Shqiptarët në Ballkan, ndërsa kremtohet në Republikën e Shqipërisë 100- vjetori i shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane, do të kenë një festë ca të çuditshme evropiane sivjet.
Prijësit shqiptarë, para njëqind vjetësh, duke shpallur pavarësinë e shqiptarëve në Vlorë, donin të përmbushnin diçka që do të mund të konsiderohej pothuajse një obligim evropian i 300 vjetëve të kaluar, pra të shpallnin një shtet kombëtar evropian. Duke e bërë këtë, prijësit shqiptarë mëtonin të zgjidhnin një rrugëtim dramatikisht tjetër historik- larg nga Perandoria shumëkombëshe Otomane e drejt familjes kakofonike perëndimore të shteteve kombëtare evropiane. Njëqind vjet më vonë, kjo e kremte evropianizmi mund të karakterizohet, pothuajse në tërësi, si një e kremte e mospërmbushjes.
Shteti kombëtar i shpallur para njëqind vjetësh dështoi së përfshiri në të shumicën e shqiptarëve të Ballkanit. Sot pothuajse një numër i ngjashëm i shqiptarëve janë qytetarë të Shqipërisë me numrin e atyre që janë qytetarë të shteteve fqinje.
Shteti kombëtar i shpallur para njëqind vjetësh ka kaluar më shumë kohë duke eksperimentuar me modele lindore të shtetësisë (despotizmi, komunizmi) se sa me ato perëndimore (demokraci liberale), madje në një moment duke shkuar në Kinën e Maos për t’u inspiruar në hermetizëm.
Dhe shteti kombëtar i shpallur në Vlorë do të kremtojë njëqindvjetorin duke mos e arritur fazën simbolike të marrëdhënies me BE, atë të vendit kandidat për anëtarësim në Klubin Perëndimor, atë të BE-së, një përkatësi, që në kushte tjera u ëndërrua para njëqind vjetësh.
Shqipëria, për të rezumuar, nuk e ka tërësinë shqiptare, pra nuk e ka përmbushur shqiptarizmin, pastaj nuk është e përmbushur si perëndimore dhe së fundmi nuk është e përmbushur si evropiane.
Janë dy kategori shqiptarësh që janë më afër Bashkimit Evropian. Kategoria e parë janë pothuajse një e katërta e kombit shqiptar, njerëzit që sot janë rezidentë evropianë të shtrirë nga Talini në Lisbonë, nga Rodosi në Dablin, pra emigrantët.
Kategoria e dytë janë shqiptarët autoktonë të Malit të Zi dhe të Serbisë, shteteve që kanë fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe të cilat me gjasë gjatë këtij dhjetëvjetëshi do të negociojnë një pjesë të rëndësishme të obligimeve të veta për t’u bërë vende anëtare të BE-së.
Që të dy kategoritë janë minoritete. Kategoria e parë janë minoritetet e reja – njerëzit që me emigracion, rrugëve ilegale dhe legale, dhiareve të Jugut, gomoneve të Adriatikut apo duke ikur nga përndjekja e luftës, kanë vendosur që të qëndrojnë në shtetet e reja, të formojnë familjet dhe, duke u shndërruar në numër të rëndësishëm të gjenden në situatë kur mund të kërkojnë të drejta të veçanta kulturore aty ku tashmë janë të vendosur si rezidentë apo madje edhe si shtetas. Kategoria e dytë janë minoritetet tradicionale, njerëzit që u gjendën në atë situatë, ndërsa ish-republikat jugosllave shndërroheshin në vende të pavarura.
Shqiptarët më larg nga Bashkimi Evropian janë ata shqiptarë që përbëjnë shumicën në shtetet e tyre, pra Shqipëria, e edhe më larg, Kosova. Në mes të këtyre dy grupeve, që janë më afër e më larg, gjenden shqiptarët e Maqedonisë, të zënë nga demografia vetjake: në numër të mjaftueshëm për të mos qenë minoritet tradicional, në numër të pamjaftueshëm për të arritur statusin e kombit të barabartë me atë të maqedonasve etnikë.
Leksioni i vështirë për shqiptarët në shekullin XXI është se ata janë më afër Bashkimit Evropian sa më e vogël të jetë fuqia vendimmarrëse e tyre në shoqëri. Anasjelltas, sa më shumë vendosin për veten, aq janë më larg Evropës.
Një shpjegim i thjeshtësuar i këtij fenomeni do të çonte ose drejt një racizmi të pafshehur antishqiptar ose drejt vetëfshikullimit: pra, shqiptarët janë të paaftë për të krijuar një shtet, për ta administruar atë, apo në këtë rast, për ta bërë vend evropian.
Një interpretim i ngjashëm bëhej nga Slobodan Milosheviqi, president i Serbisë, e më vonë edhe i pasardhësit të tij, Vojisllav Koshtunica, kur shpjegonin se pse Kosova nuk duhet të bëhej shtet i pavarur. Sipas tyre, shqiptarët e kanë të lindur paaftësinë shtetndërtuese.
Në fakt, por nga një perspektivë tjetër, njëri prej problemeve bazike me të cilin janë ballafaquar shqiptarët në historinë e tyre është mu procesi 100- vjeçar i ushtrimeve në shtetndërtime paralele. Prej momentit kur u shfaq Shqipëria e pavarur, e njohur në kufijtë e tanishëm, po ashtu u shfaq një problem fondamental. Gati gjysma e kombit shqiptar mbeti jashtë atij procesi të shtetndërtimit dhe u dërgua në procese të tjera që për fat të keq patën cilësinë e një theqafjeje. Për shqiptarët e Kosovës kjo do të thoshte një proces të dhimbshëm të shtetndërtimit të filluar në Jugosllavinë mbretërore (1918-1941) në cilësinë e një minoriteti të panjohur (në regjistrimin e parë shqiptarët u regjistruan si muhamedanë) që do të përfundojë, pothuajse një shekull pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Fati i shqiptarëve të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Maqedonisë ishte i afërt me përvojën e bashkëkombësve nga Kosova, por filloi të ndahet në formë substanciale pas vitit 1968. Dhe, pastaj, me zhbërjen e Jugosllavisë, në çdonjërën prej republikave, tashmë shtete të pavarura, u ndërtua një identitet dhe paketë e veçantë të drejtash për shqiptarët.
Rrjedhimisht, shqiptarët kanë marrë pjesë, në njëqind vjetët e fundit, si subjekt apo objekt, në së paku pesë procese shtetndërtimi (me dallimet e tyre administrative e politike, por dhe ideologjike). Ky proces ende nuk ka përfunduar, në rastin e Kosovës dhe në një masë në Maqedoni.
Asnjë zhvillim historik i kësaj natyre, përpjesëtimisht, është i krahasueshëm në Ballkan. Dhe krahasimi më i afërt në Evropë do të ishte ai i kombit gjerman, i cili është mbi dhjetë herë më i madh dhe më shumë se një shekull përpara në zhvillim.
Procesi i shpërndarë i shtetndërtimit nuk e ka lënë vetëm Shqipërinë të pakompletuar. Në forma të tjera kanë mbetur të pakompletuara dy shtete të tjera, me dallimet e tyre gjegjëse.
Republika e Maqedonisë është dashur të kalojë nëpër një proces të vështirë shtetndërtimi si vend i pavarur, vetëm për të gjetur se ende ka një problem fondamental me njërin prej fqinjëve të saj, Greqinë, e nëpërmjet këtij problemi edhe me identitetin si shtet kombëtar. Greqia ka penguar në formë të suksesshme anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e procesit të negociatave për aderimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, duke mos e pranuar emrin kushtetues të vendit, dhe ç’është më brengosëse, duke mos e pranuar identitetin e shumicës së popullatës së vendit si maqedonas etnikë.
Ky moskompletim i identitetit perëndimor të vendit ka pasur një pasojë të dyfishtë negative te vendi.
Nga njëra anë e ka ushqyer edhe më lëvizjen populliste, që është e identifikuar me partinë në pushtet (VMRO-DPMNE), e që është përqendruar në ndërtimin e identitetit evropian nëpërmjet të një pothuaj parku zbavitës me temë adoptimin e Aleksandrit të Madh dhe Maqedonisë antike.
Nga ana tjetër, ka krijuar vendnumërim në aspiratat perëndimore të vendit: një Maqedoni e paralizuar është duke e humbur edhe më tutje teksturën sociale ndëretnike që e mban vendin bashkë. Sot, më shumë maqedonas se më parë janë të përqendruar në aventurat e Aleksandrit të Madh, e më shumë shqiptarë të Maqedonisë se më parë janë të përqendruar në idetë e islamit politik, përfshirë edhe kuptimin se të jesh pjesë e “kombit të madh islamik” do të thotë të mos jesh pjesë e etnikumit tënd. Sot në Maqedoni po zhvillohet një garë për identitete alternative: një pjesë e maqedonasve duke e kërkuar në antikitet, një pjesë e shqiptarëve duke e kërkuar në islamin, në atë që nuk bën pjesë në traditën shqiptare.
Por, shkalla e moskompletimit shtetëror ka një natyrë shumë më drastike në Kosovë, një shtet disfunksional, me 20 për qind të territorit të vet të pakontrolluar nga institucionet e vendit. Një moskompletim i identitetit tokësor shoqërohet me problemin e legjitimitetit të vet ndërkombëtar, duke qenë shtet i njohur nga 91 vende, mes të cilave janë edhe fuqitë më të mëdha perëndimore, por jo prej vendeve të tjera të OKB-së, dhe me rëndësi, të atyre që janë në Këshillin e Sigurimit si Rusia dhe Kina, që do të bllokonin anëtarësimin e Kosovës në OKB. Pastaj, legjitimiteti evropian i Kosovës është i bllokuar nga pesë prej 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pra rrjedhimisht nuk e njohin vendin as si partner kontraktual të Bashkimit Evropian.
Shqiptarët nuk janë të vetmuar në ushtrimin e shtetësisë së pakompletuar. Ata janë bukur të ndërlidhur me dy projekte të hapura të shtetndërtimit serb. Bosnja dhe Hercegovina është një shtet disfunksional, i cili nuk ka legjitimitet kushtetues të vetin dhe i cili udhëhiqet pak a shumë me një marrëveshje ndërprerjesh të luftimeve të arritur në Dayton, Ohio më 1995. Brenda kësaj marrëveshje qe arritur Kushtetuta që legjitimoi një krijesë të pastrimit etnik, Republikën Serbe, një entitet me të drejtë vetoje brenda Bosnje e Hercegovinës.
Republika Serbe, duke funksionuar si entitet i veçantë në një shtet disfunksional, është duke e mbajtur të hapur procesin serb të shtetndërtimit. Të njëjtën gjë po e bën edhe veriu i Kosovës, apo thënë më mirë, politikat serbe në Kosovë, të cilat duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës po e bëjnë të paqartë çështjen e kufijve të shtetit të Serbisë.
Serbia është shtet i papërmbushur, së bashku me Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën. Për më tepër, duke i mbajtur të hapura opsionet e ndarjes në Bosnje dhe Kosovë, procesi shtetndërtues serb nuk është duke e përjashtuar irredentizmin, një precedencë që do të shtynte përqendrimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës dhe Maqedonia.
Pasojat e kësaj politike janë të dyfishta. Nga njëra anë ajo shërben për të paralizuar rritjen e institucioneve demokratike të shtetit, siç është rasti me Bosnjën e Kosovën, apo të ushtrojnë presion të përhershëm mbi shtetet si Maqedonia me një “skenar kiameti” që i rri mbi kokë shtetit. Nga ana tjetër, ajo shërben për të krijuar një diskrepancë edhe më të madhe mes Serbisë dhe restos tjetër të “shteteve të pakompletuara”. Serbia, përkundër pengimit të hapët të funksionimit të Kosovës, pengimit të Misionit të BE-së në Kosovë si dhe të mospërkrahjes për një Bosnje e Hercegovinë më të integruar, ka fituar statusin e kandidatit për vend anëtar të BE-së. Pra, ndërsa shqiptarët nuk janë të vetmuar në ushtrimin e shtetësisë së pakompletuar, ata janë në situatë krejt tjetër prej Serbisë, ngase kjo e fundit favorizohet nga BE-ja për shkak të pozitës së saj pivotale gjeopolitike.
Nëse para njëqind vjetësh çështja për udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë ishte si të kihet një shtet që është shqiptar, perëndimor, prandaj dhe evropian – e në këta njëqind vjet asnjëri prej objektivave nuk është arritur – a janë ende të gjalla këto aspirata?
Objektivi i parë ka ndryshuar, e me të janë duke u riformuluar edhe të tjerët. Dështimi për të krijuar një shtet shqiptar që do të përfshijë në të shumicën dërmuese të shqiptarëve tashmë ka krijuar një proces shtetndërtimi të shpërndarë për kombin shqiptar, tashmë me një rezultat të prekshëm të pesë shteteve ku shqiptarët me prezencë të ndryshme demografike dhe përpjesëtim të peshës politike kanë të drejtën e identitetit të tyre etnik.
Ndjekja e një objektivi për korrigjimin e gabimeve të njëqind vjetëve të fundit, për të formuar një Shqipëri me shumicë të shqiptarëve në Ballkan, do të ishte një ndërmarrje gjigante për kombin shqiptar. Ky objektiv do të nënkuptonte tri procese bazike. Njëri, ai i ndryshimit të kufijve, me ose pa dhunë, të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Së dyti, do të nënkuptonte absorbimin dhe tretjen e Kosovës së sotme në Shqipërinë e re. Së treti, krijimin e një kapaciteti administrativ dhe ekonomik për ta bërë vendin më funksional se ç’është tani.
Asnjëri prej këtyre proceseve nuk mund të udhëhiqet nga demografia e tanishme politike. Shqipëria si vend nuk ka potencial të mjaftueshëm demografik, politik, ekonomik e as ushtarak për të integruar në të territore apo popullata të reja. Shqipëria është (mezi) ende në fazën e konsolidimit të institucioneve të veta, pas kolapsit shtetëror më 1997, duke dështuar vit pas viti, kohëve të fundit, për të përmbushur kriteret bazike të Kopenhagës të një demokracie funksionale. Për më tepër, një qasje e këtillë e Shqipërisë do të vinte në pyetje të vetmen arritje të rëndësishme që ka bërë drejt identitetit të vet perëndimor, anëtarësisë në NATO.
Kombi policentrik shqiptar i ka adresuar instinktivisht objektivat e veta, i detyruar fillimisht nga çintegrimi i ish-Jugosllavisë. Udhëheqja shqiptare e asaj kohe në ish-Jugosllavi vendosi të organizojë një politikë të shtetndërtimit të shpërndarë (pavarësi për Kosovën, status kombi shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, status special për shqiptarët e Serbisë dhe të Malit të Zi). Pjesë e kësaj politike ishte nënkuptimi gjatë këtyre dy dhjetëvjetëshave të fundit se shqiptarët do të bashkohen në Evropën e bashkuar. Çështja e integrimit evropian për shqiptarët pra është shndërruar në çështje të tejkalimit të deficitit fillestar të shtetit të Shqipërisë- BE-ja duhet të shndërrohet për shqiptarët atë çka Shqipëria nuk arriti në 100 vjetët e kaluar.
Por, atë që shqiptarët e kuptojnë tash është se rruga e komunikimit ndërshqiptar nëpërmjet projektit të unifikimit të Evropës është shumë më e ndërlikuar. Rruga drejt një realiteti të tillë është e gjatë, përfshin reforma, dhe në fakt është një finalizim i një procesi shtetndërtues – një shtet që është në paqe me veten dhe me fqinjët e vet, aq efikas institucionalisht sa të jetë pjesë e BE-së. Për më tepër, kjo rrugë çon nga objektivi i anëtarësimit në BE, një organizëm në ndryshim të përhershëm, një që ka një ardhmëri përherë të pasigurt, i definuar si “projekt në ndërtim e sipër”.
Nëse do të mund të simbolizohet shtetndërtimi me termet kompjuterike atëherë shqiptarët janë të zënë me dy sfida. Një, ndërtimi i “hardware” (pra komponentëve materialë), që do të thotë ende me definimin e çështjes së sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Dy, ndërtimi i “software”, pra krijimin e një programi operativ (administrimin, kulturën etj.) në transformime strukturore që do t’i bënin të gatshëm për anëtarësim në BE.
Për më tepër, nëse do të mund të përdornim simbole të tjera, shqiptarët janë të zënë në definimin e dyfishtë të kufijve të vet. Së pari, me definimin e kufijve të etnicitetit (Kosova me çështjen e veriut të vendit të vet, të banuar nga minoriteti serb) dhe së dyti me definimin e kufijve të identitetit të vet, pra kalimin e urës drejt identitetit të vet perëndimor.
Shqiptarët, kështu, janë të zënë me “mallkimin e Mollës së Kuqe”, kufirit proverbial të cilin e kishin një natë para Kongresit të Berlinit dhe i cili që prej atëherë ende nuk është gjetur.
Molla e Kuqe sot merr një dimension të paqëndrueshmërisë çfarë e kishte gati edhe para 150 vjetësh, ngase fakti se shqiptarët janë të përkushtuar drejt bashkimit të tyre brenda Bashkimit Evropian, apo se janë shoqëritë më proamerikane dhe proevropiane në Evropën e sotme , nuk do të thotë se është e garantuar rruga drejt identitetit të tyre evropian, pra perëndimor.
(Ka kush thotë se identiteti perëndimor dhe ai i BE-së nuk shkojnë detyrimisht bashkë, dhe do të marrin shembull zviceranët apo norvegjezët, por harrojnë se asnjëri prej këtyre vendeve a kombeve nuk e ka pasur të kontestuar identitetin e vet evropian, pra edhe perëndimor, siç e kanë pasur shqiptarët, dhe se kthimi nga identiteti i vet perëndimor duhet të vuloset me atë evropian).
Shqiptarët, duke jetuar në lagjen ballkanike të “shteteve të pakompletuara”, e me Serbinë në avantazh të dhënë integrues në BE, do të jenë pjesë e atyre që do të mbesin prapa gjatë këtij dhjetëvjetëshi karshi integrimeve evropiane. Koincendentalisht apo jo, shqiptarët në shumicën e tyre, në Shqipëri e Kosovë do të jenë në të njëjtin klub stagnues me Bosnje e Hercegovinën dhe, me gjasë, me Maqedoninë – një hapësirë me shumicë religjioze a kulturore myslimane që përmban shtete disfunksionale apo problem identiteti, apo që të dyja së bashku.
Në këso situate, shqiptarët do të ballafaqohen me tri lloji të presionit të Lindjes. Së pari nga ekspansioni ekonomik i Turqisë, i cili i sheh tregjet e Ballkanit Perëndimor si habitat natyral, një ekspansion që është shumë më intensiv se cilado ekonomi (në tkurrje) perëndimore. Së dyti, nga një politikë e jashtme neotomane turke, që e sheh hapësirën e Perandorisë së saj si një habitat natyror, një formë e vulosjes së simbolit të një Turqie të fortë të shekullit XXI. Dhe, së treti, nga ana e islamit politik, i cili tashmë po bën depërtimet e veta, në veçanti në Maqedoni, duke u përpjekur që të zbehë identitetin kombëtar shqiptar në favor të atij fetar.
Dikush mund të thotë se një sforcim i këtillë lindor mund të ketë pak ndikim në orientimin strategjik të shqiptarëve, por një analizë më e hollësishme do të tregojë se kombinimi i një perspektive të mjegullt evropiane, shtetësisë së pakompletuar dhe një presioni të fortë ekonomik, politik dhe religjioz lindor, mund të shërbejnë si një shkarje historike.
Shqipëria ka një sistem hibrid me institucione demokratike jo tërësisht funksionale të shoqëruara nga tendencat autoritare të elitave në pushtet dhe një shkarje e këtillë historike mund të shërbejë si një pauzë në reforma si dhe vetarsyetim për një këso pauze (“ne duam rritje ekonomike si Turqia, jo reforma si vendet e BE-së). Një shprehje e këtillë po fiton influencë t enjë pjesë e elitave të Shqipërisë, posaçërisht si përgjigje ndaj një Bashkimi Evropian që po e përjeton krizën e vet (të radhës), por tashmë me seriozitetin e ekzistencës së monedhës së përbashkët euro. Për Kosovën dhe elitat e saj që duan të kopjojnë këto të Shqipërisë, posaçërisht aspektet jodemokratike të sjelljes së tyre, kjo do të ishte vetëm vazhdim i një rruge antievropiane. Dhe, për Maqedoninë, një shkarje historike do ta çonte peshoren shqiptare më larg kombëtares e më afër fetares.
Për ata në BE që për një arsye a tjetrën duan të kenë një pauzë më të gjatë në anëtarësimin e shteteve të reja, një shkarje e tillë do të ishte e mirëpritur.
Për shqiptarët në tërësi, kjo do të ishte një shkarje që do t’i ndryshonte objektivat historike, dhe do t’i përfshinte në një skemë gjeopolitike për të cilën shqiptarët janë më së paku të interesuar apo të përgjegjshëm: debatin nëse Turqia, e cila do ta ketë 100-vjetorin e Republikës së vet të themeluar më 1923 është një shtet europerëndimor apo i përket Lindjes? Kjo do të ndodhë ngase nëpërmjet të fazës së tanishme të stagnimit në integrim, shqiptarët do të puqen me çështjen simbolike të integrimit të Turqisë, në njëqindvjetorin e shtetit të Ataturkut,
Herën e fundit që shqiptarët ishin pjesë e një debati të këtillë doktrinar ishte para një mijë vjetësh, gjatë Skizmës së madhe që e ndau dysh krishterimin. Shqiptarët nuk ishin shumë të vëmendshëm se çka po ndodhte, vetëm për të marrë vesh se kisha e tyre u nda dysh dhe se ata do të duhej t’i përjetonin konsekuencat e vendimeve të tjetërkujt.
Në një kontekst shumë më të vogël historik, debati lidhur me atë se a është Turqia apo jo shtet evropian nuk u hyn fare në punë shqiptarëve. Por, mund t’i ndiejnë pasojat e këtij debati nëse nuk i kanë në duar dizginat për procesin vetjak të integrimit evropian.
Është strategjikisht e rëndësishme për shqiptarët që të kthehen në kontekstin e shekullit të ri, te elementet bazike të vendimeve të para 100 vjetëve. Vendimi i thellë historik për të qenë shqiptar, evropian dhe perëndimor duhet të rivizitohet sot. Dhe, siç shpjeguam më lart, shqiptarizmi në njëzet vjetët e fundit është përshkruar strategjikisht si bashkim brenda Evropës së bashkuar, pra një projekt evropian.
Nëse ky konstatim është i vërtetë, atëherë çështja e integrimit evropian të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë shndërrohen në objektiva kombëtare të shqiptarëve duke qenë njëkohësisht pjesë e projektit të bashkimit të Evropës.
Por, a është e vërtetë kjo për elitat e BE-së dhe ato shqiptare? A mendojnë me të vërtetë në këtë mënyrë?
Nëse gjykojmë nga sjelljet, ekziston një konsensus i pashprehur me fjalë se hapësira shqiptare nuk është e gatshme ende për të qenë evropiane.
Në BE ekziston pak a shumë konsensusi se Shqipëria është një shtet hibrid, duke mos i qenë i gatshëm për status kandidati meqë është një kombinim i demokracisë zgjedhore e autokracisë, me institucione të kontrolluara në formë jodemokratike (pra një shtet pjesërisht i lirë me terminologjinë e Freedom House). Ekziston konsensusi brenda BE-së lidhur me faktin elementar se nuk ekziston një qëndrim i unifikuar rreth pavarësisë së Kosovës. Dhe ekziston konsensus brenda BE-së se Republika e Maqedonisë nuk është ndonjë çështje që ia vlen për të unifikuar qëndrimet dhe për t’i ndihmuar vendit të ecën përpara në integrime.
Shkurt, ekziston konsensus në Evropë se kjo hapësirë karakterizohet nga statu-quoja, madje duke e trajtuar statu-quonë si një çështje pozitive marrë parasysh çintegrimin e Shqipërisë më 1997, luftën në Kosovë 1998-1999 dhe luftën në Maqedoni më 2001. Një përshkrim i këtillë mund t’u konvenojë edhe elitave në këtë hapësirë po ashtu ngase nuk ekziston trysnia për reforma.
Në Shqipëri, shteti mund të përshkruhet si demokraci, por siç ma tha një zë i pavarur, është një demokraci ku vriten demonstruesit, ku votat nuk numërohen dhe ku gjykatat kontrollohen nga pushteti politik, kriminelët, paraja apo që të gjitha së bashku. Fokusi i qeverisë nuk është te reforma; është si t’u bëhet bisht kërkesave evropiane për reformë.
Në Kosovë, një elitë e bazuar në vjedhjen e organizuar dhe masive të votës e ka zaptuar vendin, tërë funksionet e saj publike me një stil të krimit të organizuar dhe është duke qeverisur vendin duke shpenzuar centin e fundit të parasë publike në projekte të dyshimta apo të korruptuara, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare që kërkon vetëm stabilitet bazik, në mënyrë që ta arsyetojë praninë e vet aty. Elitat qeverisëse janë të përqendruara, karshi Evropës, të fitojnë liberalizimin e vizave, një ngjarje që do të kishte efektin e madh të ventilit social, duke i krijuar kushte një vale të rinjsh kosovarë të gjejnë vende, qoftë edhe të përkohshme pune, në vendet e BE-së. Me këtë, elitat qeverisëse besojnë në vazhdimin e pushtetit.
Në Maqedoni vendi është duke u shtyrë thellë e më thellë drejt stagnimit të vet, duke e krijuar një mekanizëm vetëpërmbajtës për qeverinë- e cila është furnizuesja kryesuese e vendeve të punës- në mënyrë që të ketë më shumë stagnim.
Shqiptarët janë të zënë në rrethin vicioz të stagnimit: në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, elitat politike nuk janë duke bërë hapa vendimtarë drejt integrimit në BE, sepse duke mos i bërë këta hapa e vazhdojnë pushtetin e vet (politik dhe ekonomik).
Bashkimi Evropian ndihmon në këtë rreth vicioz duke mos krijuar presionstimulim të mjaftueshëm për ndryshim në ato vende. Dhe këtë nuk e bën, sepse është zënë gjithnjë e më shumë në brendavështrim; procesi i zgjerimit nuk është as afër prioriteteve të veta.
Njëqind vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët janë përsëri duke debatuar rreth shtetësisë. Ndonëse në masën më të madhe jo aq rreth kufijve e flamurit (ndonëse për disa sish, siç është rasti i Kosovës, ky debat ende vazhdon) sa rreth funksionalitetit të shtetit, përbërjes së tij demokratike-shkurt, cilësisë së shtetit. Apo thënë më mirë, të shteteve, ngase siç kanë kuptuar pas 100 vjetësh, do të jetojnë si popull autokton në më shumë se një shtet. Por, nëse e kanë ardhmërinë evropiane si përparësi kombëtare, shqiptarët do të duhej të ishin transformatorët fillestarë, subjektet e ndryshimeve dhe duhet të japin ide për politika të reja.
Në Maqedoni, stagnimi me çështjen e emrit i ka paralizuar seriozisht aspiratat perëndimore të vendit. Shteti ka kapacitet më të madh për transformimin e institucioneve të veta, shumë më të mëdha se regjioni. Por, njëkohësisht është i zënë në politikë identitetesh, që e shpijnë në regresion. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të zhvillojnë një pozicion të përbashkët mes tyre. Tri çështje për këtë pozicion do të ishin:
a) Kushtëzimi i pjesëmarrjes së shqiptarëve në qeverisje me integrime në NATO dhe BE,
b) Pjesëmarrja konsensuale e shqiptarëve dhe maqedonasve në zgjidhjen e çështjes së emrit, brenda një afati të vetëvendosur të kohës,
c) Rivlerësim të Marrëveshjes së Ohrit, me përkrahje të garantuesve të Marrëveshjes, për të përmbushur të gjitha çështjet e hapura.
Bashkimi Evropian mund të ndihmojë në këtë iniciativë, duke zhvilluar një politikë që do të inkurajojë Maqedoninë me stimuls, nga njëra anë e nga ana tjetër duke e ngrehur çështjen e Maqedonisë si çështje prioritare në debatin e vendeve anëtare me Greqinë.
Në Shqipëri dështimi i përmbushjes së 12 kërkesave të BE-së të nevojshme për të arritur statusin e vendit kandidat do të thotë nevoja për një politikë të hartuar brenda vendit, brenda BE-së dhe SHBA-së për të trajtuar një autokraci, një shtet hibrid që anon kah autokracia. Kjo do të thotë zhvillim të politikave që do të inspirohen nga lëvizjet për ndërrimin e elitave, ngjashëm si ato me Sllovakinë e Meqjarit apo Kroacinë e Tugjmanit.
Dhe, sado të duket vështirë për Shqipërinë, gjendja është shumë e ndërlikuar në Kosovë, ku nevojitet një politikë e dyfishtë. Në njërën anë, Kosova është peng i Serbisë sa u përket aspiratave të veta evropiane, ndërsa nga ana tjetër është peng i elitave të veta të kriminalizuara që janë në pushtet.
Binari i parë politik për Kosovën është i ngjashëm me atë të Shqipërisë. Qeveria e Kosovës është e mbështetur mbi vjedhjen zgjedhore dhe zaptimin e shtetit, dhe binari i parë i politikës së re ndaj Kosovës duhet të adresojë urgjentisht format e ndryshimeve me zgjedhje, duke vendosur standarde bazike demokratike.
Binari i dytë është ai i cili duhet të përmbyllë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Evropian nuk e ka arritur me ndërmjetësimin në “dialogun” mes Prishtinës dhe Beogradit vitin e kaluar. Duhet të kihet një proces negociator që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa vënien e njohjes së ndërsjellë si parakusht.
Problemi i kësaj politike ndaj Kosovës mund të bëhet edhe më i vështirë, ngase të dy binarët janë shumë larg të qenit bashkërenditës: një proces i mirë negociator me Serbinë kërkon një autoritet me mandat të qartë demokratik në Prishtinë, një autoritet i cili nuk mund të shantazhohet siç bëhet me autoritetin e kriminalizuar që është në pushtet sot. Në të njëjtën kohë, përmbyllja me Serbinë është thelbësor për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, madje si parakusht për një marrëdhënie më dinamike, kontraktuale me BE-në.
Rruga përpara nuk është krejtësisht e qartë për shqiptarët.
Nuk është e qartë, sepse fillimisht në vendet e tyre, për një apo tjetër arsye, elitat nuk kanë përcaktim të qartë transformimi të shoqërive të tyre në shoqëri evropiane.
Nuk është e qartë, sepse as fqinjët nuk janë gjithaq të qartë, e në radhë të pare këtu kemi të bëjmë me hapësirën e “shteteve të pakompletuara” që diktohet nga Serbia.
Dhe nuk është e qartë, sepse as vetë Evropa nuk e ka qartësinë e ardhmërisë së saj.
Kjo paqartësi e trefishtë mund të jetë tunduese për zgjidhje për shqiptarët jashtë strategjisë së bashkimit në Evropë; madje edhe mund të imponohet nëse Bosnja e Hercegovina e konfirmon zhbërjen e vet territoriale për të filluar një proces ripërkufizimi në Ballkanin Perëndimor.
Por, kjo nuk është dilemë e re. Para njëqind vjetësh, ndonëse në kontekst krejt tjetër historik, paqartësitë ishin të ngjashme. Elitat shqiptare nuk ishin krejtësisht të qarta se kur dhe si do ta bëjnë vendin e tyre të pavarur dhe kah do të anojë ky vend i pavarur.
Fqinjët ishin krejtësisht të paqartë, gjegjësisht, në vend të qartësisë së formimit të shtetit kombëtar, ata ishin nisur në gllabërim territoresh e popujsh të huaj, në radhë të parë shqiptarë.
Dhe, Evropa nuk ishte fare e qartë as me veten e as me të tjerët.
Mësimi i para njëqind vjetësh ishte se përkundër të gjitha paqartësive duhej bërë një përcaktim historik, ai ishte për formimin e një Shqipërie, pjesë e familjes evropiane.
Njëqind vjet pas, dhe përkundër të gjithat paqartësive, përcaktimi historik i Vlorës mbetet pothuajse i njëjtë, qoftë edhe i riformuluar në nevojën e projektimit të hapësirës evropiane ku jetojnë shqiptarët autoktonë.
Si gjithmone inteligjent e antikomformist e me nje bagazh te plote njohurish rreth temes ,ndryshe nga shumica qe shkruajne pa pike njohurie,me vjen keq megjithate se jam i sigurt qe shume pak do ta lexojne artikullin deri ne fund ,jemi nje komb qe nuk mund ti gelltisim keto lloj te vertetash.
GJithmone ka qene ne subkoshiencen e banoreve te kesaj zone origjina nga perandoria osmane me gjithe mishmashin qe la ajo.
Ndjej nevojen per sqarime ndaj kesaj teme.
*******************************************************
Pa varesisht se shkrimi i Z.V.Surroi ka nota pesimiste per shqiptaret problemet qe ai ngre ketu kerkojne nje pergjigje te sakte,akademike pregatitur nga intelektuale te fushave perkatese sepse mendoj qe edhe mjaft politikane jane te pa qarte per ato c’ka shkruan Z.Surroi.Kjo per faktin se politikanet e Shqiperise s’kane shume kohe tu futen problemeve qe ngre ky shkrim,natyrisht jo te gjithe.
Une jam shume i intresuar te di sakte cilat jane tokat ku jetojne sot shqiptaret autoktone?
Cilat jane pakicat tona ne Shqiperi qe s’quhen autoktone? Ku mundet, ne ke liber, ti lexoj keto dy pyetje saktesisht?
Aq sa ndjek une median mendoj se Aleanca Kuq e Zi eshte me e prirur per teorine dhe praktiken e ceshtjeve qe ngre ketu Z.Surroi.
Germo Tare germo se aty do te gjesh qenin e ngordhur. Po!. Te germoni historine dhe te shkruani te verteten. Te cliroheni nga egoizmi dhe injoranca do ta kuptoni qarte rrugen e ndricuar. Do te gjeni gjysherit dhe stergjysherit. Shqiptaret autoktone ishin greke te vertete deri ne fund te Bizantit. Me zhvillimin e islamit dhe me pushtimin Osman ose turk, nje pjese u islamizua dhe pjesa tjeter u tjetersua vetem per nga gjuha duke e shnderuar ne grekoturke. Shekujt e sketeres te pushtimit turk kane bere te tyren. U tjetersuat nga stergjysherit. Nje pjese neoturqve ka ngelur ne keto vende si egzemplare qe sot kane rrokur fort flamurin e islamit dhe refuzojne identitetin kombetar jo per gje tjeter por thjesht ndihen turq per nga trashegimia e prinderve dhe gjysherve. Kjo shihet dhe ne gjuhen e folur. Intiligjenca sotme e perparuar shqiptare ftohet nga koha dhe duhet te zgjidhe dilemen : i perkasim trashegimise greke apo turke? Kjo do bindje, argumenta dhe te verteta dhe jo perralla me mbreter.