Scheiss` auf Korruption

18 Maj 2012, 13:01Blog TEMA

Të mësuar me njëtrajtshmërinë e artit që na servirin, kemi harruar çdo shije tjetër. Ka kohë që nuk dëgjoj një këngë që të flasë për problemet e mia, e as të atyre që njoh. Në nevojën tonë për të dëgjuar diçka ndryshe, mund të argëtohemi edhe me Mamicën, shoqen e Jorgjicës

 

Nga Koloreto Cukali

Revista Klan

 

Ka pak ditë, që jashtë vëmendjes mediatike, në periferi të Tiranës Orgest Toçe këndoi live tek “Tirana Express” në prani të 100 ose pak më shumë vetëve, me një kitarë në dorë, i shoqëruar me një kontrabas dhe bateri. Një indie rock-folk që më sillte ndër mend herë Gogol Bordello e herë Tom Waits.

Sigurisht, performanca live nuk ra thuajse fare në sy mediatikisht, përderisa shumica e Shqipërisë po ndiqte telenovelën politike “cili aktor do luajë rolin e Presidentit”; ajo një pakicë që e mori vesh, ose nuk dinin ku është vendi ndërsa disa nuk kujtojnë kush është ky Toçe; disa nuk luajnë nga vendi po nuk pati balerina “braziliane” që shoqërojnë këngëtarin, mbase ngaqë argëtimi duhet të jetë patjetër orientalo-seksual; disa nuk luajnë nga vendi edhe sikur të vijë Bon Jovi. Kush është ky Bon Jovi, fundja, që na këndoka? Në kohën kur argëtimin publik e ofrojnë vetëm ansamblet “Babëzia”, koncerti i Orgest Toçes dhe Ockus Rockus Band solli diçka që ne nuk e njohim, më saktë që na e kanë ndaluar. Muzikën sociale dhe politike.

 

2. Zhul

Zhul i zi si zift mbi njerëzit ka rënë / Të jesh pis ka dalë në modë / madje është dhe profesion… këndon në këngën e dytë të albumit “Aheng! Aheng!”, Orgesti. Albumi i Toçes, ka 11 këngë (disa i kam përdorur si mestituj) dhe secila është një këndvështrim social i mbështjellë me tinguj që na duken herë familjarë e herë të huaj, me momente bluzi e folku, me muzikë filmash shqiptarë përzierë me nuanca popullore. Përveç muzikës që më bën të ndjehem mirë me vetë faktin që ndryshon nga fast-foodi shqiptar i përditshëm, më habit fakti (që s’ka pse të habisë kënd) që kjo muzikë nuk është një spirilëng erotik, por një rrok politik e social.

Ka kohë që nuk dëgjoj një këngë që të flasë për problemet e mia, e as të atyre që njoh. Ka kohë që nuk më shijon më muzika shqip, sepse janë po ata 4-5 vetë që prodhojnë me një ritëm uzinash dhjetëra e qindra këngë në vit. Tekstet shqipe rrëfejnë varfërinë e atyre që i shkruajnë e këndojnë, muzika shqipe rrëfen uzinën që nxjerr të njëjtin produkt prej vitesh. Ka shumë kohë, që muzika që na ofrohet është monopol i një grupi të vogël krijuesish ose transmetuesish të cilët na kanë bërë të dyshojmë në identitetin tonë artistik.

Ka kohë ka muzika nuk flet për njerëzit. Lloji i muzikës që na servirin, nuk është ai që na pëlqen. Ne i dëgjojmë, sepse s’kanë lënë hapësirë për asgjë alternative. Ndaj dhe kur dëgjojmë “hop-hop Mamica” na vjen të vemë buzën në gaz.

 

7. Kohë moderne

Hitin e vitit, e mësova në rrugë. Nja 2 adolshentë me theks verior, këndonin këngën “hop-hop Mamica”. E shoqëruar dhe me performancën përkatëse në Top Fest, nuk ka sesi të mohohet që kjo është një gjetje e zgjuar muzikore komerciale. Ngjan pak me “Jorgjica, Jorgjica” por nuk e ka sharmin e as intrigën e tekstit të saj, ka pak tallava brenda, por me masë… si të mos bëhet hit?

Jam përkundur gjatë me dyshimet se ç’duhet të mendoj për këtë këngë. Djem të zgjuar, që edhe performancën e kanë komike, pra, që nuk e marrin seriozisht (publikisht) atë që kanë bërë. Publik, të cilin rima mamica-xxxica e kalon në ekstazë. Sukses i qartë, e këndonin me zë të lartë adoleshentët e lagjes. Atëherë??

Atëherë…. m’u kujtua “The Ballad of Chasey Lane”, një këngë e para 10-12 viteve nga Bloodhound Gang. Një këngë sa komike aq edhe e zgjuar. Chasey Lane është një pornostare, dhe në këtë baladë një fans i saj adoleshent i shkruan letra pa fund, letra që kalojnë nga adhurimi, tek dëshira për ta prezantuar me prindërit “Çejsi, këta janë mami e babi, mam e bab, kjo është Çejsi”, e në fund te acarimi i një fansi që nuk merr kurrë përgjigje nga pornostarja. E krahasova me fabulën e “hop Mamicës” dhe kuptova që Mamica, pavarësisht zgjuarsisë dhe rimës që ekzalton turmat e meshkujve të periferisë, nuk mund të jetë kurrë aq e zgjuar e fine sa Balada e Chasey Lane. Fundja, në këtë këngë nuk ka asnjë fabul, aq më tepër komike. Teksti “ti tërë qytetin e tërbon” më duket tepër i lirë.

Në kohën e thatësirës artistike, ne dhe mund ta përjetojmë si hit hop-hop-Mamicën, por kënga ka dështuar të jetë një produkt serioz në komicitetin e vet.

Në nevojën tonë për të dëgjuar diçka ndryshe, mund të argëtohemi edhe me Mamicën, por albumi i Orgest Toçes dhe Ockus Rockus Band, “Aheng! Aheng!” më thotë që nuk duhet me doemos të hamë sorrën. Se ndryshe, nuk do dimë shije tjetër veç të asaj. Ka tekste që na flasin më drejtpërdrejtë sesa “ti tërë qytetin e tërbon”, dhe ka muzikë që na prek shpirtin më shumë se tallavaja.

 

4. Parazit

Vitrina jonë muzikore është aq e varfër se aq shije kanë “ofruesit”. Jashtë asaj vitrine, ka artistë që përpiqen, por, muri i parë që duhet të thyejnë është ai i paragjykimit absurd që “shqiptari vdes për tallava”, a thua se shqiptari vjen nga shpellat e nuk ka dëgjuar ndonjëherë muzikë indi. Sot, të tërë janë të bindur që “shqiptari vdes për tallava”, thjesht ngaqë kështu na serviret nga një grup i ngushtë njerëzish. Muzika e vërtetë që shqiptari dëgjon, është ajo që mban në kompjuter dhe ipod, ajo që e hedh në mp3 për ta dëgjuar në makinë, jo ajo që transmetojnë mediumet.

 

3. Vajzë Cigane

Koncerti zhvillohej në periferinë e stacionit të Trenit, aty pranë vendit ku deri pak kohë më parë romët kishin barakat e tyre që ua dogjën. (Jashtë temës, sa do më pëlqente që ajo lagje të quhet lagjja rome, edhe kur aty të ngrihet Blloku i Ri i Tiranës.) Periferia e Tiranës, vazhdon të mbajë xhepa sekrete ku mund të krijoheshin hapësira për subkulturat, për të tërë ata të rinj të përzënë nga qendra e Tiranës prej smogut, lluksit të rremë, prostitucionit me taka 10 pond, çmimeve të larta e zvetënimit artistik. Për njerëz që nuk janë o tallava o house, për njerëz që preferojnë hashash në vend të tangërllëkut të kokainës.

Shteti mund t’i kishte rivitalizuar pa kosto të larta këto hapësira, vetëm me ide e me entuziazmin e të rinjve që duan të merren me diçka, por ja që shteti ka më për zemër grataçielat. Shumë shpejt, edhe aty do të mbërrijnë bllokmenët e rinj. Bllokizimi i Stacionit të Trenit do na detyrojë të shkojmë deri në Fushë Krujë për të gjetur pak hapësirë alternative.

 

5. On the Road Again

Të mësuar me njëtrajtshmërinë e artit që na servirin, muzikës në këtë rast, kemi harruar shije tjetër. Hamë çdo ditë barishte, dhe kemi harruar ekzistencën e Creme Brulee-së. Por, në një treg muzikor inekzistent, ku asnjë ambient ku këndohet live nuk raporton publikisht biletat apo dyqanet shitjet e CD-ve, ku nuk ekziston renditja zyrtare e bazuar mbi shitje reale të disqeve e jo mbi njohjet personale të menaxherëve apo producentëve, e ku promovohet jo ai artist që fiton më shumë por ai që paguan më shumë lekë që vijnë nga xhepi i s’dihet se kujt, është shumë kollaj që njerëz me shije e formim të dyshimtë muzikor, marrin përsipër të plazmojnë shijen. Është pjesë e zhulit të përgjithshëm.

 

11. Bjeri kavallit

Një muzikë nga unë do të prisja rebelim, nuk është popi komercial e as këngëtaret e vockla që kanë dy idhuj: Rihanën e Beyoncen – dhe që flokët i bëjnë me dy modele, Alla-Rihanë e alla – Beyonce, sikurse dhe performancën, veshjet, rrymën muzikore e shohin në këto 2 modele. Rebelimin e pres nga 2 rryma që kanë lindur për t’u rebeluar, repi-rebelimi i të varfërve, dhe rroku – rebelimi i të shkolluarve.

Për arsye që mund t’i merrni me mend, tek ne bëhet vetëm shumë rrep – kushton lirë, bëhet shpejt, unc, unc, unc, dhe nuk ka nevojë për shkollë e as të dish t’u biesh veglave. Mjafton një kompjuter e një mikrofon. Por, rrepi jonë (quajeni dhe hip-hop po deshët), përveç “unc, unc, unc”-it, nuk ka asgjë nga ajo rrymë e fuqishme që të ngre shpirtin peshë me problemet që ngre, strictly for my niggaz.

Bëhet kaq shumë rep, jo se është mënyra më e mirë për t’u rebeluar, por se është mënyra më e thjeshtë për t’u bërë i famshëm pa qenë nevoja të dish të shkruash e të lexosh, larg qoftë të dish vegla e solfezh.

Sot, tekstet e repistëve, tregojnë preokupimin e vërtetë të pjesës masive të rinisë shqiptare: flitet vetëm për femra e seks, dhe sigurisht nuk mungon narcizismi përkatës, “ah kush jom un, ti s’e din kush jom un”, dhe për asgjë tjetër. Po të dëgjosh tekstet e repit, kupton se kjo rini ka vetëm një frustrim, atë seksual. Ky është i njëjti frustrim që kap edhe qentë e macet në një stinë të caktuar, kështu që nëse mbetemi te ky problem, i bie që rinia jonë, ajo që e suporton, ndjek e adhuron këtë farë skote muzikantësh, nuk ka ambicie më shumë sesa macja ime. Madje, macja në qoftë se i vë të dëgjojë pak Mozart, nuk ka rrezik të më hidhet në fyt e të më çjerrë me urrejtje.

4 komente në “Scheiss` auf Korruption”

  1. beso says:

    Ka vjersha qe shkurt thone sa nje artikull,ka edhe kenge qe vlejne ritmin apo muziken,por hic fare tekstin.Por tani,keto jane kohet dhe keto jane kembet;tamam,muzike per kembet.Sepse nuk e lexova dot deri ne fund,se gati e kam idene sesi vijon.

  2. wert says:

    Bravo miku im Orges

  3. dritani says:

    Kolo k’tu jemi por na ka mbyt ZHULI!

    Ja nje shembull i fresket i ZHULIT te kthyer ne profesion madje edhe ne “Opinion Leader”:

    http://www.mapo.al/2012/05/17/armando-brasini-1928-lulzim-basha-2012/
    http://www.mapo.al/2012/05/18/leter-e-hapur-per-uet-universitetet-private-dhe-tregun-e-lire/

    Jemi shume por secili i strukur ne ate qoshen e tij si kafshez ne kafaz.

    Po humbasim pak nga pak identitetin dhe po behemi si ai Luani i Kopshtit Zoologjik qe i gezohet gjithnje e me shpesh kores se bukes qe i hedhin kalimtaret e rastit dhe shikon se atij ka filluar t’i vije ndot nga mishi.

    Per fat te mire ka ca si ty dhe Orgesti qe na bejne mos ta harrojme “Mishin”…
    Kolo te lutem me ploteso nje kerkese: “Mos hiq dore nga te shkruarit!!!!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje