Hamdi Salihit i është dashur pak kohë që të përshtatet me skuadrën e DC Junajtid dhe kampionatin amerikan, por në momentin që e ka bërë një gjë të tillë, ka arritur të gjejë rregullisht rrugën e rrjetës.
Në ndeshjen e mbrëmshme të DC Junajtid kundër Kolorado Rapids, Salihi ka qenë mes titullarëve dhe ka shpërblyer besimin e trajnerit me një paraqitje shumë të mirë dhe me golin në minutën e 60-të që vulosi suksesin 2-0 të skuadrës së tij.
Ky ishte goli i 3 në 4 ndeshjet e fundit për sulmuesin shqiptar që me sa duket ka arritur të përfshihet më mirë në skemat e lojës së skuadrës.
“E kam thënë që në ndeshjen e parë se më pëlqen kur luajmë në fushën tonë pasi kemi një ide të qartë se si duhet të punojmë dhe e bëjmë këtë gjë çdo ditë. Tani të gjithë e shohin që gjërat po ecin më mirë çdo ditë”, deklaroi sulmuesi shqiptar duke iu referuar edhe fillimit të dobët që i bëri sezonit skuadra e tij, e cila tani renditet e dyta në Konferencën e Lindjes.
Më pas, duke iu kthyer formës që po kalon, Salihi ka treguar se nuk ka patur asnjëherë dyshim që do të gjejë rrugën e rrjetës me vazhdimësi dhe vazhdonte të punonte me të njëjtin intensitet si në ditën e parë në klub.
“Kur shënon është gjithmonë mirë, të jep besim. E kam thënë edhe më parë, kam patur gjithmonë besim te vetja ime dhe të cilësitë e mia. Unë vazhdoj të punoj njëlloj çdo ditë, nuk ka rëndësi nëse shënoj në ndeshje apo jo, puna ime vazhdon njëlloj”, ka treguar sulmuesi shkodran.
Salihi futbollist eshte , gola do te shenoje.
suksese ! po ecen bukur karriera e tij.