mënyrë që të mos e dobësojnë strukturën e cila aktualisht është në pushtet në Kosovë. Një kalkulim i tillë është duke u treguar si kalkulim i mirë për Hashim Thaçin dhe për Qeverinë aktuale, edhe pse nuk mund të thuhet se sa do të zgjasë një gjendje e tillë. Në Kosovë është dëshmuar se gjëja kryesore është të sigurosh një mbështetje ndërkombëtare, ndërsa puna e zgjedhjeve dhe e mandateve rregullohet disi më pas.

Edhe LDK-ja, përmes pajtimit për zgjidhjen e presidentes Jahjaga, e cila mbështet dialogun pa rezervë, është pajtuar në heshtje me dialogun, edhe pse publikisht e kritikon këtë dialog. Në Bruksel qysh vitin e shkuar është dëgjuar se „pjesë e pakos së zgjidhjes së presidentes ka qenë edhe pajtimi në heshtje i LDK-së dhe i liderit të saj për dialog me Serbinë“. AAK-ja nuk ishte pjesë e kësaj pakoje, ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” vazhdon të jetë kundër çfarëdolloj dialogu me Serbinë. Pra, këto konstelacione të brendshme duhet pasur parasysh kur bëhet analiza rreth dialogut. Ajo që duket më bizare është futja në debat e gjuhës së urrejtjes, e sharjeve dhe e akuzave. Në njërën anë, disa nga kritikuesit e dialogut përdorin vend e pa vend epitetet si „tradhtarë“  „spiunë të Serbisë“ etj. Nga ana tjetër, strukturat e pushtetit dhe ato që i shërbejnë, përfshirë edhe diplomatët e huaj, sulmojnë në mënyrë infantile kritikuesit duke u dhënë epitete pa u marrë shumë me faktet. Pra, është bërë pothuajse i pamundshëm një debat për dialogun në Kosovë. Nëse dikush tenton të bëjë një analizë të matur, atëherë nga të dyja palët akuzohet se i takon palës tjetër, aspo se ka interesa personale apo agjenda politike.

 

Për çfarë ishte paraparë dialogu në vitin 2010?

Të mos harrojmë se ideja për dialog ishte vërtet fillimisht e Beogradit, në përpjekje taktike, e cila doli jashtëzakonisht e suksesshme, për të devijuar fokusin nga mendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe në këtë mënyrë për të humbur momentin i rritjes së menjëhershme të njohjeve të Kosovës, Beogradi pati propozuar në verën e vitit 2010 një Rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. BE-ja ishte e befasuar me atë Rezolutë, sepse Serbia donte të konfirmohej se Kosova nuk ka status dhe se duhet „vazhduar negociatat“ derisa të mos gjendej një zgjidhje „e pranueshme për të dyja palët“. Ndërhyri BE-ja dhe, duke i premtuar presidentit Tadiq se do të procesohet kërkesa e Serbisë për anëtarësim në BE, duke ndryshuar teksti i propozim Rezolutës së Serbisë dhe i miratua në një formë e cila nuk i bën dëm askujt, e as Kosovës. Kjo Rezolutë, e cila nuk është juridikisht obliguese, „përshëndeti“ gatishmërinë e BE-së për “të lehtësuar“ dialogun. Në tërë këtë kohë askush nuk merrej me njohjen e shtetësisë së Kosovës por me „gjetjen e një zgjidhjeje për disa probleme praktike“.

Në BE-ja, Zyra e përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton, caktoi diplomatin britanik, Robert Cooper, për „lehtësues në dialog“. Ekipi rreth tij vlerësoi se më së miri është që dialogut t’i qaset në mënyrë personale. Pra të shkohet në një mënyrë në një dialog mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq. „Kemi dy persona të duhur në kohë të duhur në vende të duhura. Me Thaçin e fortë në Prishtinë dhe me Tadiqin e fortë në Beograd mund të arrijmë shumë. Por duhet të shpejtojmë, sepse mund të ketë kalendarë zgjedhorë dhe gjasat për sukses mund të zvogëlohen“, thoshin në vjeshtën e hershme të vitit 2010 „lehtësuesit“ evropianë. Madje, nuk ngurronin të thoshin se nuk u interesonte se kush do të jetë në krye të cilit delegacion. „Me rëndësi është që të jenë persona të besueshëm të Thaçit dhe të Tadiqit, përkatësisht “ thoshin ata duke bërë të qartë se, sipas tyre, „me sa më pak persona të kemi punë aq më lehtë do të arrihet suksesi“. Zgjedhjet në Kosovë, parregullsitë dhe procesi i gjatë “i tejkalimit“ të „parregullsive dhe mangësive“ të cilat vëzhguesit e Parlamentit Evropian i quajtën „mashtrime zgjedhore“ vonuan fillimin e dialogut dhe bën nervozë Brukselin. Për shkak të dialogut dhe interesit të Brukselit që ai të nisë sa më shpejt u zbut shumë gjuha e BE-së rreth vlerësimit të zgjedhjeve.

 

Dialogu nuk është për statusin, por është edhe për veriun?

Që në fillim të dialogut hasëm në tri interpretime të ndryshme të asaj se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu. Beogradi qëllimisht mashtronte opinionin e vet se kinse po nis një proces për statusin e Kosovës. Kjo ishte e pavërtetë, sepse zyrtarë të BE-së thoshin qartë, ndonëse jo publikisht, se nuk do të ketë më negociata për statusin dhe se këtë ia kanë thënë qartë edhe Serbisë. Por për shkak se as BE-ja nuk ka qëndrim të prerë dhe unik rreth statusit të Kosovës lehtësuesit e dialogut asnjëherë nuk ishin në gjendje të thoshin publikisht se nuk ka negociata për statusin e Kosovës. Edita Tahiri, që formalisht e ka postin e zëvendëskryeministres së Kosovës dhe shefe e delegacionit në këtë dialog, praktikisht shihet si e dërguar e posaçme e kryeministrit Hashim Thaçi. Ajo shpesh ka dhënë interpretimet e saj. Për shembull disa herë ka thënë se në dialog Kosova merr pjesë si shtet i pavarur dhe dy republikat bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në mënyrë që të ecin përpara drejt integrimeve në BE. Ajo ka thënë: „Ky është vetëm një dialog teknik dhe asgjë rreth veriut nuk do të bisedohet“. Por zyrtarët e BE-së kanë bërë të qartë disa herë se „në dialog fillimisht do të orvatemi të zgjidhim disa probleme më të vogla praktike, të  relaksojmë raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, e pastaj do të vijmë në dialog edhe deri tek veriu. Po ashtu „lehtësuesit“ thoshin se shumica e probleme kanë të bëjnë edhe ashtu me veriun. Pra, Beogradi nuk kishte të drejtë kur thoshte se dialogu është edhe për statusin e Kosovës, ndërsa e dërguara e posaçme e kryeministrit Thaçi nuk kishte të drejtë kur thoshte se dialogu nuk ka të bëj me veriun dhe se Serbia përmes dialogut po e njeh pavarësinë e Kosovës. Se Kosova dhe Serbia po bëjnë dialog si dy shtete të barabarta të pavarura është një thënie të cilën nuk ia vlen të humbet kohë për ta analizuar. Po të ishte Kosova e barabartë dhe po të merr pjesë si e tillë në nismat rajonale dhe ndërkombëtare nuk do të „bëhej dialog“ fare me Serbinë për emrin të cilin do ta përdorë Kosova në këto nisma. Me vetë faktin se diskutohet vetëm për emrin e Kosovës, bëhet e qartë se Kosova as që është e as që do të jetë e barabartë me shtetet e tjera të rajonit në këtë aspekt.

 

Dialogu „garanton“ integrimet evropiane?

Rrezikut më të madh i hynë ata të cilët pohojnë se me dialog Kosova po siguron të ardhmen evropiane dhe po avancon në këtë rrugë drejt BE-së. Këtu shpesh është përmendur liberalizimi i vizave dhe atë në mënyrë të kundërt. Zyrtarët e BE-së ishin „tmerruar“ kur disa përfaqësues të shoqërisë civile kishin kërkuar që Kosova të mos pranojë të hyjë në dialog pa e marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. „Kjo nuk ka lidhje me dialog. Është një proces i ndarë dhe varet vetëm nga përmbushja e kritereve se kur do të marrë Kosova udhërrëfyesin“, thoshin ata. E vërtetë, në vjeshtën e vitit 2010 ka qenë shumë afër që Kosova ta merrte udhërrëfyesin për nisjen e procesit të liberalizimit të vizave. Tash kanë kaluar dy vjet dhe udhërrëfyesi ende nuk ka ardhur. Para se të niste dialogu Kosova pati nisur edhe një lloj procesi për marrëveshjen tregtare. Madje, Kosovës i ishte dorëzuar nga Komisioni Evropian edhe pyetësori për këtë. Tash kanë kaluar dy vjet dhe asgjë, pos premtimeve me njëqind kushtëzime, asgjë nuk ka rreth Marrëveshjes tregtare.

Nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës tash dëgjojmë se si shpërblim për shkak të dialogut Kosova po e merr „liberalizimin e vizave“ dhe „marrëdhëniet kontraktuale me BE-në“. Nëse ky është „shpërblim“ si rezultat i dialogut atëherë duhet pranuar po ashtu të drejtën e atyre që thonë se ishte dënim, për të parë se si sillemi në dialog, mosdhënia e udhërrëfyesit në 2010-n dhe ndalja e procesit të Marrëveshjes tregtare.

Ndërkohë për Beogradin fazat ishin konkrete. Kur u miratua Rezoluta në Asamblenë e OKB-së, Këshilli i BE-së mori vendimin që t’i jepet mandat Komisionit Evropian të përpilojë opinionin për Serbinë. Pa kaluar një vit Komisioni doli me mendim pozitiv dhe sugjeroi dhënien e statusit të kandidatit Serbisë. Shumë shtete të BE-së ndërkohë ratifikuan marrëveshjen SAA me Serbinë, ndërsa pas dhjetë ditësh Serbia edhe formalisht mund ta marrë statusin e kandidatit. Edhe pa e marrë këtë, tashmë e ka mendimin pozitiv të Komisionit Evropian. Gjithë kjo mund të verifikohet shumë lehtë dhe nuk është kurrfarë shtrembërimi me agjendë politike.

Dialogu për nga natyra është rrugë e zgjidhjes së mospajtimeve, është rrugë evropiane dhe çdo lloj dialogu ndihmon në arritjen e standardeve evropiane. Por në rastin e Kosovës që nga fjala „dialog“ e deri te përmbajtja e çfarëdo teme për të cilën zhvillohet „dialog“ gjithçka është politike. Nuk ka asnjë problem „praktik“, i cili nuk është rezultat i mospajtimeve politike.

 

Rrushi me fusnotë!

Një vit e gjysmë është bërë prej kur lindi ideja e dialogut dhe në ditën e grave bëhet një vit prej kur filloi. Por ende, në bazë të deklarimeve të palëve, të lehtësuesve dhe të miqve ndërkombëtarë, nuk mund të përkufizohet qartë se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu. Variacionet shkojnë prej deklarimeve të zyrtarëve kosovarë se dialogu është për integrimin e Kosovës në BE dhe njohjen e realitetit nga Beogradi e deri te shpjegimet e zyrtarëve ndërkombëtarë se qëllimi është që qytetarët e Kosovës t’i zgjidhin disa probleme praktike si shitja e rrushit, e patateve apo e luleve në Serbi e Bosnjë.

Nuk duhet nënçmuar asnjë profesion dhe nuk duhet hedhur poshtë mundësinë që në Kosovë ndoshta ka shitës lulesh që mund të jetojnë më mirë nëse i shesin ato lule apo patate në Serbi („Do të jem i lumtur dhe do ta konsideroj se kemi arritur sukses në dialog kur të shoh ndonjë shqiptar të Kosovës duke shitur patate në Serbi“, pati thënë një zyrtar i lartë i BE-së), nëse shesin rrush në Bosnjë-Hercegovinë (siç tha javën që shkoi ambasadori amerikan Critopher Dell për bujqit e Suharekës, edhe pse duket paksa e çuditshme lidhja e Suharekës si vend prodhimi dhe Bosnjë-Hercegovinës si tren destinacioni të rrushit). Por nëse ky ishte qëllimi, atëherë pse nuk është „lehtësues“  Dacian Ciolos, komisioneri i Bujqësisë, por Robert Cooper, i cili është diplomat dhe politikan. Kjo është për shkak se dialogu është politikë, është me qëllime politike, në të bëjnë dialog politikanët, lehtësohet nga politika. Edhe disa nga kritikat mund të jenë me qëllime politike. Në debatin rreth dialogut në Kosovë mund të bëhet ndoshta një marrëveshje e përkohshme e brendshme. Le të thonë qartë se kemi hyrë në dialog, sepse kështu kanë kërkuar BE-ja dhe SHBA-ja, do të pranojmë atë që na thonë ata dhe të mos lodhen duke u munduar të zbulojnë rezultate inekzistente të dialogut deri më tash.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje