Arsimi si është dhe si do ta ndryshojmë

Postuar në: Aktualitet,Sociale |

 

Nga Edi Rama

Ne jemi këtu sot për të vazhduar përpjekjen në rrugën e shkrimit të një programi të ri qeverisës për Shqipërinë, duke e filluar nga shkollimi i denjë për çdo fëmijë të atdheut tonë, ku ditët e bardha për të gjithë mund t’i sjellë vetëm drita e diturisë. Dua t’u shpreh në këtë 7 mars mirënjohje të gjithëve ju që jeni pjesë e trupës pedagogjike apo mësimdhënëse në këtë vend dhe të gjithë mësuesve kudo në Shqipëri.
Më e para gjë që do të ndryshojë në Shqipëri kur ne të zgjidhemi për të qeverisur, do të jetë shembja e murit të presionit psikologjik që pushteti politik ka ngritur kudo për të ndaluar komunikimin normal të mësuesve e të pedagogëve, ashtu si dhe të mjekëve e të rrogëtarëve të shtetit, të përfaqësuesve të shoqërisë civile, por po njësoj edhe të atyre të sipërmarrjes private, me opozitën e me publikun. Kurrë më një qytetar apo qytetare e këtij vendi nuk do trysnohet psikologjikisht për shkak të bindjeve të veta. Kurrë më një mësues nuk do cënohet në punën e në dinjitetin e tij pse nuk pëlqen qeverinë apo simpatizon opozitën. Rilindja Shqiptare në arsim do të fillojë pikërisht nga rivendosja e dinjitetit njerëzor e qytetar të çdo mësuesi dhe pedagogu, ashtu si të çdo shqiptari. Pavarësisht prejardhjes krahinore, pavarësisht përkatësisë politike, pavarësisht angazhimit ose jo me partinë që qeveris. Shqipëria që ne duam është një vend ku politika të mos jetë një skenë ekskluzive e zanatçinjve të saj, po një hapësirë ku çdo qytetar e qytetare ka të drejtën jo vetëm të flasë, por njësoj e rëndësishme edhe të dëgjohet. Duke filluar nga mësuesit. Zëri i tyre që sot është i mbytur do të dëgjohet nga ne si një zë pa të cilin as mund të qeveriset dot mirë sistemi arsimor, as mund të garantohet dot mirëshkollimi i fëmijëve e të rinjve.

 

Koha e mospjesëmarrjes së qytetarëve në debatet e jetës sonë politike e publike për shkak të trysnisë primitive të pushtetit politik do të mbarojë bashkë me orët e këtij pushteti injorant, të dhunshëm e si s’ka më të korruptuar. Me mbarimin e orëve të kësaj qeverie shpifarake e të paaftë do të mbarojë edhe koha e një përçarje të madhe shoqërore të konsoliduar përmes një sistemi të tërë presioni dhe pamundësish. Arsimi shqiptar nuk ka njohur ndonjëherë ditë më të këqija se këto të politizimit e të barbarizmit të jetës në shkollë. Sistemi arsimor shqiptar ka arritur pikën fundore të degradimit me zhdukjen e konkurrencës e të meritës në emërime dhe me kthimin e universiteteve në valvola për të shkarkuar prurjet masive të të papunëve nga shkolla e mesme. Duke e përqeshur mendimin e botës universitare, duke e shkatërruar “de fakto” autonominë e saj, duke i shqyer dyert e universiteteve dhe duke hapur çdo muaj universitete e fakultete publike e private ku mundet nëpër Shqipëri, pa asnjë vizion afatgjatë për shoqërinë e për ekonominë shqiptare, asnjë konstrukt konceptual të gjeografisë së shpërndarjes së fushave të studimit në zona të ndryshme të vendit, pa asnjë objektiv tjetër përveç shmangies medoemos së përballjes me papunësinë rinore në rritje, kjo qeveri ka vulosur kapitullin më të zymtë të politikës arsimore dy dekada tranzicion. Të kuptohemi qartë, ne nuk kemi asgjë kundër universiteteve private e as kundër çfarëdo nisme e aktiviteti privat. Madje i shohim me admirim shembujt që kanë sjellë risi e zhvillim në këtë drejtim dhe do të jemi promotorë të një politike stimuluese e mbështetëse të këtyre shembujve, ndryshe nga ç’bën qeveria e sotme, e cila rrit numrin e tyre pa asnjë standard e kriter duke krijuar gropa që vetëm thithin para nga familjet shqiptare, konkurrojnë krejt pandershmërisht me të tjerët duke pranuar studentë e dhënë diploma jo mbi meritën po mbi lekun, institucionalizojnë rënien e shtetit dhe boshllëkun pa asnjë rregull në hapësirën më delikate të përgjegjësive të vetë shtetit që është arsimi.

 

Vitin e ardhshëm ne do të marrim në kurriz një barrë jashtëzakonisht të rëndë ku kthesa historike nga ky drejtim i paditur, ku po e çon arsimin politika e një kryeministri që s’ka qeveri dhe e një shteti që s’ka kryeministër është padyshim një ndër kthesat më të forta dhe më të vështira. Liberalizmi pa asnjë rregull dhe thellësisht i korruptuat në arsim është një thikë në shpinën e prindërve shqiptarë që investojnë kohë, energji dhe kursime të nxjerra mënjanë, duke hequr shpeshherë edhe nga buka e gojës, për t’u dhënë një diplomë fëmijëve të tyre. Diplomat e marra në universitetet dyershqyera të kësaj qeverie që po lë tokë të djegur në çdo sektor, janë rëndom si ato letrat e dikurshme me “vlerë” që nuk u hynë asnjëherë në punë shqiptarëve, ndërsa studentët e studentet e kësaj kohe injorantësh në pushtet, nesër do të shtojnë frikshëm numrin e të papunëve me diplomë e për pasojë, edhe kontingjentin e të rejave dhe të rinjve që do të duan ta braktisin atdheun. Ky liberalizim pa asnjë princip, standard e rregull, jo vetëm ka krijuar iluzionin e rremë të arsimimit të lartë 100% të të rinjve, po edhe ka rrafshuar dy vlera themelore për një jetë universitare që zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të tregut të lirë: Konkurrencën si mekanizëm i patjetërsueshëm i zhvillimit e përparimit dhe meritën si një vlerë e patjetërsueshme e krijuar nga konkurrenca. Mëson s’mëson, shkon nuk shkon në leksion, thua gjë a s’thua gjë kur pyetesh, nuk ka asnjë dallim të përgjithshëm për të nesërmen. Dallimin e përgjithshëm e bëjnë në fund tarafllëku, bakshishi dhe fijet e klientelave politike. Ndryshimi i këtij realiteti të papranueshëm për çdo familje shqiptare që investon për shkollimin e fëmijëve, duke ëndërruar një punë sa më të mirë për djalin a vajzën dhe jo një diplomë papunësie, është një kusht themelor për të siguruar të ardhmen e këtij vendi, si edhe për të fuqizuar ekonominë kombëtare dhe ekonominë e familjeve shqiptare.

 

Për ta realizuar këtë ndryshim ne do të ndryshojmë në radhë të parë natyrën e qeverisjes së punëve të arsimit, duke punuar qysh ditën e parë për ndërtimin e një koalicioni të fuqishëm me trupat pedagogjike dhe me prindërit. Sëbashku ne duhet të hapim një faqe të re, duke e filluar nga konkurrenca dhe merita, jo vetëm brenda komunitetit të një shkolle mes nxënësve a studentëve, po edhe mes shkollave, të larta dhe të mesme, publike apo private, të cilat duhet të hyjnë në një sistem të ri, të besueshëm e të qëndrueshëm standardesh vlerësimi, që i japin kuptim dhe peshë rezultateve e diplomave që sot janë zhvleftësuar keqazi, pikërisht, nga mungesa e këtij sistemi. Prindërit shqiptarë bëjnë shpenzime kolosale për të shkolluar fëmijët jashtë dhe praktikisht ajo që shpenzojnë për fëmijët shqiptarë që sot janë jashtë atdheut është e barabartë me shpenzimet që bën shteti për arsimin brenda kufijve të vendit. Për shkak se ky sistem çorganizimi i organizuar që kemi në sistemin arsimor shqiptar është i pabesueshëm për të gjithë ata që e kanë mundësinë që të sakrifikojnë dhe t’i japin fëmijëve të tyre një perspektivë studimesh jashtë. Vetëm në Itali familjet shqiptare derdhin për shkollimin e fëmijëve një sasi parash të barabarta me atë që derdh shteti shqiptar në buxhetin për arsimin.

 

Ndërkohë që një sasi tjetër jo e vogël derdhet për kurse private, shpeshherë me vetë mësuesit e lëndës, që paradite janë në shkollë dhe mbasdite paguhen për tu dhënë fëmijëve dije shtesë, për matematikën, fizikën, kiminë, anglishten që bëjnë në shkollë. Këto investime të jashtëzakonshme të familjeve të zakonshme shqiptare flasin jo vetëm për krizën e thellë të sistemit tonë arsimor, po edhe për një përkushtim mbresëlënës të prindërve shqiptarë në funksion të arsimimit të fëmijëve. E ky është një përkushtim që përshkon të gjithë gjeografinë e territorit të vendit. Ky është një përkushtim që e kanë qoftë prindërit në qytet, qoftë prindërit në fshat. Ky është një përkushtim që nuk i dallon prindërit e pasur, nga prindërit e varfër. E pra tek ky përkushtim ne do të kapemi fort për t’i bërë prindërit aleatë strategjikë të një qeverisjeje krejt ndryshe të arsimit, qoftë në përpjekjen për të ndërtuar sistemin që vlerëson meritën e çdo fëmije dhe i jep vlerë e peshë çdo rezultati e diplome, qoftë nevojën për të nxitur çdo fëmijë që të mësojë më shumë e të kërkojë më tepër nga vetja. Pa futur në rrugën e zgjidhjes problemin madhor të arsimimit të shqiptarëve e shqiptareve, në përshtatje me tregun e sotëm të punës e me zhvillimet e një ekonomie globale që mund t’i kthejë ata në të humburit e mëdhenj të Europës së nesërme, ne s’mund të shlyejmë asgjë nga borxhi që u kemi atyre që u përkushtuan deri edhe me jetën për t’i çelur rrugën dritës së diturisë mbi Shqipëri dhe nga ana tjetër, do të zhytemi përfundimisht në një borxh përjetë të pashlyeshëm me fëmijët e me atdheun tonë sot të varfër e thellësisht të papunë.

 

Në bashkëpunim me trupat pedagogjike dhe me prindërit ne do t’ i japim fund traditës 20 vjeçare të eksperimenteve në kurriz të fëmijëve, të kopjimit të një copëze sistemi këtu apo një modeli dhe një copëze tjetër atje nga një model tjetër, për t’i bashkuar në një sistem pa sistem të strategjive të vjetra që hidhen në kosh pa u zbatuar pasi për to janë shpenzuar para të pallogaritshme dhe që shkruhen pa lexuar të vjetrat, të pseudoreformave pa bosht që hallakasin çdo vit shkollën dhe të interesave partiake pa kufi që shkatërrojnë cilësinë e shkollimit, të shpenzimeve kolosale publike për politika të pasuksesshme dhe të veseve të vjetra në administrimin e fondeve për arsimin. Kur tregohet historia e kësaj kohe ne nuk duhet të jemi fajtorë pse Shqipëria nuk diti të ngrihet e të vrapojë drejt së ardhmes, duke investuar në radhë të parë për shkollimin e fëmijëve të saj. Prandaj me programin dhe me qeverisjes tonë “Për Një Rilindje Shqiptare” ne duam të jemi jo vetëm ata që e kuptuam nga duhet ta fillojmë, po edhe morën të gjitha kostot politike përsipër, duke e nisur nga arsimi, aty ku rezultatet e investimit nuk duken të gjitha menjëherë dhe shpeshherë kjo bëhet shkak për t’ iu shmangur bërjes së gjërave që duhen, po ku e ardhmja garantohet si borxh që ua kemi atyre që vijnë pas nesh. Këtë borxh ne e njohim dhe do ta garantojmë pa menduar sesi do fitojmë zgjedhjet e radhës, po sesi do fusim në rrugën e zgjidhjes problemet e vendit, duke shërbyer me përkushtim si katalizator të një ndryshimi afatgjatë, që zanafillën e vet s’mund ta ketë askund tjetër përveçse tek një politikë e re dhe radikale për arsimin.

 

Kjo qeveri e gjeti në 2005-ën Shqipërinë në një moment të kthimit pas në të tatëpjetën e analfabetizmit, por në 2013-ën do të dorëzojë një vend më analfabet se në asnjë vit tjetër të kësaj periudhe tranzicioni. 10 përqind analfabetë kishte sipas shifrave zyrtare në Shqipërinë e moshës së internetit të dy vjetëve më parë, sot s’ ka më shifra zyrtare po ka padyshim tejkalim rrëqethës të 10 përqindëshit të paradyvjetshëm. 16 deri në 20% analfabetë sipas USAID-it. Më shumë sesa një kompjuteri Shqipëria e moshës së internetit i ngjan këpucës së Lulit të Vocërr të Migjenit.

 

Dinjitetin e qeverisë sonë ne do ta masim në radhë të parë me masat konkrete e me rezultatet kundër analfabetizmit po edhe braktisjes së shkollës që është e barabartë me analfabetizmin. Për të vepruar jo vetëm shpejt, por edhe me efektshmërinë e duhur ne do ta bëjmë që në hapin e parë testin kombëtar të analfabetizmit. Për ta parë në sy të vërtetën rrënqethëse të këtij fenomeni dhe mbi bazën e tij do t’i japim formë përfundimtare një plani masash për zmbrapsjen e kësaj errësire të patolerueshme që u vishet si perçe fëmijëve shqiptarë në një numër çdo vit e më të madh. Faktor i drejtpërdrejtë në rritjen e analfabetizmit, është jo vetëm shitja e librave të arsimit të detyruar, po edhe rritja e çmimeve të librave e mjeteve shkollore çdo vit, duke ua bërë praktikisht të pamundur blerjen e tyre shumë familjeve të varfra e në nevojë. Kësaj të keqeje poshtëruese për dhjetëramijëra prindër, që s’u blejnë dot fëmijëve librat e fletoret për të shkuar në shkollë, dhe për po aq fëmijë që mbeten thjesht gojë për t’u ushqyer duke humbur qysh në krye të rrugës të drejtën natyrore për t’u rritur si personalitete, ne do t’i japim fund që në hapin e parë të qeverisjes sonë.

 

Viti i ri shkollor 2013 do të fillojë me librat e arsimit të detyruar falas për çdo fëmijë të varfër. Asnjë fëmijë i varfër nuk do të jetë pa libra në fshatin apo në lagjen ë tij, dhe asnjë prind nuk do të jetë vetëm e kokulur përballë fëmijës së tij për shkak të pafuqisë ekonomike për të blerë librat. Ne do të jemi aty, pranë tyre, në emër të Shqipërisë që s’do të lërë më asgjë pa bërë për të rritur fëmijë të ditur e të integruar në botën e dijes në mënyrë që nesër fëmijët e sotëm të mos jenë qytetarë të dorës së fundit të Bashkimit Europian. Ashtu siç do të jemi aty, në rrugën e fshatit, për t’i dhënë fund njëshkolonave pikëlluese të kalamajve që bëjnë orë të tëra në këmbë, në dëborë apo nën shi, për të mbërritur derën e klasës kolektive e pastaj për t’u kthyer përsëri në shtëpi të rraskapitur. Do të jemi aty me mjetin e transportit që do t’i çojë e marrë nga shkolla. Dhe kjo nuk është as një çudi e madhe dhe as një punë e papërballueshme, por përkundrazi është një detyrim plotësisht i detyrueshëm nga shteti shqiptar edhe në kushtet e sotme.

 

Sot unë isha në Korçë paradite dhe takova një grup mësuesish në fshat, të cilëve ju është hequr edhe mbështetja financiare nga ana e buxhetit të shtetit për transportin e tyre në shkollat e fshatit dhe tanimë qeveria ju thotë se për të shkuar mësuesit në fshat dhe për të bërë punën e tyre, duhet ta paguajë nga xhepi transportin. Kjo e vetme, jo vetëm e redukton të gjithë atë masë rrogash të shtuar, pa llogaritur këtu rritjen e çmimeve për të jetuar, por e çon në fund të ditës pagesën që shteti i jep mësuesit nën atë që ajo ishte disa vite më parë.

 

Ne do të bëjmë një revolucion të mirëfilltë me tekstet shkollore. Tekste që shkruhen para se të hartohen programet, madje para se të hartohen edhe kurrikulat. Tekste të mbingarkuara dhe pa lidhje mes lëndësh e pa asfarë lidhje nga viti në vit. Tekste që shpeshherë nuk zbërthen dot nga mësuesit e jo më të kuptohen nga nxënësit. Tekste që në morinë e rrëmujën e tyre ngjajnë me një zonë ndërtimesh informale ku secili ngre si të mundet ngastrën e tij dhe ku mungon tërësisht lidhja me infrastrukturën. I vetmi ndryshim është se në shtëpinë e një zone informale nuk humbet, kurse në labirintin e një teksti shkollor ndodh shpesh që mësuesit e nxënësit ta humbasin njëri-tjetrin dhe bashkë me njëri-tjetrin edhe vetë dëshirën për të dhënë apo marrë mësim.

 

Kërkesa e trupës pedagogjike prej vitesh është e qartë: Tekstet të bëhen të kuptueshme brenda një sistemi logjik dhe të garantohet trajnimi i tyre që deri më sot është një formalitet qesharak. Ndërkohë që zyrtarisht Ministria Arsimit pranon se tekstet përzgjidhen duke lexuar vetëm 30% të tyre, njësoj si të ishin shishe vere dhe i marrin erë vetëm tapës. Varfëria e aspiratave është ushqim bazë për varfërinë e mundësive dhe është koha për ta ndryshuar rrënjësisht kulturën e administrimit të sistemit arsimor, duke i’a lënë faqen e zezë për këtë katandisje të pashembullt pushtetit të sotëm në politik dhe politikës së vjetër si dhe shëmbëlltyrës së saj më elokuente që është kryeministri që kemi, e duke hapur një faqe të re përmes ekzekutimit me standarde krejt të tjera cilësie të çdo vendimi në procesin e reformimit të sistemit. Ne do ti marrim të gjitha përgjegjësitë që na takojnë për t’i hapur rrugë një Rilindjeje Shqiptare dhe do të kërkojmë që shkolla të bëjë të njëjtën gjë, pasi t’i kemi deleguar asaj përgjegjësi të domosdoshme në kuadrin e një koalicioni strategjik që do të ndërtojmë me trupën pedagogjike e me komunitetin e prindërve.

 

Mësuesit s’mund të jenë më prezent në fjalimet e debatet e politikës thjesht dhe vetëm si një kategori rrogëtarësh. Edhe sot në atë fjalimin e 7 marsit të kryeministrit në Korçë ishin caktuar me kuadrate, me vende, me bileta për të qenë atje në sfond. Dhe të cilët përmenden në fjalimet e qeverisë vetëm kur flitet për rritje apo mosrritje të rrogës së tyre. Ata duhet të bëhen bartësit e aspiratave për një kulturë të konkurrencës e të vlerësimit të meritës në shkollë si dhe promotorët e përditshëm të luftës kundër varfërisë së sotme të aspiratave, e cila mund të mundet vetëm përmes një zero tolerance ndaj dështimit ku shteti, mësuesi dhe prindi janë aleatë me role komplementare të njëri – tjetrit. Asnjëri nga të tre nuk mund të bëjë pa tjetrin dhe vetëm të tre bashkë mund të bëjnë gjënë e duhur për shkollën dhe për mirërritjen e fëmijëve.

 

Varfëria e sotme skllavëruese e mësuesve nga një pushtet i centralizuar e i tejpolitizuar do të marrë fund. Ne do të veprojmë si aleatë me mësuesit në qeverisjen e punëve të arsimit. Roli i drejtorit të shkollës që nuk ka më shumë pushtet sesa një kapter, i cili thjesht numëron ushtarët në rreshtimin e mëngjesit do ridimensionohet rrënjësisht, në kuadrin e ndarjes së përgjegjësive tona qeverisëse drejtpërdrejtë me shkollën. Kurse prindërit, të cilët as që i shkon ndërmend njeriu t’i pyes e jo më t’u marrë dorën lidhur me ecurinë e procesit të mësimdhënies, do të mbahen në kontakt të institucionalizuar për punët e shkollës e për mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre.

 

“Arsimi është politika më e mirë ekonomike”, thoshte kryeministri britanik Gordon Braun dje, por po kështu thotë sot edhe David Kamerun, kundërshtari i tij që e pasoi në rolin e kryeministrit. Ndërsa për kryeministrin e Shqipërisë, arsimi është një sistem qendrash ditore të quajtura shkolla, ku njerëzit mblidhen për të kaluar kohën bashkë që fëmijë e deri në vitin e fundit të universitetit. Për të dalë të papunë me diplomë. Shqipëria ka sot 1 milionë të papunë.

 

Po si mund ta mundim ne varfërinë e papunësinë pa u dhënë njerëzve asnjë zanat, po veç diploma që janë zhvleftësuar krejt për shkak të një sistemi që thith energji, kohë e kursime nga familjet shqiptare dhe superprodhon të papunë?!

 

Si mund ta mundim ne varfërinë e papunësinë pa ndërtuar një sistem arsimor, që reflekton kohën e re ekonomike dhe nevojat e tregut të punës duke orientuar një pjesë të konsiderueshme të burimeve të veta njerëzore drejt formimit profesional?!

 

Si mund ta nxjerrim ne fshatin nga kthetrat e varfërisë e të papunësisë pa nxitur e krijuar kushte për formimin profesional bujqësor, pa të cilin rezervat e dikurshme të dijes janë vjetruar e po shteren me shpejtësi?!

 

Si mund të kemi ne në qytet më shumë shanse për ta zmbrapsur varfërinë e papunësinë kur, në një sektor kaq dinamik të tregut të punës sa ç’është ndërtimi, ka kohë që merren ustallarë nga jashtë vendit sepse krahu ynë i punës në ndërtim s’ka kaluar asnjë lloj kualifikimi profesional?!

 

Këtë pikëpyetje e shumë të tjera do të marrin përgjigjen e duhur në rrugën e programit tonë të ri qeverisës për një Rilindje Shqiptare dhe do të gjejnë me radhë rrugën e zgjidhjes në realitetin e mirëqeverisjes që ne do të krijojmë në Shqipërinë e pas zgjedhjeve të ardhshme mbështetur mbi këtë program ku rëndësi themelore ne i vëmë procesit të gjithëpërfshirjes së të gjithë njerëzve që kanë lidhje direkte ose indirekte me arsimin në këtë rast të cilët duam t’i dëgjojmë jo thjesht sot në këtë tryezë që starton rrugën e programit, por gjatë një periudhe të tërë në të gjithë Shqipërinë.

 

Unë sot u përpoqa thjesht të prek disa pika nevralgjike të një sistemi, që ka nevojë të rikonceptohet tërësisht duke refuzuar bashkëjetesën me varfërinë e aspiratave dhe rivlerësuar njeriun, nxënësin, mësuesin, prindin. Arsimimi është fuqia më e madhe çliruese e energjive të njeriut dhe forca më e jashtëzakonshme e progresit social, garanci e pakonkurueshme për mirëqenien kombëtare. Në rast se shohim historinë e zhvillimit të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian do të shohim se historitë më të mëdha të suksesit janë ato që në zanafillën e vet 2, 3 dekada më parë kanë politika arsimore transformuese. Dhe një përqendrim jashtëzakonisht të madh të të gjitha burimeve njerëzore dhe materialeve të shtetit tek këto politika transformuese.

 

Është koha që t’i drejtohemi kësaj fuqie të madhe për ta filluar rrugën e shpëtimit të Shqipërisë nga varfëria, nga papunësia, nga injoranca, nga korrupsioni, nga dhuna, me vetëdijen se kjo fuqi ka nevojë për një bashkim të madh forcash njerëzore, energjish intelektuale, burimesh shpirtërore dhe sigurisht edhe për një dozë të posaçme altruizmi për të bërë për arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve tanë atë që çdo familje shqiptare bën për fëmijët e saj, duke kursyer gjithshka duhet për shkollimin e tyre. Zgjedhja sipas meje është shumë e qartë për çdo shqiptar, për çdo prind e nxënës në mënyrë të veçantë. Ose një Rilindje Shqiptare ose një Rrënim i Mëtejshëm.

Fjalimi i plote

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

7 Pergjigje per Arsimi si është dhe si do ta ndryshojmë

  1. Edi Ramovici  --  8 Mars, 2012 në 1:11 am

    Provat e koncertit te Shakires:
    http://imageshack.us/photo/my-images/210/saliberishashakira.jpg/

    Përgjigjjuni

    • Bujari  --  8 Mars, 2012 në 8:52 am

      Nese je per tu bere kryeminister, se paku perdor logjiken formale e ji racional. Zoteri, a e di ti se 90% e studenteve ndjekin universitetet publike, ku as behet mesim, as ka kushte per mesim, dhe ku parate e ryshfeti gelojne ne mes te dites. Nuk ka nevoje per shume prova, hajde ne Durres dhe do shohesh se cfare ndodh. Klasat pa xhama, rryshfeti eshte vaji qe lyen rregjistrat dhe nevojtoret qe pastrohen 1 here ne muaj. Shko, ne fakultetin e mjesise ne Tirane, ku pedagogu i anatomise nuk eshte pare qe prej nje viti nga studentet, ku mesimi behet ne kafenete rreth e rreth spitalit, ndersa praktikat behen ne banjat e lemerisura te nje shkolle aty afer. Zoti Rama, shteti te mos beje rolin e dorejashtit duke shqyer dyert per studente kur vendi ka nevoje edhe per njerez pa diplome te larte, por teknike te afte. Zoti Rama, universitetet private jane problem, sigurisht; por me problem jane universitetet shteterore, qe nuk ofrojne mesim, perkundrazi jane bere lope qe milen nga pedagoget, te gjithe me vila ne gjirin e Lalzit, njesoj si ish vellai yt Ilir Meta.

      Përgjigjjuni

  2. Qerimi  --  8 Mars, 2012 në 1:26 am

    Ik ere palluqe

    Përgjigjjuni

  3. andi ll  --  8 Mars, 2012 në 2:13 am

    Shkollat shqipe jan zhdukur dhe jan zevendesuar me shkolla te huaja…
    Nuk more nje her guximin te flasesh do marresh guximin ti ndrYShosh…
    Te zuri dashuria për MËMËDHEUN apo si gjithmon po turbullon ujrat për te zhdukur ndonje gjë kombetare…
    Ti dhe berisha si keni filluar në 2013 nuk do keni len me asgjë …qe ka lëdhje me indentitetin shqiptar
    Ti dhe berisha nuk kafshoni dorën qe ju kan dhen PUSHTET..

    LUMSI ATA QE NUK JU KAN DHE MJER ATA QE JU GEZOJNË

    Përgjigjjuni

  4. raimondi  --  8 Mars, 2012 në 2:35 am

    Shume mire ben Edi qe flet per Arsimin -
    \
    -Kjo eshte gje shume e mire, por a i ka marre leje Athines ? — Se po s’i ka marre leje Athines nuk ka kuptim ai muhabet , pasi Arsimi eshte ceshtje delikate dhe atyre ju ngelet qejfi shpejt per keto gjena loooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooool

    –Gjithmone duhet qe PS-ja kur diskuton nje ceshtje ta diskutoje paraprakisht me Politken greke , ne menyre qe te jete ne nje mendje me ta –pasi kur te behen zgjedhjet nuk voton populli shqiptar por populli…..nje zot e di …..? –

    Aq me teper pastaj qe Greqia do na ndihmoje per tu futur ne EU ..loooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooool , pavaresisht se kur te na vijue radha ne, Greqia do jete jashte EU-se —

    –Ne kete bote nuk ka me pozicion me poshterues se te jesh Sherbetor i sherbetoreve …………

    Përgjigjjuni

    • mister x  --  8 Mars, 2012 në 11:01 am

      me fal po ku e shef ti lidhjen mes edi rames dhe athines. mire ne kohen e papandreut se benin pjese ne internacionalen socialiste, po tani?! lerini keto o njerez se nuk eshte edi problemi, eshte SAL SERBI.

      Përgjigjjuni

  5. Ramy i vjeter  --  8 Mars, 2012 në 11:10 am

    Lejen e ka mare Ruci

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>