Berisha apo Rama kryeministër? Cilido qoftë, mes Shilës dhe Karibdës do të lundrojë…

28 Qershor 2012, 18:42Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Në mendimin modern ekonomik, kanë konkurruar dy shkolla të kundërta rreth rolit të shtetit në zbutjen e cikleve të ekonomisë së tregut – ajo fiskale dhe ajo monetare. Nobelisti John Maynard Keynes ishte themeluesi i shkollës së mendimit ekonomik që i sheh politikat fiskale si instrumentin kryesor të ndërhyrjes së shtetit në rastet kur rritja ekonomike frenohet dhe hapja e vendeve të reja të punës vështirësohet. Ndërsa nobelisti Milton Friedman ishte themeluesi i shkollës së mendimit ekonomik që këtë rol ia njeh politikave monetare. Deri më sot, në përgjithësi, qeveritë e majta në botën demokratike kanë përqafuar shkollën kejnsiane, ndërsa të djathtat kanë përqafuar atë fridmaniane.

Kështu për shembull, Presidenti Ruzvelt, një nga dishepujt e zjarrtë të shkollës kejnsiane, rriti ndjeshëm borxhin publik të SHBA-së dhe i përdori fondet e grumbulluara për investime në infrastrukturë, duke ulur kështu papunësinë e lartë të shkaktuar nga depresioni i fortë ekonomik i viteve 1929-33.

Ndërsa presidenti Regan, një dishepull i zjarrtë i shkollës fridmaniane, emëroi një guvernator të bankës qendrore, i cili ndërhyri fort në ofertën e parasë në qarkullim, duke ulur inflacionin vjetor nga 13% në 4% brenda një katërvjeçari. Ndërkohë, Regani uli taksat ndaj individëve dhe bizneseve, duke pakësuar kështu mundësinë e buxhetit federal për ndërhyrje fiskale në ekonomi dhe duke ia lënë bankës qendrore shkopin e dirigjentit ekonomik.

Pas kësaj hyrjeje të shkurtër rreth shkollave mbi rolin e shtetit në zbutjen e cikleve të ekonomisë së tregut, le të vijmë tek ekonomia aktuale shqiptare.

Pas një viti, gjasat janë të mëdha që Berisha ose Rama të jetë kryeministër i vendit. Por, pavarësisht nëse kryeminstër do të jetë Berisha apo Rama, pavarësisht nëse kryeministri do të jetë i majtë apo i djathtë, pavarësisht nëse do të jetë partizan i shkollës kejnsiane apo asaj fridmaniane, atij do t’i duhet të lundrojë mes një Shile dhe Karibde ekonomike. Dhe ja përse.

Bazuar në të dhënat më të fundit të faqes së internetit të CIA-s për Shqipërinë dhe të raportit të The Economist Intelligence Unit, mund të llogaritet se në vendin tonë konsumohen brenda një viti mallra e shërbime të ofruara nga privatët dhe shteti me vlerë rreth 11.5 miliardë dollarë (shteti dhe organizata bamirësie private ofrojnë disa shërbime e mallra falas, por sidoqoftë edhe ato e kanë koston e tyre). Në vlerën e mallrave/shërbimeve që konsumohen në Shqipëri, është e trupëzuar vlera prej 3.4 miliardë dollarë e mallrave/shërbimeve që importohen, ndërkohë që trupëzohen edhe rreth 1.2 miliardë dollarë në formën e konsumimit të makinerive dhe mjeteve të importuara. Me fjalë të tjera, për çdo 100 dollarë mallra e shërbime të konsumuara në Shqipëri, rreth 40 dollarë shkojnë jashtë vendit për të mbuluar vlerën e importeve të trupëzuara në to.

Për ta bërë paragrafin e mësipërm më të kuptueshëm për lexuesin, le të sjellim disa shembuj.

Sa herë blejmë një bukë në dyqanin pranë shtëpisë, më shumë se gjysma e 800-lekëshit që paguajmë shkon për të mbuluar importimin e grurit dhe konsumimin e makinerive, automjeteve, karburantit e materialeve të tjera të importuara që nevojiten për prodhimin dhe transportimin e miellit dhe, më pas, të bukës. Ndërsa kur blejmë domate të prodhuara në sera diku në Myzeqe, rreth 40% e çmimit mbulon konsumimin e impianteve, automjeteve, karburantit, e materialeve të tjera të importuara që nevojiten për prodhimin dhe transportimin e tyre. Për të mos folur pastaj për cigaret apo mallrat elektronike, në çmimin e të cilave importi është trupëzuar në nivelin mbi 75%.

Por si ia kemi dalë ne që të dërgojmë jashtë Shqipërisë 40 dollarë për çdo 100 dollarë mallra dhe shërbime të konsumuara në vend?

Së pari, ky deficit është mbuluar nëpërmjet eksporteve të mallrave e shërbimeve shqiptare, të cilat kapin shifrën e 1.6 miliard dollarëve në vit. Së dyti, nëpërmjet dërgesave të emigrantëve, të cilat, kohët e fundit, mezi arrijnë nivelin e rreth 1 miliard dollarëve në vit. Së treti, nëpërmjet ndihmave dhe kredive të huaja që merr shteti dhe privatët shqiptarë, të cilat janë në nivelin 0.8 miliardë dollarë në vit. Së katërti, nëpërmjet investimeve të huaja direkte, që kapin shifrën e 0.4 miliardë dollarëve në vit.

Po t’i mbledhim së bashku këto burime, bëjnë rreth 3.8 miliardë dollarë. Pra, mbeten edhe 0.8 miliardë për të mbuluar 4.6 miliardë dollarët e importit të trupëzuar në vlerën e mallrave dhe shërbimeve që konsumohen çdo vit në vend. Dhe ku gjenden këto 0.8 miliardë dollarë? Duhet të jenë paratë e trafiqeve ilegale dhe paratë e pista që futen në Shqipëri…

Duke parë listën e burimeve të financimit të deficitit tonë tregtar, mund të thuhet se dy syresh kanë pasur prirje zbritëse kohët e fundit. Së pari, dërgesat e emigrantëve janë vazhdimisht në ulje, për shkak të krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet ku punojnë shumica dërrmuese e tyre, si dhe për shkak të shkëputjes graduale të lidhjeve me vendin e origjinës. Së dyti, paratë e trafiqeve ilegale dhe paratë e pista nga jashtë janë vazhdimisht në ulje, për shkak të trysnisë që ushtrojnë fqinjët tanë europianë ndaj qeverisë për t’i luftuar ato.

Në këto kushte, Shqipërisë i duhet të adoptojë një politikë që do të stimulonte zëvendësimin e mallrave të importit me prodhime vendëse, si dhe rritjen e eksporteve. Kjo gjë, përveç ndikimit në zbutjen e deficitit tregtar, do të ndikonte edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, në kushtet kur ndërtimi dhe industritë e lidhura me të kanë pushuar së qeni lokomotiva e ekonomisë shqiptare.

Por stimulimi i prodhimeve vendëse (për konsum të brendshëm dhe eksport) kërkon ose ndërhyrje fiskale, ose ndërhyrje monetare, ose të dyja.

Në ndërhyrjet fiskale përfshihen subvencionet, investimet e drejtpërdrejta të qeverisë në infrastrukturë dhe/ose mjete prodhuese, lehtësirat tatimore, tarifat doganore, etj. Por qeveria shqiptare ka disa pengesa financiare dhe institucionale për t’i realizuar ndërhyrje të tilla.

Së pari, niveli i borxhit publik është i tillë që nuk i jep luksin qeverisë të përdorë buxhetin e saj për të stimuluar prodhimin vendës. Sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, niveli i borxhit publik të Shqipërisë duhet të jetë në kufijtë 40%-50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që ai ka arritur pothuaj në nivelin 60%.

Së dyti, marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), Bashkimin Europian (BE), etj. e kufizojnë mundësinë e qeverisë për të manovruar me tarifat doganore të mallrave të importuara apo me subvencionet e eksporteve.

Në ndërhyrjet monetare përfshihen ulja e normës bazë të interesit dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e bankës qendrore në tregun e bonove të thesarit. Këto ndërhyrje kanë si rezultante rritjen e lekëve në qarkullim dhe zhvlerësimin e lekut ndaj valutave kryesore. Nga ana e vet, një lek i zhvlerësuar ul koston e punës së prodhimit vendës (për konsum apo eksport), meqë rrogat paguhen në lekë. Pra, prodhimi vendas mund të konkurrojë me atë të huaj, si në tregun vendës dhe atë të eksportit.

Por ndërhyrje të tilla monetare nuk janë pa kosto. Zhvlerësimi i lekut ndaj valutave kryesore do të rriste çmimet e mallrave që sot vijnë nga importi. Dhe kjo do të godiste rëndë konsumatorët me të ardhura të pakta, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë. Me fjalë të tjera, derisa prodhimi vendës të zëvendësojë shumë nga mallrat e importit (Zoti e di për sa vjet), shumë shqiptarëve do t’u duhet ta shtrëngojnë rripin fort. Ndërkohë, qeverisë do t’i duhet të shlyejë borxhin që ka në euro me lekë që kanë një kurs më të dobët shkëmbimi.

Me pak fjalë, mund të thuhet se, pavarësisht nëse kryeministër do të jetë Berisha apo Rama, pavarësisht nëse kryeministri do të jetë i majtë apo i djathtë, pavarësisht nëse do të jetë partizan i shkollës kejnsiane apo asaj fridmaniane, atij do t’i duhet të përballet nga njëra anë me FMN-në, BB-në, OBT-në, BE-në etj., në lidhje me ndërhyrjet fiskale, dhe nga ana tjetër, me shumicën e konsumatorëve shqiptarë dhe kreditorët e huaj, në lidhje me ndërhyrjet monetare…

*respublica.al

10 komente në “Berisha apo Rama kryeministër? Cilido qoftë, mes Shilës dhe Karibdës do të lundrojë…”

  1. elinor says:

    Mjaft e sakte analiza e Zaloshnjes por gjithsesi te sharave te edramisteve nuk ka per t’u shpetuar.
    Ne anen tjeter, per momentin ne Shqiperi behet fjale per demokraci apo diktature, keshtu qe, nderkohe qe asnje lider nuk mund te garantoje nje rritje te ndjeshme ekonomike brenda nje kohe te shkurter, vetem njeri nga ata mund te garantoje deri ne njefare pike nje demokraci funksionale ne vend. Dhe ky nuk eshte berisha.
    Ishte pikerisht nje dem i tille i tejskajshem ekonomik qe u be dhe vazhdon te behet arsyeja qe kjo qeveri duhej rrezuar menjehere pas vjedhjes se zgjedhjeve 2009 cilado te ishte kostoja. U harxhuan 4 vite kohe me nje kosto te madhe ne kurriz te shqiptareve dhe perseri do te na duhet ta rrezojme me force kete qeveri te poshter pasi rruge tjeter nuk do te kete.

  2. Cakalli7 says:

    Si nuk doli nje te na thone sa % te borxhit perben kredite e rruges patriotike, sa pgaujme ne muaj edhe vit per te, edhe per sa vjet do te pagujame

  3. Ariani says:

    Amerika me inflacion 13 perqind? Shikoje mire ore zoteri se nuk e ke te sakte. Kjo do te thote qe brenda nje viti dollari te jete cvleresuar 13 perqind dhe kete se kam degjuar me pare.

    1. italioni says:

      sa vjec je ti arjan? nqs ke lindur pas vitit 1980, kerko pak ne internet dhe shih sa ishte inflacioni ne usa atehre. zbriti dollari ne 600 lireta, kurse pasi erdhi regani shkoi prape te 1100.

      1. Ariani says:

        Ti italiano po perpiqesh te na mbushesh mendjen duke na treguar gjurmet e ujkut ndersa une po te them per ujkun, qe shteti amerikan shtyp dhe shperndan dollare 13 perqind me shume ne nje vit. Ata qe marin vesh nga ekonomia e kuptojne se cfare do te thote kjo, behet fjale qe hedh ne treg triliona dollare dhe prish parametrat e tjera makroekonomike. Me 13 perqind inflacion ne nje shtet te madh eshte katastrofe. Po stu mbush mendja pyet ndonje te profesionit se ta shkoqit me mire.

        1. italioni says:

          o arjan kalamoni, ku di ti c’eshte inflacioni!!! karteri e la ameriken me inflacionin me te larte te historise se shba 13-14% ne vit. po te mos kishte ardhur regani ne pushtet ne vitin 80, dollari do kishte shkuar per lesh, me keq se lireta italiane. ty te duket cudi inflacioni 13-14%, po nuk e di se ne fund te viteve 70 inflacioni ishte 100% ne vit ne izrael. cna ka gjet me kalamajt qe nuk e kane degjuar fjalen hiperflacion!!!!

          1. Arjani says:

            Italiono se kush eshte kalama del nga keto qe shkruhen. Ti kujton se eshte aftesia e presidenteve te amerikes ne se inflacioni eshte i ulet apo i larte. Cte paska lene mendja. Ata kane nje administrate te tere me specialista dhe edhe fjalimet qe mbajne ua pergatisin te tjeret. Po te thuash se Regani ishte me i zoti se Karteri ne ekonomi nuk ben gje tjeter vetem politike. Mua me duhet te shkruaj faqe te tera qe te te mbush mendjen, edhe ndoshta nuk te mbushet perseri. Inflacioni ne shifra te medha mund te ndodhin ne vende te vogla qe kane mundesi rikuperimi te shpejte dhe ne raste te vecanta sic ndodhi me Shqiperine ne fillim te viteve 90 kur qeveria shqiptare cvleresoi monedhen e vet ne krahasim me monedhat e huaja. Por ne rast se kjo ndodh me ekonomine me te madhe te botes do te ” levize edhe femija ne bark ne nenes”. Eshte me mire ta leme me kaq kete dialog se nuk kam mare persiper te te mush mendjen ty.

            1. italioni says:

              Arjan,
              sa lodhesh kot me historira dhe teorira, bej nje kerkim te shkurter ne internet dhe shih sa ishte inflacioni ne usa para se regani te emeronte legjendarin volker ne krye te bankes federale dhe sa ra inflacioni pas ca vitesh.

  4. koli says:

    Kjo qe sapo lexova ishte nje thjesht nje shkeputje nga librat qe ka shkruar Sherif Bundo. Ne kemi nevoje per ide dhe veprime te reja… Jo per ato te cilat i dime… Pse te mos sugjerojme por thjesht te perserisnim ????
    Shqiperi Hesapi ….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje